MOS VDIS DASHURI 2002 NOKTURN 2004 REQUIEM PËR NJË GJETHE 2005 TRINIA IME 2006 KOHA E PROSTITUTAVE 2007 ITAKA GRUA 2008 LULE PELLAZGJIKE 2012 U DASHKA TË DAL NATËN VONË 2012 E KAM ATDHEUN TEK PORTA 2012 DASHURI 2013 FAJIN E KA HEKUBA 2014 ORAKUJT NË FERR 2015 ODEON 2016 OFELI 2019 ODE PËR SHKODRËN 2019
> ZOGJTË E ARLINGTONIT 2020 AJO QË JETOJMË PËRDITË 2021 POETICA SHQIP 2005 POETICA ENGLISH 2006 DASHURIA MË E BUKUR 2007 I DËGJOJ LULET KUR FLASIN 2008 NIRVANA 2024

Mbi krijimtarinë poetike - Intervistë nga K. P. Traboini për "Votra Magazine", New York

NË DETIN E POEZISË VËSHTIRË TË GJENDET NJË DITË PA DASHURI 
Bisedë për procesin krijues me K. P. Traboini

K. P.Traboini, një jetë e gjatë krijuese me tundime për artin. Autor që një pjesë të madhe të jetës e ka kaluar në endje: në Shqipëri i diplomuar për gazetari dhe afro dy dekada kineast, në Athinë si emigrant themeloi të parës gazetë shqiptare në Greqi “Egnatia”, ndërsa në Amerikë si qytetar amerikan. Krijimtarinë e ka filluar herët. Që kur ishte student botoi librin e parë me tregime "Petalet e bajames së hidhur" që u vlerësua me çmim në një konkurs kombëtar në Shqipëri. Jeta si emigrant dhe puna për krijimin e një gazete shqiptare "Egnatia" 1993, i dha impulse shpirtit të tij krijues. Veç gazetës, në Greqi botoi dhe tre libra në gjuhën shqipe ku dominon krijimtaria poetike, e cila do të bëhej bashkudhëtarja e tij besnike kudo ku ndodhej. Në Amerikë veç poezisë shkroi prozë dhe ese. Kontakti me poezinë amerikane do të ndikonte në stilistikën e tij poetike që ndryshon dukshëm nga krijimtaria që zhvillohej në Shqipëri. Kësisoj ai krijoi individualitetin e vet poetik. Karakteristikë në krijimtarinë e K. P. Traboinit është vazhdimësia. Vitet e jetës nuk e kanë zbehur pasionin e krijimit. Kur po merrnim këtë intervistë ai sapo kishte botuar dy libra, një me lirika poetike me titull “Nirvana” dhe vëllimin e tretë të librit me shqipërime “World poetica 3. Një prej librave me krijime të zgjedhura nga krijimtaria e tij poetike në serinë e botimeve “Pantheon Books”, “Poetica” 2022 është botuar në dy versione, shqip dhe anglisht.
K. P. Traboini gëzon titullin “Mjeshtër i madh” si dhe mjaft vlerësime të tjera si shkrimtar dhe kineast. 

 

          "VOTRA MAGAZINE", New York 14 nëntor 2024

Intervistë: K. P. Traboini 
Realizuar nga Mirgjina Lekaj.

 
Çfarë ju ka inspiruar për t’u bërë poet?


 

