Robert Martiko shkrimtar & eseist |
Nuk është e mundur që njeriu dhe kur nuk ka bërë asgjë të keqe, të ketë ndjenjën e fajit brenda vetvetes. Megjithatë, e pësojnë edhe individë të veçantë me karakter guximtar. Poezia e bukur më poshtë, e poetit të njohur Kolec P. Traboini me origjinë nga Shkodra e MBINJERIUT Pjetër Meshkalla, është pasojë pikërisht e kësaj ndjenje. Ndjenja e fajit lindi në Evropë duke u bërë një tregues i lartë kulture e qytetërimi. Elementi i fajësisë vjen nga fakti që njeriu ndien nostalgji për të kaluarën, të shoqëruar nga kujtesa e mendimi. Evropiani jeton grisjen e vet shpirtërore si një fakt të brendshëm, jo si informacion të jashtëm që mban njeriun pa mendim, të grupit, meteor në stratosferë. Im atë, Dino Martiko, në dy në hetuesitë e tij, ndonëse nga gjeneralët e ministrisë së brendshme dridheshin të mëdhenj e të vegjël, atij i dukeshin sikur të ishin miza. Megjithatë, nuk mungonte të thoshte se po të dëmtonte qoftë dhe një fëmijë të vogël, do të ndjehej fajtor para tij.
Krejt ndryshe, njeriu i vëllavrasjes, porsa kalon rrezikun e Ligjit, nuk do t’ia dijë për jetët e humbura nga diktatura. Gjithnjë e më shumë përfshihet në botën e përçarjes me të përngjashmin e tij, me një urrejtje që nuk e ndalon asgjë. Janë fenomene që korrigjohen nëpërmjet kultivimit të ndjeshmërisë, poezisë, arsimit të duhur dhe mbi të gjitha kuptimit të problemit në brendësi. Në Evropë këtë e korrigjoi Rilindja Shpirtërore, tokë krejt e panjohur dhe pa interes për Njeriun e Ri Socialist, sot të kudondodhur dhe në trajtë profesori universiteti, jashtë Kohës së Qytetërimit Perëndimor.
UNIVERSALE
E NESËRMJA IME PASI TË ZGJOHEM
( nëse zgjohem )
Do të përpiqem të ndjek veten - nëse e arrij.
Do përpiqem të mos i bëj hije askujt.
Do përpiqem të mos i zë tjetrit hisen e diellit.
Do përpiqem të mos vras njerëz
dhe barin do ta shkel me kujdes.
Do lagëm në shi në dimër.
Baltë do të kem në këpucë.
Në kafene do rri i menduar
me imazhin e asaj që ka ikur
dhe cigarja do t' më djegë në buzë.
Do përpiqem të mbjell lule.
Do të dal të pres dallëndyshet.
Do të hallakatem në erë në flirt me qiejt.
Do të jap e të marr dashuri marrëzisht
pasi ajo të ketë ardhur. Nëse vjen.
Që kur të vdes - të mos kem asnjë peng.
KOLEC P. TRABOINI