MOS VDIS DASHURI 2002 NOKTURN 2004 REQUIEM PËR NJË GJETHE 2005 TRINIA IME 2006 KOHA E PROSTITUTAVE 2007 ITAKA GRUA 2008 LULE PELLAZGJIKE 2012 U DASHKA TË DAL NATËN VONË 2012 E KAM ATDHEUN TEK PORTA 2012 DASHURI 2013 FAJIN E KA HEKUBA 2014 ORAKUJT NË FERR 2015 ODEON 2016 OFELI 2019 ODE PËR SHKODRËN

🟣TRINIA IME - K.Traboini/ Tiranë-Boston 2006



KOLEC p. TRABOINI
 
TRINIA IME

Sa herë i kthehem rravgimeve të kujtesës
ndër vite e kohë pa kthim, me pikëllon mendimi
se me Shkodren e shkodranishten u tregova plangprishës
- me shkak a mosshkak
i ikun në kerkim të Itakës sime
që në prag të feminisë më kishte braktisun.


Në Greqi, Itali e Amerikë e kerkova
sa më shumë i afrohesha aq më shumë ikte larg
si unë që u terratisa prej Shkodrës e shkodranishtes sime
- me shkak a mosshkak.

Mezi belbëzoj me dialektin e vendlindjes
i harruar nëpër ishuj si Odise plak 
tre herë jetim u gjenda në shtegtime
pa Bab
ë, pa Atdhe e ...pa Itakë

2006


ERDHI KOHA…

erdhi koha të bisedojmë për ca e dashuri të hershme
që vitet  tashmë i kanë marrë nëpër shtjella pasionesh inkandeshente
i kanë fluturuar larg, siç mbi tryeza kafenesh merr era gazeta të vjetra
e s'na mbetet, veç të leme filxhanin e ekspresit bosh e ikim
shpirtërisht të dërmuar e fizikisht të përgjunjur
sepse tashmë deri në kockë na ka trokitur vjeshta.

kokëulur të bindur si Budë, erdhi koha
t'i themi  natën e mirë diellit mbi det
e zogjëve, që nxitojnë të gjejnë fole mugëtirave, t'u themi
se pasi e lë të harliset nën qiell si kalë pa fre
zoti, për dënim, i ka taksur njeriut natëdimër-mizorinë
të bredh si zog nëpër natë, pa mundur kurrkund të gjej një fole.

erdhi koha...


COKLA

- nuk ka dru- tha mësuesi i fillores.
ashtë dimën i ftohtë! Do ngrini!
ne pamë njeri-tjetrin në sy
e vjedhtazi edhe mësuesin
si të ishim fajtorë, por s’ folëm.
i hollë, i gjatë, nevrik por i drejtë, Kol Alimhilli
na tha veç një fjalë:
–s’ka mësim, shkoni për cokla.

oh-ooo, aq deshëm. Pa marrë vesh ç’na tha e pa ditë
ç’do banim, ikëm plot zhurmë e u gjëndëm
në Gjuhadol... tek dyqani ku shitej pistili.

të nesërmen prap u gjëndëm në atë klasë
si të ishte një katamb prej akulli
duart zbrazun e sytë për tokë...
mësues Kola na pa, tundi kokën e me vete diç foli.
e mbylli regjistrin e u nis drejt Zallit të Kirit
mbas tij edhe na, rrugën përskaj Rrmajit morëm.
i egër ish lumi e mësusi fort i rreptë.
na kish thënë për coklat, por ne nuk dinim
ç’janë coklat; as fjalën e as kuptimin.
atëherë mësues Kola në breg të lumit 
nisi të ligjërojë:

- cokla asht dru e limume prej lumit, si alabastër
por nuk ashtë veç dru - ashtë edhe fjalë
e drunin do ta marrim për zjarr
e fjalën do ta shënojmë në fletore
që kur të vij dimni tjetër
të mos më vini në klasë pa cokla.

e mësuam atë fjalë. E shënuam në letër. 
Kishim një fjalor doracak për secilin, 
e thuj tana fjalët kjenë gegënishte
por vitet shkuan e na i harruam coklat
edhe si dru edhe si fjalë.

tash që mësuesi s’asht ma e fjalët 
e gegënishtës janë bjerrun, 
më duket se ndigjoj nji za në Rrmaj, 
- mësues Kola t’u thotë gjuhëtarëve, 
edhe në dimën edhe në verë, pa pra:
- ikni e më sillni cokla....

