KOHA E PROSTITUTAVE
PROLOG
eternita
Mos e përsërit dy herë shprehjen “Eternita”!
Brenda saj, ajo ka një të fshehtë
përvëluese, një kod mistik, të cilin gjithnjë e kërkon e kurrë nuk e gjen.
Edhe në e takofsh gjëkundi, fatlumturisht, kurrë
nuk mund ta dëshifrosh enigmën e tij. Tërë jetën ndoshta kështu ngjet. Kërkim,
mosgjetje dhe djegie.
Kjo jetë është lojë dritash, kurrë nuk ta jep atë
mundësi që të realizosh të gjitha ato dëshira dhe ëndërrime që ke në mendje e
në zemër. Prandaj dhe njeriu jeton dyzimin e tij që kur është krijuar bota
njerëzore… Në ato çfarë jetojmë
ngandonjëherë në disa çaste, dyshojmë se jemi krejt ne...ose hamendësojmë se
jemi tjetërsuar për ca orë gjatë ditës e
natës, kemi ndryshuar trajtë, jemi bërë tjetërsoj nga e rendomta dhe rutina e
përditëshme e përjetëshme. Duke vëzhguar jetën e vet, njeriu ve re se nuk është
vetëm në atë pjesë ngjarjesh, nga skajet
e shtëpisë në auditoret e fakultetit, apo qoftë në disa ecejake më të largëta.
Je dhe diku tjetër. Mirëpo, jo të gjithë
njerëzit i kuptojnë këto transfigurime, këto ndërrime trajtash në mes të
hapësirave të së njëjtës kohë. Varet prej njeriut sigurisht, prej prirjeve,
prej dëshirave dhe ëndërrimeve herë herë të përndezura. Që në fëmijërine fatthyer isha një ikanak
trazovaç, adoloshent kohëlëshuar, sepse
gjatë gjithë kohës më pëlqenin prapësitë, por në disa orë të ditës a të natës,
shkëputesha prej njerëzve e prej prapësive të moshës dhe rrija e kundroja
vetminë time. Niste një gjykim tjetër.
Përqasja vehten me botën, me njerëzit, me yjet, me çdo gjë tokësore, e
në ato çaste ndjeja të isha një tjetër. Isha fluror. Isha një zog dhe qytetin e Shkodrës dhe gjithë botën e shihja
nga sipër. Shumë herë rrija te një tufëz resh në qiellin e kaltër dhe më dukej
se isha në një lisharëse dhe tundja këmbët. Pse i tund këmbët kështu në
karrike, më thoshte Dada ime, e unë atëherë zbrisja nga qielli im i shtatë në
shtëpinë e fëmijërisë në rrugën Badra. Ky tjetërsim më ka ndjekur gjithë jetën.
Dhe kthimet nga njëra gjendje në tjetrën gjithmonë i kam përjetuar me ankth.
A mund njeriu të bëjë dy jetë brenda një jete?!
Një zot e di por veç diçka ndodh. Ndryshe i sheh e i gjykon gjërat kur je në
një mjedis me njerëz, e ndryshe kur je në vetmi. Kur je në mes të rrëmujës
njerëzore mund që e ndjen vehten një gjë krejt të rëndomtë, por kur ulesh diku
e mediton, bota jote mbushet me një dritë thuaj hyjnore, je tjetër njeri, ke
tjetër frymëmarrje, mushkëritë të mbushen me ajër çudibërës, e ndoshta për një
çast vë dorën mbi gjoks e thua, o Zot ku ndodhem.
bëj ç'të duash me mua hyjni
dëshirash
kthemë në një jon drite
më bëj një yll, pa le të
tretem e shuhem
me rrapëllimë, në qiejt
sterrë të jetës time...
