MOS VDIS DASHURI 2002 NOKTURN 2004 REQUIEM PËR NJË GJETHE 2005 TRINIA IME 2006 KOHA E PROSTITUTAVE 2007 ITAKA GRUA 2008 LULE PELLAZGJIKE 2012 U DASHKA TË DAL NATËN VONË 2012 E KAM ATDHEUN TEK PORTA 2012 DASHURI 2013 FAJIN E KA HEKUBA 2014 ORAKUJT NË FERR 2015 ODEON 2016 OFELI 2019 ODE PËR SHKODRËN

Shanel - dhe një analizë poetike e F.Terziut

SHANEL

Sot është një ditë e zakonshme dimri mbi glob
trenat zvarrën si dinosaur metalikë në mjegull
diku bie shi, ditë me diell diku tjetër
bora dyndet në Ameriken e Veriut egër

në ekranet televizive tymnaja të trëndafilta
një grua bjonde a një burre i zi do jenë USA- president
komente të shumta për ikjen e Bushit e trazirat në Kenia
CNN 24 orë - por asnjë lajm nuk thotë për Shanel.

Shanel është një vajzë shqiptare e sapolindur në Barcelonë a Trieste
e sotmja që qan e nesërmja që qesh hareshëm
e nesërmja që nuk është larg, tek pragu i derës
ajo në të ardhur, ne duke ikur... në botën tjetër.

të mos e zgjojmë, lërëni të flërë
koha e sfidave lozonjare më pas do të vijë
akoma më pas do ndez zjarre në vështrimet e djemëve
kapriçioze si erë në mes tyre kur të gjëndet

ajo tani nuk dëgjon- as kupton sigurisht
ka kohë për të kuptuar e dëgjuar e, deri atëherë
le ti këndojmë një ninullë dashurie të përjetshme:
Bota sot rilind bashkë me ty, Shanel!

Kolec Traboini
Boston 25  janar 2008

Analiza poetike


Nga FATMIR TERZIU
Bota rilind sot bashkë me ty Shanel!” Një derivat katërcipërisht tërheqës, që buron nga një figurë letrare e tejzgjedhur e që dominon në katër komponentë filozofikë-letrarë. Së pari është Bota që na rethon me të mirat e të këqiat e saj, është vendi, hapësira e kësaj bote të madhe apo të vogël ku shtrihet qënia e gjallesës së vogël shqiptare, është ana fizike e kësaj materie në sensin material, pra është imagjinarja dhe e prekshmja që gatuhet në nocionin ‘Botë’. Së dyti është procesi i fjalës ‘rilind’ që kalëron magjishëm në itinerarin mendje-analizë dhe pushon në koinçidencën e arritur letrare të fillit që zë fjala poetike. Lindja-dhe rilindja si process i tendencës për një të tashme, e një të ardhme ëndërrimtare me pamjen e mitakes, njomëzakes së fjetur, në bukurinë e saj përrallore. Së treti është termi logjik i së tërrës, ‘përfaqësimi analitik’ i fjalës “bashkë”, që nënkupton ‘grupin’ e përfaqësuar nga vogëlushja, moralin e grupit që pasqyrohet në figuracionin e përzgjedhur dhe së fundi është vet simbolika e një pafajsie të sapoardhur në këtë botë që rilind bashkë me të.
Është një figurinë njërëzore, një frymëmarëse e lirshme, ende pa ëndërra, pa analiza, pa filozofi të botës që e priti në mesin e saj, pa moralin e njeriut që pritet t’i depërtojë në ‘qenien’ e saj njërëzore. Është një Shanel, që pena mjeshtërore e poetit Kolec Traboini e përzgjedh dhe e sjell jo vetëm të shkruar, vargëzuar e poetike, por edhe të stimuluar me shijen artistike të një moderacioni prekës, shijues e të ndjeshëm.

Aty është tërë kompleksi i një detaji filozofik, me të cilin më tej argumenton vjersha e tepërarrirë e Traboinit. Ashtu si një rrëmbim momental, të cilën vetëm poezia ta dhuron, kur mendja e pikëtakon atë, vjen edhe kjo “Shanel” fytyrë-poetike e detajuar në mendjen dashamirëse, për tu fiksuar e mbetur gjatë.

