MOS VDIS DASHURI 2002 NOKTURN 2004 REQUIEM PËR NJË GJETHE 2005 TRINIA IME 2006 KOHA E PROSTITUTAVE 2007 ITAKA GRUA 2008 LULE PELLAZGJIKE 2012 U DASHKA TË DAL NATËN VONË 2012 E KAM ATDHEUN TEK PORTA 2012 DASHURI 2013 FAJIN E KA HEKUBA 2014 ORAKUJT NË FERR 2015 ODEON 2016 OFELI 2019 ODE PËR SHKODRËN 2019
> ZOGJTË E ARLINGTONIT 2020 AJO QË JETOJMË PËRDITË 2021 POETICA SHQIP 2005 POETICA ENGLISH 2006 DASHURIA MË E BUKUR 2007 I DËGJOJ LULET KUR FLASIN 2008 NIRVANA 2024

SHIU I PALMAVE

KOLEC TRABOINI
Shiu i palmave
- poemë e jetës -
Kirurgut, Professor Miguel A. Burch, Boston Medical Center
 
shiu i palmave prej zemrës së thyer të qiejve zbret
duke metamorfuar në lotë shtegtimin e popujve
drejt fluturimit të zogjve të përflakur të ëndrrave
drejt një shprese me zanafillë në shekujt biblike
kur nëpër mjegulla mesdhetare shtegtonte Moisiu
tek i ravizoheshin dëshira pannjerëzore në horizonte
për toka pjellore të premtuara prej Zotit…
e në këtë rendje përmes shirave të pjerrta, të buta
emri Miguel mbase s’ thotë asgjë, një gjeth palme
nëse nuk është Servantes në Spanjë, Astuarias në Guatemalë
e akoma më përtej në xhungla, nëse nuk është, Çè
emri Miguel në këto shira endacake palmash
e shumta mund të jetë
indentiteti i një kalimtari që zbret prej malesh
e që nën kupën e qiellit frymëmerr
si emigrant që mund skamjen nën strese largësish
ikur prej natyrës në qytete të betonta, të kaltra
a një qytetar i urtë që respekton varfërinë e ngrys jetën
në Meksikën, Kilin, Argjentinën a Bolivinë e vet.
emri Miguel nuk thotë asgjë
edhe një nga mijëra këngëtarët latinë po të jetë
nuk thotë ngase Zoti kaq shumë ka thënë
kur është shfaqur në muzikë tek Bethoveni…



* * *

e ndërsa merrem me lakimin e emrit Miguel
i shtoj mbiemrin Burch; por edhe kjo mbase është ende pak
e pakta që fillon tek më e thjeshta, njerëzorja,
do të thotë një bolivian dy vjeçar, i ardhur në Amerikë
me prindërit nga La Pazi,
do të thotë një student universiteti,
do të thotë një kirurgu i ri, Minguel A. Burch
në urgjencën e Boston Medical Center
ku u gjenda me trup të akullt në ditën e Krishtëlindjeve
kur njerëzimi gëzonte e mua m’i kish vënë kthetrat vdekja
për t’u ndodhur, as këndej e as andej lumejve të Amshimit.
emri Miguel në ato çaste makthesh jete do të thoshte:
shpresa e thjeshtë për t’u kthyer sërish në shtëpinë time

e sërisht pranë nënës të stërmoçme në Shkodër...
emri Miguel në ato xhungla narkoze jete-vdekje,
do të thoshte për mua një dritë në tunelin e errët të ikjeve
ku një zë më ndillte, më thoshte:
“ka dritë, ende ka dritë, mbahu pas meje, mos ikë…”


* * *


në përçartje shihja karvane fëmijësh, ikanakë, biblikë,
mes tyre dy vjeçarin nga La Pazi, Miguel
me prindër emigrantë të ngjashëm në fatin tim,
të ikur njësoj, nga shiu i palmave të trishta, të pjerrta
e dheut të kuqërremtë prej gjaku
në dhè të huaj varur dy palë ëndrra…
në boçën e tij të ëndrrave hyjnore vogëlushi Miguel
mesa dukej kish dhe shpëtimin e trupit tim prej ikanaku…

Të dy përballë u gjëndëm
ai tek unë shihte vërsen e prindëve të vet
plandosur për vdekje në pavionin e urgjencës
unë tek ai shihja tim bir inxhinjer, Donald
me rini të ngjashme e fate njerëzore,
dy filiza sjellë prej skajeve të globit, Shqipëri, Bolivi
për të lulëzuar në tokën e Uitmanit e Linkolnit…
kirurgu Miguel bëri gjithçka që mund një kirurg të bëjë
e që mua tash më kujton  Frederik magjikun tonë
çudibërsin Shirokë nga Shqipëria
tek përdorte bisturi, sonda elektronike e rreze lazer
por mbi të gjitha talentin e tij, në dy operacione
të njëkohëshme - duke ma nxjerrë vdekjen prej trupit
si prej një zgavërr lisi të nxirrte një korb akulli.

* * *



i pari zë njerëzor që dëgjova, në dalje
prej haluçacioneve e fantazmave të narkozës, ish Dr.Migueli:
“ Mirëserdhe! Të thashë se nuk të lë të ikësh.
Ti ke ende gjëra për të shkruar
siç unë kam shumë jetë nëpër duar ….”.
i tillë është Migueli, zë njerëzor që të rithërret në jetë
të shkruash, të punosh, t’u gëzohesh hapsirave, ende të duash
kirurgu që ka shpëtuar dhe shqiptarë të tjerë këtu në Boston
Ruzhdije Tomorin nga Kuçova për shëmbull
kirurgu Miguel A.Burch, bir emigratësh bolivianë
pa të cilin nga Krishtlindja e vitit 2006 e më pas
kurrë më nuk do të kisha shkruar
por, do të kisha heshtur trishtueshëm diku në ndonjë qivur
si zog i ngrirë bore nën krahët e pishave
shumë larg shiut të pjerrët e të butë të palmave
larg njerëzve, tej e përtej botës...

* * *



shiu i palmave prej zemrës së thyer të qiejve zbret
duke metamorfuar në lotë shtegtimin e popujve
drejt fluturimit të zogjve të përflakur të ëndrrave
drejt një shprese me zanafillë në shekujt biblike
kur nëpër mjegulla mesdhetare shtegtonte Moisiu
tek i ravizoheshin dëshira pannjerëzore në horizonte
për toka pjellore të premtuara prej Zotit…

Boston 4 janar 2007