Në jetën e përditshme e ndjej vehten rondokopi më i
zakonshëm. Njerëzit e rëndomtë kur ndodhen pranë meje shfaqen superiorë për
shkak se mund të kenë disa prioritete fizike, moshe e të tjera diferenca krejt
të rëndësishme këndej, ndërkohë krejt të parëndësishme andej. Mirëpo unë brenda
vehtes nis e i mjegulloj gjërat, i bëj më ajrore, më papeshë, tërë titujt,
dekoracionet , profesorët çantëmëdhenj , ofiqarët, ministrat, pse jo dhe
presidentët, i transformoj në mirazhe që mund të terratisen lehtë në qiellin
tim eternal, si tym cigarje që tretet hapsirave në një fjollë gri.
Vazhdoj pa u ndjerë atje në viset e mia ku tërë ajo
mori njerëzore mbuluar me fallsitete bëhet fir. Në atë pjesë të botës, ku
ndodhem pothuaj përditë nga pak orë, bëj në mënyrë të menjëhershme rivendosjen
e gjërave në unison me ndjesitë më të thella të shpirtit dhe dëshirave më të
fshehta misterioze. Rrethanorët të
rratisen e unë tjetërsohem. Nuk jam më ai që kam qenë, megjithëse e shumta të
nesërmen kthehem sërisht aty ku isha, në rrjedhën e jetës së rëndomtë.
Nuk është e mundur të mohoj as njërën e as tjetrën
pjesë të jetës sime. Të dyja i le të jetojnë. Jeta ime përbëhet nga këto dy
pjesë. Përpiqem me të gjitha forcat për një ekuilibër, mirëpo pjesët kërkojnë
prioritet ndaj njëra-tjetrës. Do të ishte fatkeqësi që njëra pjesë të ushtronte
dhunë e të shfaroste pjesën tjetër. Kjo do të sillte kalcifikimin e ngrirjen e shpirtit, një
mort akulli:
një dimër
zëmërak u rrëzua prej qiellit
mbi supet e
mia gjethet ranë e vjeshta u platit përdhè
shtergët
pikërojnë elegjinë për stinën e vdekur
unë rri
këtu pa ty, në këtë mort akulli.
dashuritë
ikin viseve të jugut, nëpër re
Eternalja ka fuqi fizike e natyrore e ushtron
pushtet më të madh se çdo forcë apo yshtje tjetër në botën njerëzore. Ajo e pushton tërësisht hapësirën e kohës, e
mendimit, të ndjenjave dhe nuk i lë kurrgjë, kurrnjë hapësirë reales,
konkretes, mishërimit, gjykimit si një njeri i rëndomtë i përditshëm, me
psikologjinë e halleve, të ushqimit, të veshjeve e këpucëve, përkujdesjeve për
të afërmit, bërja e detyrave të shtëpisë si bashkëshortë shembullorë.
Ky aspekt në komunikimin eternal fshihet. Realja
zhduket prej horizontit dhe mbetet vetëm shpirti, meditimi, dëshira pa kufi
deri në infinit... Në këto segmente etërore fryjnë erëra magjie. Njeriu bëhet i
ndjeshëm. I kalon më shumë adrenalinë në gjak e
në krahëror ndjen një eufori të brendëshme, gjërat shfaqen të
trëndafilta, kanë aromë, janë dehëse e natyrisht marramendëse...
Çfarë pret të ndodhë nëse për një kohë të gjatë
njeriu noton në këtë det eteri? Kurrgjë më shumë se sa t‘i ndizen dëshira të
panjohura më parë, të paimagjinueshe, t’i ndizet dëshira të lozë e të bëjë
dashuri me zjarrin... metaforik:
poeti kurrë
mos qoftë nëse nuk është
si diell që
në kupë të qiellit rrekëllen
si zjarr që
bën dashuri me zjarrin
e prej
zjarrit shuhet. Amen!
E kjo lind vetvetiu. Nuk ka forcë në botë që e
ndalon lindjen e Diellit. Ashtu ndodh edhe me mendimin. Së pari njeriu
mendon... E pastaj.... Dihet pastaj. I bie në krahë ëndërrimit, ndjehet si në
një varkë mbi det të qetë e me një perëndim dielli të kuqërremtë. I lëshohet
puhizave që i përkëdhelin fytyrën e trupin
e me duar të bashkuara e sytë e ngritur lart i bën lutje qiellit.
