PËR SHKODRËN/ Autorë shkodranë/ Kolec Traboini
Paraqitur nga: Jetmir Troshani
Kolec Traboini/Selfie-autoportret /18 tetor 2014 |
CORRICULUM
VITAE
KOLEC TRABOINI
- Kineast, poet dhe gazetar, ka lindur
në Shkodër. Ai është biri i mësuesit atdhetar Palok Traboini nga Hoti,
kryengritës i luftës për pavarësi,
sekretar i Ded Gjo Lulit por i mbetur jetim që i vogël. Kolec Traboini
ka kryer shërbimin ushtarak në Tropojë,
më pas ka punuar në fabrikën e
Fibrës së Kombinatit të Drurit në Shkodër. Mbas mbarimit të studimeve
Universitare për gazetari është emëruar në Kinostudion e filmave Tiranë. Fitues
i kupave për filmat dokumentarë në dy festivale kombëtare të filmit shqiptar,
1976, 1990 si dhe mjaft çmime e vlerësime gjatë karrierës 16-vjeçare në
Kinostudio, Tiranë, ku për dhjetë vjet drejtoi redaksinë e filmit dokumentar.
Është skenarist edhe i disa filmave vizatimorë.
Traboini është organizator i të parit miting të
intelektualëve antikomunistë të Tiranës në përkrahje të proçeseve demokratike
në fillim të vitit 1991. Pas thirrjes publike që bëri në një shkrim për heqjen
e yllit nga flamuri kombëtar, botuar në gazetën RD nr.6, 16 janar 1991,
largohet nga Shqipëria në fund të shkurtit `91. Vendoset në Athine ku krijoi e
shpërndau të parën gazetë në gjuhën shqipe
në Greqi, “Egnatia“, të cilën e drejtoi nga muaji prill 1993 deri në
gusht 1995. Veprimtarinë letrare e atdhetare e vazhdoi për një dekadë e gjysëm
në fillim në Filadelfia dhe më pas në Boston, Amerikë. Eshtë autor i shumë e
shumë shkrimeve publicistike në organet e shtypit në Tiranë dhe në Diasporën
shqiptare jashtë Atdheut; si dhe i 25-të librave ku spikasin krijimtaria
poetike dhe eseistike. Vlerësuar me çmimin e përvitshëm letrar “Pena e
Artë-Kadmus 2007” nga Klubi i Shkrimtarëve “Drita“ dhe revista “Pelegrin”, Athinë.
# 1- CIKËL POETIK
NUK TË KAM HARRUAR
Të betohem për tërë zotat e qiellit,
për tërë hyjneshat e tokës të betohem,
për tërë ëndërrimet që fjetën bashkë me ty
nëpër korije trembur prej fantazmash
si pëllumba të egër, të betohem!
Nuk të kam harruar as dhe një çast
nëpër udhët që ngjita,
nëpër rrëpirat që më gremisën,
nëpër muzgje vetgërryese
e agime në të cilat kurrë diellin
të ngrihej në horizont nuk e pashë.
Të betohem për çastin e mungesës,
për trishtimin që ndjej kur nuk të shoh,
për udhën që më çon te pragu
ku shpatullat i mbështes i vdekur
prej rëndesës së gurit që më vuri largimi,
të betohem!
Nuk të kam harruar edhe kur etjen e shuajta
në puse të tjerë e vende të tjera të largëta,
kur hëngra bukë të gatuar nga duart e huaja
e me gishtërinj preka gjoksin e një tjetre,
kur thitha lëngun e jetës prej buzësh të nxehta
e u përvëlova në afshe dëshirat trupore,
nuk të harrova, nuk të harrova…
Edhe pse pritja s’ka kuptim
kurrë nuk e braktisa ëndrrën
që sapo gjunjëzohet mbrëmja
zhvishet e fle me ty lakuriq,
të betohem!
GJITHË DITËN KAM QË TË KËRKOJ...
Kisha nevojë për fjalën tënde
si nuk u gjende në telefon,
si harabelë më ikën vargjet
dhe poezia keq çalon.
Nëpër hapësira kontinenti
gjithë ditën kam në ëndërrim,
ndër erërat që të përkëdhelnin
si s'e dëgjoje zërin tim?!
Gjithë ditën kam që të kërkoj
nëpër stacione me mërzi
se gjurmën tënde s'e kam gjetur;
në ç'kënd të globit ndodhesh ti?
