MOS VDIS DASHURI 2002 NOKTURN 2004 REQUIEM PËR NJË GJETHE 2005 TRINIA IME 2006 KOHA E PROSTITUTAVE 2007 ITAKA GRUA 2008 LULE PELLAZGJIKE 2012 U DASHKA TË DAL NATËN VONË 2012 E KAM ATDHEUN TEK PORTA 2012 DASHURI 2013 FAJIN E KA HEKUBA 2014 ORAKUJT NË FERR 2015 ODEON 2016 OFELI 2019 ODE PËR SHKODRËN

Zero pas njëshit - nga K. P. Traboini

 


🔴 ZERO PAS NJËSHIT
- Bankierin e vranë para Bankës së vet.-

Sot do të shkruaj për njëshin, 
për njëshin që pas vetes kishte shumë zero, 
- kuptohet të tillë njerëz quhen milionerë.

Kushdo që kalon pranë tyre ndjehet i vogël, 
ndjehet një njësh pa zero pas, 
i humbur në botën e pafundme të shifrave 
që s’duan të dinë për mendjet e ndritura 
- as për talente jashtë tabelës së shumëzimit.

Ne të gjithë e filluam nga njëshi, 
ai si ne po ashtu, ishim në një burg popujsh e racash 
dhe nr. matrikullit për të gjithë ishte një 
- por jeta paskësh qenë 
më e thjeshtë nëse gjendesh numër i vogël.

Kur portat e ferrit u hapën, 
i madh ishte zemërimi i shtypjes, 
e marramendshme ishte ikja prej trojesh, 
- por kishim përpara një mal pamundësish.

Ca fatlumë u ngjitën, ca u vranë, 
të tjerët mbetën aty ku ishin 
në kthinat e vjetra,
në shtëpitë me suva të rënë e lagështirë 
e me pak liri më tepër 
- por aspak mundësi më shumë.

Ai vazhdoi të ngjitej, sa më lart 
aq më shumë zero pas njëshit,  
shifrat tregonin marramendshëm 
 shkëlqimin verbues të ambicies së madhe 
- por dhe zilia që gërryen shkëmbin diku priste.

Sepse dihet, sa më lart të ngjitesh
aq më shumë i shkon rrezikut për skaj,
 e për milionat, zerot pas njëshit, 
- të japin gjysmën e lekut e të nisin në botën tjetër.

O Zot sa transaksion i lemerishëm,
të rrëzuan në rrugë me gjashtë plumba,
t’i numëruan një e nga një si para të thata 
pa lënë kohë ndërmjet t’u ktheje faturën 
-kuponi tatimor nuk vlen për botën tjetër.

Aty ishin policët, kalimtarët aty motori 
me kapuçonët e zinj, skafandrat edhe ata 
me ambicien kryeneçe që duke të vrarë ty 
t’i shtonin njëshit të tyre zero të pafundme, 
- sepse pagesa për vrasjen tënde ishte e majme.

Ti ike, të përcollën hipokritët, 
ata që të shiteshin si miq e u pastroje paratë 
të lanë vetëm, por dheun ta hodhën përsipër rëndë-rëndë,
- duke mbuluar transaksionet e tua në heshtje.

Ti dije aq shumë sa veç varri jepte garanci 
që ti më s’do të flisje, ndaj 
ta blen vdekjen me çmim më të lartë, 
kësisoj edhe në vdekje të nderuan 
duke respektuar ligjet e Mafies, 
- vrasësit e tu kurrë të mos gjenden 
se ikin në mes të ditës në drejtim të paditur.

Sa lule hodhën mbi varrin tënd, 
sa pikëllime të shtirura u gjendën, 
sa gra ledhatare i nxinë sytë me lot, 
sa burra të politikës medituan, 
- i kishte të gjitha e tani nuk ka asgjë.

Tani je një asgjë, edhe njëshin ta morën,
zerot nga pas ranë si të mos ishin, 
veç krimbat t’u gjenden si milionat, 
erdhën edhe ata të merrnin 
çfarë mbetet si trup kur shpirti ka ikur, 
- edhe ai në drejtim të paditur.

Tanimë banka punon pa ty, 
bankierë shtojnë masat e sigurisë që babëzinë 
ta mbrojnë nga krimi që shfaqet 
me skafandra e motor Suzuki,
- kësisoj dhe ata, qetësisht, 
të shtojnë zerot pas njëshit të vet.

©️ Kolec P. Traboini


Nga libri "ODEON - për gjëra që ngjasin"
Pantheon Books Edition 2016.

Edhe poetët ikin...K. P. Traboini


 🟢 EDHE POETËT IKIN


Edhe poetët ikin, vëlla Poet, ikin 

as mosha, as vitet, as udha, as shtegu 

as vetmia, as vuajtja, as burgu, as pragu 

as miqtë e as shokët nga udha nuk të kthejnë.


Veç në qiellin e Krishtlindjeve të shohim të tretesh 

si çdo yll që pikon, vëlla poet, që pikon 

në qiellin e ngrirë ku zogjtë në heshtje 

ravizojnë një çerdhe shprese prej akulli.

 

Ravijëzojnë një trëndafil në formë zemre,                      

ravizojnë portretin tënd me krrela Esenini 

e jakën e ngritur të palltos së vjetër  

ku strukeshin mendimet 

e duart ndër xhepat e shqyer që mardhnin 

si dikur në robëri edhe në liri, të varfër. 

