MOS VDIS DASHURI 2002 NOKTURN 2004 REQUIEM PËR NJË GJETHE 2005 TRINIA IME 2006 KOHA E PROSTITUTAVE 2007 ITAKA GRUA 2008 LULE PELLAZGJIKE 2012 U DASHKA TË DAL NATËN VONË 2012 E KAM ATDHEUN TEK PORTA 2012 DASHURI 2013 FAJIN E KA HEKUBA 2014 ORAKUJT NË FERR 2015 ODEON 2016 OFELI 2019 ODE PËR SHKODRËN

Poezinë nuk mund ta mësosh si të jetë - nga K. P. Traboini


POEZINË NUK MUND TA MËSOJMË SI TË JETË
                   - Nuk ka Laureat as Profesor ti japë mësime -
 
Nga K. P. Traboini
 

          Njerëzit shkruajnë në mënyra të ndryshme, kanë përvoja të ndryshme, vijnë nga mjedise të ndryshme dhe është e natyrshme që të sjellin mendimet e perjetimet e veta të cilat për nga shkalla e intensitetit emocional, apo dhe mendimit filosofik duhet te jenë të pangjasheme. Edhe sikur gjithçka të ketë arritur në prefeksion, përseri ka një shkallë tjetër, një barrierë nëse mund ta themi nëpër të cilën duhet të kalojë e kjo është pelqimi i lexuesit. Por edhe ky nuk është gjithçka sepse edhe lexuesit kanë parapelqime të ndryshme, shije të ndryshme e nivele kulturore të ndryshme. 
        Është e kuptueshme që një tip rapsodik të parapelqejë poezitë me metrike klasike ku respektohen të gjitha rregullat në mënyre strikte. E drejtë e tij. Por një tjetër që ka lexuar shumë nga poezia e përboteshme, që i di zhvillimet poetike dhe përpjekjet e mëdha për ta nxjerrë poezinë nga kornizat strikte, ai është e natyrshme të pelqejë vargun e lirë që nuk ka asnjë kushtëzim. Por pavaresisht teknikes së përdorur poezia ka sekretet e veta të mbuluara brenda fjalëve, ka magjine e vet të cilën është e vështirë ta spjegosh, ajo lind si nënshtresë, lind jashte logjikës së rreptë, ështe si era që fryn e ne e ndiejme por nuk e shohim, pra çasti i krijimit ka prekur subkoshiencën.
     Jo më kot Platoni thoshte "Poezia është e folura përçartë e perëndive!"
Dhe, duhet pranuar, të shkruarit do kulturë e dije, e njëjta gjë kërkohet edhe nga lexuesi. Një njeri që pi qumësh tërë jetën vështirë të kuptojë e të vlerësoje shijen e verës. 
      Dhe autorët të kenë parasysh kur kerkojne të vetlartësohen e vetlavdërohen me krijimet e veta se, nuk matet gjatësia e njeriut me hijen e mëngjesit, se kur dielli ngrihet në zenit njeriu nuk ka më hije.
Kjo që shkrova më sipër, nuk është shkrim apo analize por një koment i shkurtër, le ta quajmë ese, në të cilin shpreh mendimin tim e askush nuk ka pse shqetësohet.Unë këtu nuk them si të shkruhet por shpreh mendimin tim e përvojen time në shkrim. E kam thënë e vazhdoj ta them, shkruaj siç më pelqen dhe nuk e kam as kohën e as moshën të bëj ushtrime metrike siç më sugjerojnë vargmatësit. Ka ikur treni larg të nderuar. Fakti që dikush mi kërkon poezisë këtë e atë do të thotë se kanë mbetur pre e shkollarizmit. Po more miq, ju po thoni që manushaqja duhet të dalë kështu e ashtu, të ketë këtë ngjyrë e të ketë këtë erë. Por kur ajo ti ketë ato që doni ju atëherë ajo nuk është manushaqja e papërsëritshme e pranverës, por sajesa juaj me aromë të stisur.       
     Thoni se duhet të ketë patjetër poezia figurë....po kjo është recetë, e me receta merren vetëm ilaçet e mjekut. Po jo poezia. Ka poezi që nuk kanë nevojë për asnjë figurë...por ka edhe poezi që mund të ngrihet mbi bazën e figuracionit. Vargu i lirë është një evolucion i madh, i cili është çliruar nga çdo gjë që e kushtëzon shprehjen e mendimit e të ndenjës. Jam në një mendje që poezia i ka të vetat ato elemente që përmendni, por nuk ka ligje në këto punë.       
        Nuk ka rregulla strikte. Ndryshe prej të gjitha arteve të tjera poezia ka fituar lirinë që të jetë ajo që deshëron vetë të jetë e jo ajo që i kërkohet të jete. Por ndërkohë unë e kuptoj dhe e respektoj edhe metriken, edhe vetë i perdor jo pak herë vargun popullor, poezinë tradicionale, folkun pra, por kjo nuk e dominon poezine time.
Parapelqej të shkruaj çastin, atë që më ngacmon e kërkon të dalë prej meje ashtu siç ajo do të dalë pa e imponuar. Quajeni po deshët prozë poetike apo poezi prozaike, mua as që më shqetëson. Ku pyet toka se ti nuk do që të dale bari në livadh. Ajo do ta nxjerrë fijen e barit sa ta ngrohin pak rrezet e diellit.        
        Edhe njeriu është tokë, por dikush tokë e mirë e pjellore e dikush tjetër tokë djerr, e dikush tjeter gurishte e zallishte, tokë shterpë, që unë i quaj shtërpuca. Këta janë vazhduesit e denjë që falen në tempullin e Hasan Zyko Kamberit. Edhe ata në të drejtën e tyre. Kane zgjedhur perëndinë që adhurojnë.
 

