MOS VDIS DASHURI 2002 NOKTURN 2004 REQUIEM PËR NJË GJETHE 2005 TRINIA IME 2006 KOHA E PROSTITUTAVE 2007 ITAKA GRUA 2008 LULE PELLAZGJIKE 2012 U DASHKA TË DAL NATËN VONË 2012 E KAM ATDHEUN TEK PORTA 2012 DASHURI 2013 FAJIN E KA HEKUBA 2014 ORAKUJT NË FERR 2015 ODEON 2016 OFELI 2019 ODE PËR SHKODRËN

🔴Mos vdis dashuri - K. P. Traboini / Tiranë-Boston 2002

MOS VDIS DASHURI, poezi, Kolec Traboini, 
Tiranë-Boston  2002 f. 154

MOS VDIS DASHURI                                        
              
Mesnata e dhjetorit zbriti në tatëpjeten e shkallëve
me flokë të lëshuar e ftyrë të çjerrë
si në vdekjet pagane
unë jam i vetmi dëshmitar i vdekjes tënde
me një cigare të ndezur
që mezi i ngroh sekondat e fundit që s'duan të ikin...

Tani askush s'përgjon vetmine time
tani mund të rri vetem me mendimet e mia per ty.
Të tjerët flënë të harruar
harku i dorës sime përkëdhel imazhin tënd
hapsira që ti i merr errësirës ështe fare e vogël
dhe frymemarrjen ta ndjej paksa të mbytur...

Vetem kaq!
Oh sa pak dashuri na afroi jeta!

Diku larg nje gjoks i çjerrë përcjell një këngë
këngë me dhëmbje e brengë
për diçka që ka ikur e s'kthehet kurr më
për diçka të shtrenjtë.
Pastaj heshtja hajdute vjen të rrëmbejë fjalët
në retinen e syve tanë të njëllojtë vjen imazhi yt
i mbledhur kruspull
dhëmbët kafshojnë urrejtjen
e dënesat në zemren tënde sa vinë e shtohen.

Duan të rrëmbejne trokitjen nga zemra jote
e ti s'e duron dot këtë dhëmbje...

Të rëndojne supet
drithërojnë qëpallat si fletëza mbi ujë
me një peshë të tillë edhe degët e lisit thyhen
siç u thye sontë nje kockë gjoksin tënd
prej nga doli një zog i kaltër, krahëthyer
me përpëlitjen e vuajtjes
e rend në të katër horizontet i dehur me ndjenjen e lirisë
rrugën për tek unë e di, por ai bie në sokak pa frymë
në sokakun e të marrëve ku era argas fytyrat e njerëzve
pa dashuri
se dashurinë e kanë mbyllur në burgun e gjoksit
e nuk gjen kurrkund një sokak ku njerëzit të duhen
pa frikë...


Ndersa unë kërkoj të mëlcoj dhëmbjen e plagëve
nata e errët indiferente
si fshesare hedh në kosh çdo kujtim të djeshëm
duke vendosur pushtetin e heshtjes
duke shuar fenerët e shpirtit
duke m'i shtuar kështu shtërngesat e zemrës.

Nata heq zvarrë patericat nëpër rrugët e qytetit
më kot e shtyj- ajo çalon si e çmëndur
dhe s'do t'ja dijë se e pres të nesërmen me ankth.

Kam një trëndafil të zjarrtë që më përvëlon në buzë
kam një rrahje në gjoks që po ma çan zemrën
dhe s'kam ç'të të jap në këtë natë veç një buçete me yje
e hënën që varet si shportë mbi kokën tënde
me puthjen e nesërme- kur të dalë dielli
nën thirrjen e zjarrtë të Nerudës
Mos vdis Dashuri! Mos vdis!

Se neser nuk do të jesh kurrgjë më shumë se një muranë.

IDIL ME LIRINË

Ti kalon
gjithnjë kalon
në këndin e rrugës unë gjithnjë
duke pritur

e ndjej jam brenda teje
tretem ne imazhin tënd
në frymën tënde jetersohem

deri kur ky kalim
deri kur ky harrim
sa shekuj?

Liria ime e tjetersuar në mjegull.

1990

I THEM VDEKJES JO!

Nga ti Vdekje nuk dua apel per zgjatjen e jetës
-qoftë dhe një cast,
paraqitjen rreshtore të mëngjesit e mbremjës
nën pushtetin tënd - e urrej
si të internuarit në ishujt pa jetë,
që natën bashkëbisedojnë me yjtë vetmitarë
e ditën zhuriten nga monotonia e detit dhe e qiellit
teksa shqyejne pjesët e mishta të trupit
gjer në kockë - për të ushqyer shpresen,
atë pacavure të ndyrë që ta valëvisin në sy
si demit shaminë e teoradorit,
ndersa në trup ngulen heshtat e tërbimit
quaje shpëtimit klinikisht- nuk ka rendësi
emri qe Koha u vë shpresave të reja...

