MOS VDIS DASHURI 2002 NOKTURN 2004 REQUIEM PËR NJË GJETHE 2005 TRINIA IME 2006 KOHA E PROSTITUTAVE 2007 ITAKA GRUA 2008 LULE PELLAZGJIKE 2012 U DASHKA TË DAL NATËN VONË 2012 E KAM ATDHEUN TEK PORTA 2012 DASHURI 2013 FAJIN E KA HEKUBA 2014 ORAKUJT NË FERR 2015 ODEON 2016 OFELI 2019 ODE PËR SHKODRËN 2019
> ZOGJTË E ARLINGTONIT 2020 AJO QË JETOJMË PËRDITË 2021 POETICA SHQIP 2005 POETICA ENGLISH 2006 DASHURIA MË E BUKUR 2007 I DËGJOJ LULET KUR FLASIN 2008 NIRVANA 2024

Në gjuhen shqipe - Albanian


NJE EVE PER KRISHTLINDJE NE GEGNISHT

Të paska gjet fundviti ma të bukur se një nimfë
rreze dielli, çokolatë e një gotë venë.
Tue të pa ty as borë e acar s'po duken -a thue t'kanë frikë?
...Pranvera bashkë me ty vika në dhjetor
e janari qënka mbështjell me shall buzëqeshje.

A je tue pikturue ndonjë etyd - simbol për jetën
a shpirti në Krishtlindje po të thotë: Pije me fund!
Se ky gjak Zotash në dehje të çoka në nandë qiej! Gjithkund!
... Shumë e bukur gjithçka në ty - desha me thanë
pa e dit lumnisht a thashë - gjithëçka çfarë desha!

© Kolec Traboini 2011



KOLEC TRABOINI

U DASHKA TE DAL NATEN VONE...

Mbrëmë vonë dola në Bulevardin Dëshmorët e Kombit
të atyre që kishin rënë që ky bulevard i Tiranës
të ishte i lirë si vetë liria
ashtu si në qiell fluturojnë pëllumba të bardhë
por liria shpesh herë gjendët ngushtë
si pëllumb i përgjakur, i plagosur
sa ndalon edhe frymëmarrjen e pishave...

kështu në Janar
pishat në bulevard rënkuan thellë
i lëshuan halat e tyre të vrara
prej breshërisë së plumbave të Gardës
mbi trupat e pa jetë të demostruesve
me sy të hapur e të ngrirë drejt qiellit
të murrëtyer në atë ditë të egër
pa ditur se si e pse duhej të vdisnin.

Dëshmorët
emrat e të cilëve mban ky Bulevard
përballë ndërtesës qeveritare
u bënë vend dhe tre të ardhurve
në Panteonin e Kombit
pa ditur dhe ata
pse kishin luftuar e pse kishin rënë
dhe a duhej që kujtimin e tyre ta përgjaknin

mbrëmë vonë dola para Kryeministrisë
kudo zotëronte errësira dhe frika
ushtarët e fshehur pas kolonave përgjonin
trupin tim si hije e dyshimtë
tek afrohesha pranë luleve e banderolave
si një ushtar pas beteje, në Vaterlo
ku humbës ishin të gjithë

u dashka të kemi dhe ne një Vaterlo
u dashka të kemi një Napoleon në çdo kohë
u dashka të kemi dhe kufoma
u dashka të dal natën për të mundur
errësirën që kish pllakosur në gjoksin tim
u dashka të ndez një qiri amëshimi për paqe
në të cilin flakërojnë shpirtat e ikur

me nga një plumb qorr në pabesi
u dashka, që gryka e automatikut
ti drejtohet hijes sime të vogël
që përbën një rrezik për shtetin

u dashka të dal natën vonë
për të vrarë frikën
se frika qënka më e tmerrshme se vdekja
më mirë qënka të vritesh!

© Copyright Traboini 2011