AUTOGRAF nga Lindita Agolli mbi librin "Itaka grua" të K. P. Traboini

AUTOGRAF nga Lindita Agolli
Mbi librin “Itaka grua” 2008, autor K. P.Traboini
Autorit tri fjalë / Mendimit tri kohë  / Përjetimit tri përmasa

Të lexosh një libër, do të thotë të prezantohesh me një autor. Të lexosh një të dytë prej tij, do të thotë të kuptosh të parin. Të lexosh të tretin, do të thotë ta pëlqesh atë si autor. Të kërkosh më pas që të lexosh çdo libër të një autori, do të thotë se e njeh veprën e tij.
Këtë që sapo thashë, nuk e kam lexuar askund. E thashë në këtë formë vetëm pasi ndjeva, kuptova dhe njoha gjithë krijimtarinë e K. Traboinit.
Janë me dhjetra libra, në arsenalin e të cilëve renditen vlera artistike, historike, etiko-estetike; vlera të kuptimit esencial të jetës në proces; vlera të komunikimit njerëzor të ngritur në art si vlera më e spikatur sociale.
Por është e pamundur të mos e gjesh lirikën dhe poezinë edhe në librat e tjerë, ku proza duket të jetë vendosur në një pentagram dhe jo në një faqe të zakonshme libri.
“Itaka Grua” më erdhisi dhurata më e bukur që mund t’i bëhet një njeriu të dashuruar pas librit. Por unë jam një grua dhe, si e tillë, kam në duar një dhuratë më shumë: librin dhe vetveten. Mënyra se si depërton tek unë fjala poetike që më vjen nëpërmjet Itakës Grua, është e vetmja gjë që më shkujdes nga vëmendjet për të bërë vlerësime. Tendenca për të thënë diçka që vetëm se stoliset me pendët e vlerësimit, s’është gjë tjetër veçse përpjekje e pashpresë për të thënë atë që në mënyrën më të përvetëshme e thotë poezia autentike dhe mua, do të duhet të hyj brenda asaj bote, porta e së cilës hapet nëpërmjet vargut.

TITULLI DHE PËRKATËSIA

Shfletoj dhe gjej në një prej faqeve poezinë që i përket titullit. E thjeshtë, si një këngë me ritëm deri diku folklorik, më duket se thotë shumë pak për atë Itakë Grua që qëndron në bashin e poezive. Atëherë bëj diçka të pazakontë. U vendos si titull “Itaka Grua” shumë prej poezive; si “Lirika në detin e sirenave”, “I dashuruar me një karficë”, “Zhvishu”, “Si Zorbë”, “Ego poetike”, “Pengjet e mia”, “Kuti i vlerave”, “Hajku i vdekjes”, etj. Bëjeni dhe ju. A nuk duket se është titulli që ka copëza shpirti nga cilido varg, nga cilado poezi?!
Duket si lojë fjalësh, por nuk është. Emri-Grua dhe Itaka-metafore, ose anasjelltas, rrinë aq bukur në njëra tjetrën, në një harmoni të papërsëritshme. Ato zhvendosen herë njëra dhe herë tjetra në krye të fjalës dhe ma lëvizin mendimin, ma trondisin shpirtin sikur të jem e pranishme njëkohësisht në dy botë.
Midis tokës dhe detit, midis pritjes dhe kthimit, midis harresës dhe mallit, midis vuajtjes dhe arritjes, midis dëshirës dhe pamundësisë, bëhem Grua Itakë që prej zanafillës, e vetëdijshme për çfarë më parë nuk dija nga vetja.
Më vinë ndërmend legjendat, copëz prej të cilave jam, copëz prej të cilave bëhem. Nuk di në jam Itaka apo Gruaja. Njëra prej të dyjave ecën përbri meje, por nuk shihemi. Jemi brenda njëra tjetrës, por nuk njihemi. Jemi kuptimi i tjetrës, por nuk e dimë.
Vjen Poeti të na e thotë!
Mishëruar në njëra tjetrën si një e vetme, transformohemi fuqishëm në tre elementë jetësorë të domosdoshëm, në tre dimensione gjigande të pamatshme, në tri vlera të pushtetshme pa kufi. 

