KOLEC TRABOINI
Nga libri “Nokturn”
NËNA E KURBETIT
Athina Nasti-Sevit në Boston,
Që kur ishte rrëzë Çajupit
flisnim njerezit shtëpi në shtëpi
se si Thinua e Mingulit
s'kish të dytë në Lunxheri.
S'ka të dytë as Amerika
s'ka të dytë në Kanada
nënë mbi nënë trime suljote
Shqipes emrin lart ja mba.
Në kala të Rozafatit
një si Thinua qe murosur
por prej gurit doli qumështi
qumështi i nënës së brengosur.
Në shtëpi kish lënë një djalë
kish lënë pas një amanet
amaneti e grryen gurin
siç grryen malli në kurbet.
Edhe ti nëna e kurbetit
je Rozafë e mirësisë
të bren malli për Mingulin
malli i zjarrtë i Lunxherisë.
Përvëloi dëshir’ e shpirtit
per te vajtur dhe një herë
në shtëpinë që nusërove
n’ atë prag e n’ atë derë.
T’u bëjë zë gjitonëve lart
që të vinë për kafè,
e të dalish në sokak
të shohësh burrin ku e ke?
Mos është ngjitur për çaj mali
në Çajup të perëndive
apo poshtë nga bostanet
t'u lëshojë zë fëmijëve.
Ndoshta-ndoshta brinjës së shpatit
ndanë përroit po ndërton
një burim të ri për fshatin
sepse vapa po afron.
Të ketë dalë për krasitje
a me spatë rrugën ka marrë
se merakun e kish pemëve
edhe pjergullave në arë
* * *
Andej tutje nga varrezat
thonë ca e kanë parë
mbledhur në kuvend të moçëm
bashkë me trima e bujarë.
Lodhur prej punëve të rënda
në gurë varri rri mbështetur
ndër të vdekurit i gjallë
ndër të gjallët i pavdekur.
Është ai që rrugën mori
deri larg në Amerikë
në Ilinois ku dërmoi kockat
por u kthye prap një ditë.
Se e kish nusen të mirë
dhe fëmijët ishin dritë
erdhi e qëndroi i fort
deri ditën që dha shpirt.
Një qiri atje mbi varr
tash ja ndezin kushurijt
dhe fshatarët që e deshën,
thonë:"I bëftë shpirti dritë!”
* * *
Por ti Thino kishe merakun
se mos frynte erë kallkan
ndaj me sytë e shpirtit ikën
atje larg pranë trimit tënd.
Që ti hedhësh gunën krahëve
e ti bësh ndonjë kafè,
bashkë me të të ulësh prakut
si qëmot kur ishe e re.
* * *
Ikin ditët, ikin vitet
koha s’ të kërrusi dot
veçse mallit s'ke ç'i bën
ta ndez syrin me një lot.
Dhe i thua nip-stërnipëve
"Se ç'më ra një kleçkë në sy",
po ata e dinë moj gjyshe
mallin që të përvëlon ty.
Ata bëjnë sikur nuk dinë,
se nuk duan të lëndojnë,
"Kësaj vere- thonë-do vemi
atje larg në fshatin tonë”.
Prandaj shtyje këtë dimër
prit, se shpejt stina do dalë
do të shohësh Sulin tonë
kumbullat veshur me të bardhë.
Mollët, pjeshkët e qershit
gjysh stërgjyshërit i kanë mbjellë
dhe na presin që të vemi
bashkë frutat për ti vjelë.
Zairet ti vëmë për dimër,
lopët ti ushqejmë mirë
qumështin ta bëjmë gjalpë
djathin ta vëmë në shëllirë.
Si bylmeti i fshatit tonë
Amerika nuk-u ka
bakllava me dyzet peta
byrek e tarhana.
Do të vemi, do të vemi
gjyshe shtyje dhe këtë herë.."
Tej dritares sypërlotur
që dhjetë vjet, pret të vijë verë.
E mban gjallë ilaç’ i shpresës
ëndërrat e nusërisë
qe matanë oqeanit
i vjen fllad i Shqipërisë.
Që atje ku shumë e donin
se ishte zonjë shtëpije
ishte nënë ëngjëllore
me shumë dritë mirësie
Ish e fisme-fytyrëbukur
erë pjeshkë - erë mollë
përmbi lule ish si bleta
plot me hire e panjollë
* * *
Ah moj Thino, moj e mirë
kush se donte dlirësinë
diturinë e bukurinë
që tek ti kishin stolinë
Zoti që e ka krijuar
botën për ta zbukuruar
mirësitë për ti treguar
jeten për ta lumturuar
Shqipërinë për ta ndritur
fëmijët pëllumba për ti rritur
dhe të fortë dhe të ditur;
njerëz si ti ka krijuar!
* * *
Dhe tani që ike, shkove
pranë burrit po pushon
ne e dimë se në parajsë
në mes ëngjëjsh po qëndron.
Se e tillë ishe në jetë
mirësi e mirësisë
dlirësi e dlirësisë
kryestoli e Lunxhërisë
bij e Sulit të Shqipërisë.
Nënë e dhëmbshur,
moj Thino!