Të jesh një krijues i mirë dhe me një individualitet të spikatur nuk ka të bëjë me dëshirën për t’u bërë poet. Nuk mendoj kurrsesi se që të realizohesh si poet është çështje dëshire. Të shkruash poezi nuk është zanat dhe as profesion që mund ta zgjedhësh dhe pas shkollimit ta ushtrosh. Poezia lind si një bimëz brenda njeriut dhe zhvillohet nëse gjen kushte të përshtatshme që kanë të bëjnë me ndjeshmërinë, por edhe aftësinë për të artikuluar bukur dhe për të sjellë ide e mendime që kanë të bëjnë me individualitetin tënd. Poezia është si të biesh në dashuri dhe të dashurës apo të dashurit t’i përkushtohesh thellësisht. Por edhe pse këtë dëshirë e tundim për të qenë poet e kanë shumë njerëz, dëshira nuk thotë asgjë. Ju e shihni se si botohen me mijëra libra me poezi. Mirëpo jo të gjithë detet kanë perla. Edhe baticat e zbaticat që në mënyrë metaforike mund t’i quajmë frymëzime, nuk nxjerrin në breg perla, por leshterikë. Perlat janë thellë në det. Duan shumë sakrifica për t’i nxjerrë në dritë. Poezia është tekanjoze. Që në momentin që një autor i ndonjë vëllimi poetik thotë e mburret se jam poet, poezia ka ikur prej tij, e ka braktisur e ka bërë fole në ndonjë shpirt tjetër. Kam botuar 30 libra me poezi, kam shqipëruar afro 250 poetë nga bota në 5 vëllime, kam hartuar vetë apo me kolegë 4 antologji poetike, por veten poet nuk guxoj ta quaj. Ndoshta do ta kem këtë privilegj të madh kur ta mbyll siparin e jetës, por edhe këtë do të mund të ma dhurojnë nëse diçka prej meje do të vazhdojë të jetë e bukur për jetët njerëzore.



Si e përcakton procesin e shkrimit të poezisë?


Shkrimin e poezisë është e vështirë ta përcaktosh se përse ndodh. Ndoshta sociologët e psikologët mund ta shpjegojnë më mirë sepse ata i studiojnë këto procese. Gjithsesi çdo autor që ulet e shkruan e di shkakun, por ai shkak mbetet pjesa më e padukshme në poezi e për të cilën autorët serioze nuk kanë dëshirë të flasin. Kur disa autorë, më së shumti fillestarë, dalin e flasin në media se çfarë është poezia dhe përse shkruhet, më së shumti rrejnë jo vetëm publikun, por edhe veten. A mund të pyetej Da Vinci pse e krijoi Mona Lizën në telajo? Po a mund të pyetej Dante pse e shkroi “Komedinë hyjnore”. Janë disa shtysa të brendshme që të çojnë drejtë krijimit. Poezia ndryshe nga artet e tjera nuk planifikohet. Ajo lind spontanisht në çdo vend e në çdo kohë, madje edhe atëherë kur nuk ke as laps e letër. Ka një fillesë, një shkëndi në mendjen njerëzore e cila e tundon njeriun. Ka shkaqe të panumërta për të krijuar poezi, kësisoj vështirë është të bëhet një përcaktim i saktë se çfarë e shtyn njeriun të shkruajë. Personalisht nuk ngulmoj ta ndjek poezinë. Ndjekja e tremb. Pres të vijë vetë. Vonon, por nuk harron të kthehet dhe bëhet pjesë e pandarë e jetës së krijuesit.



Cilët janë disa poetë që kanë influencuar punën tuaj?


Mendoj që krijuesi i poezive duhet t’i ruhet influencave megjithëse atyre nuk u shmanget dot. Ka poetë që të lënë mbresë, por po e le veten të influencohesh prej tyre nuk ke bërë asgjë. Një poet koleg në Amerikë kur lexoi librin tim “Mos vdis dashuri” Boston 2002, më tha se duket në poezinë tënde influenca e poetit të madh James Wright, mirëpo unë nuk kisha lexuar asnjë poezi të tij. E kërkova atë poet dhe shqipërova disa poezi të tij. Dhe po mendoja se ishte e vështirë të shkruaje nën shëmbëllesën e tij. Ndoshta ndikimet vijnë si nënshtresa. Pra në kulturën e të shkruarit. Kam shqipëruar me dhjetëra poetë. Kësisoj, po të pranoja ndikimin e tyre, veçmas të poetëve amerikanë, unë do të shkruaja në dhjetëra mënyra, çfarë është e pamundur. Poezia është individualitet, pra duhet të përpiqesh të krijosh identitet. Në pasaportën tënde kurrë nuk duhet të vësh portretin e një tjetri se ajo pasaportë është e pavlefshme. Fundi i fjalës me gjithë admirimin për poetët e mëdhenj përpiqem të jem vetvetja.



Si vendosni mbi formën ose strukturën e poezive tuaja?