Në rregull! Ajo rron gjatë. Pas kaq kohe vjen dhe të pushton ndjesinë një poezi, që nënshkruan një emër, një Shanel, e që mund të ishte njëmilionë apo bilionë emrash të kësaj bote dhe natyrshëm edhe pse është Shanel, 'shqiptarja e vogël e penel-penës së Traboinit', aty është e Gjitha, aty është dhe pushon pafajsia e kësaj moshe e kësaj ndjesie që nis me zbrazëtinë e me gjuhën e saj, heshtjen e pafajshme. Pra aty edhe janë edhe s’ka nevojë për emra. Aty janë gjithë emrat, aty janë gjithë qeniet e tilla, nën siglën Shanel.
“...të mos e zgjojmë, lërëni të flërë
koha e sfidave lozonjare më pas do të vijë
akoma më pas do ndez zjarre në vështrimet e djemëve
kapriçioze si erë në mes tyre kur të gjëndet..."


  • ZBRAZETIA MIDIS DERRIDE DHE HEIDEGGERIT; "FILOZOFIA" E TRABOINIT

Zbrazëtia! Zbrazëtia është lëshuar në këtë botë pa praninë e Shanel që të bëjë realitet mosekzistencën e të plotësojë atë që Derrida e quan ‘hapi i munguar në një hap’. Natyrshëm, sot është një ‘ditë e zakonshme’ thotë Traboini, një ditë ku ajo s’përjashtohet nga ditët e shumta, por kjo ditë për poetin është:
“sot është një ditë e zakonshme dimri mbi glob
trenat zvarriten si dinosaur metalikë në mjegull
diku bie shi, ditë me diell diku tjetër
bora dyndet në Ameriken e Veriut egër…”.
Natyrshëm sot është pra, kjo zbrazëti foshnjore e mbarsur me zhurma, që Traboini e zbulon në detajet e Jacques Derridës dhe në sytë e pikturuar prej tij tek engjëlli njërëzor, Shanel. Por zbrazëtia është normalisht një aleat i ngushtë edhe i karakterit në hapësirë. Çfarë është filluar që herët të sillet si një sukses i konsideruar në hapësirën poetike dhe përkatësisht në art-poezinë bashkëkohore, një spekullim detajesh artistike të ‘afër-sisë’ dhe ‘distancë-s’, të premtuara nga Heidegger në punimet e tij analitike tek “Arti në Hapësirë” (Art in Space) (1968), ka gjetur një kompleks labirintesh në rrugën shumëdegëshe të piketuar nga Traboini për të dhuruar një gjuhë provokuese, ose mësaktë një gjuhë mendje-ngacmuese.

Në konsideratën e kësaj logjike pikëtakuesja e estetikes në letërsi dhe kompleksit meta-linguistik zbulohet kuptimi i të mundshmes për të nënkuptuar posibilitetin dhe limitin e termit ‘relatim’ dhe ‘dialektik’. Duke përshtatur termin Derridian, kompleks identitetesh të një artifice, prurja letrare e Traboinit motivon diskursin dialektik por edhe vihet në funksion të mjetit topologjik të variacionit.
Këtu janë zgjidhjet e gatshme se si çdokush mund të startojë këtë trajektore në rrugëtimin e tij në hapjen e një strofe si kjo:
“Shanel është një vajzë shqiptare e sapolindur në Barcelonë a Trieste
e sotmja që qan e nesërmja që qesh hareshëm
e nesërmja që nuk është larg, tek pragu i derës
ajo në të ardhur, ne duke ikur... në botën tjetër.”
Këtu si një i sapombërthyer në tërë kompleksin e artit, krijimtarisë, gazetarisë, filmit dhe kërkimeve akademike, natyrshëm kam edhe ndjenjën e kundërshtisë për atë që ndoshta do të përkiste në një demarkacion të së ashtuquajturës poezi të strukturuar ‘nga jashtë dhe nga brenda’, që në themel huazon fjalën e arkitekturës për të thënë se pena e gjallë dhe prodhuese e gjen vet ‘mjeshtrin’ disa-profesionesh që i duhet sot kësaj bote të artit krijues, të cilën Kolec Traboini nuk e kursen dhe madje e vërshon cilësisht.
Ngjashëm unë gjeta tek Derrida në Wegmarken një gjuhë të cilën Traboini e ka gllabëruar fuqishëm dhe e deprovon me magjinë e tij enkas për një “peisazh” si ky që figuron tek fatura e heshtjes së asaj që Foucault e quan “heshtje të fuqisë dhe diturisë”:
“në ekranet televizive tymnaja të trëndafilta
një grua bjonde a një burre ... do jenë USA- president
komente të shumta për ikjen e Bushit e trazirat në Kenia
CNN 24 orë - por asnjë lajm nuk thotë për Shanel.”
Dhe duke marrë borxh termin e Traboinit edhe unë natyrshëm i premtoj heshtjen Shaneil:
“të mos e zgjojmë, lërëni të flërë
koha e sfidave lozonjare më pas do të vijë
akoma më pas do ndez zjarre në vështrimet e djemve
kapriçioze si erë në mes tyre kur të gjëndet