Në qiell shoh dy pata të egra
në muzg-pikëllimin e kësaj bote
e them më mirë të isha shpend
se vargjet qenkan punë idiote.
Dita me natën rrokanisur
në këtë pranverë me angështi
më bëjnë të ndjehem i braktisur
si gjethe plepi mbi çati...
Gjithë ditën kam që të kërkoj;
ndoshta gjithë jetën kështu do të rri.
Recitimi nga autori ne kete link:
https://soundcloud.com/traboini/gjithe-diten-kam-qe-te-herkoj-recited-by-author-traboini
E KAM ATDHEUN TEK PORTA
Unë e kam atdheun tek porta
tek porta kam hyrjen e daljen
valixhen e vogël dhe letrat
e bardha për të shkruar
të zezat e jetës dhe hallet.
Sapo dal
i vë kyçin derës
e marr udhët e botës
bekimin - a mallkimin e të parëve
nëse marrosem, harrohem
dhe lutjen e Nënë Terezës
për kthimin.
Unë e kam Atdheun tek porta
tek porta i shkrova këto vargje.
2013
NË RRUGEN E KALASË...
Idromeno
Me bastun, borsalino e pallton e gjatë
nëpër errsinën që përpinte qytetin
dëgjoheshin veç bulkthet e natës
e valët bregut të liqenit.
Në rrugë ndonjë qen i braktisun
turfullima e ndonjë kali në grazhd
errësinës klithma e ndonjë shpendi
e yjet që shuheshin diku larg.
Nata e lodhte për vdekje piktorin
prej Diellit merrte frymë e ringjallej
ndaj gjumi s’e zinte deri vonë
nga ankthi i dritës në ardhje!
Sapo vinte agimi e bota zgjohej
ai flinte me rrezet e Diellit në Maranaj.
Kol Idromeno, daja i Dadës sime Katrinë
siç më thoshte në kujtimet e saj...
Shkodër 2012
SIMBIOZE SHKODRANE
kur na zë gjumi mbi gratë, Rozafat që fati
na i ka taksur
ne i ndjejmë ninullat që zbresin prej kalasë
me një djep druni premë prej pyjesh paganë
e lumejt e tamlit dallgëmbytun prej andrrave
harbuem si të ishin Kiri, Drini e Buna.
dashnija e dhimbja e malli e halli
drita e errësina, kanga e vaji
plumbi e pëllumbi e gjarpni nën gur
flenë krye në krye nën hijen tragjike të harkadave.
nuk ka pse ti ankohna as zotit as dreqit
për aluvionet që lashtësia ne bijëve të Teutës na i percjell
as për fatin që na vuni këtë rrisk biblik ne shkodranëve
të rrojmë si në legjenda e ti mëkojmë fëmijët
na i ka taksur
ne i ndjejmë ninullat që zbresin prej kalasë
me një djep druni premë prej pyjesh paganë
e lumejt e tamlit dallgëmbytun prej andrrave
harbuem si të ishin Kiri, Drini e Buna.
dashnija e dhimbja e malli e halli
drita e errësina, kanga e vaji
plumbi e pëllumbi e gjarpni nën gur
flenë krye në krye nën hijen tragjike të harkadave.
nuk ka pse ti ankohna as zotit as dreqit
për aluvionet që lashtësia ne bijëve të Teutës na i percjell
as për fatin që na vuni këtë rrisk biblik ne shkodranëve
të rrojmë si në legjenda e ti mëkojmë fëmijët
me tamël prej guri, edhe sot mbas dymijë vjetësh…
qyshkur vumë themelet e qytetit mbi gjinin e bardhë
të një gruaje
me këtë simbiozë sizmike kemi lindun.
qyshkur vumë themelet e qytetit mbi gjinin e bardhë
të një gruaje
me këtë simbiozë sizmike kemi lindun.
Boston 2006
KARVANAJ
Karvan me drita- karvan me yje
atje në rrugën Karvanaj
jetonte dikur si nimfë në pyje.
Kujtim i mbushun lotë e vaj
ani pse fshehun në shkurre vitesh
me magji ujnash në sytë e saj.
Flladi i liqenit- Bregu i Ranës
hije të randë lëshon Mali i Hotit
përskaj dy shtetesh, diku anës.
MURE ME MYSHK
Kishim një fik në oborr të fëmijërisë
shtëpia kishte dalje në dy rrugë
kalimtarët ndalonin – kuptohet se pse.
