🟢 EDHE POETËT IKIN
Edhe poetët ikin, vëlla Poet, ikin
as mosha, as vitet, as udha, as shtegu
as vetmia, as vuajtja, as burgu, as pragu
as miqtë e as shokët nga udha nuk të kthejnë.
Veç në qiellin e Krishtlindjeve të shohim të tretesh
si çdo yll që pikon, vëlla poet, që pikon
në qiellin e ngrirë ku zogjtë në heshtje
ravizojnë një çerdhe shprese prej akulli.
Ravijëzojnë një trëndafil në formë zemre,
ravizojnë portretin tënd me krrela Esenini
e jakën e ngritur të palltos së vjetër
ku strukeshin mendimet
e duart ndër xhepat e shqyer që mardhnin
si dikur në robëri edhe në liri, të varfër.
Mbi qiellin e varrit tënd fluturojnë zogjtë,
në borë, në shi e në diell janë atje,
cicërrimat të thërrasin po ti s'mund të ngrihesh
edhe kur miqtë të thonë "Eja të pimë një kafe!"
si dikur edhe tani, mbledh supet e s'ndihesh!
© Kolec P. Traboini
Boston, dhjetor 2006