Gjithësesi - fundi është saktësuar ne kodin gjenetik
në transfiguacionin e qelizave që një herë
duhet të vdesin - Ligj i Natyrës...
ateherë pse duhet të vdes i përkulur?!

I them Vdekjes jo!- në çdo qelizë të jetës!
Nuk është shpëtim, pak e nga pak
të shëmbësh ngrehinen e trupit- të kafshosh vetvehten,
duke zhveshur muret nga suvaja ku duken tulla të shkallmuara
e përmes brinjëve, si përmes trarëve të catisë të fryjë erë...
një erë që të përkul si kalli thekri mbi muranë
e grumbulli i eshtrave të tkurret e të mblidhet kutullaç
vetem me idene e një ditë të zgjatur - vetem një dite,
duke pranuar zbritjen shkallë-shkallë të nxehtësisë së gjakut
qe të ka përvëluar në gjoks për dyzet vjet...

Le të shëmbet kasollja- siç thotë varfanjaku,
që ka vetem një shprese- kashten e çatisë
por ka nderin mbi gjithçka- e thotë:
"Të shëmbet! Te digjet!"
se lepirja e flakeve nuk ështe asgjë
përpara lëpirjës së buzëve- përpara turpit...

Ndaj aty ku jeta të sfidon trimërisht- ti Vdekje
hyr pa trokitur, si hajdute nate me misionin e azgjësimit,
por para se të shembesh shtëpinë- vuri flakën
ngroh akullsine tënde,
ashtu siç je- pa trajtë e pa formë
me dëshirën e shfrenuar të mos vije kurr Zgjimi.

Ja kështu ecen ti në hapsirë me misionin e zi,
duke i tmerruar njerezit- si nje kalë i drunjtë
që trokon kudo- herë në një shtëpi e herë në një tjetër
here ngatrron kufijt e shteteve - asgjë s'të ndalon
duke shtuar trokëllimat - në një rëndje të hazdisur
e duke mbajtur si yzengji mallëkimet e Botës...

S'ka fre për ty - progresioni gjeometrik i tërbimit tënd
herë-herë nuk ka fund
por qëkur njerëzit zbuluan sekretin e zjarrit
edhe ti si Zeusi mbete pa fuqi
edhe ti si Zeusi me skeptrin tredhëmbesh godet trupin
e Prometeut
ndersa të vegjëlit që rrojnë nën hije lisash, shpesh i harron
por Prometeu vdes e ringjallet- diç më i madh- diç më i bukur
ndonëse nuk ësht indentikisht ai,
por i biri, i biri i të birit, i stërbiri
i mijëra bijëve që rrjedhin nga ai gjak - nga ai lumë...

Edhe pse në gjunjë nuk më ka trokitur pleqëria
më pëlqen të rri në diell sa të më shullëhet koka,
paçka se pika e diellit është më e rëndë se pika e hijes,
paçka se shpresa për të zgjatur ditët është një karrem i kolmë
që tundon burra shtetesh...
dhe të Vdekshmit e Hijes të quajnë budalla për çdo refuzim,
ndersa të Pavdekshmit e Skeptrit- e dine që janë të pavdekshëm
dhe heshtin krenarë - sepse kanë siguruar pasaportat për dy Jetë,
vdekja për ta ështe një kapak druri- që kalbet shpejt, shumë shpejt,
më shpejt se Lavdia- ndaj i sheh të kthehen së gjalli në statuja,
tek thonë profeci për qëndresen e gurëve
në themelet e kështjellave
nën peshen kolosale të mureve.

Ja ku erdhi...
trokon...trokon me nallanet e drunjta
nëpër udhe -nëpër kalldrëme
me deshirën e shfrenuar të mposhtjes se Njeriut- qe ai
të lëshojë frymen e fundit
pa i ardhur akoma fundi...
Dal në prak... I them Vdekjes Jo!
nuk dua mëshirë
mëshira është metastaze kanceroze që bren karakterin
njerëzor- pak e nga pak - derisa e kthen në një kufomë
duke e ndarë për së gjalli nga të gjallët...
Kurrë!

Mbi fytyren tënde Vdekje hedh pështymen e fundit
përpara se të më jetë tharë gjuha
akoma më përpara se trupi të më bëhët akull e hi
duke refuzuar cdo falje
duke refuzuar kapitullimin e trupit dhe të shpirtit
ve per te ruajtur frymemarrjen sa nje gulç azmatik...
Kurre!
E dua gjoksin me ajr
dua të vdes i bukur
të jetoj me imazhin e qëndresës
deri në çastin e heshtjes.

