MOS VDIS DASHURI 2002 NOKTURN 2004 REQUIEM PËR NJË GJETHE 2005 TRINIA IME 2006 KOHA E PROSTITUTAVE 2007 ITAKA GRUA 2008 LULE PELLAZGJIKE 2012 U DASHKA TË DAL NATËN VONË 2012 E KAM ATDHEUN TEK PORTA 2012 DASHURI 2013 FAJIN E KA HEKUBA 2014 ORAKUJT NË FERR 2015 ODEON 2016 OFELI 2019 ODE PËR SHKODRËN

Rruga Badra /poezi nga Kolec Traboini

 
RRUGA BADRA

Lexova dëshminë e një agjenti në gazetë
e  ndjeva diellin e fëminisë sime të rrëzohej
sepse kam pas një andërr të virgjën 
magji fëminije
rrugën teme me një hanë 
që derdhte ar mbi të dimënverë
me një lule dorëzojë 
që në oborrin e shtëpisë së 
Dom Lazër Shantojës, në çdo muzg 
të pushkatuemin qante.
E për atë Zot, ende e kam fëmininë në atë rrugë
në ato shtëpi, në ato oborre me luleborë
në ato mure me shermashek e shebojë.
Kam pas një dashuni 
që nuk ma vrau dot kurrkush
për muret e Rozafës, lumin e Bunës,  
Drinin plak, Taraboshin, Maranain e Cukalin
e imazhin e Barletit e Idromenos 
tek ngjiteshin e zbrisnin kalldrameve të kalasë 
deri sa  me dëshmitë e veta si urithi 
që nëntokën gërmon
u shfaq spiuni mirditas, Mark
e të thotë - e vraftë zoti, të thotë:
e kam pas bazën në rrugën Badra.
…Ende sot, dorëzoja 
në oborrin e Dom Lazër Shantojës qan
dorëzoja në oborrin shtëpisë së përgjakun 
në rrugën Badra, që spiuni Mark 
kërkon sërisht e pafundësisht
ta rivrasë.

KOLEC TRABOINI

nga vëllimi poetik "Trinia ime" 
Tiranë - Boston 2006


Sot është një ditë qershori e nxehtë/ Kolec Traboini



SOT ËSHTË NJË DITË QERSHORI E NXEHTË

Sot është një ditë qershori e nxehtë
në kafe Europa.
Nuk e di nëse atje nën dhè e ndjen vapën poeti
po këtu është një tmerr, një ferr i vërtetë.
Rruga - po ajo: Partizani i panjohur,
Sulejman Otomani në bronz si një qyqar
përtej kohe
një ngrehinë moderne, mendjeçartëse, si pushkë e
gjatë, me një bajonetë të ngulur
në shpatull të qiellit a si karvan drejt Europe.

Pallati Kulturës stoik e Biblioteka Kombëtare
si një pergamen i tkurrur shkrimesh të lashta.
Mozaiku, xhamia, sahati dhe kisha e re
bizantine.
Ecejaket e përditshme në rrugën e Barrikadave
njerëzit po ata, motorçikleta nën hijen e rrapit
të duket se sjell imazhin e poetit Pano Taçi.

Por motorrin e merr një tjetër
dhe poeti u zhduk pa u shfaqur.
Më afrohet një lypëse në pleqëri të thellë
mbështjellë me të zeza morti
- Më jep ndonjë lekë, zotni! Të faltë Zoti!

Eh, Pano Taçi, jeta nuk është krejt e zezë
siç krejt e bardhë kurrqysh s’mund të jetë
ka dhe ca gëzime të ëmbla siç ka frute vjeshta
me mollë, dardhë, me gjinj si shegë
ka ca skuta të fshehta në netët e errëta
me ca zogëza të kolme që me krahë i pushton
ashtu siç me dallgë i përkëdhel brigjet deti.

Ç’kish ajo ditë qershori me ty. Çfarë deshi?
S’ish kohë për ikje në këtë valë të nxehti
që krejt papritur vajzat i zhveshi
dy gisht minifund, kofshët përjashta
gjinjtë të kërcyer të plotë si shalqinj
o Zot, si e mban varri poetin ?!...

Oh, miku ynë poet, jetëndërruar
më kot shkruan gazetat për ty “engjëlli plak”
tilla marrëzira i përbuzje, i hidhje në shporta
sepse engjëjt gjithkush e di se janë steril,
mos o Zot!

Ndërsa ti, pive kupa e puthe çupa sa deshe
e bëre dashuri, eh ç’dashuri, jo veç në vargje
por me gra të kolme, joshëse, të përflakura.

...Ndaj vendin që të rezervoi Zoti në qiell
e këmbeve me kthinë taverne e një gotë raki
brof me fund përballë një plaku çakërqejf
me emrin lirik e ogurmirë, Omer Khajami.
Eh, kjo ditë e nxehtë qershori ç’pati me ty!
S’është kohë për ikje, poet.
Eshtë kohë për dashuri.


KOLEC TRABOINI

Kafe “Europa”, 17 qershor 2012
Nga vëllimi poetik "U dashka të dal natën vonë" 2012

____________ ____________