MËMËDHEU I MISHËRUAR

Shihem në pasqyrë dhe harroj fytyrën. Belbëzoj ca vargje homerike me pamjen e portave të Itakës:
“Këndomë, o Zanë, të urtin burrë që u end
Për sa vjet poshtë e lart pa plang, pa shtëpi
Si shtroi përdhe të shenjtat ledhe t’ Trojës
……………
Shumë vojti zemra e tij në det me dallge.......etj, etj...”
(Homeri “Odiseja” Kënga e I, 1976)

Pastaj nis rrugëtimin në vargjet e Poetit:
“Më mirë një kthim ala Zorbë në vatrën e vjetër
Ani pse i trishtuar prej varfërisë e mjerimit
Do ta ndjesh veten më mirë se kudo tjetër.”


Pasqyra para së cilës qëndroj, shumëfishohet dhe më tregon pjesëza të qënies.
Pjesëza ishullore ku kemi lindur, Tokë ku dëshiron
të rrosh në një gjeth, të rrosh në një cicërimë
në një fllad të mëmëdheut të rrosh
edhe pas vdekjes ”.


Të rrosh atje ku pengjet e kthimit janë një jetë e tërë me dhimbje, ku rrugët
“kanë e s’kanë kthim” për të gjithë ata që ikin me plagën e ndarjes.


ARTI I MISHËRUAR


Nuk bën më punë pasqyra. Nuk ka nevojë për sy tek ndihesh Fjalë e Varg.
Poeti rrëmben gjithçka nga një Grua dhe e shndërron fytyrën e saj në To…
Poezia dhe Ese-ja ngrihen përmbi Itakën Grua dhe zaptojnë përmasat shpirtërore
deri në vetmohim.
“Në ereksion për njërën – orgazëm për tjetrën
pa ditur kurrë ku fle dashuria…” poeti jep peng kohën e Gruas!
Kohë të cilën “pas udhëtimesh në vise të largëta” ia kthen përsëri Asaj, por kësaj here të transformuar në Ar... si “e vetmja mirësi që mund t’u bëj grave të atdheut tim dhe grave të gjithë botës thesarin që ma falën sërish t’ua kthej…”
E pamundur për t’u thënë në këtë formë e në këto përmasa me logjikën e mendjes më të ndritur!
E pamundur për t’u shprehur plotësisht pa lënë asnjë të çarë sikur të përdoreshin për matje dhe shpikjet më të fundit të shkencës!
E pamundur për të bashkuar dhe përjashtuar njëkohësisht tre dimensione që s’janë njëra tjetra, por gjenden në njëra tjetrën - Ese’ ja, Poezia, Gruaja.

