MOS VDIS DASHURI 2002 NOKTURN 2004 REQUIEM PËR NJË GJETHE 2005 TRINIA IME 2006 KOHA E PROSTITUTAVE 2007 ITAKA GRUA 2008 LULE PELLAZGJIKE 2012 U DASHKA TË DAL NATËN VONË 2012 E KAM ATDHEUN TEK PORTA 2012 DASHURI 2013 FAJIN E KA HEKUBA 2014 ORAKUJT NË FERR 2015 ODEON 2016 OFELI 2019 ODE PËR SHKODRËN 2019
> ZOGJTË E ARLINGTONIT 2020 AJO QË JETOJMË PËRDITË 2021 POETICA SHQIP 2005 POETICA ENGLISH 2006 DASHURIA MË E BUKUR 2007 I DËGJOJ LULET KUR FLASIN 2008 NIRVANA 2024

PËRTEJ ITAKËS 2008...nga K. P. Traboini




PËRTEJ ITAKËS 2008


RRETHANA NJËQIND E NJË...

Ndenjëm aq herë duke pirë klubeve kafè
ndonjë drekë modeste tek Shallvaret
e kemi ngrënë gjithashtu
kohë për ti thënë gjërat kemi patur
por njeriu shpesh nuk thotë
ato që duhet të thotë, me shkak a pa shkak
të njëqind rrethanave.

Por në rastin tonë
orakujt e Shën Mosdashjes shpallën rrethanën
njëqind e një - ta zemë një qerthull si ky:
unë vija të takoja
(aq shumë kam ardhur në atë zyrë)
e ti konfuze mbi shkarravina letrash
më percillje tek shefi...

Shefi yt ishte i sjellshëm, goxha burrë
por të gjithë shefat janë shefa
e unë si natyrë, nuk e ndjehem mirë
në prani të bosave të letrave
anipse, dikur, në rininë time
që nuk di ku e harrova, e lashë a me humbi
kam qënë dhe unë një farë dreq shefi.

Kështu papritur na u shfaq
epilogun vrastar i dëshirave
ca nga shefi e ca nga prishaqejfi
lajmi, politika, Sheratoni, Amerika
shto greven e mosurinimit parlamentar
që i ktheu në WC të gjitha gazetat
bashkë nuk i thamë të gjitha
në krevat... nuk e pimë një kafè
e për dashurinë nuk folëm asnjë fjalë...

25 nëntor 2008 

 

AI SHI ...

Të panë të nxitoje në rrugën e Liceut
ca re inatçore qiellit dyndeshin
rrepat e vetmuar, të zhveshur dot s'të mbronin
pikë pikë mbi ty
floknaja e diellit po lagej në shi

o Zot të mos kish rënë ai shi fundnëntori
mbi ty të paktën të mos binte
që flokët e qullura në prëhër të tjetërkujt
të mos vareshin e kërkonin
të thaheshin me puthje.

Ah, ai shiu i Liceut
ai pikëllim nëntori në sy
ato re inatçore nga erdhën, si u dynden?!

Ai shi që ma lagu e shkriu dashurinë
tashmë rigon mbi vetminë time
e shpirti si pus, pika pika i mbledh
në thellësi.

Tërë botën ta lagëte
por ty e mua kurrsesi
… ai shi.

2 dhjetor 2008


EGËRSHANE

Si qënie egërshane mund të marrim jetë
por s’ kemi frymë magjie t'i ngjallim të vdekurit
edhe me ndjesitë ndodh kështu
ato vdesin a vriten në luftë si njerëzit

kanë edhe ato vrasësit dhe varrëmihsit e tyre
edhe një varr ku u hedhin lule dhe lotë
nën kryq a gjysëm hënë, varet prej njerëzve.

por magji ringjallje për kadavrat ndjesore
në këtë botë nuk gjënden, ndaj:
më kot më ndjell

më kot miklohesh me fjalë
më kot e vesh fustanin e kaltër
më kot i lyen buzët me të kuq flake përvëluese
me kot e puq këmbën me këmbë ndjellaqejf

më kot i shtrin gishtrinjtë në buzë për të më prekur
më kot përpiqesh të ringjallësh të vrarët e mi
edhe ti, si ato, në gjoksin tim ke vdekur...


NIMFA E THESALISË 

E meriton lotin tënd në parzmin e diellit.
mos thuaj jo. Harro mentalitetin
e gruas së lodhur nga hallet e jeta
prano atë çfarë shpirti im të afron:

Je aq e mirë, o Zot
nuk gjen të tilla nimfa në shtat dete
fatlum është ai që në gjijt e tu
gjen prehje.

Mjer ne, që brigjet e Thesalisë
kurrë s' i prekëm.


