K. P. Traboini - Albanian - American journalist, filmmaker and writer, author of 47 books: poems, story and literary essays.
>☸ ZOGJTË E ARLINGTONIT 2020 ☸ AJO QË JETOJMË PËRDITË 2021 ☸ POETICA SHQIP 2005 ☸ POETICA ENGLISH 2006 ☸ DASHURIA MË E BUKUR 2007 ☸ I DËGJOJ LULET KUR FLASIN 2008 ☸ NIRVANA 2024 ☸
...sa i pëlqeka njeriut:
t'i flasin një fjalë të mirë,
t'i bëjnë dhuratë një varg,
po fundja dhe një gjethe vjeshte,
t'i tregojnë fluturimin e një pëllumbi,
t'i thonë se jetës se vet i dha një kuptim.
Në moshën që kemi sa i pëlqeka njeriut:
t'i vijë një çupëlinë - buzëkuqe
e një kokërr mollë t’i japë me një puthje,
t'ia heqë nga supet një thinjë
rrëzuar prej tundimeve të kohës
që e shtyjnë anijen e fatit larg
për t'iu bërë Atdhe një tokë në fund të botës.
Në moshën që kemi sa i pëlqeka njeriut:
ta shikojnë në sy me mallëngjimin e asaj
çfarë dikur ka qenë e kurrë më
nuk mund në jetë të kthehet paskëtaj.
Në moshën që kemi
na përlotën sytë tek shohim
mirënjohje njerëzore e perëndimin e diellit.
© Kolec P. Traboini
Lirika dhe Etyde, Boston 2007
Zero pas njëshit - nga K. P. Traboini
🔴 ZERO PAS NJËSHIT
- Bankierin e vranë para Bankës së vet.-
Sot do të shkruaj për njëshin,
Kushdo që kalon pranë tyre ndjehet i vogël,
Ne të gjithë e filluam nga njëshi,
Kur portat e ferrit u hapën,
Ca fatlumë u ngjitën, ca u vranë,
në shtëpitë me suva të rënë e lagështirë
Ai vazhdoi të ngjitej, sa më lart
Sepse dihet, sa më lart të ngjitesh
aq më shumë i shkon rrezikut për skaj,
e për milionat, zerot pas njëshit,
O Zot sa transaksion i lemerishëm,
të rrëzuan në rrugë me gjashtë plumba,
t’i numëruan një e nga një si para të thata
Aty ishin policët, kalimtarët aty motori
Ti ike, të përcollën hipokritët,
Ti dije aq shumë sa veç varri jepte garanci
Sa lule hodhën mbi varrin tënd,
Tani je një asgjë, edhe njëshin ta morën,
zerot nga pas ranë si të mos ishin,
Tanimë banka punon pa ty,
©️ Kolec P. Traboini
Nga libri "ODEON - për gjëra që ngjasin"
Pantheon Books Edition 2016.
Edhe poetët ikin...K. P. Traboini
🟢 EDHE POETËT IKIN
Edhe poetët ikin, vëlla Poet, ikin
as mosha, as vitet, as udha, as shtegu
as vetmia, as vuajtja, as burgu, as pragu
as miqtë e as shokët nga udha nuk të kthejnë.
Veç në qiellin e Krishtlindjeve të shohim të tretesh
si çdo yll që pikon, vëlla poet, që pikon
në qiellin e ngrirë ku zogjtë në heshtje
ravizojnë një çerdhe shprese prej akulli.
Ravijëzojnë një trëndafil në formë zemre,
ravizojnë portretin tënd me krrela Esenini
e jakën e ngritur të palltos së vjetër
ku strukeshin mendimet
e duart ndër xhepat e shqyer që mardhnin
si dikur në robëri edhe në liri, të varfër.
Mbi qiellin e varrit tënd fluturojnë zogjtë,
në borë, në shi e në diell janë atje,
cicërrimat të thërrasin po ti s'mund të ngrihesh
edhe kur miqtë të thonë "Eja të pimë një kafe!"
si dikur edhe tani, mbledh supet e s'ndihesh!
© Kolec P. Traboini
Boston, dhjetor 2006