Ti, Vdekje bej ç'të duash! Vazhdo trokun!
Trokun ogurzi për betejen time të fundit.
Unë do të rënd duke kënduar edhe në shkofsha drejt humbjes
siç rënden njëmije breza - stërgjyshërit e mi
pa dalë asnjëherë kundër Lumit të Gjakut që uturon...

Nëpër këtë lumë le të rrjedhë rrëkeza ime!

Tiranë 1986


NË PORTEN E SHQYER TË LIRISË    
         
Një gjysmë shekulli kafshuat terrin, o njerëz
duke ripërtypur tmerrin,
në thellësi të gjoksit, në thellësi të shpirtit
gjersa zbuluat marramëndthi një copë qiell të kaltër:
askush nuk mundi t'ua mbulojë udhën e Kashtës së Kumtrit
e Yll polar patët ëndrrën tuaj.

Përmes errësirës, agonisë
ëndërruat fytyrën e pranverës
duke pritur ditën e dehjes së madhe
ditën e "marrëzisë"
sepse ju e dinit profecine e gjyshërve arbër:
se vetem atëhere kur njerëzve u hipen marrëzia e lirisë
vetem atëherë krrelat e erës në qiell nisen e bëhen të kaltra.
e anijet e stuhive te detit i afrohen bregut te shpreses.

Tash, si të dashuruarit e marrë pas lirisë rëndni
rëndni për ta puthur e mbjellur në gjoks atë copë qiell
nën strehen e të cilit edhe lotët janë gëzim
sepse puset e lotëve moti kanë shterruar;
veç gurët e zallit si gaca të syve na shikojnë
në terrin e dëndur që kafshojmë.

Jemi dehur nga shija, marrëzia, e Lirisë
e s'na vjen keq që na shpallin të çmëndur
tek na shohin si arrnojme ëndrren tonë
me copëra qielli të kaltër:
si e ushqejmë me tamblin e gjirit të gurtë të Rozafës
foshnjën e lirisë

Kërkojmë nën ethe, nën zjarr e stuhi
emrin e ri të kohës, të njeriut. . .
Etika e rreme mondane thotë do mbesim në gjysmë-rrugë:
në gjysmë-shtet, në gjysmë-hije, në gjysmë-lirie
është ky vetem trill, është kjo vetem një babëzi...

Vertetë si mundemi vetem me dy gishta në erë
të shkruajmë në qiell tragjedinë e njeriut?
Të njeriut që në vdekje mbet pa varr
të njeriut që në gjallje mbet pa diell?

Eshtë natë e territ të gjatë të Arberisë
e uragani i shpirtit s'e gjen kohen e vet të qetësimit;
si deti i egersuar që i rrëmben rëren brigjeve
enderra sublime i lëkund fronin tiranisë.
Pas ketij uragani, pas ketij ankthi e rrëmeti
kush poet i botës mund të thotë
se hajdut i natës qenka deti. . . ?

Rëndim e rëndim perballë erërave egërshane
puthim kaltërsinë
shuajmë etjen e buzëve të rreshkura shkrumb;
po pranë nesh ka nga ata që kanë harruar puthjen
e me dhëmbë të helmuar po i afrohen qiellit tënd, Arbëri!
Si Juda pranë Krishtit
me hapa tinëzar çapiten
me puthjen kafshuese hapin portat e ferrit të ri.

Lutjet përdëlluese a e shpëtojne ëndrrën e kaltër
nga buzeqeshja cinike. . . nga kthetrat e djallit?
Jo!  As kryqi, as gjysmëhëna, as apostujt e Krishtit
nuk e shpëtojnë dot, pa zgjimin tonë të ri!
A s'është në dorën tonë, a s'është në dorën tuaj, o njerëz,
ta shpëtojmë - o Zot! - ëndrrën tonë - lirinë-në- agoni!

Tiranë, Dhjetor 1990


TROK PA KTHIM

Ikën kuajt
lanë pas frerët e braktisur
me një tok pluhur pas të cilit humbën
fytyrat e zotërve...
tani vetëm kamxhiku i erës fishkëllonte
vithet e tyre
e rrezet e diellit harliseshin me jelet.

Iknin...
Instikti i lirisë u kishte dhënë flatra
por shpejt u lodhën e ranë të drobitur
të shkretët kuaj!
Përmes syve të qelqtë
shihnin njëri-tjetrin me dhembje.
Kishin lënë pas grazhdin e varfër
e gjysmën e jetës së vet nën fre...

U ishin shterur fuqitë
i kish shkretuar etja
por uji ishte pronë e zotërve e ata
nuk ktheheshin kurrë më!
As vetë zoti në qiell s'i kthente dot më pas.