ajo tani nuk dëgjon- as kupton sigurisht
ka kohë për të kuptuar e dëgjuar e, deri atëherë
le ti këndojmë një ninullë dashurie të përjetshme:
Bota sot rilind bashkë me ty, Shanel!”
Por, heshtjen nuk ia “dhuroj” Traboinit, kompleksit Shqiptar!

Londër, Shkurt 2008


Asgjë nuk shkruhet rastësishëm! As poezia, as kritika për të dhe, aq më pak "të lexuarit e analizës" prej autorit të poezise, nuk ndodh atykëtushëm!
Sepse: duket sikur nuk ke pasur synim, duket sikur nuk je nisur të arrish diku, duket sikur ke dalë aty ku dole rastësishem, se kush guxon ndonjëherë të shprehet se "rasti është mbreti i botës"...! Por vetëdija e plotë nuk është veçse respektimi i urtë i nënvetëdijes, të cilën quajeni po deshët edhe Vetja Instiktive! Në të vertetë duhet të lindësh prej një nëne, që pastaj të kesh pse të duash nënën; duhet të lindësh pasardhësin tënd që të kuptosh paraardhësin, dhe duhet të mbetesh pa frymë për fëmijen tënd, që lexuesit të marrin frymë njëherësh me ty, duke lexuar poezinë tënde për një fëmijë fiktion!
Kritiku, e si mund të mos jetë veçse zbuluesi yt, gjersa arrin të bëj lexuesin e autorin njëherësh dhe bujarisht të vendose përpara syve pasqyrën?! Aty, janë gjithë frymët: e heroit, personazhit, lexuesit dhe krijuesit, gjerë në atë mbivendosje sa nuk ka pse kerkohet identifikimi i tyre. Është vetëm krijimi që duket.
Ai që njeh veten, dhe që di të dojë tjetrin, vetem ai i rrëfen tjetrit ç'ka dhuruar, duke menduar se thjeshtë ka ofruar ç'ndjen...
Tashmë, pas analizës së Fatmirit dhe konsiderimit të saj prej Kolecit, edhe poezia e tij po më duket edhe më e bukur: ajo ka qënë ajo që është, por nëpërmjet kësaj marrë-dhënieje të pafundme, me ndihen edhe mua të zbuloj veten atje.

Faruk Myrtaj

Toronto, 7 shkurt 2008

Një poezi me ndjenjë. Ta ka ënda të lexosh e ta rilexosh . Poezia është ndenjë dhe kjo Shanel është ndenjë, është krijim i mirfilltë poetik i një krijuesi që është marrë gjatë me artin, duket se poezinë e ka brenda në shpirt, mjafton të hapi rubinetin pa u sforcuar për të shkëputur poezinë.

G
ëzim Llojdia
Vlorë, shkurt 2008
Mirënjohje për analizën poetike dhe opinionet tuaja për "Shanel".

