MOS VDIS DASHURI 2002 NOKTURN 2004 REQUIEM PËR NJË GJETHE 2005 TRINIA IME 2006 KOHA E PROSTITUTAVE 2007 ITAKA GRUA 2008 LULE PELLAZGJIKE 2012 U DASHKA TË DAL NATËN VONË 2012 E KAM ATDHEUN TEK PORTA 2012 DASHURI 2013 FAJIN E KA HEKUBA 2014 ORAKUJT NË FERR 2015 ODEON 2016 OFELI 2019 ODE PËR SHKODRËN

Vajet e Shiut të Din Mehmetit - përg. Kolec Traboini


DIN MEHMETI
1929- 11 nëntor 2010
KOSOVË

Din Mehmeti na ka dhënë 
edhe zogun edhe qiellin,
gjithçka që i duhet këngëve të pranverës

Tek lexojmë poezitë e Din Mehmetit ndjejmë se përveç së përditshmërisë se jetës që e shqetëson njeriun dhe e bën ti rrah zemra për popullin e vet,  ka edhe një qasje e perceptim tjetër të botës që na rrethon e që herë-herë na zë frymën, një hapësire e dimension tjetër që na bën jetën me të lehtë e më të bukur, që na bën të pandehim veten si zog e të kërkojmë qiej për të fluturuar. Në të vërtetë Poeti na ka dhënë edhe zogun edhe qiellin, mjafton që të rrahim krahët e të rrekemi nëpër kaltërsitë marramendëse të qiellnajës poetike te Din Mehmetit.

Kolec P. Traboini 

 ____________ ____________

DIN MEHMETI
"Vajet e shiut"

GJITHNJË MË LARG VETES

Gjithnjë më larg vetes
Më i përakullt

Fjalët s’ më rrinë në gjuhë
Në letër s’rrezatojnë

Ikin të ndërkryera e më lënë
Hambar të boshatisur

Gjithnjë e më shumë
Po më tërheq zvarrë vetmia

Nepër një pyll të mërdhirë
Pa asnjë zog

Nëpër qiell të thinjur
Pa asnjë yll

Gjithnjë më i përhumbur
Me hiq

ARTI I RI I VDEKJES

Në botë ka festë
Ngritën zbresin
Flamuj të bardhë

Ushtrohet arti i ri i vdekjes
Vdekjes pa dhimbje
Pa lot pa klithje

Askush s’ka
Ku të fshihet
Nga vetvetja

VETMIA IME E SHKALLUAR

Mbi kokat tona të përdyllura
Mullinj të tërbuar bluajnë

Toka varrezë kolektive yjesh
Në qiell vriten mes veti rrufetë

Rrugët pështymë e zezë
Shpresat mizorisht japi shpirt

Vetmia ime e shkalluar

Maj, 1999.

GJAKU I DRITËS

As vet s’e di ku po shkoj
Në këtë natë që ulërin

Rrugët më çojnë zjarrishtave të mendimeve
E më kthejnë në hiçin tim të moçëm

Tash e di se humbjet
Nuk janë krejt humbje
As fitoret krejt fitore
As unë krejt unë

As vet s’e di ku po e thyej qafën
Në këtë natë më të zezë se korbi

Rrugët më çojnë në varrezat e shpresave
Ku pëlciti edhe shkëmbi

E më kthejnë atje ku shkelet gjaku i dritës

Gjakovë, 28.03.2010.


JETA JONË KOLLITJE

Kur flas me mikun tim
Në telefon ia përcjell
Fjalët duke u kollitur

Duke u kollitur
Më përgjigjet edhe ai

Telefoni mezi merr frymë
I fshin djersët
Edhe ai kollitet

Qielli ngjyrë hiri
Toka në buzë të dimrit

Jeta jonë kollitje ...


UNË DHE FJALËT

Herët fillova t’i bluaja
Fjalët e mia
E prej tyre të bëja hi

Rrugës vdisnin nga pagjakësia
E m’i braktisnin ëndrrat
Për një botë tjetër

Nuk gjenin dalje nga terri
As urë për të kaluar lumin e gjakut
As gacë në hi për ta ndezur zjarrin e jetës

Fat e pata të më gërryente nata
Si qeni i uritur eshtrat

Herët nisa t’i digjja fjalët e mia
E më flakën e tyre të shkruaja
Emrin tim në fletën e kaltër të qiellit
Të mos vdesin shpresat

Gjakovë, 2010.

PAMJE E TRISHTË

Qielli saç i nxirë
Toka pa ngjyrë

Mezi marr frymë
Ditët po ngrijnë

Frikë ...

EMRAT PA NGJYRË

Ëndrrat e fjalëve digjen
Xhepat e mendimeve ngrijnë

Emra pa ngjyrë

KUR VETËM ISHA

Një natë kur vetëm isha
Ndjeva një gërryerje në dhomë

U ngrita e shikova në çdo skutë
Rreth dritareve nën shkallë kudo

Kot asgjë

U shtriva në krevat
E fillova të mendoja
Kur papritmas përsëri zhurma
E gërryerjes edhe më e fuqishme

U enda nëpër dhomë si i çmendur
Derisa më në fund e kuptova
Se gërryente vetmia
Si qen i zi eshtrat e gjuajtura në rrugë

IKJE NGA VETJA

Shikime të gjarpërinjtë
Fytyra të akullta të përbishura
Buzëqeshje të egra
Dashuri të ftohta
Pa ngjyrë pa zjarr gjak
Urrejtje të zgjuara te secili
Ikje e vetes nga vetja

ASKUSH S’ DI CILI ËSHTË

Mendimet janë kthyer përmbys
Dhe vdesin mjerisht

Në Sheshin e Hyjnive
Dashuria vetëvritet
Pa lot pa klithmë

Njeriu tek njeriu
E sheh terrin e dritën e vet
Dhe nga vetvetja ik

Askush s’e pranon
Se është ai që është

Varrezat e mendimit
Po shtohen çdo ditë ...

Gjakovë, Mars, 2009.

MEDITIM I VERDHË

Shtëpia ime buzë rrugës kryesore
Natë vetëm në ballkon
Veturat shkojnë e vijnë
Me shpejtësi marramendëse
Njëra m’i merr duart
Tjetra këmbët
Pastaj mendimet gëzimet
E më lënë një zhurmë të egër
Që vdes shpejt
Nata derdhet ngadalë në gjumë
Ndërsa unë pres të më kthehen
Pjesët e marra
E në pritje tjetërsohem
E shikoj veten në pasqyrë
Tmerr ik nga vetja

Pergatiti: Kolec Traboini



  ____________ ____________