Unë, pronari i vogël mburresha
nga lartësia e pemës u hidhja fruta të pjekura
ndjehesha zi Zot përmbi Zota
e trojet e mia solide, të paprekura...
Por zotërimet ishin mbi themele të brishta
gjithçka shkonte drejt fundit të vet.
Në fillim u thanë gjethet e fikut
vera e messhekullit ishte zhuritëse
qiejt i mundonte etja për zogj.
Pastaj vdiq babai...
E që drama e fëmijërisë të plotërohej
pas babait u tha edhe pema
e vetmja begati e shtëpisë
me dy porta të vjetra.
Muret rrethuese zunë myshk të blertë
nuk e di në ishin shenjë jete a vdekje
fantazmat bënin beteja termopilesh në oborr
dy pëllumba që kishim, në fluturim u harruan
ndiqja me sy çdo gjë që po shkiste
si rërë e nxehtë në pëllëmbë të fëmijërisë
anipse përpiqesha t`i mbaja fort e më fort
pas vetes.
Nënën erdhi dhe e mori një burrë për grua.
Mbeta vetëm si kërcu i tharë në oborr.
Më dërguan në shtëpinë e fëmijëve
ku ndjehesha
ushtar i vogël jetim prej plumbi
i komandantes partizane Persa Grabova
që na ngulte një vështrim dyfish të qelqtë
(nuk kisha parë kurrë partizane me syze).
Altoparlantët këndonin rusisht
“Dasvidanja, paçemu?”
e ne ia kthenim - “Duam të ikim, po ku?”
Tani ajo që ikte prej meje ishte koha
në trajtë vitesh endacake- ujra që rrjedhin në lumë
për të mos dëgjuar kurrë më këngën ruse “Paçemu?”
për të mos veshur më kurrë pantallona të shkurta,
por uniforma të gjera me dok kinez blu
e në këtë ikje-rritje më dukej se dikush
më tërhiqte prej veshësh për të dalë
nga fëmijëria.
COKLA
- Nuk ka dru, - tha mësuesi i fillores.
Asht dimën i ftohtë! Do ngrini!
Na pamë njeri-tjetrin në sy
e vjedhtazi edhe mësuesin
si të ishim fajtorë, por s’ folëm.
I hollë, i gjatë, nevrik por i drejtë,
Kol Alimhilli na tha veç një fjalë:
–S’ka mësim, shkoni për cokla.
Oh-ooo, aq deshëm. Pa marrë vesh ç’na tha
e pa ditë ç’do banim, ikëm
plot zhurmë e u gjendëm në Gjuhadol
tek dyqani ku shitej pistil.
Të nesërmen prapë në atë klasë
si të ishte një katakomb prej akulli
duart zbrazun e sytë për tokë...
Mësues Kola na pa, tundi kokën e me vete
diç foli.
E mbylli regjistrin e u nis drejt Zallit të Kirit
mbas tij edhe na, rrugën përskaj Rrmajit morëm.
I egër ish lumi e mësuesi fort i rreptë.
Na kish thanë për coklat, por ne nuk dinim
ç’janë coklat; as fjalën e as kuptimin.
Atbotë mësues Kola në breg të lumit
nisi të ligjërojë:
- Cokla asht dru e limume prej lumit,
si alabastër, por nuk asht veç dru
- asht edhe fjalë
e drunin do ta marrim për zjarr
e fjalën do ta shënojmë në fletore
që kur të vij dimni tjetër
të mos më vini në klasë pa cokla.
E mësuam atë fjalë. E shënuam në letër.
Kishim një fjalor doracak për secilin,
e thuj tana fjalët kjenë gegënishte
por vitet shkuan e na i harruam coklat
edhe si dru edhe si fjalë.
Tash që mësuesi s’asht mâ
e fjalët e gegnishtes janë bjerrun,
më duket se ndigjoj nji zâ në Rrmaj,
- mësues Kola t’u thotë gjuhëtarëve,
edhe në dimën edhe në verë, pa pra:
- Ikni e më sillni cokla!
# 2 - ESÉ
POETIKA E
FËMIJËRISË
Fëmijëria ime dhe lotët e mi
të brishtë, rrinë ende fshehur në atë rrugicë në Shkodër që atbotë mbante emrin
“Badra”. Mua më dukej emri më i bukur në botë, por disa thonin se ishte thjesht
emri i një barishtjeje të egër. Gjithsesi Badra ime nuk kish si të ishte e egër
anipse pjesë e hidhur e jetës sime ka qenë.