- O Zot! Ktheji pas! - lutej njeriu.
- Kthehuni! - urdhëronte Zeusi nga maja
e Olimpit.
Por tani fuqia e tempullit kish humbur
e ata ishin kthyer në një ëndërr...

Ndërsa qielli mbeti qiell
Yjet
si një tufë kuajsh të egër
në  një trok pa kthim…

 Shkurt 1991


LAKURIQ NE ASFALT

Lëkura ime është tepër e rrudhur për daulle
e krahët e mi janë tepër të mplakur për punë
truri im i artikuluar në sistemin tjeter
është një mekanizëm i ngecur...

Më gjej diçka që të shes, o Zot!
Diçka që të rroj!

Jam tepër i lodhur nga ky treg i çmëndur
ku çdo gjë shitet, blihet e shitet
nga ushkurët e ministrave deri tek tulet e grave
sa rri e filosofoj vargje të fandaksura:
Pëllumbat po të mos bënin glasa
do të ishin engjëj
e kokat e  heronjeve nuk do të kishin frikë
nga të pëgërrat e qiellit...

Më gjej diçka që të shes, o Zot!
Diçka që të rroj!

Ejani blejeni marrëzinë time
çdo gjë që kam në kokë e në duar merreni
merrni po të doni dhe rrobat e mia
më lini zhveshur
siç më ka bërë nëna
veç blejini, ju lutëm blejini!
Davidi lakuriq është një nder
Moisiu i zhveshur është një turp
do të përpiqem të shes edhe turpin...

Duhet të shes diçka në këtë treg të çmëndur
duhet të shes diçka që të rroj
në këtë botë
ku kurrgjë nuk mbet pa shitur.

Të ish për mua
një funksionar do ta shisja me vlerën e një çakmaku
sa për të ndezur plehrat e rrugëve
e pastaj mbi zjarr do të shurroja pa mëshirë
e pa frikë
nga ligji që mbron burrat e shtetit
në vendin tim të shkatrruar
nga marrëzia e politikanëve pa tru.

Duhet të shes diçka në këtë treg të çmendur
më sillni diçka, ju lutem, më sillni
diçka që shitet lire, fare lirë, sa vetë liria
por jo ministër a deputet, diçka tjetër
dhe sa më shpejt se perëndoi dielli
e hëna do të më gjej lakuriq në asfalt
si kalë plak i drobitur
duke i hingëllitur qiellit:

Më gjej diçka që të shes o Zot!
Diçka që të rroj!

Athine,  24 Prill 1994


T R A B O I N I

Traboini është fshati Atit tim, në mjegull
përtej kufinj shtetesh, mizorë
përtej legjendash me fise të ndara,
që nga kohët pellazgjike e që shkojnë
pafundësisht në ndarje, si një mallkim
prej Zotit a Djallit kush e di.

Traboini është dhembja e tim Ati në zemër,
për fëmijërinë e tij të humbur,
bashkë me truallin e shtëpisë e fojletën
tek pragu
bashkë me kujtimet e pleqve
e ujrat e Kroit të Traboinit të moçëm
që ende rrjedh
me lotë të kaltër për kohët e dikurshme
që kurrë nuk kthehet më, për tmerrin tonë.

Traboini është buzëqeshja ime e humbur
Shumë vite para se të lindja, larg tij
Nëpër pelenat e kuqërremta të kohës
Me makthe brezash nëpër ëndrra të trishta
Prej të cilave kurrë nuk do të zgjohemi
Prej të cilave kurrë nuk do të shpëtojmë
Si një mallkim prej Zotit a prej Djallit.


Traboini është një mal e një burim
me një grusht njerëz që mezi mbajnë frymën
me pak shtëpi që tymosin dridhshëm
me frangji të ulta gjer pranë dheut
rreth një Kishe të vjetër me varre të lashtë
ku dëgjohen piskama të rrëzuara prej qielli
të vajtojcave që kanë vdekur prej një shekull.

Traboini është gjeneza ime
është prag-udha që më lidh me botën
siç unë u lidha - verigë pas Atit tim
duke marrë mbi vete barrën e rëndë
të amaneteve të atyre që s’rrojnë më
dhe të atyre që më pas do të rrojnë.

Traboini qëndron në rrah të Veriut
si një anije nëpër dallgë mizore
për të na kujtuar ne të mërguarve nëpër botë
se pa kthim në atë mal, pa pirë ujë
në atë krua
kurrkund në botë nuk të tret dheu
e shpirti do t'na terratiset lugat nëpër hënë
si Millosh Kopili me kryet e vet nën sqetull.

Boston, 21 shtator 1997


TI LUMI KIR - TI DETI IM

Si gjithë lumenjtë nis udhë nga malet
nën një shqiponjë në fluturim
ec e ec dhe kurrë nuk ndalet
përmes fëmijërisë, ky lumi im.

