July 29, 2014

12 poezi lirike- nga Kolec Traboini


12 poezi lirike nga 
KOLEC TRABOINI
-Autor i 24 librave-


1- E PAKRYER

...Na u kthye jeta
paçka se në tërë aeroportet e botës njeri-tjetrin kërkuam
kurrkund nuk më pe e kurrkund nuk të gjeta.

Për ne të dy kjo jetë qenka e mbushur
me pengje
pasione endacake metamorfuar në brenga
që do na mbijnë si shkurre mbi varr
fole për zogjtë mardhacakë
që pa dashuri u shkon jeta.

...Edhe në u takofshim edhe mos u takofshim
tanimë që u thinjëm, është barabar!!!

https://soundcloud.com/traboini/poezi-recitet-by-author-15

 

2- NUK TË KAM HARRUAR

Të betohem për tërë zotat e qiellit
për tërë hyjneshat e tokës të betohem
për tërë ëndërrimet që fjetën bashkë me ty
nëpër korije trembur prej fantazmash
si pëllumba të egër, të betohem…

Nuk të kam harruar as dhe një çast
nëpër udhët që ngjita
nëpër rrëpirat që më gremisën
nëpër muzgje vetgërryese
e agime në të cilat kurrë diellin
të ngrihej në horizont nuk e pashë.

Të betohem për çastin e mungesës,
për trishtimin që ndjej kur nuk të shoh
për udhën që më çon te pragu
ku shpatullat i mbështes i vdekur
prej rëndesës së gurit që më vuri largimi
të betohem…

Nuk të kam harruar edhe kur etjen e shuajta
në puse të tjerë e vende të tjera të largëta
kur hëngra bukë të gatuar nga duart e huaja
e me gishtërinj preka gjoksin e një tjetre
kur thitha lëngun e jetës prej buzësh të nxehta
e u përvëlova në afshe dëshirash trupore
nuk të harrova, nuk të harrova…

Edhe pse pritja s’ka kuptim
kurrë nuk e braktisa ëndrrën
që sapo gjunjëzohet mbrëmja
zhvishet e fle me ty lakuriq
të betohem!

https://soundcloud.com/traboini/nuk-t-kam-harruar-recited-by

 

3- VENUS PA KOKË

Bëra dashuri me një Venus pa kokë
çdo ditë e çdo natë, në mënyrë të përditshme.
Nuk m’u shter asnjëherë ereksioni i mendimit
orgazma ishte lumturisht e frikshme.

Kish hir të bukur si çdo Venus i botës
me gjinj të plotë - kërcyer mbi gjoks
si Vezuv që fle, por krejt i gatshëm
të shfaqet qiejve në errupsion.

Me forma të kolme e nën kërthizë
lëkura i fekste si mermer
nga ato që në lashtësi Fidia kish gdhendur.
E këmbët e puqura, si dashje - mos dashje
më ndillnin të hidhesha në humnerë.

- Më duaj - më thosh, - më pushto, më shtrydh
në ke fuqi të mbash në gjoks llavën time!
Më treti, më shkriu, ma piu palcën
i shkoqi një nga një qelizat e mia
e brenda tyre u ngjiz si atom energjie.

Por kurrë nuk munda në fytyrë ta shoh
atë Venus pa kokë, dashurie...

https://soundcloud.com/traboini/venus-pa-koke-recited-by-author-traboini  

4- KISHA DASHTË ME DEK PËR S’DYTI

...Edhe për së treti kisha dashtë me dek
se dora jota ma solli dekën e bardhë
por edhe në vdeksha njëmijë herë
qoftë e njëmijta si vdekja e parë
-  kush dreqi po pyt!

Vdekja në dorën tande ish aromë prilli
tan lulet ma sollën polenin te kryt
isha vet që të thashë: - tash ma xen frymën
isha vet që të thashë: - më puth e më mbyt
-  kush dreqin po pyt!

Tash, që u tejkrye pjalmimi i jetës
jam krejt i dekun derisa t’ringjallem
për t’ma marr shpirtin, për dek të dytë
i gatshëm jam për rimishërimin
-  kush dreqin po pyt!

https://soundcloud.com/traboini/kisha-dasht-me-dek-p-r-s-dyti

 

5- NJË DORË SHI

Ka ardhur shiu veç për ty
se kishe ikur tejet larg
nëpër ca brigje në Greqi
dhe vera qe e ndezur flakë.

Ndaj u zbras qielli mbi Tiranë
sapo u ktheve nga Athina
edhe rrufetë sikur thanë:
- Erdhi Ajo – ajo më e mira…

Unë nuk mendoj se u shfaq kot
kjo re nervoze krejt pa shkak
se një dënim e doje ti
një dorë me shi e kish hak.

Se verës ike, më braktise
më kot kërkoja portë më portë
ndaj merre puthjen bashkë me shiun
pastaj një gjumë të thellë, të plotë.

https://soundcloud.com/traboini/nje-dore-shi-recited-by-author

 

6-MARIA LAFORÉT
          
Vazhdo ta duash, miku im Simbad, ta duash
Marie Laforèt është diç më shumë se dashuri
është një karusel ëndërr pas së cilit varemi
e kalamendemi tërë jetën si fëmijë.

Mendo për një çast të mos kishte Marie,
përtej së tashmes do të kish veç pikëllim
çdo mëngjes më me gëzim zgjohemi
kur shpresojmë me Marien të kemi takim...

