PORTRETI I
POETIT PERMES VARGJEVE TË TIJ
Nga Vllasova
MUSTA
Është
kënaqësi të marrësh njëherazi dy vëllime poetike në duar, e për më tepër, kur
këto i ka shkruar i njëjti autor, që është edhe miku yt. Jam njohur me Kolecin
para shumë vitesh, gati 40 vjet më parë, kur ai u emërua me punë në Kinostudio
dhe kishte fare pak kohë, që kishte botuar librin e tij të parë me tregime “Petalet e bajames së hidhur“. dy librat e rinj, vinë pas një vargu të gjatë
botimesh në prozë dhe poezi dhe që çuditërisht mua më kujtuan apo më sollën
pranë freskinë, aromën dhe bukurinë e ”Petaleve
të bajames së hidhur“ që si një biskajë përherë e blertë, u prin gjithë
atyre që erdhën dhe do të vinë pas...
Tek lexon
nga njëra poezi tek tjetra befas ndjen se të kanë marrë me vete, të kanë futur
në magjinë e tyre dhe krahas leximit, ndjen zë, ndjen tingull dhe kaq e plotë
të bëhet kjo tingëllimë, sa të duket sikur nuk ke përpara një poezi, por një
qënieje të gjallë, që të flet, të zgjon, të troket e të merr pas vetes duke të
shpalosur pafundësi ngjyrash, stinësh dhe ditësh njerëzore.
Poezitë e
Kolec Traboinit, përcjellin ngrohtësi, kanë dhimbje, kanë trishtim, kanë brenga
apo mall, po aq sa kanë edhe dritë dhe forcë dashurie. E ndoshta për këtë
lexohen me një frymë, si në një rrëfenjë, ku janë të mpleksur hijshëm të gjithë
elementët që i duhen për t´i dhënë ngjyrë, hapësirë dhe frymë. Përmes poezive
vizatohet me një elegancë të hollë dhe tepër i spikatur, portreti i tij, bota e
tij, ëndrrat e tij dhe gjithçka që përmbart në të tërën poeti Kolec Traboini.
Dhe
kësisoj, nga njëra poezi tek tjetra, është pranë teje jo vetëm poeti, por
njëherazi qytetari-intelektual, që s´mund të jetë indiferent dhe përmes një
trishtimi njërëzor, na pohon: / Para
pallatit tonë të vogël me tulla të kuqe/ Ngritën një ndërtesë të stërmadhe gri/
Që të kujton dinosaurët /E lartë, hijerëndë e të egër. /Tani nuk kam më veç një
përçik qiell /E një çarçaf të verdhë /Varur në ballkon si diell…/.
Më tej, të
shfaqet njeriu me shpirt të ndjeshëm, që preket qoftë dhe nga një detaj që
ndesh në të përditshmen, që ka përjetuar dhe mban të ndrydhur fëmininë e
jetimit, që e ndjen më mirë se kushdo tjetër këtë varfëri shpirti dhe natyrshëm
thotëne poezine “Shtëpia e fëmijes” - mikut tim Ilir Çumani: /Një plagë Një dhimbje /Një dashuri /Që të ndjek pas gjithë jetën /Për
pëllumbat e lagur në shi /Një strehëz. /
Me tjetër
forcë, me tjetër zë e vetëm duke pulsuar të vjen pranë atdhedashësi, ai, që e
ka atdheun tek porta, që e merr me vete kudo që shkon e që malli për të është i
përhershëm e i pandshëm, i plotë dhe i dridhshëm brenda botë së tij. Ky zë gati
gati si në një lëngatë thërret përvajshëm: ”ma vodhën atdheun“: /Ma
vodhën Atdheun kur ika/ Ma vodhën Atdheun si të mos ish/ Erdh koha të ndjehem i
huaj /Në vendin tim kur u shfaqa sërish./ E vetmja mundësi është të thërras /Deri
në kupë të qiellit më zërin prush:/ Ma vodhën Atdheun! Ma vodhën! /Po këtu nuk
të dëgjon më askush. /.
E midis
tyre, si një kalorës që veçse trokon e s`di të ndalet, përherë rrezëllitës e
gjithëstinësh, vjen i dashuruari, e kur fjala është për dashurinë, duket se tek
poeti ravijëzohen gjithë ngjyrat e ylberit, fryjnë gjithë flladet dhe erëmirat,
këndojnë e cicërojnë gjithë shpendët e hapësirave qiellore dhe zemra e tij,
është strehëz për të gjitha, është fyell, këmbanë, trumpetë që bie e troket në
çdo stinë. Është një e vërtetë e dëshiruar prej kujtdo e për më tepër e një
shpirti artistik siç është poeti, që të jetojë bashkë me dashurinë, ndaj ai
përsërit: /Nëse viktimë quhet një vajzë /Që
unë në kupë kërkoj ta pi /Ma merrni jetën pa mëshirë /Se sa të rroj pa dashuri./
Ose në një
tjetër poezi, ai thotë:
/Nuk e di, nuk e di /Pse dashuria më
shfaqet si Dielli /Që del e më ngroh bash atë çast /Kur shpatullat i kam të
ngrira./
Kolec
Traboini është poeti dhe shkrimtari në kërkim të një motivi të ri, përherë i
prekshëm dhe i ndjeshëm, përherë i freskët dhe me ngjyrë e kështu do ta kemi
pafundësisht, se ai ka tharmin e krijimit, të pjekjes e të lindjes, të
mrekullisë që sjell krijimi që buron nga shpirti, i lirë, i pastër dhe
tingullshumë.
14 shkurt
2014
Pena shqiptare suplement i gazetes "Telegraf"e Ejte 3 prill 2014 f. 19. |