ELIKSIR

I lutem zotit të mbytem në dallgë
në dallgët detit se deti je ti
zotit i lutem të puth buzët e tua
të më mbeshtjellësh në krahë
të më marrësh në gji…

pastaj një përflakje
mes dallgëve shaluar thellësia e pret
direkun anijes të zhytet në det.


ËNDËRRIM LIRIK


Lirikës ku ti shfaqesh si hyjni njerëzore
si shpirti i shpirtit të një Alieni këngëtar
nuk guxoj ti ve emrin tënd.

Në vend të një varese me perla, nuk guxoj
të ve një tulipan gjaku në parzmin e hijshëm.

Nuk dua tia shtoj retë karvaneve të qiellit
nuk dua ti pikëlloj zogjtë e kaltërsive
por ti hyjni njerëzore, mjafton që ti e di
mjafton që ti e ndjen
mjafton që të nxisë ta shohesh jetën të bukur
e ti thuash vetes "praj ti melankoli budallaqe
ka plot njerëz në këtë botë që më duan
që më dëshërojnë, që thurin ëndërrza të arta
me milione pikëzime që përbëjnë imazhin tim".

Thuaj vetes praj dhe prano dashurinë e rrezeve të diellit!
Veç mua, eh, mua, lërmë që edhe me tej në lirika të ëndërroj
anipse emrit tënd ta përmend, nuk guxoj, hyjnia ime!
Nuk guxoj!


SHOGËLINË

Jam ai që jam, anipse
kurrë veten nuk e dita ndryshe çfarë mund të isha
jam ai që jam, gjysmak si gjysmagjeli i përrallës
edhe kjo botë si përrallë po më duket
me ujq e dhelpra dhe gaforre të kuqe
me qukapikë që zgerlaqen pas drurëve të kalbur
për krimba

…jam ai që jam, i ikur prej gjithkujt e gjithçkaje
ngase më duket e mangët qenia, e shogët
dy bujashka mbi kokë, ca letra nën sqetull

me nje bisht qeni ndën shalë
më nje fshesë të madhe sa vetja
me të cilën mas meridiane e paralele
pa harruar shkretirat dhe ekuinoksin e qiellit
tuj fshi rrugë e sheshe, hotele e zyra qeverish
ku njerëzit rrëfehen e mëkatojnë për ditë
herë si robër e herë si zota.


… në kontinetin e ri jam Half &Half
gjysma tjetër në kontinentin e vjetër
rinia ime nën diktaturë
në liri të cungueme në botën e vjetër
shogëlinë më bëhet jeta, ndaj ngutem
ngutem të iki prej gjysmës cullake
me shpresë të kotë se në këtë botë
diku duhet të gjëndet
e dashura e diellit - gjysma tjetër.


ÇMIMI I KALTËR


Ç'i dua çmimet e tjera veç titullit Pendëkaltër
me të cilin vetën poetikisht e laurova
ç'i dua çmimet kur i kam një palë flatra
me të cilat fluturoj kur e ku të dua
në të gjitha hapsirat e globit

nuk e ndrroj të kaltrën me asnjë ngjyrë
stinët le të ndrrohen sipas dëshirës
as strofat, as vargjet as qëllimet e jetës

nuk mund ti ringjyej
e arta tek e arta, e argjëndëta në pasqyrë
e kaltra i takon detit e qiellit dhe flatrave te mia.


KËSHILLË VETES

Për më të bukurin art që ke krijuar
mendo sikur nuk ke bërë veç një hiçmosgjë
se nga momenti që nis e fluturon
nëpër qiejt e pafundëm të delir-ëndërrimit 

se në të pasosurin Olimp e ke vënë këmbën,
poezia të shket si rërë nëpër gishtrinjt
era e shpërndan kamos nëpër botë
por kurrnjë kokrrizë rëre, më nuk vjen tek ty...


HYMN QELIZAVE

Ju pafundësi qelizash, fijzash mishi e gjaku
që bini therror e më nuk griheni në jetë
ju bëni fli qënien tuaj për të tjerë

kush veç jush do ta mbronte këtë ngrehinë
që shkon e vjen në dy kontinente
si sonambul në erë

ju e veç ju, gardiane të palodhur të jetës
që vdisni, vetëm e vetëm
që kështjëllen time të mos e lini të bjerë!


PASTORALE

Fërshkëllej motivin:
"moj e mirë që me shkon me dhen
a shkon vetëm a me tjetër kend"
dhe zgjat dorën të prek gjinj të butë bareshe
që të verbojnë prej klumshtit e dritës
dhe harrohem, drithërohem tek mbështjell në gjoks
veç duhmen e detit e shkulmet e erës...