Ka dyzet vjet që pas më ndjek
me gurgullimën këngë të gjatë
sikur fëmijëria ime është
një shtrat ku rrjedh ditë e natë.

Të gjithë vocrrakët në Hot të Ri
si zogj pranë tij i rrihnin krahët
aty pa dielli trupin tim
aty pashë hënën tek po lahej.

Aty kam qarë, aty kam qeshur
e kam përkëdhelë me dashuri.
ditën që babai shkoi,
ai i mori lotët e mi...

I mori lotët e vogëlushit,
i çoi në det, larg në det
- Sa kripë paska sivjet uji?!
të gjithë thanë atë pragvjeshtë.

Kalova jetën si një lumë,
i qetë e herë i hidhëruar
por ngeli në ujvarë të shpirtit
ajo rrëkezë e hidhëruar.

* * *
E merr burimin lart nga malet,
me një rrëkezë të shpirtit tim
në shtratin e fëmijërisë së nxehtë
Ti lumi Kir- Ti Deti im!

Shkodër, 1985


ENGJËJT ROJE                         
Denise 

Pse nuk erdhe në shtëpi kësaj të diele, bija ime?
Unë gjysmë shurdhi jam por pa ty bëhem shurdh-memec,
Pyet nëse jam grindur më - pas ikjes tënde
do të thonë jo, sepse pa ty, Denisë, nuk më volet as grindja!

Ti je për babin gjithçka:
edhe ditë me diell, edhe det në shtërgatë.
Ti je për mua çdo gjë - thellësia e shpirtit.
Tani që nuk të kam pranë, jam gjysma ime.
gjysma tjeter të ndjek pas si hije.

Shiko përmes dritares,
atje ku fërshfërijne fletët gjysmë të blerta
të pemeve te Klarkut.
Aty posht një degëze jam unë
si plak mjekerbardhë që zbret nga Poli
me zilka kuajsh që vrapojne qiejve
duke sjelle dhurata gazmore për fëmijet e Botës.
Vogëlushes sime dua ti ndjell gjumë të embël
nën krahe shpresash e endrrash të brishta
që rritin shtatin bashke me njeriun
ndaj engjejve të gjumit lehtas u flas
e u them "I rrini roje vajzës time!"

Ti nuk i sheh por engjëjt e mi aty janë
të perkedhelin flokët kur flë - të flasin në endërr!
edhe kur ti zgjohesh, u them engjëjve qiellor
i rrini në krah si roje engjëllushes sime.

Eshte natë e zeze në Nju Englandin e Allan Poes. Ti flë.
Engjëjt e Nënë Terezes në parvaz të dritares kacaviren
zbojne hije korbash të vetmuar
e duke këndellë një ninullë hyjnore që zbret prej qiejsh
si nje ujvare yjesh e që thotë
se Bota është shumë më e bukur
kur ka engjëj roje
që ruajnë ëndrrat e pastra të vajzërisë

Ti tani në Clark University, në Ustër, rrit shtatin
në përputhje me dimensionet e kohës e të Botës së Madhe
ndersa unë në duart e përvëluara vazhdoj të kem
foshnjërine tënde 
një botë e vogël me cicërima të gëzuara
mrekullinë që natyra kurr më s'ma perserit.

Kurr më!
Vogëlushja ime!
 
Boston, 5 Tetor 1997


DUHET PRITUR...
Mikes sime të diagnostikuar me kancer
në moshën 29 vjeçare.

Ta ndjej pikëllimin
e zemrës së lënduar
si krah dallëndyshje
plagosur për vdekje...

Ta kuptoj
fërgëllimën e shpirtit 
ndanë muzgjevë
që shtyhen

kur dielli bie në det
si këmbanë e zjarrtë
e dita shuan fanarët

ndersa në qiell
rëgëtijnë
shpirtrat e yjëzuar
në galaktika pafund.

Janë fare pak
29 trëndafila
për një pranverë

29 vite
për një jetë .
Janë akoma më pak .

Ndaj duhet pritur...

Duhet pritur
ardhja e pranveres
dhe verës

për tu celur trendafilat,
për t’u mbushur
me lulekuqe
lëndinat

për ta hedhur grurin
lart në erë
nëpër lëmej të artë
si duna rëre,

diku pranë detit Jon
ku duket një qytet
i rënë në gjunj
përballë valëve

dukë qarë
si në vajet pellazgjike
me kujë e lot
për dyzet vdekje...

Duhet pritur
akoma më tepër...

