K. P. Traboini - Albanian - American journalist, filmmaker and writer, author of 47 books: poems, story and literary essays.
>☸ ZOGJTË E ARLINGTONIT 2020 ☸ AJO QË JETOJMË PËRDITË 2021 ☸ POETICA SHQIP 2005 ☸ POETICA ENGLISH 2006 ☸ DASHURIA MË E BUKUR 2007 ☸ I DËGJOJ LULET KUR FLASIN 2008 ☸ NIRVANA 2024 ☸
...sa i pëlqeka njeriut:
t'i flasin një fjalë të mirë,
t'i bëjnë dhuratë një varg,
po fundja dhe një gjethe vjeshte,
t'i tregojnë fluturimin e një pëllumbi,
t'i thonë se jetës se vet i dha një kuptim.
Në moshën që kemi sa i pëlqeka njeriut:
t'i vijë një çupëlinë - buzëkuqe
e një kokërr mollë t’i japë me një puthje,
t'ia heqë nga supet një thinjë
rrëzuar prej tundimeve të kohës
që e shtyjnë anijen e fatit larg
për t'iu bërë Atdhe një tokë në fund të botës.
Në moshën që kemi sa i pëlqeka njeriut:
ta shikojnë në sy me mallëngjimin e asaj
çfarë dikur ka qenë e kurrë më
nuk mund në jetë të kthehet paskëtaj.
Në moshën që kemi
na përlotën sytë tek shohim
mirënjohje njerëzore e perëndimin e diellit.
© Kolec P. Traboini
Lirika dhe Etyde, Boston 2007
Zero pas njëshit - nga K. P. Traboini
🔴 ZERO PAS NJËSHIT
- Bankierin e vranë para Bankës së vet.-
Sot do të shkruaj për njëshin,
Kushdo që kalon pranë tyre ndjehet i vogël,
Ne të gjithë e filluam nga njëshi,
Kur portat e ferrit u hapën,
Ca fatlumë u ngjitën, ca u vranë,
në shtëpitë me suva të rënë e lagështirë
Ai vazhdoi të ngjitej, sa më lart
Sepse dihet, sa më lart të ngjitesh
aq më shumë i shkon rrezikut për skaj,
e për milionat, zerot pas njëshit,
O Zot sa transaksion i lemerishëm,
të rrëzuan në rrugë me gjashtë plumba,
t’i numëruan një e nga një si para të thata
Aty ishin policët, kalimtarët aty motori
Ti ike, të përcollën hipokritët,
Ti dije aq shumë sa veç varri jepte garanci
Sa lule hodhën mbi varrin tënd,
Tani je një asgjë, edhe njëshin ta morën,
zerot nga pas ranë si të mos ishin,
Tanimë banka punon pa ty,
©️ Kolec P. Traboini
Nga libri "ODEON - për gjëra që ngjasin"
Pantheon Books Edition 2016.
Edhe poetët ikin...K. P. Traboini
🟢 EDHE POETËT IKIN
Edhe poetët ikin, vëlla Poet, ikin
as mosha, as vitet, as udha, as shtegu
as vetmia, as vuajtja, as burgu, as pragu
as miqtë e as shokët nga udha nuk të kthejnë.
Veç në qiellin e Krishtlindjeve të shohim të tretesh
si çdo yll që pikon, vëlla poet, që pikon
në qiellin e ngrirë ku zogjtë në heshtje
ravizojnë një çerdhe shprese prej akulli.
Ravijëzojnë një trëndafil në formë zemre,
ravizojnë portretin tënd me krrela Esenini
e jakën e ngritur të palltos së vjetër
ku strukeshin mendimet
e duart ndër xhepat e shqyer që mardhnin
si dikur në robëri edhe në liri, të varfër.
Mbi qiellin e varrit tënd fluturojnë zogjtë,
në borë, në shi e në diell janë atje,
cicërrimat të thërrasin po ti s'mund të ngrihesh
edhe kur miqtë të thonë "Eja të pimë një kafe!"
si dikur edhe tani, mbledh supet e s'ndihesh!
© Kolec P. Traboini
Boston, dhjetor 2006
Poezinë nuk mund ta mësosh si të jetë - nga K. P. Traboini
Dhe, duhet pranuar, të shkruarit do kulturë e dije, e njëjta gjë kërkohet edhe nga lexuesi. Një njeri që pi qumësh tërë jetën vështirë të kuptojë e të vlerësoje shijen e verës.
Kjo që shkrova më sipër, nuk është shkrim apo analize por një koment i shkurtër, le ta quajmë ese, në të cilin shpreh mendimin tim e askush nuk ka pse shqetësohet.Unë këtu nuk them si të shkruhet por shpreh mendimin tim e përvojen time në shkrim. E kam thënë e vazhdoj ta them, shkruaj siç më pelqen dhe nuk e kam as kohën e as moshën të bëj ushtrime metrike siç më sugjerojnë vargmatësit. Ka ikur treni larg të nderuar. Fakti që dikush mi kërkon poezisë këtë e atë do të thotë se kanë mbetur pre e shkollarizmit. Po more miq, ju po thoni që manushaqja duhet të dalë kështu e ashtu, të ketë këtë ngjyrë e të ketë këtë erë. Por kur ajo ti ketë ato që doni ju atëherë ajo nuk është manushaqja e papërsëritshme e pranverës, por sajesa juaj me aromë të stisur.
