January 29, 2013

TRABOINI VJEN ME DY LIBRA POETIKE 2012





TRABOINI VJEN ME DY LIBRA POETIKE 2012

“Lule pellazgjike” dhe “U dashka të dal natën vonë” si dy degë lumi që rrjedhin e bashkohen në të njëjtin  shtrat. E gjithnjë e më shumë bindemi se Traboini është një lumë poetik që nuk shter as në sasi e as në ndjesinë e thellë poetike.
Dy vëllimet me poezi të Kolec  Traboinit që kanë dalë nga shtypi në nëntor u promovuan në Panairin e 15-të  të Librit “Tirana 2012”. "Lule pellazgjike" dhe "U dashka të dal natën vonë" -  janë vazhdim e thellim i frymës lirike të vëllimit "Itaka grua", libër i suksesshëm që  autori e ka botuar  në vitin 2008.
Në promovimin në sallën e Pallatit të Kongreseve diskutuan autorë të ndryshëm, të cilët vunë në dukje tiparet kryesore të poezisë së Traboinit, ecurisë së saj, ndikimit të poezisë së tij prej autorëve amerikanë sepse është terreni ku ka krijuar pjesën më të madhe të krijimtarisë së tij poetike si emigrant, si dhe vendi që zë krijimtaria e tij në poezinë bashkkohore shqiptare.
U theksua se libri “Lule pellazgjike” mbizotërohet nga një lirizëm i thellë dhe emocional në të cilin poezia erotike fryn që përtej oqeanit drejt brigjeve të Adriatikut ku janë rrënjët e lulet që përbëjnë themelin e lirikave të tij.
Përndryshe vëllimi “U dashka të dal natën vonë” dominohet nga lirika qytetare, shqetësimet e tundimet e poetit si qytetar i këtij vendi ku nuk mund të rrijë indiferent  për çka konstaton në jetën shoqërore. Edhe kur ndodhej larg ai kurrë nuk e ndau veten prej asaj çfarë ndodhte në mënyrë të përditshme në atdhe, e këtë e shpreh jo vetëm poezia, por edhe librat e tij me esé që trajtojnë problematikat e kohës.
Një prej kapitujve të vëllimit “U dashka të dal natën vonë”, me titull “Ode për Shkodrën” poezitë i kushtohen qytetit të lindjes, ato bulëzojnë në vargjet emocionuese të fëmijërisë së nxehtë përvëluese e në poezitë e mallit shkruar përtej oqeanit në mërgim.
Librat shoqërohen me esé meditative “Pellazg i mbetur pa Atdhe” dhe “Poetika e femijërisë në rrugën Badra” shkruar nga vetë  autori mbi jetën si një rrugëtim i gjatë i përhershëm, i pandalshëm e herë-herë i stërmundimshëm, si dhe rrethanat në të cilat lind arti poetik.


Nga vëllimi: “Lule pellazgjike”

TASHME KISHTE ARDHUR 

Nuk ka më asnjë kuptim pritja
as vështrimi i hedhur në fundin e rrugës
as heshtja jonë nuk kish më asnjë kuptim.
Në këtë ardhje ne diç kishim folur
tek pinim ujin e një shisheje
ndërsa gjerbnim kafenë në heshtje.
Kafeja ish e zezë, mendimet po ashtu
mbrëmë kryeqyteti mbytej në savana me shi
ndërsa sot mrekullisht dielli buzëqeshte.
Vështroja siluetën e saj
sytë që kërkonin zogj vjeshte
pa kahje, në nxitim e në ikje...
O zot, sa e frikshme është ikja.
Por unë nuk mendoja se e kisha humbur njeriun
...sepse tashmë ajo kishte ardhur. 

Vjeshtë 2011


LASGUSHIANE 

Kur shpallet një shi i pjerrët, i trishtë, i butë
në qiellin lirik të Poradecit
e shtergët kanë heshtur e më s’këndojnë
ndodh ajo që ndodh në shirat biblikë.
Mbi liqenin e trazuar derdhet një pikë lot
prej syve melankolikë të mjelmave njerëzore
që nga e para Evë tek më e fundit e Botës.


KISHA DASHT ME DEK PER S’DYTI 

...Edhe për së treti kisha dasht me dek
se dora jota ma solli dekën e bardhë
por edhe në vdeksha njëmijë herë
qoftë e njëmijta si vdekja e parë
- kush dreqin po pyet!
Vdekja në dorën tande ish aromë prilli
tan lulet ma sollën polenin te kryet
isha vet që të thashë: tash ma xen frymën
isha vet që të thashë më puth e më mbyt
- kush dreqin po pyet!
Tash, që u tejkrye pjalmimi i jetës
jam krejt i dekun derisa t’ringjallem
për t’ma marr shpirtin, për dek të dytë
i gatshëm jam për rimishërimin
- kush dreqin po pyet! 