Gjithçka në kujtesën time fëmijënore për këtë
rrugë nis me 14 korrikun, kur im Atë mbylli sytë përjetë. Isha vetëm 5 vjeç, në
moshë për ta ndjerë dhimbjen, por tepër i vogël për të kuptuar tragjedinë.
Ishte një ditë që ka mbetur pezull në kujtesën time. Vinin në këtë rrugë me
qindra fshatarë nga Hoti i Ri e Gruda e Re, nga Kastrati, Postriba e Gruemira
si dhe qytetarë nga Shkodra. Shtëpia jonë ishte me dy kate dhe mbaj mend se
trupin e babait e vunë në dhomën e mirë, në katin e sipërm, por aq të shumtë
ishin njerëzit saqë dikush sugjeroi ta zbrisnin trupin në katin e parë, sepse
shkallët e drunjta mund të përbënin rrezik për ata që hynin e dilnin për
homazhe. Mbaj mend nëpër kujtime përvëluese fëmijërie, se atë ditë shumë duar
kaluan nëpër faqen time, mbi ballin dhe flokët që m’i qethnin shkurt, e kjo më
bëri të shkrehesha në vaj. Kur kaloi nata dhe erdhi e nesërmja, 15 korriku, u
shpëtova atyre që përkujdeseshin dhe dola
në oborrin e madh ku njerëzit po nxirrnin në
krahë trupin e babait. E çonin në Fushë të Rrmajit dhe unë iu vura pas
kortezhit. Duke folur me fëmininë time e duke pyetur, pse mua kaq i vogël duhej
të më vdiste baba, por, eh,… kurrkush nuk më përgjigjej. Ishin të zënë, hidhnin
mbi të dheun e zi, në atë varr ku është edhe sot e kësaj dite, të cilin e rreh
trishtueshëm herë murlani e shiu dhe herë-herë dielli përvëlues i Shkodrës. Në
atë mes korriku çdo gjë u ndërpre - mbeti veç ai varr ku kam vajtur me qindra
herë në fëmini, në rini dhe më pas. Ngeli ai varr si një muranë që lidh kohën e
tij me kohën time. I vetmi kujtim, e vetmja lidhje.
Po kisha Dadën time Katrinë e për mua kjo do të
thoshte gjithçka. Ishte italiane me atësi, dije e kulturë, por në karakter -
shqiptare. Ajo më mbulonte çdo mbrëmje kur më zinte gjumi, ma hiqte lehtë librin
nga dora dhe bënte kujdes të vinte një shenjë në faqen që kisha lënë përgjysëm.
Ishte e bija e Motrës Tone(Skanjeti), për të cilën më fliste shpesh, kish mbet
jetime nga nëna shumë shpejt. Ishte mbesa e Kolë Idromenos dhe gruaja e tim
eti. Kaq shumë isha i lidhur me Dadën Katrinë si ajo lule dorëzonja që ngjitej
nëpër muret e avllitë e oborreve shkodrane, po edhe ajo tek unë kish derdhur të
gjithë dashurinë e zemrës së saj.
Dada Katrinë, ajo nënoke e dashur dhe fetare, me
vel të zi mëndafshi - që shkonte herët në orët e mëngjesit në Kishën e Madhe ku
predikonte nipi i saj Dom Ernesto Çoba (i vrarë ky më pas në burgjet e
diktaturës) - ishte një histori e gjallë, qoftë me jetën e saj, qoftë me çka
dinte e tregonte. Më tregonte për kandilët e
mëdhenj në të cilët kishte mbajtur të fshehur flamurin kombëtar - të
Skënderbegut - se kështu i thoshte.
Por, erdhi një kohë që mbeta edhe pa dashurinë e
saj. Pas një operacioni diletant në spitalin e Shkodrës, kirurgu (emrin e të
cilit nuk dua ta përmend, sepse nuk jeton më dhe ai), që ia kish lënë
operacionin studentëve, tepër vonë e pa se ishte një diagnozë e ndërhyrje e
gabuar e fatale. E operuan për të dytën herë dhe ajo nuk duroi. Nisi të shuhej
ngadalë. I thanë që duhej të më lajmëronin mua në Tiranë (isha në shkollën
pedagogjike) por ajo u la amanet: “Kurrsesi! Eshtë kohë provimesh, do të
dali mësues. Edhe po të vdes, mos i thoni. Kur të vijë në Shkodër, mos harroni
të ma sillni në Rrmaj te vorri, ta shoh, se ka shumë mall Dada për djalin!”.