Akoma më tepër
për të  ardhur vjeshta
me ar të derdhur
nëpër dega drurësh

me peisazhet e Mios,
e Mone- së 
në çdo skut të dheut

me të dashuruar
që fshihen vreshtave
duke çuçuritur

si zogjtë harrakatë
të dallgëdisur
nga aroma e frutave

dhe retë që ëndin qiellit
një fustan nusërie
për ty, mikja ime!

Duhet pritur akoma,
Akoma...

Të fryjë acari i Polit të Veriut
si plak i marrë nëpër oqeane

në rrafshina
tundrash veriore

në stepa e kontinente
mbledhur krruspull...

si kocka mamuthësh
të ngrirë akull...

Duhet pritur!
Akoma duhet pritur

që jeta ta mbyll
ciklin e vet natyrshëm

… se 29 trëndafila
për një pranverë
janë pak.

Fare pak për një jetë,
Fare pak....

Boston 22 janar 2000


E FSHEHTA

kur unë të putha me nxitim
s'na pa, moj vajzë, s'na pa njeri
as dielli tej në perëndim:
veç unë e ti- veç unë e ti!

ca zogj çëçëriten lehtë
në mes të oborrit, nën qershi
u këputen yjet, ranë në det:
veç unë e ti - veç unë e ti!

bulkthi i natës po këndonte
me drithërime e me merzi
ti mos pandeh se të përgjonte:
veç unë e ti - veç unë e ti!

kur ti ma zgjate faqen vetë
s'na pa, moj vajzë, s'na pa njeri
as hëna portokall i zbehte:
veç unë e ti - veç unë e ti!


MOSBESIM

Më the një herë "nuk të besoj"
ndaj mbeta keq me shpirt të vrarë
kërkova natën nëpër qiej
të solla yjtë si deshmitarë!

Dhe prap s'u binde se të dua
ndaj mora udhët nëpër botë
kur ti nder ëndrra fluturoje
të solla hënën në një shportë!

Ti prap e prap me mosbesim
kërkoje të tjerë dëshmitarë
i mora galaktitës Diellin
dhe ta përplasa në dritare!


DETI DHE TI

Lehtas me dorë i zure valët
të mbeti deti thellë në sy
zbaticë e erës mbodhi ujrat
si shpirti im të pushtoi ty.

Kush vallë më shumë se vetë deti
të ngjiste ty në atë çast
nga hone në harkada dallgësh
herë me trishtim e herë me gaz.

Tej mbi një varkë peshkatare
klithnin pulëbardhat me tërbim
me shume gjëmonte dallgë e kaltër
a rrihte zemra gjoksin tim...


ERDHEM DHE IKËM
 SI PULËBARDHA

Erdhëm e ikëm si pulëbardha
lamë një brengë në det
kurr mos daltë në breg!

Në kreshtat e valëve
kalëron imazhi yne i bardhë.

E dashur, ikë ...
por kurr mos rri pa ardhur
tek ky det!


KUJTIM I LARGËT

Pranë meje sikur zhurmon deti
dallga rreh pisten me trishtim
sirenë e largët i mbyt fjalët
që dikur thamë me përgjërim.

Në dimër keq i rigoi shiu
hëna gjysmake i qëndroi ftohtë
eger mbi to vërshoi veriu
dielli me rreze pak i ngroh.

U thyen keq degët e plepit
me drithërime ranë përdhe
dy zogj të mardhur shanin dimrin
se i kish lënë pa fole.

Grepat e orës nuk lëvizën
nga çasti kur u ndamë bashkë
pranë njëri-tjetrit ngrohtë rrinin
se ngrica kishte zënë jashtë.

Kjo stinë e gjatë me egërsi
çdo gjë e shkeli brutalisht
gjurmët që lamë përmbi rërë
a do ti gjejmë vallë sërisht?


SHEN DOLLARI

Shqipëri të qofsha falë
të kam nënë e me ke djalë,
djalë i humbur në Amerikë
për të shkretat metelikë.

Do të lë një amanet,
kur t'më vijë dita me vdekë
më dërgoni në Atdhe
ta shoh vendin ku kam le.

Në kushtoftë shumë udhetimi
trupit tim le ti dalë tymi
 e pastaj tasin me hi
 ma shpërndani në Shqipëri.

Që në gji ta ketë Atdheu
birin që qafën e theu,
në të bukurën Amerikë
ha e merr e kurr mos ikë...

"Punë punë natë e ditë
që të shohim pakëz dritë",
për dollarë e metelikë
bakërr na u bënë sytë

Po ku je Rrapo Hekali
thirr me zë - të tundet mali:
- Nëno moj të humbi djali
Rroftë e qoftë Shën Dollari!

Boston 13 shkurt 1998      


MË NXORRI RRASUA
NA QISHA
     
Më nxorri Rrasua na Qisha
- nga Qisha - i mjeri unë,
më ngriu bora dhe ngrica,
më ngriu - fatziu unë.