2006

KALVARI I FJALEVE

Ma kanë mohue britmën e parë të lindjes
e shpërgajt gegnisht kso dore mi kanë djegë
tash jam i përçudnuem si zog pa pupla
me belbëzime fjalësh nëpër degë.

herë-herë më duket vehtja si Krisht
por edhe si Judë-tradhëtar me shfaqet jo rallë
rri e mëkoj plagën time vetvrasese
me balsamin e fjalëve të vjetra sa bota.

tash unë guxoj, do po më thonë tejet vonë
se dielli në det asht në të ramë
gjithësesi kangën e mjellmes do këndoj
ashtu si në Shkodrën time vajtojcat kjajnë.

nuk mund ti mbaj të mbyllun në gjoks
as kangën, as vajin - nuk du gjoksin ta kem 
vorr i fjalëve
por çerdhja e tyre deri në ditën e mbrame
nga e cila të fluturojnë përditë si zogj...
 

SIMBIOZE SHKODRANE

Kur na zë gjumi mbi gratë, Rozafat që fati
na i ka taksur
ne i ndjejmë ninullat që zbresin prej kalasë
me një djep druni premë prej pyjesh paganë
e lumejt e tamlit dallgëmbytun prej andrrave
harbuem si të ishin Kiri, Drini e Buna.

    dashnija e dhimbja e malli e halli
    drita e errësina, kanga e vaji
    plumbi e pëllumbi e gjarpni nën gur
    flenë krye në krye nën hijen tragjike të harkadave.

nuk ka pse ti ankohna as zotit as dreqit
për aluvionet që lashtësia ne bijëve të Teutës na i percjell
as për fatin që na vuni këtë rrisk biblik ne shkodranëve
të rrojmë si në legjenda e ti mëkojmë fëmijët 
me tamël prej guri, edhe sot mbas dymijë vjetësh…

qyshkur vumë themelet e qytetit 
mbi  gjinin e bardhë
të një gruaje
me këtë simbiozë sizmike kemi lindun.

2006

IKANAKU

Qiellin e përshendeti me një klithje
m'i hiqni shpërgëjt e shiut
ma sillni vetulloren e hanës
e floknajen e diellit ma veni parzmore.

s'mundesh me thanë çka vjejti në pranverë
e në verë, në ç’ vise e troje shtegtoi
në sa popuj e vende andrrat i thuri
veç, stina tjetër e gjeti tek shkokoliste vjeshtën
e dimnit, tuj pa flakët
që shpirtin ja këndellnin si gështenjat në prush
të thoshe veç dy fjalë, që me hi i mbulonte:

tërë jetën e vet hjekakeqe
njeriu me rrashtën e vet thyen gurë!


SHIU I FËMINISË

Kjo ashtë një varkë prej letre
ajo ma andej një andërr fëminie shkodrane
e brenda nje pupël si murg
tue ikë në ujra të rrëmbyeshme.

shiu i fëminisë e kish përmbytun botën
që priste prej meje shpëtimin
të paktën, deri tek pragu i shtëpisë së Cin Daisë
ku katakombeve flinin kulçedrat
që nuk kishin mëshirë për ëndërrimet e fëmijëve.

ende pikëllon ankthshëm koha ime e vogël
ku qiejve nuk i mbetej asnjë pikë lot.
si do të bahej me murgun, kur varka të mbytej
në atë shi fëminie që s'donte të pushojë?!

por varkat mbyteshin e murgu gjithnjë 
ja dilte në krye.
eh, fëmini e çashtër si qielli i luleve të majit
bota do të ishte Saharë pa shiun tuaj.

shirat, që dikur ishin, po, nuk  janë ma
e varkat prej letre,  ku shkuan...
 

