MOS VDIS DASHURI 2002 NOKTURN 2004 REQUIEM PËR NJË GJETHE 2005 TRINIA IME 2006 KOHA E PROSTITUTAVE 2007 ITAKA GRUA 2008 LULE PELLAZGJIKE 2012 U DASHKA TË DAL NATËN VONË 2012 E KAM ATDHEUN TEK PORTA 2012 DASHURI 2013 FAJIN E KA HEKUBA 2014 ORAKUJT NË FERR 2015 ODEON 2016 OFELI 2019 ODE PËR SHKODRËN

đŸŸȘ Traboini dhe (anti)misoginia - nga Dr. Fatmir Terziu

TRABOINI DHE (ANTI)MISOGINIA
Nga Dr. Fatmir Terziu


Poezia dhe tĂ«rĂ« krijimtaria e shkrimtarit, poetit dhe kineastit tĂ« talentuar nĂ« vite, Kolec Traboini Ă«shtĂ« jo thjesht njĂ« depozitim nĂ« kulturĂ«n e gjerĂ« e tĂ« begatshme letrare shqiptare, por njĂ« mesazh tejet i artĂ« nĂ« tĂ«rĂ« lĂ«minĂ« e trashĂ«gimisĂ«. Si e tillĂ« vepra e Traboinit meriton respekt pĂ«r disa arsye. Me vĂ«mendjen tek respekti pĂ«r kĂ«tĂ« krijimtari le tĂ« fillojmĂ« me radhĂ« argumentin nĂ« analizĂ«n tonĂ«. ËshtĂ« sĂ« pari njĂ« dashuri dhe jo njĂ« misogini (akt urrejtje) qĂ« vjen nga vargu dhe krijimtaria e Traboinit pĂ«r seksin e kundĂ«rt. Dhe kjo dashuri brenda dhe jashtĂ« disa kornizave letrare tĂ« misoginisĂ« gatuan me vetĂ« penĂ«n e krijuesit shqiptar mesazhin qĂ« ia lĂ« nĂ« hyrje ‘bedenave letrare’ tĂ« “Itaka Grua” ku thekson “... do mbledh tĂ« gjitha lotĂ«t e grave tĂ« botĂ«s tĂ« bĂ«j me to njĂ« varĂ«se pĂ«r Diellin...”. Pas kĂ«tyre vargjeve tĂ« koduara vetĂ« dekodimi i tyre kulturor Ă«shtĂ« njĂ« akt qĂ« kryhet nĂ« dimensionin e respektit dhe tĂ«rĂ« lidhjeve me shpirt-krijimtarinĂ« e tij artistike. Le tĂ« sqarojmĂ« paksa lidhjen dhe tendencĂ«n e pikĂ«s sĂ« parĂ«, si njĂ« kundĂ«rshti, por edhe si njĂ« pĂ«rdorim nĂ« vlera tĂ« kapshme dhe tĂ« tendosura filozofike pĂ«r lidhje-jetĂ«n. ËshtĂ« kjo lidhje dhe kundĂ«rshti mes vetĂ« misoginisĂ«. Si e tillĂ« misoginia (loja/apo nga origjinalja nĂ« gjuhĂ«n greke m
ÉȘsɒdʒÉȘni) Ă«shtĂ« nĂ« thelb mospĂ«lqimi i grave, ose urrejtja ndaj kĂ«tij seksi. Misoginia pra siç e cituam vjen nga gjuha greke, njĂ« term qĂ« herĂ«t nĂ« poezinĂ« greke zuri njĂ« vend dhe debat, i cili u vazhdua mĂ« tej edhe nga poetĂ« tĂ« tjerĂ« dhe kritikĂ« e analistĂ« perĂ«ndimorĂ«, qĂ« ndĂ«rtuan lidhje tĂ« tĂ«rthorta mes fjalĂ«s misoginia (ÎŒÎčÏƒÎżÎłÏ…ÎœÎŻÎ±) nga misos (ÎŒáż–ÏƒÎżÏ‚, urrejtje) dhe gynē (ÎłÏ…ÎœÎź, grua). Pra nĂ« lĂ«minĂ« e poezisĂ« edhe pse ky person qĂ« i rrĂ«fehet kĂ«tij termi lidhet me atĂ« qĂ« nĂ« thelb Ă«shtĂ« ‘se i urren gratĂ«’ dhe quhet njĂ« misoginist, nĂ« thelbin letraro-poetik ai, pra poeti ndĂ«rton njĂ« marrĂ«dhĂ«nie emocionale tĂ« tillĂ« pĂ«r tĂ« rrĂ«fyer mĂ« shumĂ« se urrejtja dhe dashuria. NjĂ« poezi e pĂ«rafĂ«rt me kĂ«tĂ« tematikĂ«, dhe pĂ«r tĂ« ndĂ«rtuar mĂ« mirĂ« kuptimin dhe thelbin e saj Ă«shtĂ« poezia e poetit Richard Moore. Poema e tij “MISOGYNIST'S LOVE” (Dashuria e misoginistit) ka marrĂ«dhĂ«nie tĂ« tilla qĂ« lidhen me moshĂ«n, kur dashuria pĂ«rkeqĂ«sohet, dhe me faktin qĂ« seksi i kundĂ«rt mbetet njĂ« anatemĂ« mes vargut “Tani ju: njĂ« person i mirĂ«!”. Dhe pastaj vazhdimi qĂ« pason atĂ« mes njĂ« stigme statike dhe misoginie reflektuese, tĂ« acartĂ« shpirtĂ«rore: “MirĂ«si, ndjenja tĂ« thella tĂ« pĂ«rbashkĂ«ta/kur unĂ« isha pĂ«rgatitur tĂ«rĂ«sisht/pĂ«r njĂ« tjetĂ«r femĂ«r bandite./UnĂ« nuk jam i sigurt qĂ« unĂ« mund ta duroj.”