Tundimet për të bukurën shpesh shfaqen si Itakë
udhëtimi drejt së cilës nuk ka mbarim.
Ti do ta kesh Marien në krahë
nëse kurrë s’lodhesh në kërkim ...

https://soundcloud.com/traboini/maria-laforet-recited-by-author-traboini

 
7- PENELOPË DHE ODISE

I ngjasim të dy Odisesë e Penelopës
në këtë kërkim-harrim pa pika takimi
as në meridianë, as në paralele
e as në skajet e polit
por me një ndryshim në sens të gjallnesës;
fatin e Penelopës-pritje e ke ti
e unë si Odise pas Odisesh bredh
nëpër mote
sa mendimet m’u thinjën e floku m’u zbardh
e Farët e shpresës janë në të shuar.

Ti jeton tragjedinë tënde të pritjes
por unë pëlhurë të bëj e ç’bëj nuk kam.
Vë në avëlmend fillin e mendimit
e thur ëndrra kthimi të pafund
me vela horizonti që puthen me diellin.


8-DRURËT DHE NJERËZIT

Ashtu si jo të gjithë të duan
ashtu dhe jo të gjithë të urrejnë
qëndrimi në mosdashje - i mundimshëm
akoma më vrasës qëndrimi në mes.

Vetmia - trishtimi i drurëve pa gjeth
për njerëz që kanë humbur lumturinë
vjen acari e dimri shpirtin krejt ta zhvesh
por nuk humbet shpresa ta gjesh në tjetër stinë

... edhe drurët edhe njerëzit:
gjethet, lulet dhe dashurinë!


9-PAK E NGA PAK

Pak e nga pak në fëmijëri belbëzova shqipen
edhe hapat e para kur i hodha në rrugë
pak e nga pak

Pak e nga pak nisa të dua ngjyrat e dritën
pak e nga pak nisa të lexoj qiellin
kundroja pikëlzat ngazëllyese
pastaj zbrisnin ujvarat e shiut
të nesërmen deti niste paqtimin
zogjtë i lumturoheshin fluturimit
pak e nga pak.

Pak e nga pak më ikën dhe vitet
por, kurrë nuk e takova Yllin e Dritës
pastaj tek e vona në brigjet e kaltra m’u shfaq
tek mblidhte rrezet e Diellit e thurte
kurora me lule dele prilli
pastaj të mbillte një zambak të bardhë
në sfondin e kuqërremtë të perëndimit.

Pak e nga pak
nisa të mendoj se është një mirazh
e lulja mbiu në gjoksin e saj
pak a nga pak.

Pak e nga pak guxova dhe iu afrova
me valëzat e bregut nisa të thur këngën time
për dashuritë që nisin nga ëndrra
e pastaj buisin në zemra
pak e nga pak.

Pastaj, nuk e di si humba, u harrova
e agimi na gjeti të dyve në shtrat

….pak e nga pak!

https://soundcloud.com/traboini/pak-e-nga-pak-recited-by

 

10- BIE SHI NË PARIS

Pikat e para të shiut ranë mbi kullën Eifel
pastaj shkitën në krahët e një pulëbardhe në qiej
mbi barin buzë Senës ku dashurohen zogjtë
u lagën karriget në kafenenë e vjetër ku
me mbesën e qenushin rrinte Jacques Prevert

një djalë e një vajzë vietnameze s’e ndalojnë puthjen
u shijon aq shumë puthja nën shi
sikur të ishin në orizoret brigjeve të Mekongut
teksa kalimtarët e lagur mezi gjejnë strehë
nën rrebeshin që do, me çdo kusht ta mundë
Parisin

mbi Harkun e Triumfit ulen re nervoze
edhe në varrezat Pier-Lasheze, mbi gurë
Jim Morrison-i do të këndonte për këtë shi
që tundon edhe nëndheun e të vdekurve
nën qiparisat që elegjojnë pikëllimin e zi

një shitës Biblash ankon nën çadër
po lagen dhe shkrimet e shenjta, o Zot
shkruar kur ende njerëzimi nuk kishte Paris
bie shi, gjithçka në rroposje, thua përmbytet bota
tashmë që Noe nuk gjendet kurrkund

ngecur në kryqëzimin e rrugës Myslym Shyri
ku makinat s’të lenë të kalosh në krahun tjetër
pranë pallatit ku banoj, tek porta
lagem dhe unë që nuk kam qënë kurrë në Paris
sepse kur bie shi në Paris, laget gjithë bota.

2014

11- PIKËLLIM  VJESHTE

U zutë për një fjalë krejt kot
si gjethe që rrëzon prej një klithje
të një shpendi që në muzg nxiton
kur stinët janë në ndërrim e në ikje.

Si të gjeti vallë vjeshta kështu
me ndenjësen përballë në heshtje
dikur ai rrinte aty
e ty të shihte pa reshtje.

Me vështrim e kërkon herë pas herë
aty në kafenenë e vjetër
si zog i harruar dimri
me cicërima për zemrën tjetër.

Tani ti në vetmi nuk flet
po fjalë ke plot në kryengritje
pse vallë të ikte e le
e mbete në këtë vjeshtë në pritje?

Ju pikëlloi vjeshta në sy
erdhi dhe iku
e bashkë s’ju gjeti
të dy…

2014

https://soundcloud.com/traboini/pik-llim-vjeshte-recited-by


 
12- NJË VERË E NXEHTË QË S’KTHEHET MË

Ai breg i detit aq i nxehtë
e ajo verë krejt e harbuar
shkrinte brenda meje akuj
me trupin tënd të përvëluar.

Dhe dallgët vinin, shushurinin
zogjtë grindeshin nën fletë
me xhelozi dhe yjtë binin
në atë verë, në atë det…

E pres sërish, sërish të kthehet
tek ndërrohen stinët një nga një
pranvera, vjeshta, dimri vijnë
por, ajo verë nuk kthehet më.

Sepse tani koha ka ikur
të dy ne jemi në stinë të huaj
por atë zjarr të përshkënditur
nuk ka as lumë, as det ta shuajë.

2014