SUVALË DETI

Ç'ma ke atë trill deti, o mik kaltërsive
me pulbardha e dallgë m'u shfaqe në prak
me Homerin e madh mjekërrshkumbë deti
tek grindet për Helenen me Esenini zemërak

ma solle detin në shtëpinë time
kaq shumë kaltërsi kurrë nuk pata mik
hapa dyert e zemrën, por prap ca det mbeti
ua shpërndave komshijve në Nju Ingland.


DHE GJENI DHE TË VITHISUR

O bo-bo, si është katandisur
ky poeti mendjekrisur,
kudo shkon libra me vete
pelegrin n’ sa e sa shtete,
ky i shkretë për poezinë
si Aliu në Janinë
për një greke dha mbretërinë.

Lëreni të qetë bandillin,
le t’ja shpleksë gërshetat diellit,
si një femër ta pushtojë,
zjarr me zjarr ta puthë në gojë,
zjarr me zjarr e buzë në buzë
diellin djeg poeti shpuzë.

Le t’ këndojë me zogjtë e malit
shpirti t’i përvëlojë prej mallit,
për atë tokë të Shqipërisë
për shtëpizë të fëmijërisë,
për atë strehë e për atë portë
për atë nënë që fle nën dhè,
për gjithë njerëzit që janë atje
se nuk dihet, më s’i sheh.

Lëreni të flasë me vete
si detari nëpër dete
pa drejtim varka kur vete,
për një ëndërr që e tundon
për legjendën që pikëllon
për një shpend që thërret “Gjon”,
të thur vargje e metafora
për një mështeknë që mbuloi bora
sepse tjetër s’i zë dora.

Lëreni të ziun njeri
të hajë fruta të puthë gjinj,
ta pijë verën bashkë me sisë
në eliksir të dashurisë,
si qiri të digjet, tretet,
sa pikë frymë të mos i mbetet,
se kështu e thotë dhe vetë
në çdo strofë e në çdo vjershë
poet shqipo, kapedani
varg e shpirt si Ali Asllani.

Lëreni të shkojë tek retë
me një torbë të mbledh rrufetë,
nëpër ishuj e steretë
me sirena të harbohet,
mendja do t`i vijë prapë
do vajtojë për një Itakë
do vajtojë me kujë e lotë
plakur rrudhur si një Zorbë
vitet ngrysur nëpër botë.

Prap`do rend si shtërg fundvere
i marros` pas ndonjë Eve,
se kështu janë gjithë poetët,
arrakatët e kësaj jete
mbjellin korrin dashuri
për ca nimfa në Shqipëri
për sirena nëpër ishuj,
flokëharlisur e kokëkrisur
si vetë Zoti i ka stisur
dhe gjeni dhe të vithisur


AFORIZEM PËRSKAJOR

Gjarpëri nuk mund të bëhet lepur kurrë
se veshët s’do ta linin të fshihej nën gur

mizoria me mirësinë me një gërmë fillojnë
por janë të ndryshme e kurrë nuk takojnë.

Jagua, Otello nuk mund të mendohet
e ti pjelle zgerlaqe spiunësh të zi

me nje buzëqeshje djalli nën masken e engjellit
ti gaforre e kuqe, si mund të quhesh njeri....

Poezinë nuk mund ta mësojmë si të jetë - nga K.P. Traboini


POEZINË NUK MUND TA MËSOJMË SI TË JETË
- Nuk ka Laureat as Profesor ti japë mësime -
 
