“Kujto Poetin!” Nismë kombëtare e Klubit
Poetik Tirana
në përkujtimin të poetëve që nuk jetojnë më.
NDUE PAL SHLLAKU
Balada tragjike e një jetimi / aktor dhe poet / vdes në moshën 20 vjeçare.
25 shkurt 1922 - 28 maj 1942
“Kangë gjumi për mue ishte
zani i natyrës”
Ndue Pal Shllaku u lind më 25 shkurt 1922
në Shllak. Ishte biri i Pal Vuksanit dhe i Katrinës së Kolë Ndout, e cila ishte
bijë Dushmani. Babai i vdiq shumë herët duke e lenë jetim një vjeç. Më vonë
poeti i ardhshëm do të shkruante në ditarin e tij për fëmininë e vet: “… që në fëmini dishroj babën. Trupi i tij
përkundej në shpinën e ngarkuese të s’amës. Kjante e veç lotët e syevet tue
rige mbi mollza ia lmojshin faqet Ndout ferishte. Strehë pushimi dituer për
Ndoun, ishte ndo’ i hije peme nder ara
të zharituna ku e ama punonte për t’ushqye vedin e të voglin e sajë. Atë nuk e
lmuen kurr duer delikate; por dy duer të vrazhda pune po shum të dashura nanë.
Kangë gjumi ishte për të zani i natyrës”.
Kur ishte 3 vjeç së bashku me nënën zbritën
në Shkodër. E ëma sakrifikoi gjithçka për të rritur e shkolluar të birin. Kështu
Ndue Pal Shllaku ndoqi mësimet në Gjimnazin e Shkodrës. Hyn në shoqërinë Antoniane
në vitet 1935-1936. Falë talentit merr pjesë në veprimtaritë artistike të qytetit
si një aktor i ri shumë premtues. Janë të shumta shfaqjet ku ai merr pjese, apo
edhe i përgatit vetë. Në vitit 1941 luan personazhin kryesor në tragjedinë me
pesë akte “Thomas Moore” të Silvio Pelicës (1789-1854), dramë e përkthyer nga Padër
Agustin Ashiku.
Mbështetur në librin “Zemra” të E. De
Amiçis, kapitulli “Gjak Romanjolas” Ndue Pal Shllaku shkruan pjesën dramatike “Një
natë tragjike” në te cilin luajti edhe vetë rolin e gjyshit.
Në krijimtarinë
e Ndue Pal Shllaku, siç shkruan studiuesi Xhahid Bushati, ka 30 poezi, 10 novela e novelëza, një ditar,
një përrallë dhe shumë përkthime, me një dramë origjinale të titulluar “Omeri i
ri” që arriti deri te akti i parë. Në
mars të vitit 1942, kur ishte në vitin e fundit të gjimnazit të Shkodrës, u
sëmur rëndë. Dy muaj më pas, ndrron jetë në moshën 20 vjeçare, në kohën me të bukur të stinës
e të jetës, më 28 maj 1942. Jeta e tij si një baladë jetimi, një tragjedi e
dhimbshme për çdo zemër e për çdo skenë, aq pasiononte aq e shkurtër, si një
meteor që aty nis e aty mbaron, por gjithësi i ka lënë gjurmët e dritës.
Per Ndue Pal Shllakun
kanë shkruar:
XHAHID BUSHATI: ...muajin
e fundit e kuptoi se lulet dhe diellin e qershorit nuk do të arrinte t’i shihte
më. Jeta për të çdo ditë vakej, tashmë ishte një shpresë e kotë… Megjithatë ai
vazhdonte të shkruante… ashtu i shtrirë në copa letrash e në faqe të plota.
Edhe pse dora dridhej e fjalët ishin të pasigurta, e shpesh ishin pranë
njëra-tjetrës, e shpesh hynin në hisen e njëra-tjetrës (sepse ishte pamundësi
vetëkontrolli), poeti ende shkruante nën trysninë e kacafytjes së jetës me
vdekjen mizore.
LODJA:
Krahasoj prendveren t’ime:
Me vjeshtën që don me ardhë
Me jetën që Ty t’a mardhë,
Me natën që s’ka m’u zbardhë
Kurr ma.