Mirëpo jeta është jetë, është formë, është ligj,
është normë.... Ajo bëhet në tokë në trajta të përcaktuara, në ligjësi të
vendosura ca nga natyra e ca nga vetë njerëzit. E kjo zbritje prej eternales në
tre dimensionet e hapsirës tokësore, në volumet pra, është për shpirtin si rrëzim meteorësh. Ndaj
kur ndodhin ndonjëherë incidente në marrëdhëniet njerëzore të pranishmit
shprehin çudinë se si ndodhi kjo e papritur, si rrëzimi i një ylli në një natë
të qetë. Mirëpo yjtë i kanë stuhitë tjetërsoj:
kush nuk
dëshëron të rrëzohet si yll,
nuk duhet
të ngjitet kurrë në qiell
qielli
është vendi ku digjen planete
edhe në
dëshirat njerëzore po ashtu
nuk mund të
ketë dashuri pa djegur veten.
Eternalja, ajo pjesë e jetës sonë të padukshme,
herë herë e fshehtë e mistike, që zgjon dëshira deri atë çast rënë në gjumë të
gjatë letargjik, është drithëruese. Ajo nuk ka fuqi të ndërrojë rrjedhën e
jetës së njeriut kur ky harrohet, i lëshohet të përditshmes, dërmohet prej
lodhjes e përhumbet prej gjumit, duke mos i lënë asnjë hapsirë meditimit,
ndjenjave, fantazisë, perjetimit të thellë, admirimit të së bukurës dhe lënien
e shpirtit të lirë.
Por, kur dikush i lëshohet këtyre ndjesive, e lë
shpirtin e vet të lirë, nuk i vë kufi ëndërrimit, çlirohet prej pengut të së
përditshmes si zinxhir burgu nëpër këmbë, ai ndjen para vehtes të hapet një
portë, në brendësi të së cilës, tingujt e lirave e ndjellin në hapësira
eternale ku mbizotron drita flakëruese e
një zjarri që djeg çdo gjë tokësore e, duke i kthyer shpirtrat në yje që
dashurohen. Është kjo dritë yjesh që
shohim, kjo dritë yjesh që fërgëllojnë si gjijtë e përvëluar të një vajze, që
ka rënë në dashuri me zjarrin e prej zjarrit shuhet. Amen!
k. p. traboini
25 maj 2007
KOLEC TRABOINI
NJË TABOR ME QIEJ
Cilin qiell do, më thuaj
kam një taborr qiej në trastën time
tërë jetën nëpër botë degdisa kokën
e sipër kokës kudo qiej pata
me shi e pa shi
të ngrirë apo të përzhitur nga vapa
blu të thellë, gri apo të kaltër
ngjyrë bronzi me diell në perëndim
e me pak det, e një tufë pulëbardhash në ikje
me nostalgjinë e ditës që shuhet e tretet
e me shpresën se të nesërmen ka sërish agim.
për ty do ta gjej një qiell, veç më thuaj
lëshoje zërin tënd përmes erërave e shtrëngatave
që dëshira të marrë ngjyrë të kaltër
e të shfaqet si me magji në një pikë vesë
sepse edhe në mos pastë qiell, do ta krijoj
me penelata dielli e me fruta vjeshte
vetëm të marr prej teje një buzëqeshje...
PSE NË DY KOHË RRJEDHIN UJNAT
Çfarë është ky lirizëm i marrë fluturues
që e pushtoi qenien time sonte,
më përsjell kahmos, por gjithnjë ndalon në
lagjen e vjetër
tek Dugajt e Reja, ku dikur ka qenë një
trumë
aty ku në fëmijëri kam shuar etjen.
dhe ti fëmijërinë nëpër ato rrugë e ke shkuar
por nuk besoj të jemi përplasur ndonjëherë
paçka se uji në të dyja kohërat ka rrjedhë
veç larg, shumë vite larg, ndoshta sa yjet
që në drithërima të ftohta kozmike shohin
njeri-tjetrin.
pse rrjedhin ujërat, ndonjëherë veten a e ke
pyetur
pse të rinohemi e të plakemi në kohë të ndryshme
në dy skajet e largëta të globit?