9 qershor 2012


MUGETIRAT E MBREMJES 

Si më harrove kështu në ndajnatë
po dal udhëve të Tiranës
të shkoj nga sytë këmbët
se ndoshta diku-diku shoh
imazhin tënd e rrekem pas tij
si fëmijët pas balonave të ëndrrës
feksur si zemra në qiell....
Po tani është natë, natë që nxin
e unë hapësirave shoh
vetëm mugëtirat e mbrëmjes
e aty-këtu ndonjë yll
që më bëhet shok vetmitar
vegimesh sylagështa
në angushtinë e dhembjes.
Sa kohë që veten time e kam humbur,
nuk e di nëse ty do të gjej ndonjëherë.


OH Ç’ME GJETI MUA
ME VJESHTEN TENDE 

Oh, ç’më gjeti mua me vjeshtën tënde
si fustan prej gjethesh më mbuloi
farfuritës flladi gjoksin trandi
zogu i këngës qiellit fluturoi.
Zot, o Zot, ç’më solli vjeshta jote
ëndrrën si një nimfë ta përqafoj
ika, mora pyjet si i marrosur
gjiri i zjarrtë i Diellit më përvëloi...


DO TE ZHVESH 

Do të zhvesh, zemra ime, do të zhvesh
tërë rrobat e trupit do t`i heq
si një Evë dalë prej bible do të jesh.
Dhe pastaj, zemra ime, dhe pastaj
si një engjëll lakuriq në krahë do të mbaj
do të ikim në ca qiej ku s’na arrijnë
tërë akujt e dy poleve do t`i shkrijmë.
Kam një afsh që më përvëlon në dhè të huaj
kur të vij, buzët m`i zgjat, zjarrin ma shuaj
Do të zhvesh zemra ime, do të zhvesh
tërë rrobat e trupit do t`i heq.
E pastaj, zemra ime, dhe pastaj
qiejve do t`i biem skaj më skaj.

VAJZE NGA FISI I SHQIPONJAVE 

Ti je vajzë nga fisi i shqiponjave
më ngre lart në qiell
e më tregon hapësirat.
E pafundme mrekullia e dritës.
Në qiell të bukura janë dhe ëndrrat
atje njeriu ndjehet i madhërishëm, si Zot.
Por trillet e tua janë të pafund...
Pas kësaj, atje lart nisin stuhitë kozmike
pa mëshirë më kthen në pluhur
e më përplas për tokë.
Të paktën më bëj
pluhur drite...


LIQENI NUK B’ZANTE 

Liqeni i Ohrit nuk b’zante
qe tulatur liqeni për ty
dhe priste si të ishe një mjelmë
të t`përkëdhelte në faqe
të t`puthte në sy.
Liqeni nuk b’zante
heshtte e mendonte për ty!


Nga vëllimi “U dashka të dal natën vonë”:


SHQIPERIA 

Jo miqtë e mi, ikja nuk është tragjedia
e hedhjes së trastës në kurriz pesë shekuj
me një shkop për të zbuar qentë, kurrsesi.
Tragjedi është mosdija e ikjes
moskuptimi e harrimi i piknisjes
miklimi që jeta na afron nëpër troje
të largëta e me bukuri të mahnitshme.

Jo miqtë e mi, joshja s’është e fajshme
kemi të drejtë ta jetojmë epshin tonë
për gra e vajza aziatike, për qejfe e pasuri
por lëshimi i vetvetes në pasione të liga
duke harruar vendin tim e vendin tënd
duke harruar se e bukura magjike
është edhe tek lulja mbi shkëmb. 

Jo miqtë e mi, fajin nuk e ka Amerika
anipse më farfuritës Las Vegasi është
Bostoni, Detroiti, New Yorku,
San Françisko a Florida
se sa fshati yt a fshati im në Jug a Veri
sepse edhe këtu gjithçka është ngjizur
me mundime, me lotë, me dashuri. 

Fajin kurrsesi nuk ta ka ikja
trokitja nëpër dyert e botës
ku mësove shijen e bukës me djersë
por vetmashtrimi, harrimi se
Shqipëria e varfër nuk mundi të jepte
më shumë se qumështin e gjirit e dhimbjen
më shumë a më tepër se në sepete kish. 

