MOS VDIS DASHURI 2002 NOKTURN 2004 REQUIEM PËR NJË GJETHE 2005 TRINIA IME 2006 KOHA E PROSTITUTAVE 2007 ITAKA GRUA 2008 LULE PELLAZGJIKE 2012 U DASHKA TË DAL NATËN VONË 2012 E KAM ATDHEUN TEK PORTA 2012 DASHURI 2013 FAJIN E KA HEKUBA 2014 ORAKUJT NË FERR 2015 ODEON 2016 OFELI 2019 ODE PËR SHKODRËN

Rruga Badra /poezi nga Kolec Traboini

 
RRUGA BADRA

Lexova dëshminë e një agjenti në gazetë
e  ndjeva diellin e fëminisë sime të rrëzohej
sepse kam pas një andërr të virgjën 
magji fëminije
rrugën teme me një hanë 
që derdhte ar mbi të dimënverë
me një lule dorëzojë 
që në oborrin e shtëpisë së 
Dom Lazër Shantojës, në çdo muzg 
të pushkatuemin qante.
E për atë Zot, ende e kam fëmininë në atë rrugë
në ato shtëpi, në ato oborre me luleborë
në ato mure me shermashek e shebojë.
Kam pas një dashuni 
që nuk ma vrau dot kurrkush
për muret e Rozafës, lumin e Bunës,  
Drinin plak, Taraboshin, Maranain e Cukalin
e imazhin e Barletit e Idromenos 
tek ngjiteshin e zbrisnin kalldrameve të kalasë 
deri sa  me dëshmitë e veta si urithi 
që nëntokën gërmon
u shfaq spiuni mirditas, Mark
e të thotë - e vraftë zoti, të thotë:
e kam pas bazën në rrugën Badra.
…Ende sot, dorëzoja 
në oborrin e Dom Lazër Shantojës qan
dorëzoja në oborrin shtëpisë së përgjakun 
në rrugën Badra, që spiuni Mark 
kërkon sërisht e pafundësisht
ta rivrasë.

KOLEC TRABOINI

nga vëllimi poetik "Trinia ime" 
Tiranë - Boston 2006