PRES TË NDIZET 
NJË YLL NË NEW INGLAND

Në Nju Ingland, çdo mbramje, pres të ndizet një yll
e dallgët pres të me sjellin një torbë me shegë
marrë prej vjeshtës së fundit në rrënojat e Drishtit.

një re puplore pres të më vijë
rrëzuem prej katakombeve te kujtesës
përgjakun prej të shkuemes e prej të tashmes shqyem.

pres të më vijë një fëmijë me emrin e mbiemrin tem
të më marrë për dore e të më çojë tek varri i tim eti
e ime amë, të më thotë: Si të shkoi jeta kaq larg!

pres të ndizet një yll në Nju Ingland
sepse tashmë, më është shuar dielli...
 

ÇFARË TË BAJMË ME KËTË PAQE?!

Edhe kur nuk ka, armiqtë duhet ti shpikim
se ne akull fare nuk mund të jemi
kemi nevojë të ngrohemi
qoftë dhe duke djegun patericat e drujta
me të cilat mezi erdhëm deri në këtë shekull
me ndihmen e ca të "krisunve" përtej Atllantikut
që prej flakëve të sketerrës na shpëtuan
e na thanë - atë çfarë kurrë s’e besuam:
e gëzofshi!

po ne kjo paqe po na zën frymën
ngrihemi e zgjohemi me të nëpër kambë
na ngatrron kur ecim, na ngatrron kur rrimë
se kjo dashka ma shumë stërmundime se lufta.
ne s' dimë të gatuajmë një kulaç me këtë paqe
si flamur dardan i reckosun po na duket
e zhgaba dehur prej droge, po na ngjaka si prostitutë
nën semafor Europe.

jo, jo, kështu nuk mund të shkohet kurrkund
pa një motiv që të ban të ngrihesh nga varri
si Millosh Kopili të rrëmbesh shpatën prej lisit
e të sulesh me kokë nën sqetull kuturu horizonteve…
jo, jo,  pa një motiv, qoftë dhe pa kokë
kurrkund nuk mund të shkohet, kurrkund.

qe besa, edhe kur vdesin armiqtë duhet ti ngjallim
se pasha qiell e pasha dhè
pa armiq fort po ndrin ai diell e pak po nxè
se ne nuk dimë të gatuajmë as një kulaç me këtë paqe...
 
NË RRMAJ

Sa herë shkoj në Shkodër
zë shtegun e selvive të Rrmajit
e ndaloj perpara varrit të Atit.

Të dy në heshtje nuk flasim
peng jeta ime në atë varr
të gjithë ikjet e kthimet aty përplasen.

Re të zymta  ngrysin sytë e mi prej mergimtari
po varri i tim eti nuk ka nevojë për lotë
në Shkodër shirat pikëllojnë sa për gjithë botën.

- Ku ikën?- më thotë im atë që nga varri
sikur të ishte ai e jo unë, i gjalli…

Shkodër, shtator 2006


TRENDAFIL DASHURIE PER ULQININ
                            një vajze ulqinake

Hidhe këtë varg - trëndafil dashunie
në bregun e detit, në Ulqinin e bukur
si një andërr sykaltër vashërie
mbetun peng në lotë pikëllimi
se mbeten brigjet krejt të braktisun
djali me vajzën kurrë ma s’u panë
Shkodra me Ulqinin një shekull të ndamë.

hidhe këtë varg-trendafil dashunie
petalkuq, petalzi e petalbardhë
në bregun e detit të Ulqinit
nëpër valë....
se ndoshtandoshta
në mes Shkodrës dhe Ulqinit
koha për dashni prap ka ardhë.


