TRABOINI DHE (ANTI)MISOGINIA
mtari le të fillojmë me radhë argumentin në analizën
tonë. Është së pari një dashuri dhe jo një misogini (akt urrejtje) që vjen nga
vargu dhe krijimtaria e Traboinit për seksin e kundërt. Dhe kjo dashuri brenda
dhe jashtë disa kornizave letrare të misoginisë gatuan me vetë penën e
krijuesit shqiptar mesazhin që ia lë në hyrje ‘bedenave letrare’ të “Itaka
Grua” ku thekson “... do mbledh të gjitha lotët e grave të botës të bëj me to
një varëse për Diellin...”. Pas këtyre vargjeve të koduara vetë dekodimi i tyre
kulturor është një akt që kryhet në dimensionin e respektit dhe tërë lidhjeve
me shpirt-krijimtarinë e tij artistike. Le të sqarojmë paksa lidhjen dhe
tendencën e pikës së parë, si një kundërshti, por edhe si një përdorim në vlera
të kapshme dhe të tendosura filozofike për lidhje-jetën. Është kjo lidhje dhe
kundërshti mes vetë misoginisë. Si e tillë misoginia (loja/apo nga origjinalja
në gjuhën greke mɪsɒdʒɪni) është në thelb mospëlqimi i grave, ose
urrejtja ndaj këtij seksi. Misoginia pra siç e cituam vjen nga gjuha greke, një
term që herët në poezinë greke zuri një vend dhe debat, i cili u vazhdua më tej
edhe nga poetë të tjerë dhe kritikë e analistë perëndimorë, që ndërtuan lidhje
të tërthorta mes fjalës misoginia (μισογυνία) nga misos (μῖσος,
urrejtje) dhe gynē (γυνή, grua). Pra në lëminë e poezisë edhe pse ky person që
i rrëfehet këtij termi lidhet me atë që në thelb është ‘se i urren gratë’ dhe
quhet një misoginist, në thelbin letraro-poetik ai, pra poeti ndërton një
marrëdhënie emocionale të tillë për të rrëfyer më shumë se urrejtja dhe
dashuria. Një poezi e përafërt me këtë tematikë, dhe për të ndërtuar më mirë
kuptimin dhe thelbin e saj është poezia e poetit Richard Moore. Poema e tij
“MISOGYNIST'S LOVE” (Dashuria e misoginistit) ka marrëdhënie të tilla që lidhen
me moshën, kur dashuria përkeqësohet, dhe me faktin që seksi i kundërt mbetet
një anatemë mes vargut “Tani ju: një person i mirë!”. Dhe pastaj vazhdimi që
pason atë mes një stigme statike dhe misoginie reflektuese, të acartë
shpirtërore: “Mirësi, ndjenja të thella të përbashkëta/kur unë isha përgatitur
tërësisht/për një tjetër femër bandite./Unë nuk jam i sigurt që unë mund ta
duroj.”
Një poezi e tillë le dyert hapur për të kuptuar
edhe poetin Traboini, sidomos tek poezia e tij “Ikja e fundit” të cilën për hir
të kësaj lidhjeje dhe për ndihmë të lexuesit po e sjellim të plotë: “Çfarë
është bërë nuk mund të zhbëhet/puthjet s’mund t’i shkulim nga buzët/as t’i
ndukim nga mendja/sa kohë gjallë jemi përmbi dhe/idili ynë me ne do të
vdesë/kur rrugën të marrim për atje.../në shkofsha i pari, do kthehen në
kujtim/në imazhe dashurie që rrojnë ende.../edhe për ikjen e fundit paska një
ngushëllim/puthjet që tek buzët e të dashurave le.” Siç shihet në thelb autori
nuk le shenja misoginie në këtë poezi, veç faktit që kuptohet nga filozofia e
saj mes termit të pashfaqur, simtomë e ndarjeve, apo “urrejtjeve” pa shka që
fshehin dhe herë mbulojnë e zbulojnë dashurinë dhe misogininë e autorit. Autori
zgjedh fundin të plotësojë mesazhin e tij, por edhe të japë një akt të ndjeshëm
në këtë pikë analizë.
Së dyti poezia e poetit Traboini në këtë rast është
një poezi e shkruar nga një kënd burrëror, (mashkullor), ku elementi i
ndërthortë i gjinisë karakterizohet nga dashuria dhe refleksi respektues për
të. Dashuria dhe marrëdhëniet gjinore në tërë strukturën e poezisë së Traboinit
karakterizohen nga lidhje të forta njohurish dhe njohjesh të agravuara
historike. Kjo shihet tek poezi të tilla si “Kuti e vlerave”; “Visoret e
Diellit” etj. Tek kjo e fundit është kjo tërthori që sjell qartë mes vargut “të
marrët!/edhe Homeri mbase kështu thoshte/teksa në fantazinë e të verbërit/i përndizej
Helena e Artë/të marrët/të marrët/të marrët”. Po të vërejmë me kujdes këtë fuqi
të vargut të Traboinit, të cilën e lexojmë edhe me gjuhën e kritikës shqiptare
të Jorgo Bulos (1976), kur citon se “problemet e traditës sonë letrare janë
shprehje e ndërgjegjes së njësisë etnokulturore të popullit shqiptar”; me
analizën e Anton Berishës, që e sheh tek “pasionet dhe shfrimet e zemrës”
(1978) apo edhe tek kritika e Rexhep Qosjes që e sheh këtë si një “kult të së
shkuarës”(1968). Duhet theksuar se ashtu si Bulo, Berisha, Qosja dhe mjaft të
tjerë që pasojnë kritikën shqiptare në vite, emra të tillë si Fetiu, Aliu,
Vinca, Jasiqi, Mekuli, Hoxha, Matoshi, Kraja, Kryeziu, Ismajli, Hamiti, Gashi,
Shita, Dërvishi, Gega, Jaka, Rugova, Agani, Latif Berisha, Doda, Hysa etj. kanë
pasur parasysh një fakt sublim atë që në shekullin e 17 kjo risi në
krijimtarinë Perëndimore u hap me një aspekt të ndryshimit të madh social e
cila arriti kulmin në ekzekutimin përfundimtar të mbretit Charles I në vitin
1649. Kjo krijoi një atmosferë të konfliktit që i dha shansin të përhapet më
shumë në segmente të caktuara të letërsisë së periudhës. Shkrimet e John Donne
janë plot ndjesi me këtë ‘konflikt’, duke shprehur e duke reflektuar me
përmbajtjen e tyre një pamje të dashurisë por dhe një analizë të ‘grave
radikale’. Në këto krijime shihet edhe një shfrim me cinizëm të ndryshuar nga
ajo që brezat e mëparshëm të poetëve na kishin dhënë. Kështu nga analistët
krijimtaria e John Donne, sidomos ajo që lidhet me fenomenin e dashurisë është
parë si e devijuar shumë nga filozofia mesjetare e dashurisë, e cila kishte
qenë e shprehur në poezinë e dhënë nga sonetet e gjigantëve të tillë poetik si
Sidney dhe Petrarka.
