SILUETA TË
PROFILIT NË IKJE
- Mbi krijimtarinë poetike të Kolec Traboinit-
Shkruar nga ANTON GOJÇAJ
Podgoricë
Podgoricë
Krijimtaria
poetike e Kolec Traboinit mund të shijohet edhe e shkëputur nga të dhënat për
biografinë e autorit, mirëpo nëse lexuesi është i njohur me to, ajo bëhet më e
kuptueshme dhe mund të vlerësohet më drejt. Ky këndvështrim “pozitivist” është
i justifikueshëm për disa arsye: e para, sepse Koleci është biri i Palok
Traboinit, bashkëluftëtarit të Dedë Gjo Lulit dhe autorit të poemës historike “Lufta
e maleve”; e dyta, sepse Koleci që student (1973) botoi librin e vet të parë
(me tregime), për të cilin pat marrë
çmimin inkurajues në konkursin kombëtar të letërsisë dhe arteve, librin e
radhës me përmbajtje letrare artistike, një përmbledhje poezie, e botoi vetëm
në vitin 2002, domethënë rreth 30 vjet më vonë. Pastaj, brenda vetëm një dhjetëvjeçari,
2002-2013, lexuesve u dha madje dhjetë përmbledhje me poezi. Akumuloi një kohë të
gjatë, për të “eksploduar” në moshë të pjekur. Mund të jetë që periudha e
diktaturës nuk ishte ambienti i duhur për ta zgjuar talentin e fjetur, apo
ndoshta poeti nuk dëshironte të shkruante sipas diktateve dhe modeleve (të
imponuara) të kohës - qoftë edhe duke dhunuar dhuntinë e vet. Pas rënies së
diktaturës, njëzet vjet brodhi gjithandej, në mërgim, në kërkim të “Atdheut” të
ri për familjen e vet. Familjes, pas një odiseje shumëvjeçare ia gjeti çerdhen
e re, në SHBA, por vetë u kthye në “Itakë” - Shqipëri. Vitin e fundit Traboini
botoi dy përmbledhje të reja. Njëra, që nga titulli “... E kam atdheun tek
porta” paralajmëron disponim refleksiv, kurse tjetra “Dashuri” kumton një
tematikë klasike, por gjithmonë aktuale, atë të dashurisë...
. . .
1. Zëri
i brezit të të arratisurve
(“
... e kam Atdheun tek porta”, poezi, Tiranë-Boston 2013)
Të dhënat
nga ballina e librit që në tekste letrare dikush i quan elemente paratekstuale,
në rastin e vëllimit “... e kam atdheun tek porta”, kanë peshë semantike
specifike, pasi pjesa e dytë e emrit - TRABOINI - është emri i vendlindjes së
lindjes së të atit të autorit, fshat ky që ndodhet jashtë kufijve të
Shqipërisë, kurse titulli të cilit i mungon kryefjala, sikur simbolizon një
identitet të përgjysmuar, në lëvizje, prej nomadi... Ligjërimi i folësit lirik
në këtë vëllim mund të konsiderohet tipik për marrëdhënien e shqiptarëve të periudhës
postkomuniste me atdheun, të cilët u shkapërderdhën në të gjitha drejtimet dhe
anët e botës, në kërkim të një jete ndryshe larg tij dhe që, në tokën ku kanë lindur
kthehen, kryesisht, vetëm herë pas here (për pushime) dhe përkohësisht. Kolec
Traboini, me këtë libër, është zëri i brezit të të arratisurve (apo që të mos
ketë konotacion pezhorativ: shpërthyesve të kufirit të vdekjes dhe izolimit) –
“Ishin
vitet ‘90,
koha
e ikjes së madhe
koha
e shpresës së thyer në njëqind xhama
me
dritaret e shtëpive të shqyera e vatra pa zjarr
ikja
ishte një shkëndi shprese në lugina e male.”
(Requiem për
ëndrën e vrarë)
Fjala “Atdhe”,
në këto poezi, pa e humbur kuptimin e parë nga fjalori, gjeneron nuanca të reja
semantike pandërprerë, si një “konstantë e ndryshueshme”, në varësi nga motivi
apo disponimi i çastit i folësit lirik, duke i dhënë lexuesit një spektër të
pasur konotacionesh dhe emocionesh, që karakterizohen, si gjithë poezia e këtij
autori, me një shkallë të lartë komunikativiteti, ku çdo varg është i denjë për
një meditim të gjatë.
