Perënditë nuk e mbrojtën dot Trojën
se grekët ishin dinakë, i mashtruan
hyjnitë
që ndiznin marihuanë a flinin.
Po ka njerëz që shkaqet i gjejnë diku
tjetër
tek Hekuba, bija e Cezeut, gruaja e
Priamit
që lindi plot 19 fëmijë - edhe Paridin.
E thonë se Paridi ishte shkaku
se shkoi rrëmbeu Helenën e bukur
e të mos kish lindur Paridi
rrëmbimi nuk do kish ndodhur.
Të gjitha i thonë me hamendje - përralla
por Troja prapë se prapë është djegur.
Legjendat mbetën gërmadhash
kur në botë u shpall dita ime
kësisoj e kam dhe unë një Iliadë
dhe një Trojë e kam - shtëpinë time
kthyer dhe ajo në gërmadhë.
Për gjithë këto gjëra që ndodhën
në jetën time - fajin e ka Hekuba
e me Hekubën nënkuptoj Nënën time.
Sepse po të mos kish lindur shumë fëmijë
unë do të isha i vetëm
nuk do ta ndanim kafshatën e bukës
në shtatë gojë të çapëlyera në fëmijëri
dhe një motër e vogël s’do kish vdekur.
Po të mos kishte lindur Paridi
po të mos kisha lindur dhe unë
gjërat do të ishin ndryshe
s’do përjetoja këtë kalvar mundimesh
ku jeta më tërheq përdhuni.
Fajin e ka Hekuba
Hekuba dhe Nëna ime.
2013
SHPIRTI DHE FRYMA
Je shpirti i natyrës
valë deti dhe flladi
që përkëdhel fytyrat e njerëzve
je aroma e luleve të pranverës
fryma e qiejve që na i zgjon ëndrrat
edhe kur flemë edhe kur zgjohemi
aty gjithnjë e re dhe e madhërishme
me gjinj të plotë e flokë të harlisur
si lindja e diellit dhe hëna
që zhytet si delfin i gëzuar
nën përkëdhelinë e valëve
gjithçka është dashuruar me ty
se ti je shpirti dhe fryma e gjithçkaje!
TRËNDAFIL NË PORTË
Do kthehem prapë tek portë e vjetër
me trëndafil do ta hap
që t’ mos ketë më mbyllje tjetër
si shtërg i ikur detit larg.
Ti porta ime - shtëpia ime
ti dhembja ime sa një mal...
Janar 2014
GJETHE VJESHTE
U zutë për një fjalë krejt kot
si gjethe që rrëzon prej një klithje
të një shpendi që në muzg nxiton
kur stinët janë në ndërrim e në ikje.
Si të gjeti vallë vjeshta kështu
me ndenjësen përballë në heshtje
dikur ai rrinte aty
e ty të shihte pa reshtje.
Me vështrim e kërkon herë pas herë
aty në kafenenë e vjetër
si zog i harruar dimri
me cicërima për zemrën tjetër.
Tani ti në vetmi nuk flet
po fjalë ke plot në kryengritje
pse vallë të ikte e le
e mbete në këtë vjeshtë në pritje?
Ju pikëlloi vjeshta në sy
erdhi dhe iku
e bashkë s’ju gjeti
të dy…
BIE SHI NË PARIS
Pikat e para të shiut ranë mbi kullën
Eifel
pastaj shkitën në krahët e një
pulëbardhe në qiej
mbi barin buzë Senës ku dashurohen
zogjtë
u lagën karriget në kafenenë e vjetër ku
me mbesën e qenushin rrinte Jacques
Prevert
një djalë e një vajzë vietnameze s’e
ndalojnë puthjen
u shijon aq shumë puthja nën shi
sikur të ishin në orizoret brigjeve të
Mekongut
teksa kalimtarët e lagur mezi gjejnë
strehë
nën rrebeshin që do, me çdo kusht ta
mundë Parisin
mbi Harkun e Triumfit ulen re nervoze
edhe në varrezat Pierre-Lachaise, mbi
gurë
Jim Morrison-i do të këndonte për këtë
shi
që tundon edhe nëndheun e të vdekurve
nën qiparisat që elegjojnë pikëllimin e
zi
një shitës Biblash ankon nën çadër
po lagen dhe shkrimet e shenjta, o Zot
shkruar kur ende njerëzimi nuk kishte
Paris
bie shi, gjithçka në rroposje, thua
përmbytet bota
tashmë që Noe nuk gjendet kurrkund
ngecur në kryqëzimin e rrugës Myslym
Shyri
ku makinat s’të lënë të kalosh në krahun
tjetër
pranë pallatit ku banoj, tek porta
lagem dhe unë që nuk kam qënë kurrë në
Paris
sepse kur bie shi në Paris, laget gjithë
bota.
2014
IKIN YJET
Ikin yjet, ca në Romë, ca në Athinë
dale - u them, ku ikët kështu, mos u
harroni
kemi qiell edhe ne, dhe ne ju duam
bëj t’i kthej, ata më tutje, s’i qas dot
kokën kthyer më një anë e ikin tutje.
Ikin yjet, netët tona mbenë pa hënë
ha inat me veten time e rri e them
vatrat tona krejt kukuthe prej mërzie
toka ngrin e qielli zbardh si shtrat
qefini
se nuk gjejmë, të mjerët ne, një yll
Shqipërie.
Ikin yjet- ikin vajzat në tjetër dhé
n’ shtëpitë tona mbemë si qyqet pa fole…
1 Gusht 2014
PROFECIA
Zoti të ka krijuar për të shkruar poezi
sa kohë që të ka falur me dhuntinë e
dhembjes
pa t’i mohuar të gjitha bukuritë
të trupit e të mendjes
ti duhet të bindësh për këtë shpallje qiellore
jo duke besuar tek mrekullia
por duke mëkuar dashuritë e vuajtjet
e duke ngjizur me to vargje përditë
kur të jetë mishëruar profecia
triniteti yt do të jetë i përkryer
( trupi, mendja dhe shpirti)
...se, Zoti e parathotë
por poeti vetbëhet.
9 qershor 2008
QIEJT IA PLASIN SHIUN GJOKSIT TIM
Atdheu im është Shqipëria ime
me dy pëllëmbë fushë e një grusht male
në krah e shpatull kam detin
përballë dyndje të frikshme
të cilat nuk di si i përballoi historia
e mua më lindi këtu
Atdheu është sa dy grushtat e mi
që pafundësisht i mbështes në kokën time
tek mendoj kalvaret nëpër të cilat kaloi
populli im
më thoni të këndoj për popullin, e do të
këndoj
më thoni të këndoj për
gjysh-stërgjyshërit e mi
më thoni të këndoj për Gjergjin e madh
për gratë që u hodhën prej shkëmbit të
zi
por mos më thoni të këndoj
për çfarë më shohin sytë
natyrën, zogjtë, pemët, luginat e
lumenjtë
të vrarë e shqyer si mo Zot ma keq
retë do të mblidhen si vajtojca pagane
sa kënga ime do t’ia plasë vajit
e qiejt do t’ia plasin shiun gjoksit
tim.
2014