Mbylli sytë, ata sy të bukur e inteligjentë që
kurrë më në këtë botë nuk do t’i shoh. M’u shua dhe një dritë shprese, u shtua
edhe një dhembje që kurrë nuk mund të shuhet, anipse jeta vazhdon tej e përtej
vdekjes, as njëmijë vdekje nuk mund ta ndalojnë vazhdimin e saj. Kur erdha në
Shkodër e kishin varrosur. Shkova në Rrmaj, ku varri ishte ende me dhé të
freskët. E kishin futur në një varr me babain. Ata ishin sërish bashkë, sërish
dhe përjetësisht. Të nesërmen trokita në derën e trashgimtarëve të Jakë Zorbës
dhe tezes Milenë, nënës së poetit Zef Zorba, motrës së Dadës Katrinë sepse aty
kishte kaluar ditët e fundit të jetës. Shtëpia ndodhej diku pranë vilës së
Doktor Prelës dhe Kishës së Fretënve, por vajzat e Tezes Lenë, më thanë se nuk
kishin asgjë. “Po ndonjë fotografi, - u thashë, - ndonjë letër a ka lënë,
ndonjë relike familjare a diç tjetër?” “Kurrgjë, - më thanë, - kurrgjë!”
Ma prenë shkurt e nuk kish farë kuptim të rrija,
aq më tepër, krejt kot po përpiqesha ta fshihja një pikë lot prej 16-vjeçari që
më tradhëtonte. E këtë para tyre nuk e desha. Kisha patur në jetën time dy
njerëz të dashur prej të cilëve nuk më
kishte mbetur asnjë gjurmë, asnjë fotografi, asnjë relike e kjo më dukej një
fatkeqësi akoma më e madhe. Një plagë që nuk dija si do ta mbyllja. Më dukej si
një varr i hapur, por tashmë jo në Rrmaj, por në shpirtin tim.
Tejet vonë, kur kisha mbaruar universitetin për
gazetar e kisha dalë në jetë, aty nga viti 1982 në Fototekën “Marubi” gjeta
fotografinë e saj bashkë me tim Atë. Ishin të rinj e të bukur. Më dukej se
tashmë i kisha pranë e nga thellësia e shpirtit u thashë: “Dadë, kërkova veç
njërin e ju gjeta të dyve, e, për besë,... tashmë kurrë nuk do t’ju humbas!”
Koha e solli të kem edhe unë Odisenë time nëpër
botë, të kaloj dete dhe oqeane e që nga Athina e kupës së helmit të Sokratit të
prek ëndërrimin e gjithë botës, Amerikën. Tanimë e kam edhe një shtëpi tjetër
në atë vend. E gjithherë kam kërkuar ta marr me vete atë fëmijëri që ka
sinonimin e Badrës, por edhe të pëllumbave të shumtë që mbaja atbotë, por nuk
munda. Sepse fëmijëria jonë nuk mund të ikë kurrkund përveçse aty ku ka
përgjakur gjunjët duke hedhur shtat e duke u rritur. Fluturimet e pëllumbave
të fëmijërisë sime të rrugës Badra kanë mbetur si mirazh në qiell, në kujtesën
e ajrit, kaltërsive, ndërsa gjurmët e hapave të mi, si grimca të vogla në
pluhurin e rrugës, në relievet e shtëpive, ca prej të cilave të rrënuar e me
mure mbuluar me myshk.
Shtëpia me ngjyrë tullë që edhe sot e kësaj dite
qëndron në këmbë dhe e fortë, ishte e familjes së Zef Çarkut që rregullonte
çadra dhe e të birit Çirilit. Nuk e di çfarë bëhet me njerëzit që dikur jetonin
aty. Në vazhdim e shtëpia e Gurazezëve, Kolës biçiklist dhe të birit Rozarit,
si dhe Ernest Guraziut e të bi
jve, Jakobinit e Rudolfit, të cilët mbanin
gardalina që e mbushnin tërë lagjen me cicërima të gëzuara e kur dikush hapte
radion, ato i shtonin cicërimat më shumë.
