DIN MEHMETI
1929- 11 nëntor 2010
KOSOVË
KOSOVË
edhe zogun edhe qiellin,
gjithçka që i duhet këngëve të pranverës
Tek lexojmë poezitë e Din Mehmetit ndjejmë se përveç së përditshmërisë
se jetës që e shqetëson njeriun dhe e bën ti rrah zemra për popullin e
vet, ka edhe një qasje e perceptim
tjetër të botës që na rrethon e që herë-herë na zë frymën, një hapësire e
dimension tjetër që na bën jetën me të lehtë e më të bukur, që na bën të
pandehim veten si zog e të kërkojmë qiej për të fluturuar. Në të vërtetë Poeti
na ka dhënë edhe zogun edhe qiellin, mjafton që të rrahim krahët e të rrekemi
nëpër kaltërsitë marramendëse të qiellnajës poetike te Din Mehmetit.
Kolec P. Traboini
____________ ☸ ____________
DIN MEHMETI
"Vajet e shiut"
GJITHNJË MË LARG VETES
Gjithnjë më larg vetes
Më i përakullt
Fjalët s’ më rrinë në gjuhë
Në letër s’rrezatojnë
Ikin të ndërkryera e më lënë
Hambar të boshatisur
Gjithnjë e më shumë
Po më tërheq zvarrë vetmia
Nepër një pyll të mërdhirë
Pa asnjë zog
Nëpër qiell të thinjur
Pa asnjë yll
Gjithnjë më i përhumbur
Me hiq
ARTI I RI I VDEKJES
Në botë ka festë
Ngritën zbresin
Flamuj të bardhë
Ushtrohet arti i ri i vdekjes
Vdekjes pa dhimbje
Pa lot pa klithje
Askush s’ka
Ku të fshihet
Nga vetvetja
VETMIA IME E SHKALLUAR
Mbi kokat tona të përdyllura
Mullinj të tërbuar bluajnë
Toka varrezë kolektive yjesh
Në qiell vriten mes veti rrufetë
Rrugët pështymë e zezë
Shpresat mizorisht japi shpirt
Vetmia ime e shkalluar
Maj, 1999.
GJAKU I DRITËS
As vet s’e di ku po shkoj
Në këtë natë që ulërin
Rrugët më çojnë zjarrishtave të mendimeve
E më kthejnë në hiçin tim të moçëm
Tash e di se humbjet
Nuk janë krejt humbje
As fitoret krejt fitore
As unë krejt unë
As vet s’e di ku po e thyej qafën
Në këtë natë më të zezë se korbi
Rrugët më çojnë në varrezat e shpresave
Ku pëlciti edhe shkëmbi
E më kthejnë atje ku shkelet gjaku i dritës
Gjakovë, 28.03.2010.
JETA JONË KOLLITJE
Kur flas me mikun tim
Në telefon ia përcjell
Fjalët duke u kollitur
Duke u kollitur
Më përgjigjet edhe ai
Telefoni mezi merr frymë
I fshin djersët
Edhe ai kollitet
Qielli ngjyrë hiri
Toka në buzë të dimrit
Jeta jonë kollitje ...
UNË DHE FJALËT
Herët fillova t’i bluaja
Fjalët e mia
E prej tyre të bëja hi
Rrugës vdisnin nga pagjakësia
E m’i braktisnin ëndrrat
Për një botë tjetër
Nuk gjenin dalje nga terri
As urë për të kaluar lumin e gjakut
As gacë në hi për ta ndezur zjarrin e jetës
Fat e pata të më gërryente nata
Si qeni i uritur eshtrat
Herët nisa t’i digjja fjalët e mia
E më flakën e tyre të shkruaja
Emrin tim në fletën e kaltër të qiellit
Të mos vdesin shpresat
Gjakovë, 2010.
PAMJE E TRISHTË
Qielli saç i nxirë
Toka pa ngjyrë
Mezi marr frymë
Ditët po ngrijnë
Frikë ...
EMRAT PA NGJYRË
Ëndrrat e fjalëve digjen
Xhepat e mendimeve ngrijnë
Emra pa ngjyrë
KUR VETËM ISHA
Një natë kur vetëm isha
Ndjeva një gërryerje në dhomë
U ngrita e shikova në çdo skutë
Rreth dritareve nën shkallë kudo
Kot asgjë
U shtriva në krevat
E fillova të mendoja
Kur papritmas përsëri zhurma
E gërryerjes edhe më e fuqishme
U enda nëpër dhomë si i çmendur
Derisa më në fund e kuptova
Se gërryente vetmia
Si qen i zi eshtrat e gjuajtura në rrugë
IKJE NGA VETJA
Shikime të gjarpërinjtë
Fytyra të akullta të përbishura
Buzëqeshje të egra
Dashuri të ftohta
Pa ngjyrë pa zjarr gjak
Urrejtje të zgjuara te secili
Ikje e vetes nga vetja
ASKUSH S’ DI CILI ËSHTË
Mendimet janë kthyer përmbys
Dhe vdesin mjerisht
Në Sheshin e Hyjnive
Dashuria vetëvritet
Pa lot pa klithmë
Njeriu tek njeriu
E sheh terrin e dritën e vet
Dhe nga vetvetja ik
Askush s’e pranon
Se është ai që është
Varrezat e mendimit
Po shtohen çdo ditë ...
Gjakovë, Mars, 2009.
MEDITIM I VERDHË
Shtëpia ime buzë rrugës kryesore
Natë vetëm në ballkon
Veturat shkojnë e vijnë
Me shpejtësi marramendëse
Njëra m’i merr duart
Tjetra këmbët
Pastaj mendimet gëzimet
E më lënë një zhurmë të egër
Që vdes shpejt
Nata derdhet ngadalë në gjumë
Ndërsa unë pres të më kthehen
Pjesët e marra
E në pritje tjetërsohem
E shikoj veten në pasqyrë
Tmerr ik nga vetja
Pergatiti: Kolec Traboini
Pergatiti: Kolec Traboini
____________ ☸ ____________