PROGNOZA E SHPIRTIT
Në rrethbotën tënde të përditëshme
ku qiejt i zgjedh sipas dëshirës
herë herë të ndjellin savana të mërzitëshme
por edhe në qoftë qielli rreknajë me shi
je ti ajo që e bën të kthjellët si loti
e fluturon qiejve si zog në kaltërsi.
qielli, nata, dita, yjt’ e dielli
stuhitë e shtërgatat lindin bashkë me ty
kurrgjë tjetër në botë nuk ka përtej kësaj
shfaqje.
HUMBJA E LARGËT
...Kam qeshur hidhur me vehte - e kur njeriu qesh me vehte
në mes të natës - në qytetin ku ka lindur Allan Poe
para një letre, që ende mban aromën e trupit të një Anabel Li
njëzetvjeçare, e gjatë, sykaltër, me lëkurë të zeshkët
veshur me bronx dielli australian, diku përtej oqeanit,
përtej hënës së plotë, akoma përtej stinës
ku piqen frutat e ëndrrave, përtej çdo gjëje të mundëshme
të paprekshme me dorë - tej e përtej çdo iluzioni
...atëhere diç fsheh kjo buzëqeshja ime e mesnatës
kjo melankoli për dëshira të brishta, që ende flënë
si zogj të arratisur, të lagur, nën gjethe e drurë
të marrakatun pas dashurive të humbura.
Mos vallë, atë vajzë që s'e shoh veç nëpër delire vere
nëpër skutat e shpirtit tim, ku plot me reflekse më shfaqet
nën qiej të përmbysur që ndajnë pafundësisht dy kontinente
mos vallë, mos vallë, ende pa e fituar e kam humbur?!
KËSULKUQJA
S'ka plakje për ty, mikja ime e fëmijërisë
mpleksur tërë jetën me ëndrra pyjesh
me panja e bredha e dhelpra që fshihen
e të ndjekin tinëzisht nëpër lirishtat e botës.
ika dhe unë pas gjurmëve të tua të kaltra
por silueta me kësulen e kuqe më humbi
nga sytë, po jo nga zemra që drithërohej
kur pyjet u errësuan e ujqërit ulërinin
teksa fanari në shtëpizën prej druri u shua.
kush e di sa qiej gjethesh u përmbysën
kush e di sa lotë rrëzoi qielli mbi dhè
që u shuan nëpër rrëpira e katakombe
kushedi sa pranvera erdhën dhe shkuan
e unë s'të kisha pranë të ndjeja qënien
e format ti prek - dhe shpirtin gjithashtu
të marr një fije floku të kuqërremtë
në dorën time ta vë
si pendul ore qiellore të shfaqet
në vrundujt e erërave oqeanike
për të matur kohën që ka shkuar
në mungesën tënde - kohën e vdekur
e kohën që ende për dashuri ka mbetur
në shportën me luleshtrydhe për miqtë e zemrës.
e krejt natyrshëm, zotit Diell, t'i them
faleminderit që linde njeriun
faleminderit që më linde mua dhe Kësulëkuqen
faleminderit që ka jetë
ka dhe dashuri deri në vdekje.
QIELLI
Çfarë na duhet qielli
nëse në katër stinë
nuk shohim dy zogj të dashuruar.
