KOLEC TRABOINI
ARKAPI NË QIELL
Kurrë nuk e mendoja sa shumë diell
kishin ishujt e Egjeut
ku përvëlohej jeta ime mergimtare
por ai diell nuk ish më zhuritësi
kish një tjetër brenda meje që më shkretonte
e ai ish mall - zjarri që të djeshmen ma dogji
kur ika prej antikohës sime në marramendje
për të kapur qiejt që më ishin ndaluar
e tash prej largësive më tundon ëndërrimi
për të hapur një arkapi në qiell
për të zbritur përmes litarëve të shiut
në një kohë tjetër, si ndër ëndrra
si Eliza në një botë që nuk gjendet
për të qëndruar tek borduret e lulishtes
të studios sonë, kur dikur bënim filma
ku dikur shpenzonin shpirtin
me nje çmim aq të lirë
se liria asokohe, o vellezër, nuk vlente
as sa një m... bolsheviku.
më kaplon ëndërrimi të shkoj në atë kohë
të takohem me miqtë e dikurshëm
e spiunët t’i shoh drejt në sy, pa droje
të dy palëve t’u jap një kafe në klubin e vogël
në fund të oborrit te Kinostudios
nën hijen e pishave...
digjem nga malli i mërgimtarit
shtegtuar drejt ëndrrave, duke lënë pas veten
fshehur nëpër shkurret e fëmijërisë së brengave
duke lënë pas kohën që nuk ka kthim,
e bashkë me kohën një jetë në mjegull
a rënë përdhe si halat e pishave
në një peisazh gri – kohë mizori
që nga largësia e viteve më ngjan
me një anije të braktisur, imazhi i së cilës
ankoron ende frikshëm në celuloidin e mendjes.
edhe në u kthefsha ndonjëherë, ...i them vetes,
nuk do t’i gjej kurrmë miqtë e vjetër
sepse të shumtit u shpërndanë nëpër botë
si zogj të tromaksur e vetharruar
ca prehen në gjumin e përjetshëm
ata që kanë mbetuar
mbi supe kanë peshen e mbijetesës
që shpesh herë thërmon njeriun
si kum deti - edhe artin edhe jetën.
çdo dite e nga pak, duke u plakur
si guacka një molusku ndjehem
tallazet e jetës më kanë përplasur diku
në një kënd të botës, ku kujtimet
marrin vlerën e një realiteti të vdekur...
Si mund të hap një arkapi në qiell
të zbrez sërish në kohën time?!
__________________________________
Libra nga autori K.Traboini gjenden në shitje në Librarinë "Agolli" pas Bankës së Shtetit në qendër të Tiranës si dhe në librari të tjera në kryeqytet: Albania, Friend's Bookhouse, Skala.