NjĂ« poezi e tillĂ« le dyert hapur pĂ«r tĂ« kuptuar edhe poetin Traboini, sidomos tek poezia e tij “Ikja e fundit” tĂ« cilĂ«n pĂ«r hir tĂ« kĂ«saj lidhjeje dhe pĂ«r ndihmĂ« tĂ« lexuesit po e sjellim tĂ« plotĂ«: “ÇfarĂ« Ă«shtĂ« bĂ«rĂ« nuk mund tĂ« zhbĂ«het/puthjet s’mund t’i shkulim nga buzĂ«t/as t’i ndukim nga mendja/sa kohĂ« gjallĂ« jemi pĂ«rmbi dhe/idili ynĂ« me ne do tĂ« vdesĂ«/kur rrugĂ«n tĂ« marrim pĂ«r atje.../nĂ« shkofsha i pari, do kthehen nĂ« kujtim/nĂ« imazhe dashurie qĂ« rrojnĂ« ende.../edhe pĂ«r ikjen e fundit paska njĂ« ngushĂ«llim/puthjet qĂ« tek buzĂ«t e tĂ« dashurave le.” Siç shihet nĂ« thelb autori nuk le shenja misoginie nĂ« kĂ«tĂ« poezi, veç faktit qĂ« kuptohet nga filozofia e saj mes termit tĂ« pashfaqur, simtomĂ« e ndarjeve, apo “urrejtjeve” pa shka qĂ« fshehin dhe herĂ« mbulojnĂ« e zbulojnĂ« dashurinĂ« dhe misogininĂ« e autorit. Autori zgjedh fundin tĂ« plotĂ«sojĂ« mesazhin e tij, por edhe tĂ« japĂ« njĂ« akt tĂ« ndjeshĂ«m nĂ« kĂ«tĂ« pikĂ« analizĂ«.
SĂ« dyti poezia e poetit Traboini nĂ« kĂ«tĂ« rast Ă«shtĂ« njĂ« poezi e shkruar nga njĂ« kĂ«nd burrĂ«ror, (mashkullor), ku elementi i ndĂ«rthortĂ« i gjinisĂ« karakterizohet nga dashuria dhe refleksi respektues pĂ«r tĂ«. Dashuria dhe marrĂ«dhĂ«niet gjinore nĂ« tĂ«rĂ« strukturĂ«n e poezisĂ« sĂ« Traboinit karakterizohen nga lidhje tĂ« forta njohurish dhe njohjesh tĂ« agravuara historike. Kjo shihet tek poezi tĂ« tilla si “Kuti e vlerave”; “Visoret e Diellit” etj. Tek kjo e fundit Ă«shtĂ« kjo tĂ«rthori qĂ« sjell qartĂ« mes vargut “tĂ« marrĂ«t!/edhe Homeri mbase kĂ«shtu thoshte/teksa nĂ« fantazinĂ« e tĂ« verbĂ«rit/i pĂ«rndizej Helena e ArtĂ«/tĂ« marrĂ«t/tĂ« marrĂ«t/tĂ« marrĂ«t”. Po tĂ« vĂ«rejmĂ« me kujdes kĂ«tĂ« fuqi tĂ« vargut tĂ« Traboinit, tĂ« cilĂ«n e lexojmĂ« edhe me gjuhĂ«n e kritikĂ«s shqiptare tĂ« Jorgo Bulos (1976), kur citon se “problemet e traditĂ«s sonĂ« letrare janĂ« shprehje e ndĂ«rgjegjes sĂ« njĂ«sisĂ« etnokulturore tĂ« popullit shqiptar”; me analizĂ«n e Anton BerishĂ«s, qĂ« e sheh tek “pasionet dhe shfrimet e zemrĂ«s” (1978) apo edhe tek kritika e Rexhep Qosjes qĂ« e sheh kĂ«tĂ« si njĂ« “kult tĂ« sĂ« shkuarĂ«s”(1968). Duhet theksuar se ashtu si Bulo, Berisha, Qosja dhe mjaft tĂ« tjerĂ« qĂ« pasojnĂ« kritikĂ«n shqiptare nĂ« vite, emra tĂ« tillĂ« si Fetiu, Aliu, Vinca, Jasiqi, Mekuli, Hoxha, Matoshi, Kraja, Kryeziu, Ismajli, Hamiti, Gashi, Shita, DĂ«rvishi, Gega, Jaka, Rugova, Agani, Latif Berisha, Doda, Hysa etj. kanĂ« pasur parasysh njĂ« fakt sublim atĂ« qĂ« nĂ« shekullin e 17 kjo risi nĂ« krijimtarinĂ« PerĂ«ndimore u hap me njĂ« aspekt tĂ« ndryshimit tĂ« madh social e cila arriti kulmin nĂ« ekzekutimin pĂ«rfundimtar tĂ« mbretit Charles I nĂ« vitin 1649. Kjo krijoi njĂ« atmosferĂ« tĂ« konfliktit qĂ« i dha shansin tĂ« pĂ«rhapet mĂ« shumĂ« nĂ« segmente tĂ« caktuara tĂ« letĂ«rsisĂ« sĂ« periudhĂ«s. Shkrimet e John Donne janĂ« plot ndjesi me kĂ«tĂ« ‘konflikt’, duke shprehur e duke reflektuar me pĂ«rmbajtjen e tyre njĂ« pamje tĂ« dashurisĂ« por dhe njĂ« analizĂ« tĂ« ‘grave radikale’. NĂ« kĂ«to krijime shihet edhe njĂ« shfrim me cinizĂ«m tĂ« ndryshuar nga ajo qĂ« brezat e mĂ«parshĂ«m tĂ« poetĂ«ve na kishin dhĂ«nĂ«. KĂ«shtu nga analistĂ«t krijimtaria e John Donne, sidomos ajo qĂ« lidhet me fenomenin e dashurisĂ« Ă«shtĂ« parĂ« si e devijuar shumĂ« nga filozofia mesjetare e dashurisĂ«, e cila kishte qenĂ« e shprehur nĂ« poezinĂ« e dhĂ«nĂ« nga sonetet e gjigantĂ«ve tĂ« tillĂ« poetik si Sidney dhe Petrarka.

