MOS VDIS DASHURI 2002 NOKTURN 2004 REQUIEM PËR NJË GJETHE 2005 TRINIA IME 2006 KOHA E PROSTITUTAVE 2007 ITAKA GRUA 2008 LULE PELLAZGJIKE 2012 U DASHKA TË DAL NATËN VONË 2012 E KAM ATDHEUN TEK PORTA 2012 DASHURI 2013 FAJIN E KA HEKUBA 2014 ORAKUJT NË FERR 2015 ODEON 2016 OFELI 2019 ODE PËR SHKODRËN 2019
> ZOGJTË E ARLINGTONIT 2020 AJO QË JETOJMË PËRDITË 2021 POETICA SHQIP 2005 POETICA ENGLISH 2006 DASHURIA MË E BUKUR 2007 I DËGJOJ LULET KUR FLASIN 2008 NIRVANA 2024

🟧 Migjeni si Krisht & Apologjia e një poezie - nga K.P. Traboini


MIGJENI SI KRISHT & APOLOGJIA E NJË POEZIE

Ka njerëz që nuk dinë të dallojnë  tokësoren nga hyjnorja. Pikërisht për të ka aq keqkuptime të poezisë sime “Migjeni si Krisht”. Kur e shkrova kisha parasysh tokësoren e aspak hyjnoren. Nuk merrem me teologji sepse jetoj në tokë dhe si krijues më prekin e më tundojnë gjithçka që ndodh në këtë tokësoren tonë. Nëse dikush do të më thoshte se Krishti nuk ka jetuar kurrë, nuk do të merrja mundimin të bëja përqasjet  e mia poetike. Por përderisa ka jetuar edhe Krishti edhe Migjeni jam në të drejtën krijuese të bej përqasjet poetike të jetëve (siç bënte Plutarku në lashtësi) e jo të pas-jetëve në amshim. Krishti në të gjallë, ky Zot i ngjizur si njeri, lindi, u rrit dhe u zhvillua mes njerëzve. Pra ka aspektin e trupëzimin njerëzor, sjelljet njerëzore. Mësoi nxënësit në shkollë, sfidoi tregtarët në pazarin e  kripës, ndihmoi prostitutën Magdalenë të gjente udhën e ndershme në jetë, piu verë e hëngri bukë me apostujt. Pra shfaqja ishte si njeri. Njeri ishte dhe Migjeni.  Madje mësues edhe ai. Ishte kundër padrejtësive. Meditoi me dhembje e për një prostitute edhe Migjeni.  E nëse gjej përqasje njerëzore në mes tyre, përse duhet ky tundim aq i madh kundërshtues pa pasur asnjë argument logjik që i përjashtoka krahasimet e jetëve njerëzore?
Të kuptosh një poet të madh si Migjeni do kulturë poetike e jo vetëm kulturë religjioze. Edhe unë them me plot gojë se “përditë perëndojnë zotat”, por këtë shprehje nuk mund ta kuptojë kushdo, sa kohë që nuk e vrasin mendjen për të gjetur se për cilët zota e kam fjalën.  Poezia është art elitar, ani pse sot me poezinë merren të gjithë duke e menduar si një lodër fëmijësh. Në të vërtetë poezia është filozofia e jetës njerëzore filtruar përmes ndjesive të thella. Çështja është se çfarë nënkupton Migjeni me zotat. Po të ishte fjala për një Hyjni të vetme ai do të quhej njëjës, por ai e ka thënë shumës, pra është fjala për ata, zotat e tokës, që njerëzit i duan e i brohorasin më shumë se Zotin, se vetë krijuesin e njerëzimit. Migjeni është marrë me fatet njerëzore e jo me mistikën e religjioneve. Ka njerëz që meqë nuk i hyjnë punëve thellë,  të na nxjerrin edhe Krishtin komunist e antikrisht, me shkakun se ua merrte pasurinë të pasurve dhe ua jepte të varfërve. Për tu marrë me Migjenin gjithsesi duhen shtatë  barrë dije....e jo një çantë e vogël ku fut lekët kur shkon për të bërë pazar. Po fundja edhe në pastë qenë ateist, ajo ka qene fryma e kohës. Natyrshëm edhe tundim në kërkimet në fushën e njohjeve e të dijes.  Çfarëdo demagogjie të përdorin kundër Migjenit, unë shoh se, dhimbja e Krishtit për të varfërit me dhimbjen e Migjenit për të varfërit është në një linjë, në një përqasje, në atë që quhet humanizëm, term i cili tashmë i bastarduar përdoret më së shumti si një sofizëm për mashtrime politike. Nuk mund ta kuptojmë Migjenin një njeri që kalon pranë të varfërit pa asnjë dhimbje në shpirt, që nuk pikëllon për një kokërr misër, atë bukë me të cilën populli mban frymën gjallë. Në këtë plan Migjeni është dishepull i Krishtit (jetësor), por jo i njerëzve që shfrytëzojnë edhe tempujt e Zotit për të mbushur xhepat e për të siguruar pushtet. Oligarkët e tamahqarët e qeverisjes shtiren shpesh si besimtarë të mëdhenj, kur më së shumti janë të pashpirt e të babëzitur në pasurim të pandershëm.  Dhe këta vdekatarë e derdimenë të pushtetshëm u dashka të na e quajnë Migjenin antikrisht. Sepse kështu e do mënyra e tyre tinëzare për t’i ndërsyer të padijshmit e për ti mashtruar që ti shfrytëzojnë ata pa mëshirë.
Migjeni është dije e jo mosdije. Migjeni nuk gjen terren e as pëlqim në mendjet që ju falën idhujve prej porcelani e shenjtorët i shohin si kukulla e jo si shëmbëllesa për ngjasim në jetët njerëzore.
Ata që duan ta nxjerrin Migjenin si antikrisht, nuk i hyjnë punëve aq thellë, nuk e plugojnë mendjen fare, të paktën pa marrë mundimin të na thonë se  kundër cilit Krisht ishte Migjeni, ka qenë kundër Krishtit katolik apo ortodoks, protestant apo metodist, a kushedi  evangjelist....apo, apo? Këta kundërshtarë apriori të Migjenit, nuk pranojnë të arsyetojnë. Mendja e njeriut për ta është një tokë djerr.
Për ta është blasfemi të thuash se Migjeni është një gjigand i mendimit e i tundimeve njerëzore, i mirësisë, i dhimbjeve tokësore, që nderon kombin e nuk ka as kamillaf-qylaf apo veladon që ja errëson shkëlqimin. Gjërat janë të ndara në këtë botë, feja ka punën e vet e arti ka të veten.  Por kur punët bëhen lëmsh,  si ndër ne shqiptarët, atëherë e duam patjetër Migjenin antikrisht e veladonët antimigjen. Ne jemi mësuar të shohim bardh e zi, me hendek në mes, kur në këtë botë shqiptare dhe më gjerë,  ka vend edhe për Migjenin por edhe për hoxhën e priftin, e pse jo... edhe për kryeplakun e fshatit.