Parapelqej të shkruaj çastin, atë që më ngacmon e kërkon të dalë prej meje ashtu siç ajo do të dalë pa e imponuar. Quajeni po deshët prozë poetike apo poezi prozaike, mua as që më shqetëson. Ku pyet toka se ti nuk do që të dale bari në livadh. Ajo do ta nxjerrë fijen e barit sa ta ngrohin pak rrezet e diellit.
AUTOGRAF nga Lindita Agolli mbi librin "Itaka grua" të K. P. Traboini
AUTOGRAF nga Lindita Agolli
Mbi librin “Itaka grua” 2008, autor K. P.Traboini
Autorit tri fjalë / Mendimit tri kohë / Përjetimit tri përmasa
Të lexosh një libër, do të thotë të prezantohesh me një autor. Të lexosh një të dytë prej tij, do të thotë të kuptosh të parin. Të lexosh të tretin, do të thotë ta pëlqesh atë si autor. Të kërkosh më pas që të lexosh çdo libër të një autori, do të thotë se e njeh veprën e tij.
Këtë që sapo thashë, nuk e kam lexuar askund. E thashë në këtë formë vetëm pasi ndjeva, kuptova dhe njoha gjithë krijimtarinë e K. Traboinit.
Janë me dhjetra libra, në arsenalin e të cilëve renditen vlera artistike, historike, etiko-estetike; vlera të kuptimit esencial të jetës në proces; vlera të komunikimit njerëzor të ngritur në art si vlera më e spikatur sociale.
Por është e pamundur të mos e gjesh lirikën dhe poezinë edhe në librat e tjerë, ku proza duket të jetë vendosur në një pentagram dhe jo në një faqe të zakonshme libri.
“Itaka Grua” më erdhisi dhurata më e bukur që mund t’i bëhet një njeriu të dashuruar pas librit. Por unë jam një grua dhe, si e tillë, kam në duar një dhuratë më shumë: librin dhe vetveten. Mënyra se si depërton tek unë fjala poetike që më vjen nëpërmjet Itakës Grua, është e vetmja gjë që më shkujdes nga vëmendjet për të bërë vlerësime. Tendenca për të thënë diçka që vetëm se stoliset me pendët e vlerësimit, s’është gjë tjetër veçse përpjekje e pashpresë për të thënë atë që në mënyrën më të përvetëshme e thotë poezia autentike dhe mua, do të duhet të hyj brenda asaj bote, porta e së cilës hapet nëpërmjet vargut.
TITULLI DHE PËRKATËSIA
Shfletoj dhe gjej në një prej faqeve poezinë që i përket titullit. E thjeshtë, si një këngë me ritëm deri diku folklorik, më duket se thotë shumë pak për atë Itakë Grua që qëndron në bashin e poezive. Atëherë bëj diçka të pazakontë. U vendos si titull “Itaka Grua” shumë prej poezive; si “Lirika në detin e sirenave”, “I dashuruar me një karficë”, “Zhvishu”, “Si Zorbë”, “Ego poetike”, “Pengjet e mia”, “Kuti i vlerave”, “Hajku i vdekjes”, etj. Bëjeni dhe ju. A nuk duket se është titulli që ka copëza shpirti nga cilido varg, nga cilado poezi?!
Duket si lojë fjalësh, por nuk është. Emri-Grua dhe Itaka-metafore, ose anasjelltas, rrinë aq bukur në njëra tjetrën, në një harmoni të papërsëritshme. Ato zhvendosen herë njëra dhe herë tjetra në krye të fjalës dhe ma lëvizin mendimin, ma trondisin shpirtin sikur të jem e pranishme njëkohësisht në dy botë.
Midis tokës dhe detit, midis pritjes dhe kthimit, midis harresës dhe mallit, midis vuajtjes dhe arritjes, midis dëshirës dhe pamundësisë, bëhem Grua Itakë që prej zanafillës, e vetëdijshme për çfarë më parë nuk dija nga vetja.
Më vinë ndërmend legjendat, copëz prej të cilave jam, copëz prej të cilave bëhem. Nuk di në jam Itaka apo Gruaja. Njëra prej të dyjave ecën përbri meje, por nuk shihemi. Jemi brenda njëra tjetrës, por nuk njihemi. Jemi kuptimi i tjetrës, por nuk e dimë.
Vjen Poeti të na e thotë!
Mishëruar në njëra tjetrën si një e vetme, transformohemi fuqishëm në tre elementë jetësorë të domosdoshëm, në tre dimensione gjigande të pamatshme, në tri vlera të pushtetshme pa kufi.