Njerëzit shkruajnë në mënyra të ndryshme, kanë përvoja të ndryshme, vijnë nga mjedise të ndryshme dhe është e natyrshme që të sjellin mendimet e perjetimet e veta të cilat për nga shkalla e intensitetit emocional, apo dhe mendimit filosofik duhet te jenë të pangjasheme. Edhe sikur gjithçka të ketë arritur në prefeksion, përseri ka një shkallë tjetër, një barrierë nëse mund ta themi nëpër të cilën duhet të kalojë e kjo është pelqimi i lexuesit. Por edhe ky nuk është gjithçka sepse edhe lexuesit kanë parapelqime të ndryshme, shije të ndryshme e nivele kulturore të ndryshme. Eshte e kuptueshme që një tip rapsodik të parapelqejë poezitë me metrike klasike ku respektohen të gjitha rregullat në mënyre strikte. E drejtë e tij. Por një tjetër që ka lexuar shumë nga poezia e përboteshme, që i di zhvillimet poetike dhe përpjekjet e mëdha për ta nxjerrë poezinë nga kornizat strikte, ai është e natyrshme të pelqejë vargun e lirë që nuk ka asnjë kushtëzim. Por pavaresisht teknikes së përdorur poezia ka sekretet e veta të mbuluara brenda fjalëve, ka magjine e vet të cilën është e vështirë ta spjegosh, ajo lind si nënshtresë, lind jashte logjikës së rreptë, ështe si era që fryn e ne e ndiejme por nuk e shohim, pra çasti i krijimit ka prekur subkoshiencën.
Jo më kot Platoni thoshte "Poezia është e folura përçartë e perëndive!"
Dhe, duhet pranuar, të shkruarit do kulturë e dije, e njëjta gjë kërkohet edhe nga lexuesi. Një njeri që pi qumësh tërë jetën vështirë të kuptojë e të vlerësoje shijen e verës.
Dhe autorët të kenë parasysh kur kerkojne të vetlartësohen e vetlavdërohen me krijimet e veta se, nuk matet gjatësia e njeriut me hijen e mëngjesit, se kur dielli ngrihet në zenit njeriu nuk ka më hije.
Kjo që shkrova më sipër, nuk është shkrim apo analize por një koment i shkurtër, le ta quajmë ese, në të cilin shpreh mendimin tim e askush nuk ka pse shqetësohet.Unë këtu nuk them si të shkruhet por shpreh mendimin tim e përvojen time në shkrim. E kam thënë e vazhdoj ta them, shkruaj siç më pelqen dhe nuk e kam as kohën e as moshën të bëj ushtrime metrike siç më sugjerojnë vargmatësit. Ka ikur treni larg të nderuar. Fakti që dikush mi kërkon poezisë këtë e atë do të thotë se kanë mbetur pre e shkollarizmit. Po more miq, ju po thoni që manushaqja duhet të dalë kështu e ashtu, të ketë këtë ngjyrë e të ketë këtë erë. Por kur ajo ti ketë ato që doni ju atëherë ajo nuk është manushaqja e papërsëritshme e pranverës, por sajesa juaj me aromë të stisur. Thoni se duhet të ketë patjetër poezia figurë....po kjo është recetë, e me receta merren vetëm ilaçet e mjekut. Po jo poezia. Ka poezi që nuk kanë nevojë për asnjë figurë...por ka edhe poezi që mund të ngrihet mbi bazën e figuracionit. Vargu i lirë është një evolucion i madh, i cili është çliruar nga çdo gjë që e kushtëzon shprehjen e mendimit e të ndenjës. Jam në një mendje që poezia i ka të vetat ato elemente që përmendni, por nuk ka ligje në këto punë. Nuk ka rregulla strikte. Ndryshe prej të gjitha arteve të tjera poezia ka fituar lirinë që të jetë ajo që deshëron vetë të jetë e jo ajo që i kërkohet të jete. Por ndërkohë unë e kuptoj dhe e respektoj edhe metriken, edhe vetë i perdor jo pak herë vargun popullor, poezinë tradicionale, folkun pra, por kjo nuk e dominon poezine time.
Parapelqej të shkruaj çastin, atë që më ngacmon e kërkon të dalë prej meje ashtu siç ajo do të dalë pa e imponuar. Quajeni po deshët prozë poetike apo poezi prozaike, mua as që më shqetëson. Ku pyet toka se ti nuk do që të dale bari në livadh. Ajo do ta nxjerrë fijen e barit sa ta ngrohin pak rrezet e diellit. Edhe njeriu është tokë, por dikush tokë e mirë e pjellore e dikush tjetër tokë djerr, e dikush tjeter gurishte e zallishte, tokë shterpë, që unë i quaj shtërpuca. Këta janë vazhduesit e denjë që falen në tempullin e Hasan Zyko Kamberit. Edhe ata në të drejtën e tyre. Kane zgjedhur perëndinë që adhurojnë.

Lirizmi poetik i K. P. Traboinit- nga Sazan Goliku



Mendime për librin e poetit K. P. Traboini - nga Sazan Goliku

 Libri i ri poetit Kolec Traboini “I dëgjoj lulet kur flasin” është një shembull se poezia e sotme shqipe po kultivohet e lexohet jo vetëm në trojet shqiptare, por në saje të mjeteve të komunikimit elektronik, ajo përhapet lehtësisht në çdo kënd të botës ku jetojnë e punojnë shqiptarët. Motivet, tematika e problematika e poezisë nuk është më e limituar. Profili i stilit të Traboinit na tregon se duke u frymëzuar në Tiranë ose në Uashington, në Shkodër ose në Athinë, në Sarandë ose në Amsterdam ai mbetet në thelb poet shqiptar. Lirizmi i kësaj poezie merr ngjyrime të shumëllojta dhe ka ndjeshmëri dridhëse, ndërsa poezitë përsiatëse burojnë nga situata dramatike të një realiteti të turbullt e të elektrizuar nga kontradikta e konflikte ekzistenciale.

3 janar 2024