Atdheu
është atje ku ngjizet dashuria
por
edhe atje ku mbi varre rëndon një gur
mbi
kokën e gjysh-stërgjyshërve, edhe atje
ndodhet
Atdheu që s’harrohet kurrë.
(Fëmijët tek
pragu)
Odiseja e
folësit lirik, alias autorit, pas arratisjes dhe bredhjes shumëvjeçare,
nënkupton edhe kthimin në “Itakë”, si dhe zhgënjimin e shumëfishtë të tij me
realitetin që gjen aty:
Në rrafshin
psikologjik -“U ktheva në atdhe nga dhera të huaj/por jeta nuk u ktheka
përsëri”; Në rrafshin filozofik:“Sepse asnjë
gjethe që rrëzohet/para syve tanë në qiejt e kësaj fundvere”/ nuk është e
mundur të kthehet/ sërish në degë; Në rrafshin
social-politik (pezmi i poetit të pakënaqur me gjendjen në Atdhe arrin
kulminacionin duke shpërthyer përmes një name monumetale të realizuar me një
patos të theksuar dramatik): “Unë votën time do ta shes/ se nuk kam bukë për
drekë e darkë./
Heu..., ju vraftë Zoti me rrufe/ për fukaranë të marri hak.”
Vjersha me
titullin “Ma vodhën Atdheun” qëndron në vazhdën e traditës më të mirë të
poezisë sonë satirike, në shëmbëllim të satirikës së P. Gjergj Fishtës, Ali
Asllanit e ndonjë tjetri. Intonacioni i rreptë, që del nga zjarri i zemrës,
drejtpërdrejt dhe pa latime të tepërta stilistike, u bën gjëmën “hajdutëve e kopukëve” që Atdheun e infektuan me virusin e tëhujasësimit dhe
shuarjen edhe të atyre pak shkëndijave të idealizmit patriotik që mbijetuan katrahurat
historike, me pasoja gati apokaliptike për shëndetin e identitetit kombëtar dhe
kulturor të shqiptarëve.
Trumbetojnë
lirinë që s’e kemi
demagogët
tanë kokëtrashë
kinse
nuk e dinë se nuk ka liri
atje
ku nuk ka as bukë të hash
Nuk
ka liri kur je i papunë
nuk
ka liri kur nuk ke shpresë
i
mbetur në mes udhëve në mjerim
njeriut
s’i mbetet veç të vdesë.
(...)
Ma
vodhën Atdheun kur ika
ma
vodhën Atdheun si të mos ish
erdh
koha të ndjehem i huaj
në
vendin tim kur u shfaqa sërish
(...)
Tani
jam si një pellazg pa vendlindje
një
shqiptar mërgimtar - pa Shqipëri
e
vetmja strehë ku mund të vë kokën
është
një vrimë miu me emrin shtëpi.
Sepse,
o Zot, çdo gjë mbi këtë dhe
në
këtë tokë ku farë urrejtjeje mbollën
ca
qen bir qenësh të vendit tim
ma
shkatërruan, ma vranë, ma vodhën.”
Tonet
refleksive të gërshetuara me mllefin e poetit, lexuesve u ofrojnë një tryezë të
shtruar me begati idesh, emocionesh, shfryrjesh, pasioni..., që e kompensojnë
në kuptimin e plotë të fjalës kohën që ua marrin atyre. Një njohje (iluminim) të
llojit të veçantë folësi lirik artikulon në momentin kur duke iu drejtuar
pasardhësit të vet, Matteos së vogël, i cili jeton në Boston, shprehet:
“Ne
jemi shqiptarë, malësorë, bijtë e Hotit,
Ti
tashmë i përket një kombi tjetër
Por
të gjithë popujt janë bijtë e Zotit!”
(Mirëdita
Matteo!)
Në libër ka
motive anti-politike lidhur me statusin e artit në shoqëri (Shi e ngricë për
bilbila, Rruga e pluhurit, Engjëjt i vrasin, Gazeta botoi shkrimin tim për
atdheun, etj.), motive ambientaliste (Pallate pa diell, etj. ), vargje të
angazhuara kundër dukurisë së trafikimit të qenieve njerëzore, sidomos të
femrave (Vajza e semaforëve), çka arrin kulminacionin në krahasimin antiheroik
e “migjenian“ - “Atdheu si një trup
prostitute“, madje edhe meditime interesante për
globalizmin (Kur bota të jetë një Itakë).
. . .
2-Dehje
vjeshte
(Dashuri,
poezi,Tiranë-Boston 2013)
Kolec
Traboini me krijimtarinë e vet poetike në dy deceniet e fundit përmbys disa
stereotipe, të cilat reflektohen në përmbajtje, cilësi dhe kuantitet.