MISTERI I PRANVERËS

me të kuqërremten e buzëve të tua këtë pranverë
ma zhyte diellin në det, spiranca nuk e mbajti dot anijen
që iku -  nëpër qiellin tim të përflakur prej teje.

u humba , u treta, në krahë më mbështolli 
një degë  trëndafili me aromë e me gjëmba, 
që herë më shponin e herë më dehnin, 
nëpër petale gjaku e buzë të përvëluara dashurie
- Romeo e Krisht së bashku.

jemi larg një kontinent e një oqean 
e  prap duhemi si të çmëndur
         e akujt,
      e bora,
                 e ngrica,
                               e koha
nëpër dherat e botës na fashiti,
por kur vjen pranvera ribëhemi eshkë
sërisht të dëshëruar e të etur :
         për prushin,
                          për flakën,
                                      për gjijte e harlisun,
ndaj rendim si të marrët nëpër aroma prilli 
e shkumbanore deti, 
të ndezim e shuajmë zjarre
 tek njëri-tjetri.



GJINJTË E AFËRDITËS

Gjijtë e Afërditës paskan qënë një grackë fatale
e unë, si zog harrakat këngëtar në portën pa shtëpi
trokita me shpresen e strehës në agim
por u gjenda rob i buzëmbrëmjes tradhëtare.
 
si kitarrë e trishtë mu shfaq qielli i përëndimit
e me lote pikëllimi u krijua një liqen i helmët
që asnjë nimfë syjeshiltë të mos vijë më të notojë
nëpër ëndërrimet e mia të zvjerdhura të zhgënjimit.
 
e tash në vetmi, ja marr një kukame zëmekun
se trokita në portën pa shtëpi e njerëz lugetër
mu shfaqën, e më thanë,  lugatërisht më thanë:
ti je një kal plak e revani yt ka vdekun.


HARPA E VJETËR

si muzikë në harpë të vjetër
Sol në rrudhë e Re në thinjë
duart ledhatim mbi vegël
shpirtin puthin ndënë brinjë.
 
- je një plak marrok i lodhur
ti më thua, mos më shiko
rastësisht ballë teje ndodhur
jam krijese, dosido.
 
një notë tjetër hyn pa leje
e nën vetull zien mendimi
krahërorin peshë t'ia ngrejë
s' nuk njeh jo moshë tundimi...
 
njoh një plak, një harpë të vjetër
Sol në rudhë e Re në thinjë.


I HUAJ…

… apartamenti im i braktisur kaq vjet më duket
si një plakë, që në errësirë palos e shpalos
takëmet e vdekjes netëve të gjata.

gjërat, për mirë a për keq, kanë ndryshuar
bulevardet nuk jam më po ato,
nga ballkoni im shihet më pak qiell
e dielli shket trishtueshëm prapa 12 katsheve.
të tjera pisha, mimoza e mështenka janë mbjellur
e të tjera fytyra reflektojne në vitrinat e dyqaneve
ashtu si në qiell galdojnë të tjerë zogj.

në rrugën time nuk gjej as shokë e as miq
e në parkun Rinia më përshëndesin ca pleq të bardhë
që ju bëhet se në rininë e tyre diku më kanë parë…

në Lidhjen e Shkrimtarëve në vetmi e pi një kafe
aty nuk ka shkrimtarë, veç ca ardhacakë 
visesh të largëta një gjethe verdhane lisi 
që bie mbi tryezë, si i vetmi mik
sikur më thotë,  as mikeshat e vjetra 
nuk janë më vajza.

në rrugë më zgjat dorën e lëmoshës 
një femijë i bërë plak
kolegët e miqtë e hershëm më kot i kërkoj
edhe Vathi, Frederiku, Dionisi, Odhisea  
shkuan në varreza, gëzohem që ende jam gjallë
 - pikëllohem për çfarë ka vdekur 
e  ndjej se, pak e nga pak, bëhem i tepërt
dhe duhet  te iki...

