mos m’a refuzo një takim në Paris
një shetitje buzë Senës në puhizën e mbrëmjes
pak mjegull pas se cilës të fshihem si zogjtë
nga veshtrimet e njerëzve
asgjë nuk dua pranë meje
veç dritat blu të Shan Elizes në qerpik
në një ënderr të fle e të zgjohem
me ty në takim, në Paris...
të tjerët le të shkojnë te Mona Liza
të mahniten para fytyrës së saj në adhurim
shpirti më është rreshkur nëpër strehëzat e botës
ndaj dua të mbështetem veç në prehrin tënd
....një shetitje buzë Senës në puhizën e mbrëmjes
pak mjegull pas se cilës të fshihem si zogjtë
nga veshtrimet e njerëzve.
mos m'a refuzo një takim
mos u bej lirikë e padisponueshme
sa kohë që jeton, në Paris...
poetika
....është mace sykaltër
që diku mbi çatinë e botës, përpiqet të davaritë
enigma.
ku flenë zogjtë e si mund të bësh dashuri me flutura
në flakërimat e diellit pa ju djegur krahët ?!
poetika noton pa stil në dallgët e ndjenjave
nën ujë e mbi ujë në oqeanin e shpirtit
të ngatrron këmbet ligsht më leshterikë
e vetë zoti të shpëton prej mbytjeve.
poetika vjen e bën dashuri me ty natën
ditën të lë të flesh, por prap lakuriq në gjumë
të shfaqet.
shkurt 2008
sythe bore
paske lindur në shkurt, si unë, mikja ime
me një fat e një nëmë të përbashkët
të lindurit në shkurt janë dashnorë të zjarrtë
dhe vuajtës të mëdhej gjithashtu.
fatin nuk ndrrohet, s'ke çfarë të bësh
veç në duart e tij të lëshohesh
megjithëse ka një magji dimërore
ndoshta eskimezet profanojnë kështu:
kur dy vuajtje si dy trupa bashkohen në një
shkrin akulli, nisin e cicërijne zogjtë
e nëpër drurë shfaqen sythe bore...
që bulëzojnë me një puthje ..
po të ishim bashkë në ditëlindjen tënde
sa lule do të çelnin, e sa zogj
do të cicërinin sonte?!
20 shkurt 2008
zhvishu!
a jane gjijtë e tu diell
a nuk jam unë toka që dielli yt e ngroh?!
lakuriqsia jote është pushtet mbi jetën
fruti duhet ngrenë, fara duhet mbjellë
ndaj zhvishu mikja ime....eja, mos u dro!
bjerrakohës
pa u lodh derdha mund e pasion
por trupi ftohet e mendja gjithashtu
e pasioni davaritet nëpër mjegull
pa e ditun se nga ashte kahja e dritës
kënaqësisë së librit pa i ndi pikë dëshirë
se vjen një kohë - o Zot - një kohë kur dorëzohesh
dorëzohesh e vetquhesh bjerrakohës...
bigami
eseja dhe poezia, Shilla e Karriba ime
të gjitha shtigjet m’i zënë
kohën peng ma marrin
e nuk më lënë të shfaqem kurrë në Itakë.
afrohen deri në flirt për vdekje
por kur i shoh të puthen e nduken
si Safo në delir me vajzat e ishullit Lesbo
egersohem në tërbim e nxihem si Otello
se të dyja janë Desdemonat e mia
në ereksion për njërën- orgazëm për tjetrën
pa ditur kurrë ku më fle dashuria...