Prandaj ti u bëre më i pasur e më i ditur
shumë më shumë se ata që s’dinin të iknin
- siç mençurisht ta thotë dhe Kavafis-
pikërisht se të mungonte Shqipëria
dhe dëshira për ta bërë të pasur atë,
pikërisht. 

I humbur do të jesh vetëm atëherë
kur të ikësh - e më të kthehesh prapë,
s’do të dish.


NE RRUGEN E KALASE...
                             Idromeno 

Me bastun, borsalino e pallton e gjatë
nëpër errsinën që përpinte qytetin
dëgjoheshin veç bulkthet e natës
e valët bregut të liqenit. 
Në rrugë ndonjë qen i braktisun
turfullima e ndonjë kali në grazhd
errësinës klithma e ndonjë shpendi
e yjet që shuheshin diku larg. 
Nata e lodhte për vdekje piktorin
prej Diellit merrte frymë e ringjallej
ndaj gjumi s’e zinte deri vonë
nga ankthi i dritës në ardhje! 
Sapo vinte agimi e bota zgjohej
ai flinte me rrezet e Diellit në Maranaj.
Kol Idromeno, daja i Dadës sime Katrinë
siç më thoshte në kujtimet e saj... 
Shkodër 2012


SHIRA LIRIKE 

Ju mbase nuk i ndjeni
ato përditë bien në shpirtin tim
e kur bien, në qiellin tim kuturisen zogj
që çukisin lëvozhgat e reve e u thërrasin
të gjithë atyre që janë në udhë të pambaruar:
- Ikni! Shirat po vijnë!
I vetmi që nuk ikën jam unë - sepse ato shira
bien më shumë brenda se jashtë meje
më sjellin fëmijërinë, ma zhveshin lakuriq
e unë endem liqenit si një ëndërr e zgaqun
në djepin tim prej uji.
Një ninullë zbret nga malet me lumin Kir
- lum me emër të lashtë sa bota:
Nuk ka perandori më të madhe ujnash, se Shkodra!


MORA VETEN ME VETE 


Mora veten me vete e shkova në Shkodër
retë e marsit rëndonin mbi çati
qielli i zymtë e zbraste pikëllimin në shi.
Kisha ardh për një mort
për një përcjellje-pjekje
t’u thosha njerëzve “Kryeshnosh!”
Jeta me jetë e vdekja me vdekje!
Si e mbuluam Ramiz Hekurin në dheun e zi
përtej Stom Golemit, në Shtoj të vjetër
u ktheva tek Nana në shtëpi.
Shtëpi o shtëpi, o dashuri e vjetër!
Nëntëdhjetat i ka mbushur Nana
rri në shtrat e nuk b’zan.
Isha i murrëtyer, i lodhur, krejt i ngrirë
-Gëzuar 8 Marsin!- i thashë me zë të mekur.
- Kukeja unë!- tha Nana. - Ky 8 mars
më gjeti edhe pa një njeri.
Pse po jetoj kaq gjatë veç për të përcjellun?
-Po jo moj Nanë, ka dhe gëzime për njerinë...
Po Nana si nana, nuk dëgjon. Veç flet
herë me të gjallë e herë me të vdekur...
Mora veten me vete e u ktheva në Tiranë
më vunë në mendime fjalët e Nanës.
Mos vallë i ngjas dhe unë asaj
me dënimin të vuaj pikëllimin e përcjelljes?! 

Shkodër, Mars 2012


KARVANAJ 

Karvan me drita- karvan me yje
atje në rrugën Karvanaj
jetonte dikur si nimfë në pyje.
Kujtim i mbushun lotë e vaj
ani pse fshehun në shkurre vitesh
me magji ujnash në sytë e saj.
Flladi i liqenit- Bregu i Ranës
hije të randë lëshon Mali i Hotit
përskaj dy shtetesh, diku anës.


KUJTESA E BRIGJEVE TE DETIT 

Më parë bregdeti kishte pak shtëpi
e një lokal të vogël “Breshka”.
Fare pranë detit, brigjeve të qeta
një rrugë të gjatë me plepa.
Ato janë shumë larg në kohë
veç valëzat ndër kujtime m`i sjellin
Pallatet me ballkone ajrore
nuk është e mundur të smbrapsen
tashmë...
Gjithçka që më fanitet si koha ime e blertë
është nostalgjia e brigjeve të detit.

2012 
Revista "Art & Vine" Nr.1, faqe 46, 2012