Nuk besoj se autori paramendon formën e strukturën e poezive që do të shkruajë. Poezia lind siç dëshiron vetë të lindë. Unë besoj në rastësinë. Ndoshta të tjerët mendojnë ndryshe. Po ju sjell një rast. Kur punoja në një qendër tregtare në Boston, më saktë në West Roxbury, pushimet i bëja jashtë në natyrë. Qëllonte mbrëmjeve dhe më pëlqente që atë çerek ore ta kaloja duke vështruar yjtë. Më ndillnin mendime. Në Amerikë mjedisi është shumë i pastër, qielli i kthjelltë dhe yjësia shihej me shkëlqim. Atë vit, më 27 gusht 2003, planeti Mars iu afrua tokës më afër se asnjëherë prej 59 mijë e 619 vjetësh. Më ngacmoi ky fakt dhe ndërsa shihja yjtë, zanafilli poezia “Ylli i pikëllimit”, të cilën nuk e formatova, por e shkrova ashtu siç më gëlonin mendimet. Ashtu ka mbetur. E solla këtë shembull për të përkitur mendimin se ndryshe nga çdo art tjetër, poezia është befasia, është si të ngrihen nga çatitë krejt befas një tufë pëllumbash e të fluturojnë në qiell. Askush në botë nuk mund t’i vërë në rend. Bukuria qëndron në befasinë. Edhe fjalët janë si pëllumbat. Ose të paktën poezia post moderniste është kështu dhe nuk i parapëlqen pengojcat e strukturave të paramenduara.



Çfarë rol luan gjuha në poezinë tuaj?

Gjuha është lavdia e krenaria e çdo kombi. Edhe në Bibël zanafilla është fjala. Ne duhet të jemi falënderues për popullin tonë që e ka ruajtur gjuhën përmes disa rrebesheve historike që mund të sillnin shuarjen e etnitetit tonë. Na kanë mbajtur me shekuj nën pushtime të dhunshme, por gjuhën e kemi ruajtur dhe ajo ka qenë promotori i krijimit të kombit shqiptar. Kur lexon perlat e vargjeve popullore në Veri dhe Jug, bindesh me të vërtetë se gjuha shqipe është art. Të jep mundësi të jashtëzakonshme në të shprehur. Poezia është shprehje e fjalës së bukur dhe gjuha shqipe ta krijon këtë mundësi. Jo vetëm në krijimtarinë poetike personale, por edhe në shqipërime kam vënë re se disa poezi të autorëve, ta zëmë si të Henry Longfellow, Christina Rossetti, Sara Teasdale, Robert Frost, Anna Ahmatova, Bukowski dhe të tjerë shqipërohen mrekullisht. Gjuha jonë shqipe ka larmi dhe të jep mundësi për trajtime nga më të ndryshme, me një pasuri fjalësh deri në ngjyrimet më të holla. Kur e them këtë kam parasysh edhe format dialektore, të cilat janë një pasuri e madhe për krijimin e artit poetik. Standartizimi i Gjuhës veç në poezi nuk bën dot ligjin, aq më tepër që krijuesit poetikë janë gjithnjë në kërkim të fjalëve e shprehjeve dhe jo pak herë krijimtaria e tyre është një burim fjalëformimesh që e pasurojnë gjuhën shqipe. Marrëdhënia e poetëve me gjuhën është jetike për të dy krahët. Shembull për këtë sjellin Danten, mbi krijimet poetike të të cilit u mbështet gjuha italiane.



A mund të ndani një përvojë të pamohueshme të lidhur me krijimin e një nga poezitë tuaja?