Kur e kam shkruar nuk kam pas parasysh asnjë platformë estetike apo aspekt filozofik, por thjeshtë një vogëlushe shqiptaro-europiane, me fytyrë ëngjëlli që i shtohet kësaj botë e që në të vertetë me qetësinë e brishtësinë e saj e ngërthen brenda vehtes atë, pra botën. Koha ndrron në mënyrë të pakuptueshme e ne shpesh herë harrojmë se çfarë ngjet, na duket se jemi më të rëndësishmit, na bëhet se jemi të përjetshëm. Harrojmë se jemi pjesëz e një stafete, hallkëz fort e vogël në zinxhirin e të pafundmes. Dua me sinqeritet të pohoj se duke lexuar analizën mbi poezisë sime "Shanel" nga kritiku e krijuesi Fatmir Terziu, mbeta i befasuar sepse ndesha njeriun me dimension në fushën e analizës letrare por edhe njeriun e njohurive të thella në dijet e filozofisë së artit. Të paktën unë si autor i poezisë “Shanel” u gjënda para një analize mbreslënëse. Analisti Fatmit Terziu zbulon mjeshtrisht edhe atë dimension të poezisë, çfarë autori e ka krijuar falë subkoshiencës që edhe ajo është pjesë e proçesit krijues. Krijimi i goditur është si ajsbergu që nuk mund të jetë vetëm ajo pjesë që shihet në siperfaqe, por dy të tretat nën ujë mund ti shohin vetëm zhytësit e studiuesit e thellësive. Ashtu ndodh edhe me kritikët e plotësuar e dimensionuar të letërsisë të cilët, edhe ata, zbulojnë misteret e padukshme të krijimit. Fatmir Terziu në aspektin e analizës poetike deperton mrekullisht në çdo qelizë të strukturës, ideve dhe figurave. Eshtë kjo jo vetëm dhunti njerëzore por punë studimore skrupuloze që e nderon. I jam mirënjohës.

Kolec Traboini
Boston, 8 shkurt 2008

MARIE LAFORET

MARIE LAFORET

...forever!


Vazhdo ta duash, miku im Simbad, ta duash
Marie Laforet është diç më shumë se dashuri
është një karusel ëndërr pas së cilit varemi
e kalamendemi tërë jetën si fëmijë.
Mendo për një çast të mos kishte Marie,
përtej së tashmes do të kish veç pikëllim,
çdo mëngjez më me gëzim zgjohemi
kur shpresojne me Marien të kemi takim...
Tundimet për të bukurën shpesh shfaqen si Itakë
udhëtimi drejt së cilës, kurrë nuk ka mbarim!
ti do ta kesh Marien në krahë,
nëse kurrë s' lodhësh në kerkim ...


k.traboini,
Boston, janar 2008

Fichier hébergé par Archive-Host.com

Fotografia - Potret i Marie Laforet e cila ndodhet edhe sot e kësaj dite, në një hyrje të pallatit 292, pra në shtëpinë time, në Vlorë.

SIMBAD

Kliko: http://AMARUS.over-blog.com
për të parë web-sitin e Simbadit: AMARUS



PARFUM TRËNDAFILI



TRABOINI

PARFUM TRENDAFILI

a drithëron ende kur pas një dimri të lodhshëm
të shfaqet Shën Valentini, lakmuesi i zemrave njerëzore?
përpiqet ai të pushtojë apo ti e ke robëruar
e si një skllav dashurie
ta mbulon gjoksin me trëndafila?
nuk di asgjë se çfarë ndodh në Romë
por veç aromën e parfumit të trëndafilave t'a ndjej
m'a sjell oqeani përmes dallgëve dimër qoftë a verë
e drithërohem kur mendoj
se me trëndafila të mbulojnë të tjerë...
2008.