GRUAJA ITAKË E MISHËRUAR

Hyj brenda saj dhe gjej Pritjen e gjatë të Gruas dhe Udhëtimin e mundimshëm të një Burri. Ai, më merr për dore me kujdesin se mos më thyejë. Më tregon çfarë jam e çfarë s’jam për një burrë, më tregon fokusin e syve të mia. Ja galeritë e mia të padukshme, më thotë, hyrë dhe gjej në to sekretin e ngjizjes me jetën…sekretin e ekzistencës së dy shpirtrave në një. E, nëse shpirti njerëzor do të përfytyrohej si një shpend që shpalos krahët lart në qiell, do të shihnim se në të janë të mishëruara të dyja gjinitë njëkohësisht. Do të shihnim se ekzistenca nuk është tjetër veçse bashkimi i dy gjinive në shpirtin e përbashkët njerëzor.
Dy personazhe në një, që më çojnë larg në imagjinatë dhe krejt instinktivisht, nëpërmjet një zinxhiri të padukshëm e abstrakt, më sjellin mendimin se Poeti nuk është thjesht ai “ngacmuesi”. Është shumë më shumë se kaq. Në njëfarë mënyrë është vetë Ai që shfaqet në përmasa të tjera, ende të panjohura për botën e Gruas; përmasa që kanë të bëjnë me një marrëdhënie të pa konsumuar kurrë në gjithë kuptimet e saj, e cila ngacmon fantazinë dhe në çast krijon imazh të ndryshëm nga e deritanishmja për Intimitetin. Në këtë aspekt, poezia tek unë transmetohet ashtu siç është ndjerë, siç ka ardhur në muzën e poetit. Unë e pranoj atë në atë forme që natyra ime e brendshme e pranon.
Dhe ne… unë, ti… teksa Poeti trajton Gruan dhe natyrën e saj, a mundemi ta shmangim dot të menduarit rreth Tij?!
E mëpastaj, deduktoj se ndoshta as Ai vetë nuk ia ka njohur vetes tipare të cilat shpalosen nëpërmjet vargjeve, për shkak të një lloj marrëdhënieje të veçantë me Femëroren.
Ka shaluar Fjalën Poetike dhe i afrohet aq shumë gardhit të imagjinatës femërore.
Ka përqafuar Ndjenjën dhe i afrohet aq shumë njerëzores.
Ka shpalosur Shpirtin dhe e ka kthyer në vlerë.
E paskëtaj, si të mos besosh se Poeti dhe Itaka Grua ia arritën të takohen në këtë libër?!

1 Nëntor 2008
Botuar në gazetën "Ndryshe"

🟪 Traboini dhe (anti)misoginia - nga Dr. Fatmir Terziu

TRABOINI DHE (ANTI)MISOGINIA
Nga Dr. Fatmir Terziu


Poezia dhe tërë krijimtaria e shkrimtarit, poetit dhe kineastit të talentuar në vite, Kolec Traboini është jo thjesht një depozitim në kulturën e gjerë e të begatshme letrare shqiptare, por një mesazh tejet i artë në tërë lëminë e trashëgimisë. Si e tillë vepra e Traboinit meriton respekt për disa arsye. Me vëmendjen tek respekti për këtë krijimtari le të fillojmë me radhë argumentin në analizën tonë. Është së pari një dashuri dhe jo një misogini (akt urrejtje) që vjen nga vargu dhe krijimtaria e Traboinit për seksin e kundërt. Dhe kjo dashuri brenda dhe jashtë disa kornizave letrare të misoginisë gatuan me vetë penën e krijuesit shqiptar mesazhin që ia lë në hyrje ‘bedenave letrare’ të “Itaka Grua” ku thekson “... do mbledh të gjitha lotët e grave të botës të bëj me to një varëse për Diellin...”. Pas këtyre vargjeve të koduara vetë dekodimi i tyre kulturor është një akt që kryhet në dimensionin e respektit dhe tërë lidhjeve me shpirt-krijimtarinë e tij artistike. Le të sqarojmë paksa lidhjen dhe tendencën e pikës së parë, si një kundërshti, por edhe si një përdorim në vlera të kapshme dhe të tendosura filozofike për lidhje-jetën. Është kjo lidhje dhe kundërshti mes vetë misoginisë. Si e tillë misoginia (loja/apo nga origjinalja në gjuhën greke m
ɪsɒdʒɪni) është në thelb mospëlqimi i grave, ose urrejtja ndaj këtij seksi. Misoginia pra siç e cituam vjen nga gjuha greke, një term që herët në poezinë greke zuri një vend dhe debat, i cili u vazhdua më tej edhe nga poetë të tjerë dhe kritikë e analistë perëndimorë, që ndërtuan lidhje të tërthorta mes fjalës misoginia (μισογυνία) nga misos (μσος, urrejtje) dhe gynē (γυνή, grua). Pra në lëminë e poezisë edhe pse ky person që i rrëfehet këtij termi lidhet me atë që në thelb është ‘se i urren gratë’ dhe quhet një misoginist, në thelbin letraro-poetik ai, pra poeti ndërton një marrëdhënie emocionale të tillë për të rrëfyer më shumë se urrejtja dhe dashuria. Një poezi e përafërt me këtë tematikë, dhe për të ndërtuar më mirë kuptimin dhe thelbin e saj është poezia e poetit Richard Moore. Poema e tij “MISOGYNIST'S LOVE” (Dashuria e misoginistit) ka marrëdhënie të tilla që lidhen me moshën, kur dashuria përkeqësohet, dhe me faktin që seksi i kundërt mbetet një anatemë mes vargut “Tani ju: një person i mirë!”. Dhe pastaj vazhdimi që pason atë mes një stigme statike dhe misoginie reflektuese, të acartë shpirtërore: “Mirësi, ndjenja të thella të përbashkëta/kur unë isha përgatitur tërësisht/për një tjetër femër bandite./Unë nuk jam i sigurt që unë mund ta duroj.”

