MOS VDIS DASHURI 2002 NOKTURN 2004 REQUIEM PËR NJË GJETHE 2005 TRINIA IME 2006 KOHA E PROSTITUTAVE 2007 ITAKA GRUA 2008 LULE PELLAZGJIKE 2012 U DASHKA TË DAL NATËN VONË 2012 E KAM ATDHEUN TEK PORTA 2012 DASHURI 2013 FAJIN E KA HEKUBA 2014 ORAKUJT NË FERR 2015 ODEON 2016 OFELI 2019 ODE PËR SHKODRËN

Poezinë nuk mund ta mësosh si të jetë - nga K. P. Traboini


POEZINË NUK MUND TA MËSOJMË SI TË JETË
                   - Nuk ka Laureat as Profesor ti japë mësime -
 
Nga K. P. Traboini
 

          Njerëzit shkruajnë në mënyra të ndryshme, kanë përvoja të ndryshme, vijnë nga mjedise të ndryshme dhe është e natyrshme që të sjellin mendimet e perjetimet e veta të cilat për nga shkalla e intensitetit emocional, apo dhe mendimit filosofik duhet te jenë të pangjasheme. Edhe sikur gjithçka të ketë arritur në prefeksion, përseri ka një shkallë tjetër, një barrierë nëse mund ta themi nëpër të cilën duhet të kalojë e kjo është pelqimi i lexuesit. Por edhe ky nuk është gjithçka sepse edhe lexuesit kanë parapelqime të ndryshme, shije të ndryshme e nivele kulturore të ndryshme. 
        Është e kuptueshme që një tip rapsodik të parapelqejë poezitë me metrike klasike ku respektohen të gjitha rregullat në mënyre strikte. E drejtë e tij. Por një tjetër që ka lexuar shumë nga poezia e përboteshme, që i di zhvillimet poetike dhe përpjekjet e mëdha për ta nxjerrë poezinë nga kornizat strikte, ai është e natyrshme të pelqejë vargun e lirë që nuk ka asnjë kushtëzim. Por pavaresisht teknikes së përdorur poezia ka sekretet e veta të mbuluara brenda fjalëve, ka magjine e vet të cilën është e vështirë ta spjegosh, ajo lind si nënshtresë, lind jashte logjikës së rreptë, ështe si era që fryn e ne e ndiejme por nuk e shohim, pra çasti i krijimit ka prekur subkoshiencën.
     Jo më kot Platoni thoshte "Poezia është e folura përçartë e perëndive!"
Dhe, duhet pranuar, të shkruarit do kulturë e dije, e njëjta gjë kërkohet edhe nga lexuesi. Një njeri që pi qumësh tërë jetën vështirë të kuptojë e të vlerësoje shijen e verës. 
      Dhe autorët të kenë parasysh kur kerkojne të vetlartësohen e vetlavdërohen me krijimet e veta se, nuk matet gjatësia e njeriut me hijen e mëngjesit, se kur dielli ngrihet në zenit njeriu nuk ka më hije.
Kjo që shkrova më sipër, nuk është shkrim apo analize por një koment i shkurtër, le ta quajmë ese, në të cilin shpreh mendimin tim e askush nuk ka pse shqetësohet.Unë këtu nuk them si të shkruhet por shpreh mendimin tim e përvojen time në shkrim. E kam thënë e vazhdoj ta them, shkruaj siç më pelqen dhe nuk e kam as kohën e as moshën të bëj ushtrime metrike siç më sugjerojnë vargmatësit. Ka ikur treni larg të nderuar. Fakti që dikush mi kërkon poezisë këtë e atë do të thotë se kanë mbetur pre e shkollarizmit. Po more miq, ju po thoni që manushaqja duhet të dalë kështu e ashtu, të ketë këtë ngjyrë e të ketë këtë erë. Por kur ajo ti ketë ato që doni ju atëherë ajo nuk është manushaqja e papërsëritshme e pranverës, por sajesa juaj me aromë të stisur.       
     Thoni se duhet të ketë patjetër poezia figurë....po kjo është recetë, e me receta merren vetëm ilaçet e mjekut. Po jo poezia. Ka poezi që nuk kanë nevojë për asnjë figurë...por ka edhe poezi që mund të ngrihet mbi bazën e figuracionit. Vargu i lirë është një evolucion i madh, i cili është çliruar nga çdo gjë që e kushtëzon shprehjen e mendimit e të ndenjës. Jam në një mendje që poezia i ka të vetat ato elemente që përmendni, por nuk ka ligje në këto punë.       
        Nuk ka rregulla strikte. Ndryshe prej të gjitha arteve të tjera poezia ka fituar lirinë që të jetë ajo që deshëron vetë të jetë e jo ajo që i kërkohet të jete. Por ndërkohë unë e kuptoj dhe e respektoj edhe metriken, edhe vetë i perdor jo pak herë vargun popullor, poezinë tradicionale, folkun pra, por kjo nuk e dominon poezine time.
Parapelqej të shkruaj çastin, atë që më ngacmon e kërkon të dalë prej meje ashtu siç ajo do të dalë pa e imponuar. Quajeni po deshët prozë poetike apo poezi prozaike, mua as që më shqetëson. Ku pyet toka se ti nuk do që të dale bari në livadh. Ajo do ta nxjerrë fijen e barit sa ta ngrohin pak rrezet e diellit.        
        Edhe njeriu është tokë, por dikush tokë e mirë e pjellore e dikush tjetër tokë djerr, e dikush tjeter gurishte e zallishte, tokë shterpë, që unë i quaj shtërpuca. Këta janë vazhduesit e denjë që falen në tempullin e Hasan Zyko Kamberit. Edhe ata në të drejtën e tyre. Kane zgjedhur perëndinë që adhurojnë.