2006

🟢REQUEIM PËR NJË GJETHE - K. P. Traboini / Tiranë-Boston 2005



K. P. TRABOINI 
 
REQUIEM PËR NJË GJETHE

Ra një gjethe mbi stol një ditë vjeshte,
kur në lulishten e qytetit tim isha vetëm.
Nuk e di pse më erdhi e ç'donte të më thoshte
e ç'note muzikore kish sjellur me vehte.

E lashë të këndonte vokalica si vajzë
që nga mësimet e liceut kish ikur,
por fryjti një erë djallëzore e ftohtë
e këngën ja nderpreu papritur.

Frymën e fundit la në dorën time
me një tingull të verdhë, të venitur. 

15 prill 2005


INTERLUD  

Tek endem nëpër fjalët e nëpër vargje
ndjej një fllad që mbështjell kohën time bezhë
pas grisë së rinisë dhe të zezës së fëmijërisë
që kanë mbetur fiksuar në eternën qiellore,
sepse kurrkund më në relievin e tokës
nuk u gjëndet më asnjë gjurmë.

Ai fllad melankolie, që kohës së vrarë i jep frymë, 
tretet nëpër dritëzat e zbehta të së shkuarës
dhe e mbështjell të tashmen - ekzistencën time,
me një aliazh metalik pa ngjyrë…


17 TRËNDAFILA

Ashtu, si gjithmonë gjëndet një varkë e vjetër
tek troshitet brigjeve apo në dete
me imazhin e atyre që mbante dikur, brenda vehtes,

kërkoj për 17 trëndafilat e rrugës Aleksandër Moisiu,
kërkoj brenda njeriut - ku troshiten ngjarje,
kërkoj brenda ngjarjeve -  ku troshitet njeriu.

Sepse tek kushdo e gjithkund
gjendët gjithmonë ndonjë varkë e vjetër
ku janë harruar petale puthjesh të nxehta...

Pres, si një varkë e harruar brigjeve,
të fryjë bunaca e prap në det të dal,
ndoshta në lundrimin tim të fundit

në kërkim të 17 trëndafilave të humbur.


QIELL I VDEKUR

Më lodhi kjo pranverë pa shi,
më lodhi ky qiell i vdekur në sy,
se ç'kam nje dëshirë - të qaj sot me ty.

Më lodhi ky udhëtim pa fund
këto enigma shtigjesh, pa kry,
se ç'kam dëshirë - të qaj sot me ty.

Më lodhi kjo ëndërr e tharë në qerpik,
perjetë të ndarë- kurrë s'u bëmë dy,
se ç'kam një dëshirë - të qaj sot me ty.

Më lodhi mungesa e lotëve,
që koha në qilar i mbylli me dry,
se ç'kam dëshirë - të qaj sot me ty.

Duke mos patur lotë- qajmë si idiotë,
pa pikë loti në faqë e në sy,
se ç'kam një dëshirë - të qaj sot me ty.

Më lodhi kjo pranverë pa shi,
më lodhi ky qiell i vdekur në sy...


16 Maj 2005


GRAVITETI I DËSHIRAVE

Më kaplon ankthi i ikjes prej vetmisë
ndaj perpiqëm në këtë buzëmbrëmje,
të kapem pas një udhëze imagjinare 
për të ardhur deri tek riciklimi i dëshirave,
si copëzat e qelqeve të një kaleidoskopit të thyer
në sfondin e qiellit të zymtë.

Për të ndjerë - në është e mundur,
(sado pak … sado vonë e sa më pranë),
sërisht shpresen për një ëndërr
për një trajtë e për një frymë,
që kurr nuk e humba
dhe askurrë nuk e gjeta...

Më kaplon graviteti i dëshirave
(pa cak …pa fillim e pa mbarim)
Journey of Destination*
i shtrirë pikëllueshëm në mes të tokës e hënës
e kurrgjë tjetër.

