MOS VDIS DASHURI 2002 NOKTURN 2004 REQUIEM PËR NJË GJETHE 2005 TRINIA IME 2006 KOHA E PROSTITUTAVE 2007 ITAKA GRUA 2008 LULE PELLAZGJIKE 2012 U DASHKA TË DAL NATËN VONË 2012 E KAM ATDHEUN TEK PORTA 2012 DASHURI 2013 FAJIN E KA HEKUBA 2014 ORAKUJT NË FERR 2015 ODEON 2016 OFELI 2019 ODE PËR SHKODRËN 2019
> ZOGJTË E ARLINGTONIT 2020 AJO QË JETOJMË PËRDITË 2021 POETICA SHQIP 2005 POETICA ENGLISH 2006 DASHURIA MË E BUKUR 2007 I DËGJOJ LULET KUR FLASIN 2008 NIRVANA 2024

Robert Martiko: Duke analizuar krijime të poetit K.Traboini

Robert Martiko


NUK KA TË ARDHME MENDIMI INTELEKTUAL 
I NJË VENDI KU NUK EKZISTON IDEJA E PËRJETËSISË
Duke analizuar krijime të poetit Kolec Traboini 
 
Nga  ROBERT MARTIKO

Zakonisht, kritika letrare në Shqipëri, e mbështetur kryesisht në shqisat dhe jo në një analizë të thelluar me të vërtetë ndriçuese, ndjek parimin e trajtimit sipërfaqësor të veprave. Madje, edhe më keq, ajo shpesh bazohet në kritere miqësie kur vjen puna te ndarja e diplomave apo lavdërimeve në fushën e krijimtarisë. Në këtë padituri klasike, anashkalohen aspektet me vlerë të thellë dhe të qëndrueshme, të cilat mund të krijojnë mundësi reale për ndryshim. Sepse, fraza me karakter ndërtues se arti vlen për të ndryshuar botën, përmes ndryshimit të vetvetes, nuk u mësua kurrë siç duhet në shkollat shqiptare. Janë fjalë të panjohura.
Është më se e kuptueshme, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një vend ku, për gjysmë shekulli, mendimi ka qenë i mbyllur brenda kufijve të një materializmi të verbër marksist. Historikisht, ka munguar koncepti i një Rilindjeje Shpirtërore, siç ndodhi në Perëndim, dhe kjo ka mbajtur shoqërinë shqiptare të bllokuar në kohë, madje edhe sot, në Mijëvjeçarin e Tretë.
E thënë troç, në Shqipëri mungon fryma e mençur dhe e zhdërvjellët akademike që i jep jetë dhe kuptim mendimit dhe debatit intelektual. Nuk vihet re ajo përmasë thelbësore, me rëndësi vendimtare për zhvillimin shoqëror. Nuk ka asgjë më të dëmshme sesa ky bllokim i brendshëm, që e shtrëngon mendimin e lartë intelektual si në darë farkëtari.
Admirohen vërtet autorët e huaj me famë, por shpesh pa u kuptuar në thellësi. Sepse këto pena gjeniale kanë dashur të shprehin diçka tjetër, shumë herë më të thellë dhe jetike, nga ajo që zakonisht perceptohet, në nivel të ulët. Është sikur gjithçka të reduktohet në zero, duke e lënë të ardhmen e shoqërisë shqiptare peng të një ndryshimi që ende nuk dëgjon të vijë, dhe as që mund të përfytyrohet se mund të trokasë në derë në këtë gjendje.
Prandaj, marr përsipër të shkruaj disa fjalë mbi botën paraempirike, e cila në Perëndim pati një ndikim vendimtar në rendin shoqëror, në kulturë dhe në qytetërim. Pikërisht këtë botë e gjeta të pasqyruar në shumë poezi të Kolec Traboinit, ndoshta si një rikujtim i Shkodrës së lavdishme të njerëzve të mëdhenj, jo vetëm të së kaluarës së largët, por edhe të atyre që sfiduan diktaturën e djeshme.
Sepse, përtej perceptimit të thjeshtë natyror, është pikërisht bota shpirtërore ajo që fuqizon letërsinë dhe artet. Përparimi nuk mund të mbështetet në gjëra të gurta e pa shpirt, si dikur në lavdërimet për diktatorin, në bashkëpunimin kolektiv të detyruar, në një vullnet me humnerë në tru pa qëllim, në një të ardhme të dështuar qysh në embrion, në një bashkim vëllavrasës, në besimin e verbër me pasojë drejt shkatërrimit total, apo në burokratët, të cilët propaganda i përdorte si mullinj ere për mendjet e thjeshtuara të “Njeriut të Ri Socialist”, sot të kudondodhur.
E kundërta e kësaj bote të ulët vlerash, në antipod me vetë qiellin, institucioni i parë i njerëzimit në botë, është shpirti i vërtetë njerëzor, i mishëruar te individë të jashtëzakonshëm si Lasgush Poradeci, Zef Pllumi apo Pjetër Meshkalla, i cili u bë i pavdekshëm në histori, duke hyrë në burg me vullnet të lirë, në kohën e tre milionë skllevërve duartrokitës.