E lott m’rrjedhin heshtueshëm
N’për zemrën e gandueme
N’për mollxat e zverdhueme
N’për vargjet e vorfnueme
O vlla.
(Vjeshtë!..- kushtue
Ndue P. Shllakut-,
autori: Lodja, gaz.”Tomori”,
24.11.1942)
NDUE PAL SHLLAKU
SHKODERS
-strofë të shkëputuna-
La marrje; ushqye n’tokë t’onë.
I korb i zi, me jarg ‘ i fjal’ jetës s’onë
Të rand’ i a paska thanë ktij vendi!!..
Çka? … Shkodra meni ?!
Nji za Ilirsh, i kohës së moçme
Qiell’n tue ça – ushton e vrret ala
Dhe ngjallë nji brimë n’kala
“Po Shkodra e sotshme?!”
Nji za i vetëm… t’parë as t’mbramë
S’permenden … Shqiptarët po i dijnë
Agron, Teut’ e Genc, … e , sa e sa që vijnë
Der’n’ Gjergjin famë.
Lumnija flet vet’, shkrue tujsh o Shkodër!
Për ty edhe bota mbar’ e qiella;
Të flasin ty, e hanë e hyj, e diella
Që shndrit’n mb’at kodër.
Shkod’r! Shkodra e zem’rs s’on’ ke me e pa
Prej kshtjellit t’and larg p’rmend’ mbi dhe
Djelmninë, që n’gji t’and t’ken le
Si m’t’ madhnue ka.
Ngreh’ pra ballin e, zanit t’armikut
Mënershem kercnoju e, rrembt’ vraja;
Ty, rrasa lumnije më t’mdhaja
T’ gdhenen çelikut.
RETË E PRENDIMIT
Knqem me ato re prendimi që qetas
Të kuq-ngjyme enden nepër qiell
dhe
lehtas
Përulen, pushojnë e falen me diell!
N’ças n’ze mer pa pritë bjen mjerimi
N’ato re deshiri gjithçka zhduket
Shkelqimi
Ndrron n’hije t’errëta, kurrgja ma s’duket.
Humbet
dhe’ j ditë.
LULËS
I qetë asht kopshti stolisë nder lule,
T’vokët’ e agimit flladi e tretë,
Qeshet dhe kndon, luleve bulë n’bule,
Eren e kandëshme kerkon m’e gjetë,
At erë dashnije, puhi shpirtnore
Zemren e cilla krejt i a ka zaptu,
At erë Hyjnore pranë s’cilles prore
Me ndejë kerkon der sa t’jenë shu
Pergjakë e dermishë ka duer nder ferra,
Tubzen e bukur dashnis m’i gershetu,
Synin e kthiellt, n’kujtime t’tija t’thella
Zemra i rreh, n’krahnuer tue kujtu
Nji lule tjeter, lule dashni je
Syvet së cillës veçse pika loti
Rrjellin t’argjanët, hirë pastri je
At shpirtë dashunon sa t’endet moti.
S’KUPTOJ !!!??
At ditë qi u pame
M’grabite menden!
At ditë qi u ndame,
M’coptove zemren!
Qesha dhe kjava
Me t’uejit sy
Por kuer u ndava,
Nuk t’pashë ma ty!!!?
Thu kshtu dashnija
Mu n’ças u shkim?!
E tash vetmija
Gjegjë Shpirtit t’im?!!!!
DIELLIT
T’falem o diell vezllimesh!
E ju rreze të shkëlxyeshme.
Që n’hare puthni malet
N’largim për i dit’ dëfrimesh
Që agon me ngjyra t’ndryshme!
Plot zemër e gjith i botë u falet!
………………………………
Botuar: Tomori, 05.06.1942)
VORFNIJA E PASUNIJA
Vorfnija asht nji grue e shkretë
Me zemër plot mjerime;
Gjithmonë udhton n’deshprime,
Shpesh t’mson me e gzue kët jetë.
Pas’nij’a’j zojush’ e terbueme;
Të knaq’njat-her’ kur e ke,
Me t’ikë, at-her’ i mjer’je
Vishtir’m’e ba ma t’hatrueme.
Përgatiti:
Kolec P.Traboini
Kolec P.Traboini
11 shtator 2017
____________ ☸ ____________