Pak e vështirë për një autor që ndër mijëra poezi që ka shkruar të dallojë e të sjellë në pah vetëm njërën prej tyre. Po t’i hysh një studimi të kujdesshëm e të thelluar, do të vësh re se asnjë poezi nuk i ngjan tjetrës. Natyrisht këtë nuk arrijnë ta identifikojnë të gjithë se siç ka një kulturë poetike në krijim, duhet të ketë dhe një kulturë poetike në lexim. Poezitë mund t’i lexojnë të gjithë, por jo të gjithë mund të kuptojnë domethënien, apo mendimin metaforik që autori e ka mbështjellë në mes të fjalëve. Meqë ma kërkuat po ju sjell një rast. Mendim-tundimi im se forcimi i standardit, që gjithsesi është i kufizuar në mundësitë e shprehjeve poetike, mund të lërë në harrim dhe të çojë drejt zhdukjes me mijëra fjalë dialektore apo krahinore më çoi drejt poezisë “Cokla”. Ajo poezi po më rridhte thjesht, që në dukje të jepte përshtypjen e një rrëfimi. Por nuk ishte ashtu. Ajo ishte poezi, por kërkonte shtratin e vet, krejt të pangjashëm me shtretër të tjerë standard. Kësisoj në lirshmëri e shkrova atë poezi ashtu siç deshi ajo të shkruhej. Në të vërtetë e konsideroj ndër krijimet e mia më të spikatura dhe krejt të pangjashme me ndonjë poezi timen apo të kolegëve. Mirëpo a kuptohet nga çdokush një poezi e trajtuar ndryshe. Dikush që pretendonte të ishte njohës e kritik i poezisë, ngulmoi se nuk ishte poezi. E kuptova atë, por nuk isha në një mendje sepse ai nuk kish njohje nga poezia botërore bashkëkohore në të cilën format, qoftë dhe eksperimentale, janë të panumërta. Ai soj kritiku njihte vetëm poezinë që shkruhej në fshatin apo në qarkun e vet dhe nëse vargjet nuk rimonin e rrokjet nuk numëroheshin me gishta, ai nuk i quante poezi. Vë re që në Shqipëri krijuesit e poezive kanë shumë pak interes për të njohur arritjet e krijuesve të botës në fushën e poezisë. Në Amerikë kam gjetur libra poezish të poetëve evropianë të shekullit XX, dhe kam vënë re se përkthyesit e këtyre poezive ishin poetët amerikanë, ndër më të shquarit. E kjo nuk ndodhte për ndonjë trill të tyre, por se e ndjenin nevojën të njiheshin me përvojën poetike të poezisë që shkruhej në Evropë dhe gjetkë. Një poet amerikan, Henri Cole, të befason me krijimtarinë e tij me frymë disi mistike, tepër e veçantë e mbreslënëse. Kur lexon jetën e tij bindesh se njohja me letërsinë që shkruhet përtej sinorëve të qytetit apo dhe shtetit tënd, të hap një dritare ku vërshon ajri dhe mbushesh me frymë. Ai e ka kaluar fëmininë e rininë në Japoni dhe njeh psikologjinë, traditat dhe botën e japonezëve, çfarë i jep një dimension tjetër poezisë së tij.



 A besoni se poezia ka fuqinë për të shkaktuar ndryshime sociale?

Besoj tek poezia sociale. Mund të kem me dhjetëra, të mos them qindra poezi të shqetësimit qytetar deri në shprehje revolte ndaj shtetarëve që nga shërbëtorë janë kthyer në padronë të popullit. Besoj gjithsesi te forca dhe dobia e kësaj lloj poezie, por hezitoj të them se ajo ndihmon në ndryshimet sociale. Komunizmi e ka përdorur poezinë dhe këngën si një armë, madje me efikasitet të plotë për qëllimet e marramendjes së popullit, duke e ushqyer me idenë se jeta e njerëzve ishte e lumtur, kur njerëzit ishin kthyer në hije të vetvetes. Pra nuk flitet për fuqi të poezisë, por për luftën për mbijetesë të saj. Kemi shumë thana, thoshte populli, por nuk bëjnë kokrra. Populli ynë është mjeshtër për shprehje metaforike dhe thënie nënkuptimore.



Si e balanconi nevojën për shprehje vetjake me dëshirën për të lidhur me audiencën tuaj?