K. P. Traboini


MIGJENI SI KRISHT
Nga K.P. Traboini

Eshtë tepër e gjanë kjo rreknajë me emrin Migjen,
- që zbret prej malesh ku bien rrufe
e kokrra misrit si ortek rrëzohet;
ku ofshamat e shekullit
nëpër buzë të rreshkuna,
ende thurin e shthurin legjenda:

Mos e shkel he t'shitoftë zana!
A don qymyr, zotni?
Kjo tollumbë sikur don me e hangër mësuesin!

Kjo vuajtje, ky kalvar, ky mundim,
kjo revoltë, kjo dallgë, ky Krisht nën kryq,
ky lum, ky det, kjo andërr që djeg
tej e përtej në bukurën e të dhembshurën Arbni,
nëpër tanë skajet e shekullit të vjetër
tejpërcjellë edhe në shekullin e ri.

Nuk kalohet dot me dy e as me katër dhoga,
nuk kalohet me varkë e as me gomone,
madje është krejt i pakalueshëm,
sepsë është i thellë si Drini,
plot hone, kreshta e harkada
me një dritë të mistershme,
që ta bën ta lexosh, ta duash e ta ndjesh
vuajtjen e tij si vuajtjen tande,
sa kohë të ketë njerëz që kanë në shpirt
si plumb të shkrimë
përjetësisht një mollë të ndalueme.

Anipse janë rroposun kaq vjet
nga zjarri përvëlues
i 28 Gushtit të vitit 1938
kur, 27 vjeçar,
prej dhembjeve mizore
- të tij dhe të tjerëve
që gjoksin e poetit kishin si vatër-
tek mbyllte sytë në Torino
si të ishte një engjëll i vërtetë
në krah të Lulave të Vocërr të gjithë botës.

Nuk ishte antinjeri - nuk ishte antizot
poeti i mjerimit të jetëve njerëzore,
poeti i kalvarit të fëmijërisë sime,
përpara të cilit mbetem fëmijë edhe sot.
Le të hedhin gurë e baltë sa të duan
nga arkapijat e cmirës e ligësisë
kalimtarët e kësaj jete që i përkëdhelen fatit
e bëjnë veç hije mbi këtë dhè.

Eshtë tepër e gjanë kjo rreknajë me emrin Migjen,
kjo vuajtje, ky kalvar, ky mundim,
kjo revoltë, kjo dallgë, ky Krisht nën kryq,
ky lum, ky det, kjo andërr që djeg
tej e përtej në të bukurën e të dhembshurën Arbni,
nëpër tanë skajet e shekullit të vjetër
tejpërcjellë edhe në shekullin e ri…

Eshtë tepër e gjanë, tepër e gjanë,
kjo rreknajë me emrin Migjen.

© k.p.traboini, Boston 2005