Boston 2004
 
*Udhëtim në destinacion


U BËRA TRUNG...

 Po gdhënd një statuetë të drunjtë në trungun e mallit,
që mes shqotave u trand, degët ju thyen e rrënjët kanë nisur ti kalben,
Përditë e gdhënd, por formë nuk merr e mezi i dallohen tiparet,
pastaj si të isha  Zoti i qiellit, i jap frymën time e druri nis e ngjallet.
Rri e shoh krijesen time, që më përqesh si Pinok i zhgënjyer
e vehten e ndjej, si dru që lëviz, në këtë mergim të urryer.

U bëra trug, tërë jetën u vetëgdhënda, kurrë nuk shpëtova prej kalbjes...


VAJZA ME BISHTALEC
       
Portat e zëmres s'më kanë çelës
mi kanë rrëmbyer në rini
një shoqe shkolle më s'mi ktheu;
ndaj hyrë pa trokitur, o njeri!

Esmaja e bukur si perri,
një  vajzë me bishtalec të zi...

2004


VARKA E RE

Më thanë një ditë:
-Ti po e shkatrron këtë varkë të vjetër
që si antikuar, gjithësesi  vlen
e kjo e reja - për ty - nuk ka kurrfarë fitimi,
se lumi yt,  është tepër i ngushtë,
pak do që të dalësh në bregun tjetër.

- Nuk dua të shkatrroj - i them vetvehtes
dhe të tjerëve në poezi ua them, -
por nuk rri dot pa ndërtuar varka të reja
e kjo është destina, fatlume a fatkeqe
e racës së pagjumë të poetëve.

Më thanë e u thashë
e secili shkoi me mendjen e në udhën e vet...

E unë në vetminë time
vazhdoj të ndërtoj varken e re
nën argasjen e erës e shkulmeve të detit,
nën fanarët gjysëm të shuar  të portit të ëndrrave,
nën tingujt e përmortshme të një këmbana
që tonon më Requiemin e Verdit - triumf mbi vdekjën
e nuk më lë - as ditë ë as natë - të dremis kokën.


RABECKAT E MENDIMIT

Nuk mund të heshtja.
Kisha shumë gjëra ende pa thënë,
shumë ide e mendime që kërkonin të shfaqeshin
dhe ja u hap një portëz dielli, ( e hape ti plot delikatesë)
dhe ato nuk pritën t’u thosha: po dale, ku vini,
rregulli, morali, jeta, familja, fëmijët... Ndalimi!

Nuk pyetën për kurrgjë...e ja tani
ku rrinë si rrufjanë të vegjël rabeckat lozonjare
të mendimit...
në krahun tënd( poetik),

atje ku duhej të rrinte një ëngjëll roje,
sipas ritual-moralit pankristian
për qëndrim statual në publik.

E tani nëpër enigma vegimesh ti më shfaqesh
si një Borëbardhë e revoltuar, 
që para se me ëngjëjt e porcelantë
pëlqen të lozësh me rabecka hokatare.


POETËT DHE ZOGJTË
             
 Ndjeva rezonancën e timbrit tënd
 drithërimën, frymëmarrjen e gjoksit
 ankthin e ikjes hapsirave të ireales

 dëshirën të dëgjosh tinguj kozmikë
 që vinë tej e përtej Universit

 e të shlodhesh në shezlongun e erërave
 tek thua: "poetët ikin si zogjt pa ligje"
 e ëndrrat u rëndin qiejve pa adresë”...

 Vërtetë pse rëndin zogjt dhe poetët
 nëse ti në qiell nuk ke dalur t’i presësh?!


E PREKA MUZGUN ME KRAHË

E preka muzgun me krahë
e nëpër ëndrra mesdite çapita,
që nga mëngjezi të shoh një Evë shprese
në udhë - më kot prita.

