October 30, 2014

Dëmtuesit e artit poetik nuk janë vetëm autorët mediokër/ nga Traboini


DËMTUESIT E ARTIT POETIK NUK JANË VETËM AUTORËT MEDIOKËR...
- Përkitazi me shkrimin "Poezia vdiq!....Rrofshin poetët!" –
 Nga KOLEC TRABOINI
 Padyshim që pikënisja dhe shqetësimi që mbartet në shkrimin e Sokrat Habilaj "Poezia vdiq!....Rrofshin poetët!" botuar në gazetën "Dita" 30 tetor 2014,  është i drejtë dhe për çfarë është trajtuar mbetem në një mendje, sepse ka mediokritete të shumta, ka gjithfarë lëtyrash që na shiten me emrin poezi dhe plot autorë mediokër që në mënyrën më skandaloze i shtojnë emrit të tyre edhe epitetin  poet apo poete,  kur kanë botuar vetëm një libërth të vetëm e atë pa asnjë vlerë të dukshme letrare e pa asnjë emocion. "Fjalë, fjalë, Imzot, fjalë"-  siç shkruante Shekspiri.  Që këtu kuptohet se krejt qëllimi është të dukurit e jo krijimi i vlerave. Thashë jam i një mendje me kritikat në shkrimin e cituar, po pikërisht tek njëmendësia qëndron dhe i gjithë problemi. Se mundet të kesh dy-tre pesë apo njëqind autorë me njëmendësinë tënde, por ata që kanë mendje tjetër janë shumë e më shumë. Mund të themi një mijë apo dhjetëmijë, por ka edhe më. Nëse keni dëgjuar në Tiranë janë mbledhur një herë në një sallë të madhe si stadium me lajtmotivin "100 mijë poetë për ndryshime".  I kishte a s’i kishte autorë seriozë sa gishtat e njërës dorë tërë ai tubim gjigant. Pyeta një herë se për kë flitet në këto 100 mijë poetë për ndryshime. Dikush më tha për poetë  nga  gjithë bota dhe se  paska një degë edhe në Shqipëri. Atëherë unë u thashë se gabim e kanë ata të botës, se "100 mijë poetë” i ka vetëm Shqipëria, sepse të gjithë shqiptarët dinë të vargëzojnë. Që kur u kanë kënduar nënat ninullat, ata janë mësuar me vargjet e matura dhe tërë jetën këngëzojnë. Pra ne kemi bejtexhinj të lindur në superprodhim. Dhe askush në botë nuk mund t’i ndalojë këta zë qyqesh që thonë jemi bilbila. Por unë nuk e shoh problemin tek ata që këngëzojnë e thurin shporta fjalësh, se ata ashtu janë mësuar e ashtu do të bëjnë tërë jetën, por diku tjetër. Pikërisht tek ajo pjesë që nuk e di pse nuk është prekur në shkrimin "Poezia vdiq!....Rrofshin poetët!". Pse pra është anashkaluar vëmendja që i kushton Media kategorisë së atyre që po t’i quash bejtexhinj i bën nder të madh. Është shkuar në analizë deri tek botimi i vargëzimeve bajate nga Shtëpitë Botuese, por nuk janë prekur asnjëra prej tyre. A mund të thotë dikush se a ka gazetë në Shqipëri që të japë një honorar për shkrimet e botuara? Nuk ka. Asnjë nuk paguan. Demokracia e pasur nuk ka këllqe të bëjë  as atë që bënte monizmi i varfër: të paguajë honorare për shkrimet.  Më thoni a ka Shtëpi Botuese që ta merr librin e shikon në një ekip ekspertësh letrarë e të thotë se, po,  këtë vëllim me poezi do ta botoj dhe ta botoj me shpenzimet e veta. Jo nuk ka. Asnjë. Kësisoj përgjegjësia e tyre     afirmimin e vlerave kombëtare në fushë të poezisë është zero me xhufkë. Kësisoj këto Shtëpi Botuese janë matrapazët e parë dhe kryesorë të antivlerave.  