Një poezi e tillë le dyert hapur për të kuptuar edhe poetin Traboini, sidomos tek poezia e tij “Ikja e fundit” të cilën për hir të kësaj lidhjeje dhe për ndihmë të lexuesit po e sjellim të plotë: “Çfarë është bërë nuk mund të zhbëhet/puthjet s’mund t’i shkulim nga buzët/as t’i ndukim nga mendja/sa kohë gjallë jemi përmbi dhe/idili ynë me ne do të vdesë/kur rrugën të marrim për atje.../në shkofsha i pari, do kthehen në kujtim/në imazhe dashurie që rrojnë ende.../edhe për ikjen e fundit paska një ngushëllim/puthjet që tek buzët e të dashurave le.” Siç shihet në thelb autori nuk le shenja misoginie në këtë poezi, veç faktit që kuptohet nga filozofia e saj mes termit të pashfaqur, simtomë e ndarjeve, apo “urrejtjeve” pa shka që fshehin dhe herë mbulojnë e zbulojnë dashurinë dhe misogininë e autorit. Autori zgjedh fundin të plotësojë mesazhin e tij, por edhe të japë një akt të ndjeshëm në këtë pikë analizë.
Së dyti poezia e poetit Traboini në këtë rast është një poezi e shkruar nga një kënd burrëror, (mashkullor), ku elementi i ndërthortë i gjinisë karakterizohet nga dashuria dhe refleksi respektues për të. Dashuria dhe marrëdhëniet gjinore në tërë strukturën e poezisë së Traboinit karakterizohen nga lidhje të forta njohurish dhe njohjesh të agravuara historike. Kjo shihet tek poezi të tilla si “Kuti e vlerave”; “Visoret e Diellit” etj. Tek kjo e fundit është kjo tërthori që sjell qartë mes vargut “të marrët!/edhe Homeri mbase kështu thoshte/teksa në fantazinë e të verbërit/i përndizej Helena e Artë/të marrët/të marrët/të marrët”. Po të vërejmë me kujdes këtë fuqi të vargut të Traboinit, të cilën e lexojmë edhe me gjuhën e kritikës shqiptare të Jorgo Bulos (1976), kur citon se “problemet e traditës sonë letrare janë shprehje e ndërgjegjes së njësisë etnokulturore të popullit shqiptar”; me analizën e Anton Berishës, që e sheh tek “pasionet dhe shfrimet e zemrës” (1978) apo edhe tek kritika e Rexhep Qosjes që e sheh këtë si një “kult të së shkuarës”(1968). Duhet theksuar se ashtu si Bulo, Berisha, Qosja dhe mjaft të tjerë që pasojnë kritikën shqiptare në vite, emra të tillë si Fetiu, Aliu, Vinca, Jasiqi, Mekuli, Hoxha, Matoshi, Kraja, Kryeziu, Ismajli, Hamiti, Gashi, Shita, Dërvishi, Gega, Jaka, Rugova, Agani, Latif Berisha, Doda, Hysa etj. kanë pasur parasysh një fakt sublim atë që në shekullin e 17 kjo risi në krijimtarinë Perëndimore u hap me një aspekt të ndryshimit të madh social e cila arriti kulmin në ekzekutimin përfundimtar të mbretit Charles I në vitin 1649. Kjo krijoi një atmosferë të konfliktit që i dha shansin të përhapet më shumë në segmente të caktuara të letërsisë së periudhës. Shkrimet e John Donne janë plot ndjesi me këtë ‘konflikt’, duke shprehur e duke reflektuar me përmbajtjen e tyre një pamje të dashurisë por dhe një analizë të ‘grave radikale’. Në këto krijime shihet edhe një shfrim me cinizëm të ndryshuar nga ajo që brezat e mëparshëm të poetëve na kishin dhënë. Kështu nga analistët krijimtaria e John Donne, sidomos ajo që lidhet me fenomenin e dashurisë është parë si e devijuar shumë nga filozofia mesjetare e dashurisë, e cila kishte qenë e shprehur në poezinë e dhënë nga sonetet e gjigantëve të tillë poetik si Sidney dhe Petrarka.