Vizioni perëndimit diku larg
tek shuhet mes liqenësh veriorë,
më shfaqet me një fytyrë dielli
si zanë Jutbine e përkorë.

E preka muzgun me krahë
një tufë harrakat-harabelash më dalin prej gjoksit
e ikin nëpër rrëpira ndajnatë pa strehë...

HIPNOZA DIMËRORE

Hipnoza dimërore ja mpiu  palcën mendimit
e copa akulli të thyera në gjakun e shpresës u ngjyen.
Krrokamat e lisit i çvirgjëruan engjejt e qielllit
në një rrugë qorre që nuk të shpie kurrkund.


SARKOFAGU

Orgazma e çfrenuar e skizofrenisë publike
hap e mbyll portën e një sarkofagu të errët
ku gjendem i lidhur në pranga fijëzash mishi
pa ditur pse ndodhem i vetëvarrosur këtu.


PARTITURAT E SHIUT

Ikën trombat, violinat, kontrabasët,
dirigjenti, spektatorët madje edhe portjerët.

Ikën të gjithë - nuk mbet njeri,
Butrinti rroposet në shi.

Po unë çfarë dua në mes të statujave?
Mbase jam një violinçel i lagur
 që dikush nga orkestra e harroi,
një djall e di.

Le ti bie këtij violinçeli
derisa hëna të zbresë me drapërin e artë
për të korrur grunajat e yjeve të shpresës,
që pikëllojnë mbi statujat e mbytura të liqenit
si në një pellg lotësh prej tremijë vjet.

Përmes litarëve të shiut,
violinçeli i lagur i shpirtit tim
hap partiturat e Mozartit
e derdh tinguj në qiellin e Butrinit.

Në përëndim deti qetëson valët
e patat e egra ikin drejt Korfuzit.
Të vetmit spektator në amfiteatër
heshtja dhe ti.

Ti Dea - unë Mozarti.
Eja të lagemi në shi!


KLITHMA

Kërkoj por kurrkun nuk e gjej vehten.
As nga e djathta e as nga e majta
as në pushtet dhe e as në shoqata
veç diku në kopshtin e fantazmave të mendimit
ku mbledhur shuk rrinë kockat e ngrata.

- Ku-keja unë! Paskam vdekur!

2005


MAKTHI I NGRICAVE

Hyrja e piramidës-heshtje është mbyllur
me tonelata blloqe akulli tiranik
e dielli s'ka fuqi t'a ngroh akullsinë;
më gjeni një shteg të dal e të ik.

Preka me frymë fasadat e ngrira
e duart mbi akull i mbajta gjatë,
nisën të ravizohen lotë të bardhë
që në stalagmite ktheheshin prap.

Kërkoj të çlirohem prej makthit të ngricave,
mendimeve që brenda rrashtës akullflenë,
si një femër lakuriq në trurin tim
kurrfarë ngrohtësia pa marrë e pa dhënë...

12 Prill 2004


MIGJENI SI KRISHT

Eshtë tepër e gjanë kjo rreknajë me emrin Migjen,
- që zbret prej malesh ku bien rrufe
e kokrra misrit si ortek rrëzohet;
ku ofshamat e shekullit
nëpër buzë të rreshkuna,
ende thurin e shthurin legjenda:

Mos e shkel he t'shitoftë zana!
A don qymyr, zotni?
Kjo tollumbë sikur don me e hangër mësuesin!

Kjo vuajtje, ky kalvar, ky mundim,
kjo revoltë, kjo dallgë, ky Krisht nën kryq,
ky lum, ky det, kjo andërr që djeg
tej e përtej në bukurën e të dhembshurën Arbni,
nëpër tanë skajet e shekullit të vjetër
tejpërcjellë edhe në shekullin e ri.