Ish e djelë atë ditë
- e djelë - o i mjeri unë,
Rrasua thartoi turinjtë,
i thartoj - fatziu unë.

Rrasua më tregoi pragun
- m'a tregoi- i mjeri unë,
mbeta udhës e sokakut,
krakacul - fatziu unë.

Sillja lajme nga Shqipëria
- lajme - o i mjeri une,
ndaj m' dënoi Rraso mavria,
më dënoi - fatziu unë.

        *    *    *
Po ç'të bëra more Rraso
- ç'të bëra - i mjeri unë,
t' sillja lajmet e Moskovit
nuk besoj t'ma vije drunë?

Se paratë që merr ti Rraso
- i merr - o i mjeri unë,
i bekon Kryeprifti rus,
i bekon - fatziu unë

Ti tani drekon me grekët
- grekët – o i mjeri unë,
bark në bark me Gaxojanin,
Gace-n o fatziu unë.

A ç 'mi paske punët grurë
- grurë mbi grurë- i mjeri unë,
me shoven e me memurë,
me shoven- fatziu unë.

Rraso, bëji zë Fan Nolit!
- Nolit- o i shkreti unë,
të të flasë për Skenderbenë
e nga Qisha t'a vërë drunë.

E qiririn në kazan
- në kazan - i mjeri unë,
në kazanin me katran,
t'a shuaj e të mbaroj punë.
    
 *    *    *   
Katolik unë kam qëlluar
- katolik - i mjeri unë,
ndaj m'a bëri jeten pus,
pus në pus - fatziu unë.

Po të isha orthodoks
- orthodoks- i mjeri unë,
do ma vinte thikën n' kockë,
thikën - o fatziu unë

Do t'më shpallte i pa fe
- i pa fe - i mjeri unë,
i pa fe e pa Atdhe,
Atdhe - o fatziu unë.

Se dhe toka në varr s'të mban
- s’të mban - o i mjeri unë,
në të shpallt' Rrasua satan,
satan -  o fatziu unë.

             *    *    *
Mu në shpirt më hyri ngrica
- ngrica - o i mjeri unë,
më zboi Rrasua nga Qisha,
nga Qisha - fatziu unë

Se po desh Rraso mavria.
- mavria - o  i mjeri unë,
të bën hasha perëndia,
hasha - o fatziu unë.

Prandaj shko e puthi dorën
- dorën- o i mjeri unë,
ha buk meshe e vër dollarë,
dollarë - o fatziu unë.

Se Rrasua është perëndi
- perëndi - i mjeri unë.
të bën gjëmën, o njeri,
ta bën e ç'ke me atë punë.

Boston 10 Mars 2001


RRON, O RRON E  S'VDES SHQIPTARI
( Festat e Flamurit në Boston e festivalet  në
Worcestër janë organizuar më këngë greke)

Moj Diasporë e mjegulluar
ti Boston  me  palcë të tharë
lum për pjell që keni rrite
grekomanë e turkoshakë.

Në Pjer Four - në fest' të Flamurit
mbledhur burrat e zamanit
nisën këngët me buzuqe
"Ta Pethiat" e grekomanit.

Dhe ti Uster - Uster plak
nxirri - nxirri prej shtepisë
ç'i do "Ta Pethiate" në prag
sorollopin e Greqisë...

O Fan Nol, derdhur në Bronx
hije e rende seç të ra
si shuplaka në fytyre të burrit
duar lidhur kur e mba.

Seç u nxive, seç u trete
grekomanët kur i pe
gremisur rrinte Flamuri
shqipja qan me sy përdhe

Qan, por lotët i janë shterrur
fytyrerreshkur- lebetitur
o Boston ti zemra e "Vatrës"
ob-bo bo ç' je katandisur.

Se të lanë pa zjarr - pa Vater
në New York çatinë ta shpunë
veçse prushi ndënë hi
djeg e përvëlon më shumë.
       
     *      *     *

Rinia Universitare
doli me Flamur ne dorë
në shoqatën e Studenteve
djem e vajza të përkorë:

"Ka mor ka - Shqipëria  valle
ka mor ka - Kosova këngë
Osman Takë ngrihu nga varri
bir i Çamërisë nënë

Të kërcejmë të dridhet toka...
t'i këndojmë Çelo Mezanit,
me barut të Oso Kukës
ndizen këngët e vatanit.

Ndizen zemrat e shqiptarëve
dridhet grekomania
- Jemi bijt e Skenderbeut
rroftë e qoftë Shqipëria!

"Ta Pethiat" e  Greqisë
në Athine le të kendojne
diten e Flamurit tonë
me kengë shqipe ta festojmë.