MËMËDHEU I MISHËRUAR
Shihem në pasqyrë dhe harroj fytyrën. Belbëzoj ca vargje homerike me pamjen e portave të Itakës:
“Këndomë, o Zanë, të urtin burrë që u end
Për sa vjet poshtë e lart pa plang, pa shtëpi
Si shtroi përdhe të shenjtat ledhe t’ Trojës
……………
Shumë vojti zemra e tij në det me dallge.......etj, etj...”
(Homeri “Odiseja” Kënga e I, 1976)
Pastaj nis rrugëtimin në vargjet e Poetit:
“Më mirë një kthim ala Zorbë në vatrën e vjetër
Ani pse i trishtuar prej varfërisë e mjerimit
Do ta ndjesh veten më mirë se kudo tjetër.”
Pasqyra para së cilës qëndroj, shumëfishohet dhe më tregon pjesëza të qënies.
Pjesëza ishullore ku kemi lindur, Tokë ku dëshiron
“të rrosh në një gjeth, të rrosh në një cicërimë
në një fllad të mëmëdheut të rrosh
edhe pas vdekjes ”.
Të rrosh atje ku pengjet e kthimit janë një jetë e tërë me dhimbje, ku rrugët
“kanë e s’kanë kthim” për të gjithë ata që ikin me plagën e ndarjes.
ARTI I MISHËRUAR
Nuk bën më punë pasqyra. Nuk ka nevojë për sy tek ndihesh Fjalë e Varg.
Poeti rrëmben gjithçka nga një Grua dhe e shndërron fytyrën e saj në To…
Poezia dhe Ese-ja ngrihen përmbi Itakën Grua dhe zaptojnë përmasat shpirtërore
deri në vetmohim.
“Në ereksion për njërën – orgazëm për tjetrën
pa ditur kurrë ku fle dashuria…” poeti jep peng kohën e Gruas!
Kohë të cilën “pas udhëtimesh në vise të largëta” ia kthen përsëri Asaj, por kësaj here të transformuar në Ar... si “e vetmja mirësi që mund t’u bëj grave të atdheut tim dhe grave të gjithë botës thesarin që ma falën sërish t’ua kthej…”
E pamundur për t’u thënë në këtë formë e në këto përmasa me logjikën e mendjes më të ndritur!
E pamundur për t’u shprehur plotësisht pa lënë asnjë të çarë sikur të përdoreshin për matje dhe shpikjet më të fundit të shkencës!
E pamundur për të bashkuar dhe përjashtuar njëkohësisht tre dimensione që s’janë njëra tjetra, por gjenden në njëra tjetrën - Ese’ ja, Poezia, Gruaja.
GRUAJA ITAKË E MISHËRUAR
Hyj brenda saj dhe gjej Pritjen e gjatë të Gruas dhe Udhëtimin e mundimshëm të një Burri. Ai, më merr për dore me kujdesin se mos më thyejë. Më tregon çfarë jam e çfarë s’jam për një burrë, më tregon fokusin e syve të mia. Ja galeritë e mia të padukshme, më thotë, hyrë dhe gjej në to sekretin e ngjizjes me jetën…sekretin e ekzistencës së dy shpirtrave në një. E, nëse shpirti njerëzor do të përfytyrohej si një shpend që shpalos krahët lart në qiell, do të shihnim se në të janë të mishëruara të dyja gjinitë njëkohësisht. Do të shihnim se ekzistenca nuk është tjetër veçse bashkimi i dy gjinive në shpirtin e përbashkët njerëzor.
Dy personazhe në një, që më çojnë larg në imagjinatë dhe krejt instinktivisht, nëpërmjet një zinxhiri të padukshëm e abstrakt, më sjellin mendimin se Poeti nuk është thjesht ai “ngacmuesi”. Është shumë më shumë se kaq. Në njëfarë mënyrë është vetë Ai që shfaqet në përmasa të tjera, ende të panjohura për botën e Gruas; përmasa që kanë të bëjnë me një marrëdhënie të pa konsumuar kurrë në gjithë kuptimet e saj, e cila ngacmon fantazinë dhe në çast krijon imazh të ndryshëm nga e deritanishmja për Intimitetin. Në këtë aspekt, poezia tek unë transmetohet ashtu siç është ndjerë, siç ka ardhur në muzën e poetit. Unë e pranoj atë në atë forme që natyra ime e brendshme e pranon.
Dhe ne… unë, ti… teksa Poeti trajton Gruan dhe natyrën e saj, a mundemi ta shmangim dot të menduarit rreth Tij?!
E mëpastaj, deduktoj se ndoshta as Ai vetë nuk ia ka njohur vetes tipare të cilat shpalosen nëpërmjet vargjeve, për shkak të një lloj marrëdhënieje të veçantë me Femëroren.
Ka shaluar Fjalën Poetike dhe i afrohet aq shumë gardhit të imagjinatës femërore.
Ka përqafuar Ndjenjën dhe i afrohet aq shumë njerëzores.
Ka shpalosur Shpirtin dhe e ka kthyer në vlerë.
E paskëtaj, si të mos besosh se Poeti dhe Itaka Grua ia arritën të takohen në këtë libër?!
1 Nëntor 2008
Botuar në gazetën "Ndryshe"