 

Mbi qiellin e varrit tënd fluturojnë zogjtë, 

në borë, në shi e në diell janë atje, 

cicërrimat të thërrasin po ti s'mund të ngrihesh 

edhe kur miqtë të thonë "Eja të pimë një kafe!" 

si dikur edhe tani, mbledh supet e s'ndihesh! 

 

© Kolec P. Traboini

Boston, dhjetor 2006



Poezinë nuk mund ta mësosh si të jetë - nga K. P. Traboini


POEZINË NUK MUND TA MËSOJMË SI TË JETË
                   - Nuk ka Laureat as Profesor ti japë mësime -
 
Nga K. P. Traboini
 

          Njerëzit shkruajnë në mënyra të ndryshme, kanë përvoja të ndryshme, vijnë nga mjedise të ndryshme dhe është e natyrshme që të sjellin mendimet e perjetimet e veta të cilat për nga shkalla e intensitetit emocional, apo dhe mendimit filosofik duhet te jenë të pangjasheme. Edhe sikur gjithçka të ketë arritur në prefeksion, përseri ka një shkallë tjetër, një barrierë nëse mund ta themi nëpër të cilën duhet të kalojë e kjo është pelqimi i lexuesit. Por edhe ky nuk është gjithçka sepse edhe lexuesit kanë parapelqime të ndryshme, shije të ndryshme e nivele kulturore të ndryshme. 
        Është e kuptueshme që një tip rapsodik të parapelqejë poezitë me metrike klasike ku respektohen të gjitha rregullat në mënyre strikte. E drejtë e tij. Por një tjetër që ka lexuar shumë nga poezia e përboteshme, që i di zhvillimet poetike dhe përpjekjet e mëdha për ta nxjerrë poezinë nga kornizat strikte, ai është e natyrshme të pelqejë vargun e lirë që nuk ka asnjë kushtëzim. Por pavaresisht teknikes së përdorur poezia ka sekretet e veta të mbuluara brenda fjalëve, ka magjine e vet të cilën është e vështirë ta spjegosh, ajo lind si nënshtresë, lind jashte logjikës së rreptë, ështe si era që fryn e ne e ndiejme por nuk e shohim, pra çasti i krijimit ka prekur subkoshiencën.
     Jo më kot Platoni thoshte "Poezia është e folura përçartë e perëndive!"
Dhe, duhet pranuar, të shkruarit do kulturë e dije, e njëjta gjë kërkohet edhe nga lexuesi. Një njeri që pi qumësh tërë jetën vështirë të kuptojë e të vlerësoje shijen e verës. 
      Dhe autorët të kenë parasysh kur kerkojne të vetlartësohen e vetlavdërohen me krijimet e veta se, nuk matet gjatësia e njeriut me hijen e mëngjesit, se kur dielli ngrihet në zenit njeriu nuk ka më hije.
Kjo që shkrova më sipër, nuk është shkrim apo analize por një koment i shkurtër, le ta quajmë ese, në të cilin shpreh mendimin tim e askush nuk ka pse shqetësohet.Unë këtu nuk them si të shkruhet por shpreh mendimin tim e përvojen time në shkrim. E kam thënë e vazhdoj ta them, shkruaj siç më pelqen dhe nuk e kam as kohën e as moshën të bëj ushtrime metrike siç më sugjerojnë vargmatësit. Ka ikur treni larg të nderuar. Fakti që dikush mi kërkon poezisë këtë e atë do të thotë se kanë mbetur pre e shkollarizmit. Po more miq, ju po thoni që manushaqja duhet të dalë kështu e ashtu, të ketë këtë ngjyrë e të ketë këtë erë. Por kur ajo ti ketë ato që doni ju atëherë ajo nuk është manushaqja e papërsëritshme e pranverës, por sajesa juaj me aromë të stisur.       
     Thoni se duhet të ketë patjetër poezia figurë....po kjo është recetë, e me receta merren vetëm ilaçet e mjekut. Po jo poezia. Ka poezi që nuk kanë nevojë për asnjë figurë...por ka edhe poezi që mund të ngrihet mbi bazën e figuracionit. Vargu i lirë është një evolucion i madh, i cili është çliruar nga çdo gjë që e kushtëzon shprehjen e mendimit e të ndenjës. Jam në një mendje që poezia i ka të vetat ato elemente që përmendni, por nuk ka ligje në këto punë.       
        Nuk ka rregulla strikte. Ndryshe prej të gjitha arteve të tjera poezia ka fituar lirinë që të jetë ajo që deshëron vetë të jetë e jo ajo që i kërkohet të jete. Por ndërkohë unë e kuptoj dhe e respektoj edhe metriken, edhe vetë i perdor jo pak herë vargun popullor, poezinë tradicionale, folkun pra, por kjo nuk e dominon poezine time.
Parapelqej të shkruaj çastin, atë që më ngacmon e kërkon të dalë prej meje ashtu siç ajo do të dalë pa e imponuar. Quajeni po deshët prozë poetike apo poezi prozaike, mua as që më shqetëson. Ku pyet toka se ti nuk do që të dale bari në livadh. Ajo do ta nxjerrë fijen e barit sa ta ngrohin pak rrezet e diellit.        
        Edhe njeriu është tokë, por dikush tokë e mirë e pjellore e dikush tjetër tokë djerr, e dikush tjeter gurishte e zallishte, tokë shterpë, që unë i quaj shtërpuca. Këta janë vazhduesit e denjë që falen në tempullin e Hasan Zyko Kamberit. Edhe ata në të drejtën e tyre. Kane zgjedhur perëndinë që adhurojnë.