Diku ngjitur me ta ka jetuar familja Plumbini, i
njohur ndër ta Viktor Plumbini, futbollist i “Vllaznisë”. Përballë Gurazezve
ka qenë shtëpia hijerëndë e Rrok Shahinit, të bijve të tij Gjonit e Kolës
(traktorist i njohur ky i fundit). Tashmë kjo familje është shuar. Në shtëpinë
e Shahinëve shpesh vinte mik Maqo Çomo, që ishte ministër bujqësie dhe sillte
me vete edhe dy fëmijë të vegjël. Njëri nga ata ishte një vogëlushe sa një
kokërr mollë. Ne fëmijët e rrugicës Badra e shihnim me kërshëri atë njomzake
Tirane, që tash e njohim të gjithë me emrin Drita Çomo, poete me fat tragjik.
Në këtë rrugicë ka jetuar edhe babai i Çesk e Tonin Zadejës,
Rroku, rrobaqepës. Pranë tyre jetone familja Zojzi dhe Mjeda, Kol Mjeda kishte
vdekur në burg të Burrelit dhe vetëm pas viteve ‘90 mundi të kishte një varr në
Rrmaj. Përballë tyre jetonte një çifut Agopi, që mbante një dhelpër në shtëpi
dhe kur njëherë i ra zjarr, ai e kish mendjen të shpëtonte dhelprën e asnjë
pasuri tjetër para saj. Diku më lart shtëpia e Serreqëve, të njohurit profesor
Tish Serreqi, që kishte një nënë italiane të mrekullueshme (më bëhet me emrin
Xhulia), e cila punonte në spital e sa herë vinte nga puna takonte Dadën time
Katrinë. Bisedonte me të e i jepte për jetimët - ishte fjala dhe për mua -
ndonjë rriskë bukë gruri që ishte një lumturi për kohën kur populli ushqehej
vetëm me bukë misri. Mirënjohje për atë nënë!
Më tej vinte familja Dema, ngjitur ajo Ndoja ku
është rritur aktorja e njohur Ema Ndoja. Përballë ishte familja Gora e sulferit të njohur të
teatrit Ndoc Gora dhe e plakës Syn Perja. Mur në mur ishte familja gjakovare
Dionizi, me një djalë të arratisur. Mbaj mend se aty vinin dy motra nga Tirana,
të bijat e Gjon Dionizit, njëra quhej Eda, ndërsa tjetra që nuk ia mbaj mend
mirë emrin, dogji veten me benzinë në Tiranë sepse mbeti në një provim shkolle.
Çfarë trishtimi sjellin kujtimet! Në krye të
rrugës në një shtëpizë të vogël si një jerevi jetonte një profesor i madh edhe
me trup, edhe me emër, Kol Ashta. Konsiderohej më i madhi i plejadës së
gjuhëtarëve në Shkodër. Por ai gjuhëtar e mësues i madh nuk la trashëgimtarë e
pastaj gjërat derivojnë përkah harrimi. Kush flet sot për Kol Ashtën? Askush.
Nuk e di, por në krye të rrugës nuk e pashë ndonjë pllakë përkujtimore me
emrin e tij. A ndonjë emër rruge gjëkund. Të mos harroj mësuesen e bukur me
biçikletë Dori Shestani. Kompozitorin Simon Gjoni, nëna e të cilit, Dranja,
ishte bijë e hotianit Preloc Prek Peci dhe kish dalë nuse nga shtëpia e babës
tem në këtë rrugicë.
Pak më poshtë nesh ka qenë një shtëpi me oborr
të madh, në të vërtetë ishin disa shtëpi brenda atij oborri, e aty pranë derës
rrinte gjithnjë një plakë fort e moçme, e gërmuqur me emrin Mrikë, që kishte
veshje mirditore. Shpesh ajo fshihej prapa derës e shihte për plasash.Plakat e
tjera të lagjes tregonin njëhistori të tmerrshme për Mrikën. Ajo ishte lindur
në Shkodër e qe martuar në Mirditë e atje i shoqi i kish vrarë të vëllain që
kishte ardh për të bujtë. Ajo për hakmarrje e kishte vrarë burrin e vet me
spatë ndërsa flinte. Ne nuk e besonim se Mrika e kishte bërë këtë vrasje, por
ajo kishte një fytyrë e vështrim të ftohtë e kurrë nuk buzëqeshte ndaj ne,
fëmijët e Badrës, e kishim frikë.