DASHURI ME ZJARRIN
.... Pash qiellin e pash dhèun
pash ëndrrën që në qerpikun tënd zgjon
botën
pash frymën që tret shpirtëra e ngjall
gurë
kur mbi ta shkel si zanë këmba jote...
pash dy kokrra shegë si gjoksi i një vajze
kur çahen të kuqërremta e lëng pikojnë
duke i kthyer dëshirat në pika vese
me të cilat bën dashuri Dielli e vetë Zoti
tek kalamendem duke parë pasionin e dritëzave
që shkrihen e treten në ekstaza qiellore
unë, eh unë, si qënkam katandisur, si
të pres që vajzat e Kalifornisë
ca kurvica të bukura
të bëjnë striptizë me oqeanin e diellin
e pastaj, kur si yje ndajnate të këputen e bien
kur trupi t'u ftohet e t'u tkurret
t’i pushtoj si statuja të mermerta,
e të bëj dashuri me nimfa të fjetura?!
sapo horizonti të përskuqet nëpër rrëpirat qiellore
eja mikja ime, me gjykim të gabueshem
të mësosh një nom të thjeshtë, por të qenësishëm:
kufomat nuk hyjnë në fjalorin erotik të poetëve
s' mbështes kurrë në gjoks një dashuri pa frymë.
hej, po e për çfarë dreq pune mund të vlejë poeti
nëse nuk është një Vezuv e në gjoks
si llavë zhuritëse andrenalina s'e
përshkon
kur pranë i vinë gjallnesa të bukura
me hire e gjire si të tuat - magjiplotë.
Poeti kurrë mos qoftë nëse nuk është
si diell që në kupë të qiellit rrëkëllen
si ai zjarr që bën dashuri me zjarrin
prej zjarrit shuhet. Amen!
EVË VJESHTE
Tek të mendoja të shkrova "Do të puth në vjeshtë"
nuk e di pse pikërisht në stinën e verdhë
ndoshta se atëhere ti merr aromën e frutit
e trajtën e Evës në çdo vjeshtë ti merr
nuk e di, do jem a do mos jem në vjeshtë
nuk e di, do kem a do mos kem atë fat
por puthje gjithnjë do të ketë për gjinjëmollat
e Evës
paçka se ndonjëherë i ndalon zoti si mëkat.
12 gusht 2007
IDIL NË STINËN E TRETË
Vjeshta është dashuri nuk është zbehje vdekje
paçka se trishton e verdhë në fruta e gjethe
ështe nektar idilik, është aroma e jetës
çdo vajzë a grua me gjoks frutash sfidon
edhe dimër në qoftë, edhe kur acari mbretëron...
gjithmonë e kam dashur e do ta dua vjeshtën
se brenda frutave të saj rri fshehur
një diell i hareshëm
një diell që të mban ngrohtë tërë jetën.
12 shtator 2007
SFIDE VDEKJES
Prej kryqit po zbres
pa bërë dashuri me ty
nuk mund të vdes!
Tiranë 3 tetor 2006
VETMI KAUKAZIANE
"Poezia jote është ndjenjë që trazon
shpirtrat e qetë!",
më shkrove
...Atëherë mendova, jam djalli, jam
Demoni, jam legjenda
e që të mos thërmohen legjendat si rërë në dunat
egjiptiane
qytetet të mos gremisen si Troja e lashtë prej trazimit demonian
duhet kërkuar e gjetur një Tamarë patjetër
e në mos u gjendtë Tamara kurrkund mbi dhè
eja mikja ime që në siujdhezat e Mesdheut bën flirte me detin
e si sirenë homeriane, çon peshë zemrat e marinarëve të tretun
si unë, tej e përtej kontinentit, eja...
bëju ti Tamarë Kaukazi e rrokma pikën e lotit prej plumbi
se më mungon dashuria dhe mbi mua ka rënë pikëllimi i botës
pa flladin e zemrës, pa diellin që harliset me flokët e tu
pa hënën që të puth në buzë, me rreze ledhatare çdo mbrëmje...
më duhet të pi e të shterr një oqean
që të dal deri tek buzët e tua në brigjet e Egjeut.
Boston, 25 Gusht 2007
GJIRI YT
Mbylli të gjitha dyert
zhvishe gjoksin e thithat mbështeti në dritare
plastë në mos pikoftë në gjirin tënd një yll.
