MOS VDIS DASHURI 2002 NOKTURN 2004 REQUIEM PËR NJË GJETHE 2005 TRINIA IME 2006 KOHA E PROSTITUTAVE 2007 ITAKA GRUA 2008 LULE PELLAZGJIKE 2012 U DASHKA TË DAL NATËN VONË 2012 E KAM ATDHEUN TEK PORTA 2012 DASHURI 2013 FAJIN E KA HEKUBA 2014 ORAKUJT NË FERR 2015 ODEON 2016 OFELI 2019 ODE PËR SHKODRËN

Mësuesi i fillores - nga K. P. Traboini



Lin Mushkalla, 1908-1963
Lin Mushkalla 1908-1963



MËSUESI I FILLORES
Nga K. P. Traboini


Kërkoj emrin e mesuesit tim të klasës
së parë, por askund nuk e gjej,
as në internet e as në gazeta,
ata që e njihnin
nuk janë më ndër të gjallë,
ndër libra as që bëhet fjalë.

Libra, mësuesi im, nuk ka shkruar,
por në mendjen time ka gdhendur
gërmë për gërmë gjuhën shqipe,
gërma të arta mbi mermerin e bardhë.

Pastaj nisa të shkruaj dhe unë,
por dora më dridhej, bëja gabime,
mësuesi mori dorën time të vogël
në doren e tij dhe bashkë shkruam
Trininë njerëzore: Atdhe, Babë e Nanë.

I ruaj në kujtesë të gjitha ditët,
edhe atë ditë marsi kur mësuesi na tha:
sot nuk ka shkollë.
Ka vdekur ai, atje, larg, ka vdekur...

Dora mësuesit tregoi nga verilindja,
ne nuk pamë katallan në horizont,
dita ishte e bukur e qielli i kaltër,
kalendari shënonte 5 mars 1953.

As emrin nuk ja tha, e ne nuk pritëm,
por ikëm të gëzuar si zogj.
Se kush fëmi i botës nuk u gëzua
kur mesuesi u tha: sot nuk ka mësim.

Ka vdekur, ka vdekur, ai, atje, larg...
e çantat e librave hidheshin në ajr,
vdekja çlironte shpirtrat nga makthet.

Gjithmonë e kam kujtuar mësuesin,
në Hot të Ri ai ka lënë imazhin e vet,
ku shkon e vjen përjetësisht
me biçikletë nga Shkodra.

E di që pushon në Rrmaj,
vështirë është të gjesh në gur varresh
emrin e atij që kërkon se të vdekurit
janë më tepër se të gjallët.

Akoma se, ky është një qytet i madh,
një labirinth shtigjesh, ku
guri, mermeri e druri alternohen
si në qytetin e të gjallëve,
dhe shkalla e pasurisë së të gjallëve
bën diferencat e të vdekurve.

Të diturit, jo medoemos kanë
varre mermeri
si në botën e të gjallëve
ku shpesh të diturit rrojnë
me keq se fajdexhijtë, ministrat
dhe sharlatanë deputetët.

Diferencat i bën pasuria:
ky varr madhështor i përket
një hajduti, që vodhi tërë pasurinë
e popullit e la pas para
sa ti gëzohen mermerit tërë soji i tij.

Kërkoj emrin e mësuesit tim
të klasës së parë, Lin Meshkalla,
në dy qytete kërkoj e nuk e gjej
as në qytetin e të gjallëve
e as në qytetin e të vdekurve.

Dhe rri e pyes veten pse i harrojmë
ata që në dorën e tyre mbajtën
doçkën tonë, - përderisa
dijet e tyre i kemi gjithmonë me vete?

7 mars 2024

Mësuesi i përkushtuar i shkollës fillore Lin Meshkalla, kushëri me Martirin Atë Pjetër Meshkalla, ka lindur në vitin 1908 dhe ka ndërrua jetë në vitin 1963 duke mos lënë pasardhës. Por,gjithësesi qoftë fati personal i mësuesve, duke qenë misionar të dritës ata lënë pas nxënësit ku kanë trashëguar dijet e veta për botën. Dhe dijet për dritën kurrë nuk kanë vdekje.

Autori