Nuk kalohet dot me dy e as me katër dhoga,
nuk kalohet me varkë e as me gomone,
madje është krejt i pakalueshëm,
sepsë është i thellë si Drini,
plot hone, kreshta e harkada
me një dritë të mistershme,
që ta bën ta lexosh, ta duash e ta ndjesh
vuajtjen e tij si vuajtjen tande,
sa kohë të ketë njerëz që kanë në shpirt
si plumb të shkrimë
përjetësisht një mollë të ndalueme.

Anipse janë rroposun kaq vjet
nga zjarri përvëlues
i 28 Gushtit të vitit 1938
kur, 27 vjeçar,
prej dhembjeve mizore
- të tij dhe të tjerëve
që gjoksin e poetit kishin si vatër-
tek mbyllte sytë në Torino
si të ishte një engjëll i vërtetë
në krah të Lulave të Vocërr të gjithë botës.

Nuk ishte antinjeri - nuk ishte antizot
poeti i mjerimit të jetëve njerëzore,
poeti i kalvarit të fëmijërisë sime,
përpara të cilit mbetem fëmijë edhe sot.
Le të hedhin gurë e baltë sa të duan
nga arkapijat e cmirës e ligësisë
kalimtarët e kësaj jete që i përkëdhelen fatit
e bëjnë veç hije mbi këtë dhè.

Eshtë tepër e gjanë kjo rreknajë me emrin Migjen,
kjo vuajtje, ky kalvar, ky mundim,
kjo revoltë, kjo dallgë, ky Krisht nën kryq,
ky lum, ky det, kjo andërr që djeg
tej e përtej në të bukurën
e të dhembshurën Arbni,
nëpër tanë skajet e shekullit të vjetër
tejpërcjellë edhe në shekullin e ri…

Eshtë tepër e gjanë, tepër e gjanë,
kjo rreknajë me emrin Migjen.


PENGU I FUNDVERËS

Ende kam në duar një copëz të vogël jetë
dalë prej skuta shpirti si një dritëz e kaltër
luhatur pas pejzave të dëshirave
mbetur peng nga fundi i verës
si i pari rrezatim vjeshtor
mbi gjethnajën me klorofilë të vdekur.

Ende kam një dëshirë që digjet
si një diell i plloçtë brenda meje.


NOLI  E KONICA...
Meditim për kombin e shprishur
 
Noli e Konica
dy kokat e shqiponjës
në sfondin gjak të Flamurit.

Enigma e një shekulli:
miq për kokë
e armiq për vdekje.

Si fati Atdheut
ndarë e bashkuar
në pesë shtete,

varret përballë
eshtrat larg
dy kontinente

Noli, Konica, liria...
Njerëzit e varret e shprishura
kurr nuk i mblodhi Shqipëria!

Boston,  28 Nëntor 2004


QUO VADIS, ATDHEU IM ?

 Quo Vadis, Atdheu im? Quo Vadis?!
Mos po mbytemi
në këtë lumë që quhet ikje-varfëri...

 Quo Vadis, Atdheu im? Quo Vadis?!
me njerëz të drobitur kockë e lëkurë
me gojë të shqyer si flamur:

Quo Vadis?


RITUAL MITIK

 Sa herë ka zgjedhje të reja,
krismat,
në një ritual mitik
deri në palcë drithërojnë.
Copa xhami- copa dielli
e diku-diku - bie pa frymë, njeriu i gjorë.

S'mbetet skutë qytetesh mbrapsht pa kthyer,
përgjakën fëmijët tek ecnin zbathur në rrugë,
shkollat digjen e shkrumbohen
e nga krismat e kallashëve,
diellin në tre milion grimca e thyejnë

Pas zgjedhjeve
shteti kruan xhepat e vet të çpuar,
vë xhamat, lyen fasadat e ndertesave
ku dielli me mashtrueshëm shkelqen,
por të vrarët nga varreza
kurrë më në jetë s'i kthen...

Qajnë me bot të mjerat nëna shamizeza:
Në korrik kemi zgjedhje të reja...
Oi, oiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiii.

Maj 2005