Në Amerikë ka një përvojë për t’u pasur zili e po të ishte e mundur të merrej si shembull. Universitetet amerikane kanë veç të tjerash edhe degë e katedra për poezinë. Jo se ato katedra krijojnë poetë, por se atje mësohet poezia me themel dhe dalin kuadro të përgatitur për mësimdhënie apo zhvillimin e kritikës letrare. Natyrshëm në një shtet të madh ka vend për gjithçka. Ne nuk e përballojmë dot atë çfarë praktikohet atje. Por siç e thashë, ka një përvojë në krijimin e kontakteve të poetëve mes tyre, si dhe kontakteve e takimeve me studentët e universiteteve.
Në të parën janë bibliotekat shtetërore, që atje i quajnë librari, të cilat një ditë në muaj organizonin takime letrare, poetët këmbenin përvojat krijuese dhe diskutonin për veprat e njeri-tjetrit. Ne i kemi bibliotekat e lagjeve që mbahen nga shteti, po sa funksione të tilla për të cilat folëm, kryejnë ato? A janë ato vatra kulturore apo thjesht kthehen në salla leximi. Sa i përket takimeve të krijuesve të poezisë me studentët ajo organizohet nga vetë Universitetet, të cilat për këtë caktojnë dhe një buxhet. Bëjnë kontratë me poetët që tregojnë përvojën e tyre në takime me studentët, pranojnë pyetje e jepet përgjigje rreth krijimtarisë. Dhe është e natyrshme që paguhen. Kemi ne këtu ndonjë Universitet që sjell poetë për takime me studentët? Kanë universitetet ndonjë buxhet për takime kulturore? Kush e bën kulturën? A ekziston nocioni kulturë në Shqipëri? Ka plot pyetje pa përgjigje. Kësisoj vihet re një izolim. Flasin për poezinë dhe kurrkush nuk lexon asgjë nga kolegët e vet poetë. I dëgjon të thonë ky është poet apo poete e mirë, por kur i pyet çfarë ke lexuar prej tij të thonë asgjë. Kësisoj kemi një fiktivitet kulturor si shtrat i ngrohtë për mediokritetin social. Tekëndej poezia shkruhet, por nuk lexohet. Ndonjë kritik, pasi i rrasin në xhep disa qindëshe dollarësh, ulet e shkruan mediokritete për poetin a poeteshën që po vë themele në poezinë shqipe, për ta çuar atë... matanë gardhit provincial. Duke ndjerë nevojën e komunikimit poetik, sepse edhe libraritë nuk marrin për shitje libra me poezi, kam preferuar të përdor një formë komunikimi që sot në botë është e përhapur, krijimin e video-poezive duke i përcjellë në mediat sociale. Është një mënyrë që të mbash kontakte me lexuesit. Duhet pranuar se para izolimit social të krijuesve, çdo mënyrë a mjet që ndërton ura komunikimi mes krijuesit e lexuesve është e dobishme për mbijetesën e artit poetik.


Çfarë mund të themi për raportet mes emocionit dhe intelektit në poezi?

Një poet para se të ulet të shkruajë, duhet të bëjë një kontratë me ndërgjegjen e vet: të jetë i sinqertë. Ka që shtiren si poetë, por ata kuptohen që në vargjet e para. Një subjekt i stisur, një pasthirrmë e hallakatur, patjetër që shoqërohet me një varfëri mendimi, pa mjete shprehëse figurative, një cic-mic fjalësh, si një përrua i thatë në emocion. Për mua shtysa e parë e krijimit është emocioni, ai i ndez motorët për të çarë në detin e poezisë, ku vështirë është të gjendet një ditë pa dashuri.

 

Më së fundi: Çfarë rol luan kujtesa në procesin tuaj krijues?

Ka një shprehje interesante që të fut ndër mendime e tundime poetike: “Poezia nuk është gjë tjetër veç kthim me fytyrë nga fëminia.” Kjo gjithsesi nuk e përjashton thënien e Platonit se “Poezia është e folura përçart e perëndive”. Në rastin tim kujtesa ka qenë e mbetet elementi më thelbësor i krijimeve poetike. Kjo ka arsyet e veta. Largësia mërgimtare përtej oqeanit të tundon. Të ngjall ndjesi të çuditshme. Të duket se kujtimet e largëta nga atdheu të vijnë kaluar përmbi dallgë në brigjet amerikane. Por edhe një fëmini e vështirë të lë mbresa të forta, ato shpesh të dhëmbin si plagët e vjetra që mbyllen, por lënë gjurmë dhe janë të ndjeshme nga ndryshimet klimatike. “Më dhëmb gjuri”- thoshin pleqtë e mirë që i kemi admirueshëm në kujtesë - “e kjo do të thotë se do bjerë shi”. E kujt nuk i ra shi në kujtesën e fëminisë. Aq më tepër mua që kam lindur në Shkodër, ku, kur nis shiu, nuk di të pushojë. Dhe kur bie shiu i fëminisë, ajo që të vjen pranë e të buzëqesh si një nimfë është poezia. Po kush më shumë dhe më mirë se ajo di ta mëlcojë shpirtin e brengën e njeriut?