KALËRIM POETIK
Mos ngulmo ta cytësh poetin
e ki kujdes kur pranë i rri
të duket i ftohtë si burrë prej bore
por brenda gjoksit zjarr ka ai
e nëse ti nga pakujdesia
hiret e tua i tregon
ai bën sikur është diku tjetër
e te dyve udha ne nje shteg ju çon
kur veten e sheh me të shaluar
atëherë ti nuk di se çfarë ka ngjarë
a është ai që të ka pushtuar
a ti për freri e tërheq si kalë.
MOSPUTHJA SI
MËKAT
Mosputhja nuk është art nderi
por ego vetmashtrimi i paskaj
t’i shuash brenda vetes epshet është e turpshme
t’i jepesh një mashkulli lakuriq nuk është faj.
mbetur pa tokë e mbetur pa qiell
mosputhja është një dëshirë e vdekur
s'ke ku t’i ngresh një meshë requiem për dashurinë
as një lëndinë për varr nuk i ke gjetur.
ndaj ç'e kujton mos puthjen, zog i arratisur
në kuturisje të marra fanatizëm-shafrani
t'ja falje virgjërinë djalit, mikja ime
si poetja Ahmatova ju dha Modilianit.
ç'hyn ti në këtë histori do të më thuash
ç'hyn aq paturpësisht në visoret e mija
pasioni e shtyn detarin në të gjitha detrat e botës
në brigjet e atdheut e ndjell dashuria.
ndaj, mëkatet e dikurshme erdhi koha t’i shlyejmë
në ka mbetur ende prush, t'a ndezim zjarrin
në mos virtutet do të na i kalbë balta
e virgjërinë do t’ia falim varr-shejtanit.
mosputhja nuk është art nderi
por ego vetmashtrimi i paskaj
t’i shuash brenda vetes epshet është e turpshme
t’i jepesh një mashkulli lakuriq nuk është faj
qershor 2007
EKSTAZË
Më lërë sisën ta prek
buzët t'i thith si llavë e zjarrtë
dorën ta vë në shkurrën e bukur
përtej saj, të dy jemi të humbur.
FLUTURAK
monologu i zogut harrat
I dua mështeknat por më shumë dua kaltërsitë
ndaj marrakatur në qiej kërkoj mështekna të reja
nëpër hapsira tej e përtej veshtrimit
nëpër të tjera dete e nëpër të tjera dhèra
jam fluturak e gjatë nuk qëndroj
në një mështeknë – në një mike të lodhur
ndaj u them dashurive të reja
ende pa e shijuar puthjen në shtrojera
mos ma mbani gjatë në burg fluturimim.
FLAKË E BORË
Trupi yt rezonon afsh e diell
por ti ofshanë se në shpirt të bie borë
o Zot, me mjelmat e Europës çfarë po ndodh?!
PSALLMË DASHURIE
Nëse më thoni është mëkat
çfarë sheh me sy të dashuroj,
në emer të atit, të birit a belda të 700
dreqërve
pa pikë hezitimi më çoni në varrezë
atje një psallmë dashurie më këndoni
ndryshe as dhèu nuk do t'më tresë
ROZAFAT SHKODRANE
“në daç më duj në daç mos më duj”
Rozafat e bukura shkodrane
nuk mund të mos i dua
se ndryshe
do ta ndjej veten kadavër
mbi gur
e nën gur
e ato
pluhur dielli mbi mua.
...nuk mund të mos i dua!
2007
TË KISHA THËNË
Të kisha thënë dua vetëm bërthamën tënde
brenda së cilës flë filizi i shpirtit
por ai filiz do të më vdesë
nëse nuk e ka frutin që e mbështjell
prandaj më vjen keq
por më duhet të hedh poshtë
të gjitha preferencat e mia të mëparshme
e të them me plot bindje
- Tashmë të dua të gjithën.
të kisha thënë
po tani ndrrova mendje...
2005
KOHA VJEN
Të gjitha pasionet mund t’i ftohësh me akull
po kohën që vjen nuk mund ta ndalosh
e mollët e gjoksit nuk mund të mos ia japësh Adamit.