Koha Javore Nr. 657 f. 19, Podgorice 9 prill 2015 |
GJÂMË ALETHEIKE PËR ATDHEUN E KTHYER NË FERR
-Për librin e Kolec Traboinit “Orakujt kanë
zbritur në ferr”
Poemë,
Tiranë 2015.
Shkruar nga Anton Gojçaj
Deri në vitin 1995 Kolec Traboini kishte botuar veç një përmbledhje tregimesh (1973), kurse tani, njëzet vjet më vonë, emri i tij është i shënuar në kopertinat e më se njëzet e pesë librave. Mbizotëron poezia lirike, por ka edhe prozë, ese, publicistikë... Është një krijues produktiv dhe i angazhuar. Trajton tema delikate dhe me guximin prej intelektuali ndjek në mënyrë aktive zhvillimet në shoqëri, politikë dhe kulturë. Si shkrimtar dhe si gazetar!
Poema “Orakujt kanë zbritur në ferr” është një
gjamë e thekshme dhe e dhimbshme për Shqipërinë dhe për shqiptarët.
Tentakulat e saj prekin poezitë e njohura satirike të
Fishtës, Ali Asllanit, Nolit, Çajupit, poezinë dhe prozën e Migjenit, por edhe
vargjet dhe personalitetin e “bitnikut”
amerikan Alen Ginsberg, etj. Në sensin e komunikimit “intertekstual”, jo
imitues. Në krahasim me të gjithë ata, Traboini është një grim më i ngrohtë, më
i mëshirshëm. Ai edhe kur godet, (vetë) nuk ndjen më pak dhembje sesa i
godituri. Nuk shkruan si dikush që i gëzohet të keqes së tjetrit, po si
njeri zemërplasur, me durim dhe shpresë të humbur, që tregon me gisht plagët e
shoqërisë, por edhe shkaktarin e tyre.
Është zëri i ndërgjegjes dhe krenarisë
(kombëtare), që pa marrë parasysh sedrën e lënduar,
ende mbahet dhe inkurajon vetveten. Të keqen e lufton me gjilpëra ironike
që ngulen thellë. Nganjëherë, me objektivin për t’ia kthyer me të njëjtën
monedhë palës që merret në shënjestër, si përgjigje për poshtërsitë që ajo ia
bën, përdoret sarkazmi:
Të jesh
shqiptar e të kapërcesh
kufinjtë e
shteteve
është si të
ngjitësh në mal
Gurin e
Sizifit.
(……………………….)
Eja e dashur
të vemi në krevat.
Jemi të
vdekur.
T’i tregojmë
për herë të fundit
Pasaportat
njëri-tjetrit
E pastaj na
dërgofshin në djall.
(Gjama 10)
Lënë përshtypje të mirë
figurat e realizuara stilistike, që nganjëherë dalin të shumëfishta, si në
sekuencën strofike: “për lepurin që struket në një guvë / si të ish fëmijëria
jonë / e nëpërkëmbur” (GJAMA 13), ku brenda një imazhi të thjeshtë gërshetohen
metafora, simboli, krahasimi dhe alegoria.
Në trevën e Malësisë së Madhe, nga i ka rrënjët
poeti, burrat nuk qajnë. Por kur vdes një mashkull, vajtori bën gjamë! Si
njëfarë rekuiemi epik! Po kujt i bën gjamën Kolec Traboini? Kush qenka i
vdekuri që poetin e detyron t’i bëjë jo më pak se 17 gjamë? Askush
tjetër veç “Atdheu si trup prostitute”!
E quajnë
mbretëreshë
të denjë për
kurorë
për fron e
oborr
për
pajë e për prikë
të tjerë, që
edhe ata
duan ta
rrjepin
e duan
seks-nudo
Republikë!
(Koralja e
Orakujve 5 )
Gjendjen e keqe të bashkëkombasve autori e
pikturon si me penel në një tabllo metaforike plot dramacitet
dhe tepër shprehëse:
Gomone e
shpuar, e zhvirgjëruar
në mëshirën e
pamëshirë të dallgëve
frymët
njerëzore tallazitur e përhumbur
në katakombet
ogurzeza të Otrantos.
Narkotikë në
borseta grash
e bagazhe
artistësh
me “Monologët
e Vaginës” nën sqetull
(Gjama 4)
Nga vjen gjithë kjo namë e ky mallkim për
shqiptarët? Kush është fajtor pse Shqipëria është shndërruar në një serial
horrori “live”, ku çdo ditë zhvillohen skena tragjike përmasash
shekspiriane, në “salla koncertesh me kufoma shëtitëse”? Poeti fajtorët i identifikon dhe i
lëçit me të vetmin mjet që ka – me fjalën e fuqishme poetike:
Parlamentarë
mediokër të zbritur prej
guvash si
njerëz të lashtë a majmunë
afrikanë para
megafonësh modernë.
Me një
Parlament
ku
çligjërohen ligjet
e ligjërohen
antiligjet
e në Foltoren
e Popullit
ujqërit u
bëjnë moral
qytetarëve të
ndershëm.