Ai ndryshon
nga shumica e shkrimtarëve të tjerë për faktin se në portën e letërsisë hyri me
një libër me tregime, në moshë të re, kurse njëzet vjet më vonë vazhdoi me
poezinë. Zakonisht ndodh e kundërta, fillohet me poezi e pastaj kalohet në prozë.
Paragjykimi tjetër që thyen ai ka të bëjë me cilësinë: thuhet shpesh se poezia
më e bukur për dashurinë shkruhet në moshën e re. Traboini vargjet më të mira
për dashurinë, i shkruan në vjeshtën e jetës. Dhe jo vetëm se shkruan mirë për
dashurinë, por shkruan edhe shumë. Në gati secilën përmbledhje të tij motivi i
dashurisë mbizotëron.
Libri në
fjalë është një përzgjedhje e poezive të dashurisë nga gjithë krijimtaria e tij
e deritashme.
Është një
poezi joshëse, e cila lexohet me ëndje, që s'ka nevojë për zbërthime të
mundimshme kuptimesh. Është e vetinterpretueshme, e plotë, e përmbyllur në
vete, me një fjalë – e vetëmjaftueshme. Dhe asnjëherë hermetike.
Poeti,
ndihet i përfshirë nga tallazet e dashurisë, çka e përjeton si një dalldisje që
sfidon racionalen dhe kohoren:
Kjo
dehje vjeshte keq na zuri
Si
gjeth mbi gjeth të dy na vuri
Me
ditë e netë krejt u harruam
Si
frut me frutin dashuruar.
(Kjo dehje
vjeshte)
Epshi për ta
shijuar të bukurën e re, adhurimi i saj, akoma nuk është fikur, pavarësisht
trashjes së vazhdueshme të stivës së kalendarëve, një qëndrim mashkullor ky që
ma kujton Çarls Bukovskin (dallimi mes tyre është se Traboini shmang
banalitetet dhe vulgarizmat dhe është paksa më eterik), mirëpo ligjet e fizikës
dhe mosha njeriun e vënë përballë problemeve të pazgjidhshme:
Si
vallë s'u gjend ende një shpikje
moshës
t'i kthejë rininë e parë
se
shpirti që më fut në ngasje
më
thotë: ke mbetur si një djalë.
(...)
I vu
udhëtarët në ëndërrime
dhe
unë përhumba në fytyrë të saj
me një
dilemë që kurrë s'gjen zgjidhje
-Këtë
moshë më dysh si mund ta ndaj?
(Një vajzë
në Torino)
Mosha e
poetit përcakton edhe perspektivën e folësit lirik, në ligjërimin e të cilit ka
shpesh reminishenca drithëruese për kohën e shkuar: „ndaj shkoj herë pas here në motin e shkuar /të kërkoj çfarë sot nuk e
gjej mjerisht.“
Fëmijëria
dhe rinia e hershme lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirtin e njeriut, çka
shprehet fuqishëm edhe në krijimtarinë e Traboinit. Në vjershën “Dashni në
kohën e kolerës“, që aspak rastësisht ta sjell në mendje titullin e romanit të njohur
të G. G. Markes-it, kujtohet me mall koha e rinisë, e cila edhe pse në rrethana
“kolere” arrin të prodhojë çaste të paharrueshme, të cilat pas shumë vjetëve
shpërthejnë në trajtën e shkëndijave të një nostalgjie përvëluese. E gjitha kjo
jepet si një tabllo e cila, për rrezet semantike dhe emocionale që përmban, e
kapërcen, por nuk e zhduk, motivin bazik:
Oh,
rinia jonë e varfën
deri
tek vështrimi, më tej drithërima
dhe
orgazma cfilitej brenda vetes
diktatura,
polici, dhuna, frika
burgu,
internimi, ndalimi
ia
troshiste epshet njeriut
që
bante dashni veç me sy
dashni
pa buzë, pa gji, pa kofshë
dashni
në eter, pa mish e kocka
ne
djemtë e rrugës Badra...
Në linjën e
kujtimeve të dashurisë është edhe mësimi që heroi lirik mori nga jeta, e të
cilin ia përcjell lexuesit: kujdes nga mbivlerësimi i vetes dhe nga krenaria e
tepruar, sepse në lojën e dashurisë nuk durohet mendjemadhësia, ndërsa tentimi
për
të luajtur,
deri në nënshtrim, me ndjenjat e partnerit, ndëshkohet:
Thash
se ish e imja krejt
se ne
bashkë kishim fjetur
po
ajo gjeti një tjetër
puth
ajo e nduk ai.