Pra, është bota paraempirike e një mendimtari gjenial si Kanti pikërisht, që lidhet me përmasat shpirtërore, morale dhe filozofike të jetës. Janë ato që formësojnë kulturën dhe qytetërimin në mënyra shumë më të thella sesa realiteti material, kaosi politik e mendor. Nëse një shoqëri nuk ka një ndjenjë të thellë për këto aspekte, ajo mbetet e bllokuar në shekuj, së bashku me mendimin e saj intelektual, brenda një realiteti të ngushtë, ku njerëzit janë të përqendruar vetëm te konsumimi dhe krijimi i pasurisë materiale, me shumicën e popullsisë në varfëri. Pa një dimension të pasur shpirtëror, shoqëria nuk mund të rrisë breza të shëndetshëm shpirtërisht, të aftë për t’u përballur me vështirësitë e jetës. Çdo qytetërim që nuk mbështetet në një bazë të fortë shpirtërore dhe filozofike është i prirë drejt shkatërrimit të brendshëm. Humbet sensin e qëllimit të thellë të jetës, duke mbetur i bllokuar në një ndjenjë pasigurie dhe boshllëku shpirtëror, pa mundësinë për të njohur e kuptuar të vërtetat më të thella të jetës dhe të ekzistencës njerëzore.
Nëse filozofia sot në Perëndim është bërë skeptike ndaj përjetësisë, atëherë poezia mbetet mbrojtësja e fundit e kuptimit të jetës. Në një botë ku gjithçka shihet si relative dhe e përkohshme, poeti është pikërisht ai që guxon të flasë për dritën, për shpirtin, për përjetësinë. Është tjetër gjë që janë të paktë ata që e dëgjojnë dhe kanë aftësinë për të kapur gjërat. Në këtë aspekt pikërisht, duhet vlerësuar poezia e Kolec Traboinit.
Po të lexosh shumë nga poezitë e tij, ku hyjnë koncepte të botës a priori, në pamje të parë ato mund të duken si vargje fare të thjeshta. Por vini re se çfarë kalash të pamposhtura të mendimit ekzistencialist godasin ato, si shigjeta të arta të ardhura nga një botë kuptimesh të thella, madje nga një kohë kur bota ende nuk ishte krijuar.
Sot, jo vetëm në Shqipëri, ku historikisht nuk ka ekzistuar as ideja e një Rilindjeje Shpirtërore, por edhe në Perëndim, kriza e kuptimit ka mbërthyer miliona njerëz. Sepse, kur e vërteta trajtohet si relative dhe nuk ka një bazë përjetësie, shumë njerëz ndihen të humbur, të paaftë për të gjetur një kuptim universal të jetës. Kjo është çështja, tema e vërtetë me karakter jetik.
Jetojmë në kohë kur ndodhin fenomene të tmerrshme, të cilat shpesh kalojnë pa u vënë re nga njeriu i thjeshtë, por poeti i veçantë gjithnjë ka aftësinë intuitive për të kapur gjëra që i përkasin botës ideale. Një nga këto fenomene negative është politizimi i së vërtetës, e cila shihet si një konstruksion shoqëror, që mund të manipulohet nga pushteti dhe nga ideologjitë, pa asnjë ndjenjë përjetësie. Vetë shkenca, duke reduktuar gjithë realitetin në atë që mund të provohet empirikisht, lë mënjanë përvojën në aspektin e ndërgjegjes, vlerave dhe estetikës. Jo më kot Ainshtaini flet për gjithë ato gjëra të mençura të lidhura me kuptimin e thellë të jetës.
Mjaft i veçantë është Traboini te poezia “Rimishërimi” apo “Përjetësia” dhe shumë të tjera si këto. Në një botë ku gjithçka ndryshon dhe kalon me gjurmë të thella pas, ideja e rimishërimit si një rilindje shpirtërore shfaqet si burim shprese dhe force. Poeti, nga vetë misioni i tij për t’i dhënë formë jetës, bëhet zëri që kujton se çdo rënie është një mundësi për t’u ngritur, çdo errësirë një mundësi për dritë dhe çdo fund një fillim i ri.
Duke përfunduar, një vend ku mendimi dhe letërsia janë të mbyllura nga materializmi dhe mungesa historike e idesë së një rilindjeje shpirtërore, do të mbetet një shoqëri që përpiqet të ekzistojë në një realitet pa thellësi, pa kuptim dhe pa lidhje me përmasat shpirtërore e filozofike të jetës. Një realitet i tillë do të formojë individë dhe shoqëri të dehumanizuara, të cilët, edhe sikur të jetojnë në një botë të pasur materialisht, përrallore, do të mbeten tejet të varfër shpirtërisht.
Për të ndërtuar një shoqëri të qëndrueshme dhe të pasur, është thelbësore që mendimi intelektual të përpiqet drejt një përqëndrimi te thelbi shpirtëror dhe filozofik, i cili mund të ndihmojë në zhvillimin e kulturës dhe qytetërimit në mënyrë më të thellë, më të qëndrueshme dhe më domethënëse për brezat që vijnë.
Prandaj kanë rëndësi të lexohen me kujdes temat e jashtëzakonshme të botës paraempirike, me kuptimin e vlerave të vërteta të jetës, sidomos sot në kohën e krizës botërore të lidhur me makinat dhe me inteligjencën artificiale, në mënyrë që njeriu të jetë zotëruesi i tyre dhe të mos ndodhë e kundërta.
Kriza ka trokitur kudo në botë, është tjetër që mendimi i fjetur intelektual shqiptar vijon të jetojë në botën e tij rituale, amorfe, përherë i sigurt dhe i patrazuar. 

🕸️🕸️🕸️🕸️🕸️🕸️🕸️🕸️🕸️🕸️