K. P. Traboini - Albanian - American journalist, filmmaker and writer, author of 47 books: poems, story and literary essays.
☸ MOS VDIS DASHURI 2002 ☸ NOKTURN 2004 ☸ REQUIEM PËR NJË GJETHE 2005 ☸ TRINIA IME 2006 ☸ KOHA E PROSTITUTAVE 2007 ☸ ITAKA GRUA 2008 ☸ LULE PELLAZGJIKE 2012 ☸ U DASHKA TË DAL NATËN VONË 2012 ☸ E KAM ATDHEUN TEK PORTA 2012 ☸ DASHURI 2013 ☸ FAJIN E KA HEKUBA 2014 ☸ ORAKUJT NË FERR 2015 ☸ ODEON 2016 ☸ OFELI 2019 ☸ ODE PËR SHKODRËN 2019
>☸ ZOGJTË E ARLINGTONIT 2020 ☸ AJO QË JETOJMË PËRDITË 2021 ☸ POETICA SHQIP 2005 ☸ POETICA ENGLISH 2006 ☸ DASHURIA MË E BUKUR 2007 ☸ I DËGJOJ LULET KUR FLASIN 2008 ☸ NIRVANA 2024 ☸
>☸ ZOGJTË E ARLINGTONIT 2020 ☸ AJO QË JETOJMË PËRDITË 2021 ☸ POETICA SHQIP 2005 ☸ POETICA ENGLISH 2006 ☸ DASHURIA MË E BUKUR 2007 ☸ I DËGJOJ LULET KUR FLASIN 2008 ☸ NIRVANA 2024 ☸
MA VODHËN ATDHEUN - poezi nga K. Traboini / Pantheon Books 2013
MA VODHËN ATDHEUN
KOLEC P.TRABOINI
Nga libri “E kam Atdheun tek porta” 2013
Pantheon Books 2013, ISBN 978-99956-15-67-3
Ende s’kisha lindur
kur ma vodhën Atdheun e ngratë
ca njerëz që hidhnin valle demonësh
me tallava dhe me shpatë.
Pastaj sërish ma vodhën Atdheun
një brigadë endacakësh trushkalë
si të ishin fise paganë
me pushkën me gjalmë.
Ma vodhën Atdheun së treti
një turmë njerëzish të egër
se veç shkatërrim mizori
nuk dinin të bënin tjetër.
Ma vodhën Atdheun, të mjerin
kur bëmë revolucionin e madh
vandalët rrëmbyen flamurin e fronin
e thanë: - E fituam këtë vakëf-land.
Pastaj gjithçka me themel u rrënua
në rrugë u shfaq dhuna, frika
kush ish njeri i mendjes e i dijes
e vetmja rrugë që mbeti ish ikja.
Trutharët bënin politikë të madhe
zgjidhja u quajt shprishja, shkatërrimi
çeku i bardhë me miliarda dollarë
që do të sillte Perëndimi.
Po Perëndimi dhe Lindja
s’i merrnin punët me nxitim
nuk kishin kohë të humbisnin
me marrokët ëndërrimtarë të vendit tim.
Të vendit tim ku ministra
u bënë hajdutët e kopukët pa tru
ata që në mitingje publike
u shfaqën me pushkë e me hu.
Ma vodhën Atdheun, sa keq
kur i rrëmbenin vajzat në rini
i shitën si të ishin skllave mesjete
t’i pallonin kodoshët në Itali.
Europa e lodhur tepër ligsht
në luftra ballkanike barbarie
kish nevojë të qetësohej disi
me mish të bardhë Shqipërie.
Ma vodhën Atdheun injorantët
kur i rrafshuan lulishtet anembanë
se njerëzit e egër nuk i duan lulet
as në provincë e as në Tiranë.
Ata kudo mbollën veç varre
në kodra, në fusha, në male
në qytete, në fshatra, në udhëkryqe
varret i ngritën si lapidare.
Koha tinzare ikte, si uragan
mbi këtë vend e mbi këtë tokë
u bënë pronarë e padronë
kush merrej me prostituta dhe drogë.
Dolën dhe ca dredhamanë
të bëjmë politikë përparimi
tashmë kryehajdutët ulërijnë
-Përpara, na pret Integrimi!
Njerëz gojëshqyer dinakë e tinzarë
me dhëmbët peshkaqenë, si sharrë
që njeri-tjetrin e shajnë në publik
me rroc e me koc, me babë e me nanë.
Trumbetojnë lirinë që s’e kemi
demagogët tanë kokëtrashë
kinse nuk e dinë se nuk ka liri
atje ku nuk ka as bukë të hash.
Nuk ka liri kur je i papunë
nuk ka liri kur nuk ke shpresë
i mbetur në mes udhëve në mjerim
njeriut s’i mbetet veç të vdesë.
* * *
Ma vodhën Atdheun kur ika
ma vodhën Atdheun si të mos ish
erdh koha të ndjehem i huaj
në vendin tim kur u shfaqa sërish.
E vetmja mundësi është të thërras
deri në kupë të qiellit me zërin prush:
-Ma vodhën Atdheun! Ma vodhën!
po këtu nuk të dëgjon më askush.
E as mos kërko të gjesh fajtorin
se shkon si bagëtia për lesh
më e lehtë është të gjesh varrin tënd
se hajdutin, kopukun e vrasësin të gjesh.
Jeta e njeriut nuk ka më vlerë
veç ikja tej detesh mbetet si mundësi
kështu vandalët e kanë më të lehtë
ta shalojnë të mjerën Shqipëri.
Tani këtë vend e sundojnë Ali Babat
me dyzet hajdutë qeveritarë
me deputetë si mumie egjiptiane
e një popull që u shkon nga pas si i marrë.
Tani jam si një pellazg pa vendlindje
një shqiptar mërgimtar – pa Shqipëri
e vetmja strehë ku mund të vë kokën
është një vrimë miu me emrin shtëpi.
Sepse, o Zot, çdo gjë mbi këtë dhé
në këtë tokë ku farë urrejtjeje mbollën
ca qen bir qenesh të vendit tim
ma shkatërruan, ma vranë, ma vodhën....
10 Mars 2013
(Kjo poezi është kopjuar me titull dhe koncept poetik nga e nderuara poete Irena Kuka Dragoti.)
![](https://blogger.googleusercontent.com/img/b/R29vZ2xl/AVvXsEgigrFGCbWFmfTEzuyj5RtP_bh4-XmJ1pOFaYzNrbVrAAcewvmWVR3Y2qt_R7cnxlT4SYpobQrScYmpugVsiAZ4y-yLc7sftFoAdy3r1R1TZUtGouOax2bRZJEP9nbkVn1DrJjQYHNDMa9n/w421-h640/E+KAM+ATDHEUN+TEK+PORTA+-+Kopertina+FRONT+-+Copy.png)
Subscribe to:
Posts (Atom)