ka dekada që rri përballë një pasqyre
sa xhami ka nisur të shfaq rudha plakje
borëzohet fryma ime mbi qelqin e ftohtë
përditë e më shumë drita e shkelqimi i lbyren
nën shtresëzat e argjenda pas së cilës fshihet hija jote.
i rrokëzoj fjalët si prush nën hirin e vatrës:
më fal një buzëqeshje, të lutem, në këtë pasqyrë
ku vetja më duket një kështjellare idiote
kështjellare që përpiqet me veshtrim
ti rrëmbejë qiellit yllin e galaktitës gjinore
një yll që kurrë nuk mundi të më shfaqet.
ti geni im i fisëm me gjak princor blu
ndarë përgjysëm, i farëzuar në pesë shtete
në pasqyrën time asnjë shprese nuk kam të shoh
tashmë nën velaturën gri të një ëndrre të moçme
shqyer prej këngës së këndezave londinezë, magjikë
që zbojnë frikën e vet e hijet e natës
përtej agut e pragut e makthit të sotëm.
pse hesht, pse nuk shpallesh ti geni im i largët
prej një guri e një druri, prej një uji e një poç balte
me të njejtët shpërngej na lidhen kur ishim motake.
edhe miturifantazëm të ishe, tashme do të ishin rritur flokët
që mua mi nxin nata kontinentale e fundnëntorit
e ty ti lyen vjeshta me pigment oqeanik okërr.
dil, geni im kozmik
shfaqu pertej kolonash e siparesh antike
jam këtu në këtë humbellë eskiliane me shekuj pritje
thyeje pasqyrën, të shpëtoj edhe unë prej vetvetes
më kot vertitësh nëpër të tjerë qiej e të tjerë planete
eja, thama lotin e kaltër pikëlllues në qerpik
në nostalgji për imazhin tim tek një tjetër
kemi të dyja gjak princor blu
ti je unë e unë ti që prej dymijë vjetësh!
17.2.2008