Pa u zgjatur nĂ« kĂ«tĂ« lidhje historike, por pa vĂ«nĂ« itinerar ndjesor apo ngjashĂ«m kundrinues, tĂ«rĂ« aspekti qĂ« lidhet me shfaqjen simbolike tĂ« dashurisĂ« sĂ« poezisĂ« maskuline tĂ« Traboinit dendet mes vargjesh tĂ« tilla “Plasa t’i bind miqtĂ« e mi piktorĂ«/se shqiptarka e ItalisĂ«/ka sisĂ«t mĂ« tĂ« bukura nĂ« botĂ«/e se Udha e QumĂ«shtit zĂ« fill/nĂ« thithkat e saj...” (SisĂ«t a Anave); nĂ« poezi tĂ« tilla si “I dashuruar me njĂ« karficĂ«”; “Tundimet e CircĂ«s” etj. KĂ«shtu njĂ« shembull i qartĂ« i universalizimit tĂ« dashurisĂ« Ă«shtĂ« parĂ« nĂ« "Maria LaforĂ«t" me vargjet e saj “mendo pĂ«r njĂ« çast tĂ« mos kishte Marie,/pĂ«rtej tĂ« tashmes do tĂ« kish veç pikĂ«llim/çdo mĂ«ngjes mĂ« me gĂ«zim zgjohemi/kur shpresojmĂ« me Marien tĂ« kemi takim...” Ne shohim njĂ« marrĂ«dhĂ«nie shumĂ« mĂ« tĂ« balancuar tĂ« shprehisĂ« sĂ« dashurisĂ« dhe fuqisĂ« saj tunduese, por edhe ndjejmĂ« emocionet nga kĂ«ndi maskulin edhe nĂ« vargje tĂ« tilla si “Pasioni pĂ«r tĂ« gjetur nĂ«pĂ«r mĂ« botĂ« mĂ« treti/amĂ«lsia e flladit, çdo mĂ«ngjes e mbrĂ«mje/mĂ« ngjall shpresĂ«n/se njĂ« ditĂ« do tĂ« dalĂ«sh prej detit...” (PĂ«r njĂ« nimfĂ« Ă«ndĂ«rroj).
Emocionet e Traboinit janĂ« pĂ«rshkruar shpesh duke pĂ«rdorur imazhet sezonale, me tĂ« shpeshta kontraste midis tĂ« nxehtit dhe tĂ« ftohtit, midis asaj qĂ« autori e quan “PĂ«rrallĂ« nga koha e rinisĂ«”: “tek rrinim nĂ« muzg, tĂ« dy shtrirĂ« mbi bar/tek liqeni i TiranĂ«s tĂ« brendshmet m’i la/e iku e xhindosur nĂ«pĂ«r natĂ«n me erĂ«...”.
ShpeshherĂ« Traboini, dhe kjo Ă«shtĂ« pika e tretĂ«, krijon njĂ« ton shumĂ« ironik, nĂ« tĂ« cilĂ«n ai shkund dhe sintaksĂ«n mĂ« tĂ« fortĂ« tĂ« gjuhĂ«s, dhe shkĂ«rmoq mendimet veç e veç, pĂ«r tĂ« dhĂ«nĂ« imazhin e atyre idealeve tĂ« ndĂ«rtuara kallp. Poema “Çamja e bukur” fillon me, “Zura mike njĂ« belhollĂ«/çame e bukur nga Filati/zgjuar Ă«ndrash, ik mes klithmash/pĂ«rmes flakĂ«sh edhe zjarrit/” duke na dhĂ«nĂ« kallpin e “Zervas kur u erdh tek praku” dhe kur me “plumb vriste fĂ«mijĂ«”...