Po pse e heshtin pikërisht këtë proces që është më domethënësi për përcaktimin e vlerave letrare. Të paktën  Shtëpitë Botuese do të ishin si një sitë që vargëzimet e thata e retorikat boshe t’i kalonin në një anë e nuk do t’u afronin lexuesve marrëzi të botuara në libra. Madje këtyre marrëzive  të pseudo Shtëpitë  Botuese u vënë edhe ISBN,  që surrogatot  të zënë edhe sirtarët e Bibliotekës Kombëtare e t’i ketë historia e letërsisë. Pra ka një vend ku mund t’i thuhet ndal marrëzive e ky është pikërisht sistemi i botimeve. Në kushtet kur Shtëpitë Botuese janë kthyer në shtypshkronja që mbledhin para, është e kotë t’u kërkosh kualitete letrare. Ashtu do vazhdojnë dhe poezia do të vazhdojë të përdhunohet publikisht. Veç kësaj ka edhe një hallkë tjetër që nuk e di pse është anashkaluar edhe ajo, e këto janë Media e shkruar dhe vizive. A nuk e keni vënë re se gazetat në faqet e tyre letrare po botojnë gjithë plehrat e Facebook-ut, çdo lloj marrëzie e shterpësie në cikle vargjesh. Po këta po na i mbledhin edhe nëpër antologjira dhe aty mund të gjesh tërë shoqërinë e facebook-save. Ca kanë krye marrëzinë ti shtojnë librave të vet si mbyllje edhe një kapitull budalla me  tërë komentet e miqëve të facebookut të lëshuara pa përgjegjësi dhe që ta shpifin për servilizimin dhe hipokrizinë. Mirë u botua si u botua libri, po pse dalin ca recensa me porosi që ngrejnë në qiell antivlerat, pse i botojnë gazetat? Apo pse duhet të dalin këta pseudo autorë Facebook-sa edhe në rubrika në Televizonin Publik, por edhe në televizione të tjera, ku madje ndonjëri a ndonjëra duhet t’u thotë edhe teleshikuesve budallaqe se çfarë na qenka poezia. Kjo është sikur të dalë një përdhunues apo pedofil e të na tregojë në ekranin e televizionit se si kryhen përdhunimet. Në të vërtetë e njëjta gjë është po kush do t’i thotë ndal kësaj pune? Si mund t’i thuash ndal kësaj batërdie, kur tërë sistemi punon me antivlerat. Bëjnë ministër një njeri që nuk ka asnjë përvojë dhe asnjë kontribut për këtë vend e këtë popull, bëjnë deputete një të re që ka mbaruar vetëm shkollën e mesme(kujt i duhet kjo dhe a është Parlamenti një kamping për piknik rioshësh?!), kemi një Ministri Kulture që nuk mbështet artistët e shkrimtarët por kompanitë,  ta zëmë japin 200 mijë dollarë për dy net festë të dritave, kur nuk të mbështesin as për një libër me poezi, apo antologji poetike,  nuk të japin asnjë qindarkë që  të ketë një gazetë apo revistë letrare serioze në Shqipëri. Nuk e di pse shpesh po kërkohen ekzigjenca tek ata që nuk kanë pikë talenti dhe vargëzojnë e botojnë me paratë e tyre,  kur ka një shtet mediokër në pikëpamje kulturore që shpenzon paratë tona, të taksapaguesve shqiptarë,  për një festë dritash. Ne bëjmë mirë që flasim, por kur të marrim përsipër një problem ta përballojmë në tërësi pa anashkaluar dëmtuesit e vërtetë të artit në përgjithësi apo artit poetik në veçanti, qofshin këto edhe vetë  hallkat e pushtetit që kanë një përgjegjësi të madhe për përkrahjen e zhvillimin e artit e të kulturës kombëtare.