PROFUMO DI ROSA

…tremerai ancora dopo di questo l’inverso faticoso
Quando si presenterà occupatore dei cuori umani, S.Valentino?
Sei tu che lo hai dominato o invece lui che ti ha conquistato
A ricoprire tuo petto come uno schiavo dell’amore
…con il profumo delle rose?
Che cosa succede a Roma non so più niente,
Sento solo il profumo delle rose da lontano
Onde dell’oceano li portano che sia estate o l’inverno,
A coprirti delle rose saranno diversi…
…tremò tutto, quando io ci penso

përktheu A.M.

SINDROMA E MONA LIZËS

je mrekullisht e kujdesshme po aq sa e bukur
ndaj i pres me kënaqësi urimet e tua
kur viti ndrron e ne kurrë, pa e parë njëri-tjetrin.

çfarë është kjo e dëshirë, sa fshehtë aq tunduese
ky rit i vjetër njerëzor dëshirash të largme
për ndjesi tejoqeanike në dy kontinente.

cili është kodi i fshehtë i nostalgjive të zemrës
për Mona Lizat tej kohës, tej e përtej hapsirave
të kamotshme, të djeshme apo të sotme.

po me këtë enigmë, që brenda meje e teje flë
kur, po te ishim njohur e puthur qoftë dhe një herë
mund të harroheshim përgjithnjë.
e dimë që mund të mos i takojmë kurrë
e megjithatë digjemi për puthjet e Monave...
2008


ROMA NË SHI 

nuk di, në Romë, a e njohin fjalën falje
përtej sinodit hyjnor me shenjtorë të përvujtur
që lotët i huazojnë prej qiellit
e ne të dy na pikëllojnë në Termini
stacionin e ardhjeve e ikjeve pa kthim.
pse më shikon e rreptë si një Patrice
tek lexon në sytë e mi dëshirën e puthjes,
sikur prisje të vinte një shënjtor, jo një njeri?...
kam ardhur ndryshe nga pelegrinët
ndryshe nga statujat e gurta në Sheshin e Shën Pjetrit
akoma më ndryshe nga papët katakombeve
kam ardhur të marr diell e shpirtin ta mbush
me aromë kristanemash njerëzore

ndaj të pyes:
për këtë ardhje ndryshe
fjalën falje zemrat a e njohin?

qan Roma - Termini në shi
si statuja të lagura shenjtorësh, ne të dy...

UJORE

fryma e një kohe në kujtesë na mbetet
e ujshme si sipërfaqja e deteve
dhe stuhitë e reshjet kështu e lënë imazhin e vet
duke krijuar relieve në gurin që tretet
si pluhuri bëhemi të tepërt
e lumejt na marrin me vete...

🔴Shën Valentin i përgjakur/ Kolec Traboini


Shën Valentin i përgjakur

... i vetmi krim që bënë: u dashuruan,
kur atdheu qe kthyer në skëterrë
e djajtë me sfurqe mbretëronin ...


një tragjedi, nën një pallto të vjetër, me emrin Eros
fanepset vetmitar, pikëllues në Bronx të Nju Jorkut
në prag të Shën Valentinit të përbotshëm 2008.
“Stand and ufold yourself! - qëndro e shfaqu!”
kumbon zëri tragjik hamletian që pesë shekuj!
ne ecim përskaj shetitores ku shfaqet fantazma
i thyer, i kërrusur, i shpërbërë, ish-njeriu
e, në vend që të heshtim si Budë, i lehim si qentë
pallton e eremitit, si në të djeshmen, vazhdojmë t’ia shqyejmë
ende në ndërgjegjet njerëzore ka bllanga gjaku...
anipse sipari i tragjedive Romeo e Zhuljetë ka rënë
e bota e ka tejkaluar terrinën e mesjetës
hijet vazhdojnë të jetojnë brenda nesh
kobe brenda njeriut: Stand and unfold yourself!
ju xhelatë të dashurive në mes nesh, qëndroni!
plagë mbi plagë e dhembje mbi dhembje
ende mbi trup e shpirt të Shën Valentinit të përgjakur
Jagot edhe nga varri vazhdojnë t'a vrasin
për hesap të një mizorie që s'guxon të kthehet!
stand and unfold yourself, koha ime!...No more!
Kurrë më mos e kthefsh njeriun në fantazëm!

© ktraboini, 9 shkurt 2008