Pa u zgjatur në këtë lidhje historike, por pa vënë
itinerar ndjesor apo ngjashëm kundrinues, tërë aspekti që lidhet me shfaqjen
simbolike të dashurisë së poezisë maskuline të Traboinit dendet mes vargjesh të
tilla “Plasa t’i bind miqtë e mi piktorë/se shqiptarka e Italisë/ka sisët më të
bukura në botë/e se Udha e Qumështit zë fill/në thithkat e saj...” (Sisët a
Anave); në poezi të tilla si “I dashuruar me një karficë”; “Tundimet e Circës”
etj. Kështu një shembull i qartë i universalizimit të dashurisë është parë në
"Maria Laforët" me vargjet e saj “mendo për një çast të mos kishte
Marie,/përtej të tashmes do të kish veç pikëllim/çdo mëngjes më me gëzim
zgjohemi/kur shpresojmë me Marien të kemi takim...” Ne shohim një marrëdhënie
shumë më të balancuar të shprehisë së dashurisë dhe fuqisë saj tunduese, por
edhe ndjejmë emocionet nga këndi maskulin edhe në vargje të tilla si “Pasioni
për të gjetur nëpër më botë më treti/amëlsia e flladit, çdo mëngjes e
mbrëmje/më ngjall shpresën/se një ditë do të dalësh prej detit...” (Për një
nimfë ëndërroj).
Emocionet e Traboinit janë përshkruar shpesh duke
përdorur imazhet sezonale, me të shpeshta kontraste midis të nxehtit dhe të
ftohtit, midis asaj që autori e quan “Përrallë nga koha e rinisë”: “tek rrinim
në muzg, të dy shtrirë mbi bar/tek liqeni i Tiranës të brendshmet m’i la/e iku
e xhindosur nëpër natën me erë...”.
Shpeshherë Traboini, dhe kjo është pika e tretë,
krijon një ton shumë ironik, në të cilën ai shkund dhe sintaksën më të fortë të
gjuhës, dhe shkërmoq mendimet veç e veç, për të dhënë imazhin e atyre idealeve
të ndërtuara kallp. Poema “Çamja e bukur” fillon me, “Zura mike një
belhollë/çame e bukur nga Filati/zgjuar ëndrash, ik mes klithmash/përmes
flakësh edhe zjarrit/” duke na dhënë kallpin e “Zervas kur u erdh tek praku”
dhe kur me “plumb vriste fëmijë”...
Por kryesore dhe tejet e rrëndësishme është forca
e vargut të Traboinit tek perspektiva me të cilën janë parë gratë në poezinë e
tij. Poezia e tij ka detajuar dhe nga detaji i saj e ka shkurtuar distancën e
akullt me të cilën gratë shihen dhe konceptohen nga elementi mashkull. Por në fakt
(nga një perspektivë moderne), kjo çon shpesh në pasazhe dhe ndjenja të cilat
mund të përshkruhen si lidhje misoginistike. Spektrit të opinioneve të tij
poetike, megjithatë, duket se i është afruar një gjuhë me një gamë të lakueshme
që rreket mes mishërimit dhe barazisë inekzistente të dashurisë. Traboini në
mjaft poezi të tilla si “Trillet e ngjizjes” apo “Hymn klithmës”, e vendos
objektin e dashurisë mbi një piedestal të lëvizshëm si në ‘lumenj’ apo edhe tek
“koha jonë sizifiane”. Por, Traboini në një kënd tjetër ridimensionon me një
kthesë të fuqishme tipike të vargut të tij deri në përshkrimin më të fuqishëm
figurativ poetik didaktin e normave shoqërore. “Fjalë pa fund” apo edhe “Zogjtë
e shiut” janë metafora të fuqishme që përmbyllin deri në efektin më të plotë
këtë marrëdhënie intuitive të vargut në perspektivë.
E kam theksuar edhe më parë në analizat e mia për
poezinë e këtij poeti, se “poezia e
Traboinit shkon tek syri i lexuesit e stolisur, dhe jo e mbingarkuar, e
zbukuruar për të nusëruar...” (Terziu, 2009). Por me sa duket në këtë “nusërim”
fjala që lidh shpirtin poetik dhe vargun tipik të Traboinit në një fushë të
begatë e të plortë delikate është më shumë se respekt, një përkushtim.