(Gjama 7)
Një term që ndoshta e shpreh mjaft mirë frymën e
kësaj poeme është aletheia (Aλήθεια), fjalë që në greqishte ka domethënien e
“zbulimit të diçkaje të fshehur”, zbardhjen, nxjerrjen në dritë të së
vërtetës lidhur me ndonjë dukuri a çështje jo të qartë. Ky orakull “aletheian”
predikon zhveshjen, demaskimin, deri në lëkurë, të botës, pa rroba dhe pa grim,
ashtu siç e ka falë Zoti:
...e me çdo kusht
metaforave
hermetike u hiqni
brekët.
O Zot, sa e
bukur kjo botë poetike
lakuriq!
(Interlud 3)
Nëna e të gjitha të këqijave për popullin
shqiptar është politika! Në vend që njerëzve t’ua bëjë më të
lehtë jetën, politika shqiptare kontribuon për
nëpërkëmbjen e vlerave humane dhe morale. Dyluftimi i poezisë (artit)
dhe politikës nuk është diçka e re në shoqërinë shqiptare. Ky konflikt ka një
vazhdimësi historike qindvjeçare dhe këtu përsëri i kujtojmë “Anzat
e Parnasit” të Fishtës, “Hakërrimin“ e
Ali Asllanit, poezinë e Nolit dhe poezinë e novelat e Migjenit, etj.
Lidhja me atdheun është anteike, e prek në palcë
poetin, i cili edhe kur kritikon, mundohet të reflektojë për
arsyet, shkaqet, duke shtruar pyetje dhe duke kërkuar analogji... Vargjet e
disa “gjamëve”, mëse një herë, megjithëse lidhjet mund të jenë tepër të largëta
dhe
të imëta, më kujtuan një fragment nga Ungjilli sipas
Lukës (13:34 – “Jerusalem, Jerusalem, që i vret profetët e me gurë i mbyt ata
që të dërgohen”), sidomos në çastet kur subjekti lirik i drejtohet
drejtpërdrejt
Atdheut,
i zhgënjyer për mosmirënjohjen dhe vrazhdësinë që i vjen prej tij:
... Shqipëri,
vendi im, deri kur do të
vazhdojnë
këto mundime njerëzore?
Deri kur do
t`i lësh pjellat e tua
të bredhin
nëpër botë për ca
euro-dollarë
që mezi ua shtyjnë rrojtjen
të lajë pjata
për bukë një poet a doktor?
(Gjama 2)
Shqipëria e Traboinit sillet më shumë si njerkë
sesa si nënë ndaj bijve të vet më të virtytshëm dhe më të
talentuar. Kur mediton për arratisjet e përmasave “biblike” të bashkëkombasve
ai gjen një ngjashmëri te populli i Izraelit, që po ashtu, për shumë shekuj,
endej
gjithandej nëpër botë, pa atdhe... Për ndryshim nga Izraeli, këtu atdheu
ekziston, por është kthyer në ferr të vërtetë, prandaj
poeti/orakulli është “në fund të fundit të durimit dhe
shpresës” dhe i revoltuar i drejtohet (atdheut) me një – antigjamë:
Atdhe ka
ardhur koha të dhjesim!
Pëlhura me
një shqiponjë të çapëlyer
Kacavjerrur
në gjysëm shtizë.
Një kokë
klith, tjetra rënkon.
Sqepat e
varur si zorrë varfanjaku
këndojnë me
ulërima:
Është ora
finale – vendimtare mbi dhe.
Inter-fekale
– do të jetë bota e re.
(Interlud 2)
Atmosfera e zymtë që mbizotëron shkon deri në
fillin e fatalizmit - “qenërisht na rrahën të ardhmen / prej së djeshmes vijmë të
rraskapitur / lindëm e po vdesim në vuajtje” (Zëra ikanakësh përtej
mjegullave). Fatmirësisht, “zbulimi aletheian” nuk është i njëjtë me “zbulesën”
(apokalipsën) e Gjonit dhe mbetet shpresa se bota shqiptare (dhe jo veç ajo)
megjithëse ka rënë shumë poshtë moralisht, mund të ndodhë lustrimi dhe
vetëndërgjegjësimi.
Libri mbyllet me
elegjinë satirike semantikisht dhe muzikalisht mjaft koherente “Ma
vodhën atdheun”, e cila brenda vetes ka aq shumë mllef të akumuluar sa përngjan
sikur është shkruar me llavë.
Poema, me kritikën që i bën politikës zyrtare
dhe atyre që mbajnë frerët e pushtetit, manifeston tipare
të theksuara satirike.
E veçanta e saj është mungesa e humorit dhe
prania e melankolisë.
E kam ditur se Kolec Traboini e shkruan bukur
poezinë e dashurisë. Me të lexuar dorëshkrimin “Orakujt kanë zbritur në ferr“,
u binda se ai e “qan” edhe poezinë satirike. Këto vargje janë më shumë sesa
thjesht satirike. Është lirikë polemike par exellance.
Koha Javore Nr. 657 f. 19, Podgorice 9 prill 2015