Vite më vonë kur kam lexuar “Bardhën e Temalit”
të Pashko Vasës, botim i Rilindjes Prishtinë, mendoja se plakat e lagjes e
kishin sajuar atë histori pasi kishin lexuar romanin në fjalë. Por jo, romani ishte
shkruar në frengjisht e botuar në Paris më 1890. Ku dinin plakat e lagjes sime
të lexonin frengjisht që ta mbartnin këtë histori tek Mrika. Por e kundërta
edhe mund të kish ndodhë. Pashko Vasa ta ketë dëgjuar historinë e Mrikës e cila
kur është shkruar romani mund të ketë qenë rreth të njëzetave. Ndoshta.
Plot enigma të tilla kishte rruga e fëmijërisë
sime Badra. Kujtoj familjen me emrin e fshatit Barbullush dhe shoqen time të
shkollës me emrin që më tingëllonte si kryeqyteti kuban, Havajana. Apo dhe
familjen e vëllezërve Zef e Pjerin Baba. Më bënte çudi ky mbiemër, por edhe
mbiemri i pijeshitësit Kol Kamdruni gjithashtu. Fare pranë shtëpisë sonë
rrinte Nore Kolja, e reja e Ded Gjo Lulit me Katrinën e Luc Nishit, e bashkë me
ta disa kohë ka ndenjë mësuesja Lena Luli, gruaja e Gjelosh Lulit, të vrarë nga
komunistët, saqë thonë i kishin prerë kokën nipit të Ded Gjo Lulit. Mësuese
Lena jetonte me vajzat e saj të bukura si dritë, Klara e Bela, me të cilat
luanim në fëmijëri. Pastaj ikën se i internuan.
Aty pranë tyre jetonte familja e Mark Gjekës, me
bijtë Lec, Lin e Anton Gjeka dhe bijën Vitore, martuar tek Rashajt. Rita
Gjeka, aktorja e Teatrit “Migjeni”, vajza e Lecit, asokohe ishte një vogëlushe,
a ndoshta ende nuk kish lindur. Më lart në fund të rrugicës lartonte shtëpia e
madhe e Cin Daisë që zinte kryevendin. Ishte si guri i unazës së rrugës sonë.
Cin Daia ishte babai i kompozitorëve Tish e Tonin Daia e ngjit me të ka qenë
shtëpia jonë. Mbushnim ujë në një pus të përbashkët. Pranë pusit kishte një man
ku hipja gjithë verës për të ngrënë mana e për të parë sa më larg të qe e mundur.
Në fëmijërinë time ngjarjet zhvilloheshin si në
një film që shfaqej vetëm një herë. Ish koha kur botën e masja së shumti me
faqet e librave, me fluturimin e pëllumbave të mi, me fantazinë e lirë e të
përflakur. Në lartësitë e degëve të manit ëndërroja sikur isha një fluturak i
madh i qiellit. Ndoshta ai man m’i dha udhët. Më bëri një harrakat të vogël me
dëshirat e ikjeve të largëta.
E megjithatë fëmijëria ime mbeti aty. Aty ku ka
kaq shumë emra e kaq shumë njerëz e kaq pafund dashuri, përzier bashkë me
dhembje. Në të vërtetë edhe kthimi në kohë nuk është pa trishtim anipse na
ndihmon në artin i krijimit .
Gjithsesi kjo është një botë fëminore të cilën
nuk mund të mos e tregoj, nuk mund të mos i kthehem, përdryshe do ta ndjeja
veten pa identitetin e dinjitetin që më dha kjo rrugë.
E për më tej, në fushë të letrave e të
meditimit, poetika ime më së shumti nuk është kurrgjë tjetër veçse nostalgjia
për një kohë dhe për një botë njerëzore që kurrë nuk kthehet më.