Se të parët amanet
Atëdhene na kanë lënë
te betohemi ketë flamur
lart me nder do ta mbajmë."

            *   *   *

Ngeji sytë Boston i bukur
shpirtë-ndezur vullnet-hekur
as Fan Noli as Konica
në zemrën tënde nuk kanë vdekur!

I valëvit palët Flamuri
si të ishin flakë zjarri
mos më thoni se ka vdekur:
Rron o rron e s'vdes Shqiptari!(1)

Boston 1999

(1) Thënie e Fan Nolit.


DIMRI NË BOSTON
 
Dielli mitik fshehur pas reve
drurëve të zhveshur rrëshqet larg,
korbi i legjendës të Allan Poes
krokëllin trishtueshëm në një varg. 

E hëna perëndeshë e zbehtë
me qafë të ngrirë varet përtej,
stina ndjek stinën këmbëzvarrë
si re të harruara nëpër qiej. 

Trena nervozë me njerëz të mardhur
kafshojnë të uritur sfonde gri,
makinat në urën Longfellou
si anakonda nëpër shi. 

Bostoni s'ka stinë - ka vetëm dimër
e fare pak verë që tinëzisht shket,
brigjeve plot dallgë të oqeanit
që kurr s'i shkrin akujt në gjirin e vet. 

Këtu kanë frikë të vinë dallëndyshet
se nuk përdoret fjala pranverë,
nëpër ëndrra më shfaqet i ngrohti Mesdheu
me fluturime pëllumbash nëpër erë. 

Përtej dritares ëndërroj pak diell
pak kaltërsi të më rrjedhë mbi xham,
telat e ngrirë të tensionit të shndrrohen
si fusha e vija në pentagram. 

Erërat të fryjnë nga ekuadori
e çelsi i solit të Bostonit të shkrijë,
zogjtë harrakate të ekzekutojnë
muzikën e Vivaldit në katër stinë. 

Boston 26 Mars 2002


Vëllimi poetik “Mos vdis dashuri” nuk është asgjë tjetër veç se një kopje e rregjistrimeve jetësore në hapsirën e bardhë të shpirtit të Kolec Traboinit.
Në dy anët e peshores së drejtësisë së tij poetike gjenden të ekulibruara dashuria për botën dhe shqetësimi qytetarë për kohën që jetojmë. Koncepti filozofik i autorit shtrihet përtej dhimbjes që krijoi gjuha e politikës moderne. Për të universi nuk është perfekt dhe kjo joperfektësi rritet në një laborator tepër të komplikuar njerëzor. Ndaj “Trok pa kthim” na jepet më tepër si evidencë e pagjumësisë bashkëkohore sesa si një medikament për ta kuruar atë. 

GJEK MARINAJ, Dallas USA, 20 Janar, 2002

 Poezia qe i ka dhene titullin vellimit "Mos vdis dashuri" eshte padyshim nje nder me te sinqertat e shpirtbardhsise se poetit dhe realizuarat artistikisht. Muza poetike e Traboinit ka thirrur ne ndihme nje tufe metaforash e metonimishe dhe e gjithe poezia pikon vese dashurije e dhimbjeje, vetmije dhe sinqeriteti, lutje dhe brenge. Ne shpirtin e poetit pergjon vetmia qe kerkon t'i largoje dashurine per te cilen ai pergjerohet qe te mos e braktise. Diku shperthen: “Oh, sa pak dashuri na afroi jeta!” Shpirti-poetik dridhet dhe vuan. Si mund ta duroje nje poet mbylljen e dashurise ne burgun e gjoksit? Ai percjell shqetesimin fisnik se "nuk gjen kurrkund nje sokak ku njerezit te duhen pafrike." Pena e Traboinit nuk ka meshire per llumin e shoqerise shqiptare qe nuk e ka per gje te nxjerre ne ankand atdheun. Per nje çast te duket se pena e Traboinit rreshqet ne shtratin e poemes sarkastike te Migjenit. Poezia qe rrjedh ne shtratin e nje poeme nuk njeh kufi meshire per shkaktaret e se keqes, perkundrazi, te gjithe bashkesine e epiteteve therret ne ndihme per t’i demaskuar ata. Ndryshon puna per ato, prostitutat, viktimat fatkeqe:Vellimi poetik i Kolec Traboinit i ngjan nje deti plot tallaze, ku shperthejne fortunate e shpirtit, ku lengon nje zemer e ndjeshme, qe vuan bashke me atdheun. Ne kufijte e ketij shkrimi eshte gati e pamundur qe te sjellim zberthimin e çdo njeres prej 88 poezive qe permban libri. Kenaqesia dhe kersheria shuhen duke lexuar librin.

Gazeta “Illyria”, New York nr.1184 Tetor 2002 D. Greca