Pa u zgjatur në këtë lidhje historike, por pa vënë itinerar ndjesor apo ngjashëm kundrinues, tërë aspekti që lidhet me shfaqjen simbolike të dashurisë së poezisë maskuline të Traboinit dendet mes vargjesh të tilla “Plasa t’i bind miqtë e mi piktorë/se shqiptarka e Italisë/ka sisët më të bukura në botë/e se Udha e Qumështit zë fill/në thithkat e saj...” (Sisët a Anave); në poezi të tilla si “I dashuruar me një karficë”; “Tundimet e Circës” etj. Kështu një shembull i qartë i universalizimit të dashurisë është parë në "Maria Laforët" me vargjet e saj “mendo për një çast të mos kishte Marie,/përtej të tashmes do të kish veç pikëllim/çdo mëngjes më me gëzim zgjohemi/kur shpresojmë me Marien të kemi takim...” Ne shohim një marrëdhënie shumë më të balancuar të shprehisë së dashurisë dhe fuqisë saj tunduese, por edhe ndjejmë emocionet nga këndi maskulin edhe në vargje të tilla si “Pasioni për të gjetur nëpër më botë më treti/amëlsia e flladit, çdo mëngjes e mbrëmje/më ngjall shpresën/se një ditë do të dalësh prej detit...” (Për një nimfë ëndërroj).
Emocionet e Traboinit janë përshkruar shpesh duke përdorur imazhet sezonale, me të shpeshta kontraste midis të nxehtit dhe të ftohtit, midis asaj që autori e quan “Përrallë nga koha e rinisë”: “tek rrinim në muzg, të dy shtrirë mbi bar/tek liqeni i Tiranës të brendshmet m’i la/e iku e xhindosur nëpër natën me erë...”.
Shpeshherë Traboini, dhe kjo është pika e tretë, krijon një ton shumë ironik, në të cilën ai shkund dhe sintaksën më të fortë të gjuhës, dhe shkërmoq mendimet veç e veç, për të dhënë imazhin e atyre idealeve të ndërtuara kallp. Poema “Çamja e bukur” fillon me, “Zura mike një belhollë/çame e bukur nga Filati/zgjuar ëndrash, ik mes klithmash/përmes flakësh edhe zjarrit/” duke na dhënë kallpin e “Zervas kur u erdh tek praku” dhe kur me “plumb vriste fëmijë”...

Por kryesore dhe tejet e rrëndësishme është forca e vargut të Traboinit tek perspektiva me të cilën janë parë gratë në poezinë e tij. Poezia e tij ka detajuar dhe nga detaji i saj e ka shkurtuar distancën e akullt me të cilën gratë shihen dhe konceptohen nga elementi mashkull. Por në fakt (nga një perspektivë moderne), kjo çon shpesh në pasazhe dhe ndjenja të cilat mund të përshkruhen si lidhje misoginistike. Spektrit të opinioneve të tij poetike, megjithatë, duket se i është afruar një gjuhë me një gamë të lakueshme që rreket mes mishërimit dhe barazisë inekzistente të dashurisë. Traboini në mjaft poezi të tilla si “Trillet e ngjizjes” apo “Hymn klithmës”, e vendos objektin e dashurisë mbi një piedestal të lëvizshëm si në ‘lumenj’ apo edhe tek “koha jonë sizifiane”. Por, Traboini në një kënd tjetër ridimensionon me një kthesë të fuqishme tipike të vargut të tij deri në përshkrimin më të fuqishëm figurativ poetik didaktin e normave shoqërore. “Fjalë pa fund” apo edhe “Zogjtë e shiut” janë metafora të fuqishme që përmbyllin deri në efektin më të plotë këtë marrëdhënie intuitive të vargut në perspektivë.
E kam theksuar edhe më parë në analizat e mia për poezinë e këtij poeti, se  “poezia e Traboinit shkon tek syri i lexuesit e stolisur, dhe jo e mbingarkuar, e zbukuruar për të nusëruar...” (Terziu, 2009). Por me sa duket në këtë “nusërim” fjala që lidh shpirtin poetik dhe vargun tipik të Traboinit në një fushë të begatë e të plortë delikate është më shumë se respekt, një përkushtim.

www.fjalaelire.com