Shtator 2012
Hyrja e vëllimit poetik "U DASHKA TE DAL NATEN VONE"
2012
# 3 - RECITIME NGA AUTORI:
KISHA DASHTË ME DEKË PËR S’ DYTI- recituar nga vetë autori Kolec Traboini
SHIRA LIRIKË- recituar nga vetë autori Kolec Traboini
GJITHE DITEN KAM QE TE KERKOJ-recituar nga vetë autori Kolec Traboini
https://soundcloud.com/traboini/gjithe-diten-kam-qe-te-herkoj-recited-by-author-traboini
VENUS PA KOKË- recituar nga vetë autori Kolec Traboini
GJINJË ÇAMËRIE- recituar nga vetë autori Kolec Traboini
DUART E NATALISË- recituar nga vetë autori Kolec Traboini
https://soundcloud.com/traboini/duart-e-natalise-recited-by-author-k-p-traboini
TANIMË LARG NUK SHOH- recituar nga vetë autori Kolec Traboini
TANIMË LARG NUK SHOH- recituar nga vetë autori Kolec Traboini
# 4 - FILM- POEZI NGA AUTORI:
DIMRI NE BOSTON- filmi & recituar nga vetë autori Kolec Traboini
SHQIPËRIME nga Kolec Traboini
JULIANNA BAGGOT
30 shtator 1969, USA
Julianna Baggot është autore e
16 librave, romane e poezi, ndër të cilët: "Vajzat flasin",
"Familja e Mis Amerikës", "Madama", Princi i Fenvej
Park","Ky vend i nënave"- poezi, "Dashuria e Lizzie
Borden"- poezi, etj. Autorja e njohur amerikane J. Baggot, e cila ka
botuar edhe me pseudonimet letrare Bridget Asher dhe N.N. Bode, është profesore
në Universitetin Shtetëror të Floridas. Poezia "Kur isha një vajzë me
emrin Monika" dhe “Edhe nëna si Juda” shqipërohen e botohen me me dëshirën
e autores Julianna Baggot, që të njihet edhe nga lexuesit shqiptarë.
KUR ISHA NJË VAJZË ME EMRIN MONIKA
Monika Levinski mendon Bill Klintonin
kur qëndron nudo përballë pasqyrës së hotelit.
Ne mund ta shohim njëri-tjetrin të mplakët
përballë një kamere a në faqe gazetash,
në degradim publik. Ndërkohë kjo ka nisur.
Shikoni përqasjen time më të re;
trupi im tashmë ndjehet i rënduar
në mes të shkumës së shampos,
e rrathëve të syve rrethuar nga sapuni.
Shikoni, shkëlqimi ka ik` prej lëkurës sime.
Nën sytë e përskuqur feks llamba e ngrohtë
që më jep shenjë se flokët më janë zbardhur
Faqet e tua janë mpakur.
Unë jam tronditur
si mund të shfaqesh kështu…
as në televizion, as në kujtesën publike
ku ne të dy s’notojmë më në shkëlqim…
por në intimitetin e dhëmbëve,
frymë e frymëmarrje.
Guxoj e të marr ty ca kohë
për një a dy ditë
si zog i fshehur në xhepin e vogël
ndërkohë imagjinoj
patjetër ti e di se si unë jetoj.
Pakëz kohë e zogu ikën
flatërimi lë gjurmë në sytë e përlotur
të jetës time. Ndjehem më e vendosur,
dhe bëj të iki kryelartë më përtej.
Por, sot ti më sheh krejt lakuriq
tek qëndroj para pasqyrës së hotelit.
Ti je një nga ata që më ke njohur më parë
kur isha shakaja me dritë e gjithë botës.
për cigaret, të brendshmet, veshjet me ngjyra
kur isha një vajzë me emrin Monika.
Mungesën e saj tashmë e ndjej,
më shumë se mungesën tënde.
EDHE NËNA SI JUDA
Ka dy të vërteta pafundësisht të pa cak:
Juda, për shembull, pema ku u var,
fusha e tij, imazh i fanepsur me para të përgjakura;
dhe nëna e burrit tim, si i puthi kokën të shoqit
shkoi e fjeti një natë me shoferin,
sepse nuk pati zemër
t’i thoshte burrit se ajo nuk e donte
ose mos vallë ajo ishte në dashuri
me atë që s’e kish?
Kjo nuk ka rëndësi. Ajo është e pafalshme.
Dje, një grua lidhi fëmijën e vet
në karrigen e guzhinës e me lecka benzine i vuri flakën.
Nuk e di si mund të jetoj në këtë vend të nënave;
kudo ku hedh sytë ne lëkundemi prej degëve.
Në kopsht një trup që kundërmon ngado…
Shqipëroi: Kolec Traboini
FILM HISTORI - PER SHKODREN NGA AUTORI:
DËSHMI NGA BARLETI 1504 – film dokumentar nga Kolec Traboini
Filmi më i mirë dokumentar i Kinostudios 1990
FINALE - POEZI E FILMUAR NGA AUTORI:
MIGJENI SI KRISHT- poezia &
filmi nga Kolec Traboini