Mendoja
do vriste veten
tragjikisht
në dashuri
po
ajo gjeti një tjetër
puth
ajo e nduk ai.
(Rri e shoh
një re në qiell)
Veçantia e
kësaj lirike është se dashurinë nuk e pranon vetëm si relike të kujtesës nga
koha e rinisë, por e kërkon në mënyrë aktive edhe në çastin e shkrimit, anipse
në vjeshtën e jetës. Vazhdimisht përsiat për atë temë, shtron pyetje dhe
përgjigjet, duke mos e humbur ngrohtësinë dhe besimin në kuptimësi:
Ajo
çfarë ndjejmë, një shkëndi
që
ende shpreson të ndezë zjarr
ty
ende trupi të ka eshkë
e mua
mosha më ka strall.
(Me kitarë
në breg të detit)
Bëhet fjalë
për një lirikë pjalmuese, në vokabularin e së cilës frekuentojnë shpesh afshet,
epshi, seksi, zjarret, puthjet, buzët, zemra, poleni, prushi, flakët, kofshët,
vithet, sytë, flokët, por sidomos gjoksi. Gjoksi është kryefjala e këtij libri,
që shfaqet në trajta (edhe si sinonim dhe sinekdotë) të ndryshme: gjinjtë,
sisa, cica, thithka, supi... Kjo mund të interpretohet me lidhjen “simbiotike”
të kënaqësisë erotike që mashkulli gjen në gjinjtë e gruas dhe me semantikën
tragjike të Rozafës, që mëkon fëmijën me “tamël guri”, që shton një shtresë të
re psiko-emocionale nëse dihet se Shkodra është qyteti i fëmijërisë së poetit.
Qysh
kur vumë themelet e qytetit mbi gjinin
e
bardhë të një gruaje
me
këtë simbiozë sizmike kemi lindun.
(Simbiozë
shkodrane)
Librin e
shquan një melankoli e ëmbël, të cilën e shpreh mashkulli para të dashurës së
parafytyruar, që herë është e pranishme, e herë mungon, kështu që edhe poezia
mund të kuptohet si një parabolë e udhëtimit të një “Uliksi lirik” drejt Penelopës
së tij:
fatin
e Penelopës – pritje e ke ti
e unë
si Odise pas Odisesh bredh
nëpër
mote
sa
mendimet m'u thinjën e floku m'u zbardh
e
Farët e shpresës janë në të shuar.
(Penelopë e
Odise)
Mbetet
brenda shëmbëlltyrës së heroit fatkeq nga Itaka edhe kur gjatë bredhjeve të
veta, heroi lirik i këndon Circeve (mishërimeve të dashurisë) në Romë, Korinth,
Athinë, Paris, apo:
Eh,
si vajti puna ime
me ca
vargje ëndërrime
me ca
nimfa nëpër rrjeshta
që
m'i sjell e m'i zhduk vjeshta.
Eh,
si vajti puna ime,
nëpër
botë me ca udhëtime
herë
në Boston, herë në Romë
nëpër
lule pa aromë.
Eh,
si vajti puna ime
mbledhur
shuk një grusht kujtime
për
një vajzë atje në Vlorë
për
një Ofeli si borë.
(Eh, si
vajti...)
. . .
Kolec
Traboin është një mjeshtër i rimës. Lehtësia me të cilën e funksionalizon
estetikisht rimën, por edhe figurat tingëlluese dhe përsëritëse, frazeologjinë shqipe,
janë mahnitëse. Nuk është adhurues i risive stilistike me çdo kusht, më shumë është
ndjekës i formave klasike, prandaj mund të konstatohet se lirika e tij është
vazhduese e poezisë së mirë shqipe të traditës, në radhë të parë të Lasgushit,
por ka pikëtakime edhe me poetikën e Zef Serembes, Ali Asllanit, kurse te
vjersha “Zemër çmendurake“ ka ngjashmëri (në ritëm) me “Marathonomakun” e Nolit,
etj. Natyrisht që ka elemente të ndryshme poetike që bashkëpërkojnë, herë më
shumë e herë më pak, qoftë në formë, qoftë në frymë, edhe me poezinë e autorëve
më të mirë bashkëkohorë shqiptarë.
Koha
javore, nr. 601, f. 10-11 dhe nr. 602, f. 10-11, 30 janar dhe 6 shkurt 2014, Podgorice