Por kryesore dhe tejet e rrĂ«ndĂ«sishme Ă«shtĂ« forca e vargut tĂ« Traboinit tek perspektiva me tĂ« cilĂ«n janĂ« parĂ« gratĂ« nĂ« poezinĂ« e tij. Poezia e tij ka detajuar dhe nga detaji i saj e ka shkurtuar distancĂ«n e akullt me tĂ« cilĂ«n gratĂ« shihen dhe konceptohen nga elementi mashkull. Por nĂ« fakt (nga njĂ« perspektivĂ« moderne), kjo çon shpesh nĂ« pasazhe dhe ndjenja tĂ« cilat mund tĂ« pĂ«rshkruhen si lidhje misoginistike. Spektrit tĂ« opinioneve tĂ« tij poetike, megjithatĂ«, duket se i Ă«shtĂ« afruar njĂ« gjuhĂ« me njĂ« gamĂ« tĂ« lakueshme qĂ« rreket mes mishĂ«rimit dhe barazisĂ« inekzistente tĂ« dashurisĂ«. Traboini nĂ« mjaft poezi tĂ« tilla si “Trillet e ngjizjes” apo “Hymn klithmĂ«s”, e vendos objektin e dashurisĂ« mbi njĂ« piedestal tĂ« lĂ«vizshĂ«m si nĂ« ‘lumenj’ apo edhe tek “koha jonĂ« sizifiane”. Por, Traboini nĂ« njĂ« kĂ«nd tjetĂ«r ridimensionon me njĂ« kthesĂ« tĂ« fuqishme tipike tĂ« vargut tĂ« tij deri nĂ« pĂ«rshkrimin mĂ« tĂ« fuqishĂ«m figurativ poetik didaktin e normave shoqĂ«rore. “FjalĂ« pa fund” apo edhe “ZogjtĂ« e shiut” janĂ« metafora tĂ« fuqishme qĂ« pĂ«rmbyllin deri nĂ« efektin mĂ« tĂ« plotĂ« kĂ«tĂ« marrĂ«dhĂ«nie intuitive tĂ« vargut nĂ« perspektivĂ«.
E kam theksuar edhe mĂ« parĂ« nĂ« analizat e mia pĂ«r poezinĂ« e kĂ«tij poeti, se  “poezia e Traboinit shkon tek syri i lexuesit e stolisur, dhe jo e mbingarkuar, e zbukuruar pĂ«r tĂ« nusĂ«ruar...” (Terziu, 2009). Por me sa duket nĂ« kĂ«tĂ« “nusĂ«rim” fjala qĂ« lidh shpirtin poetik dhe vargun tipik tĂ« Traboinit nĂ« njĂ« fushĂ« tĂ« begatĂ« e tĂ« plortĂ« delikate Ă«shtĂ« mĂ« shumĂ« se respekt, njĂ« pĂ«rkushtim.

www.fjalaelire.com