MOS VDIS DASHURI 2002 NOKTURN 2004 REQUIEM PËR NJË GJETHE 2005 TRINIA IME 2006 KOHA E PROSTITUTAVE 2007 ITAKA GRUA 2008 LULE PELLAZGJIKE 2012 U DASHKA TË DAL NATËN VONË 2012 E KAM ATDHEUN TEK PORTA 2012 DASHURI 2013 FAJIN E KA HEKUBA 2014 ORAKUJT NË FERR 2015 ODEON 2016 OFELI 2019 ODE PËR SHKODRËN

🟣 KOHA E PROSTITUTAVE- K.P. Traboini / Tiranë-Boston 2007



KOHA E PROSTITUTAVE

PROLOG
eternita

Mos e përsërit dy herë shprehjen “Eternita”! Brenda  saj, ajo ka një të fshehtë përvëluese, një kod mistik, të cilin gjithnjë e kërkon e kurrë nuk e gjen.
Edhe në e takofsh gjëkundi, fatlumturisht, kurrë nuk mund ta dëshifrosh enigmën e tij. Tërë jetën ndoshta kështu ngjet. Kërkim, mosgjetje dhe djegie.
Kjo jetë është lojë dritash, kurrë nuk ta jep atë mundësi që të realizosh të gjitha ato dëshira dhe ëndërrime që ke në mendje e në zemër. Prandaj dhe njeriu jeton dyzimin e tij që kur është krijuar bota njerëzore…  Në ato çfarë jetojmë ngandonjëherë në disa çaste, dyshojmë se jemi krejt ne...ose hamendësojmë se jemi  tjetërsuar për ca orë gjatë ditës e natës, kemi ndryshuar trajtë, jemi bërë tjetërsoj nga e rendomta dhe rutina e përditëshme e përjetëshme. Duke vëzhguar jetën e vet, njeriu ve re se nuk është vetëm në atë pjesë ngjarjesh,  nga skajet e shtëpisë në auditoret e fakultetit, apo qoftë në disa ecejake më të largëta. Je dhe diku tjetër.  Mirëpo, jo të gjithë njerëzit i kuptojnë këto transfigurime, këto ndërrime trajtash në mes të hapësirave të së njëjtës kohë. Varet prej njeriut sigurisht, prej prirjeve, prej dëshirave dhe ëndërrimeve herë herë të përndezura.  Që në fëmijërine fatthyer isha një ikanak trazovaç, adoloshent  kohëlëshuar, sepse gjatë gjithë kohës më pëlqenin prapësitë, por në disa orë të ditës a të natës, shkëputesha prej njerëzve e prej prapësive të moshës dhe rrija e kundroja vetminë time. Niste një gjykim tjetër.  Përqasja vehten me botën, me njerëzit, me yjet, me çdo gjë tokësore, e në ato çaste ndjeja të isha një tjetër. Isha fluror. Isha një zog dhe  qytetin e Shkodrës dhe gjithë botën e shihja nga sipër. Shumë herë rrija te një tufëz resh në qiellin e kaltër dhe më dukej se isha në një lisharëse dhe tundja këmbët. Pse i tund këmbët kështu në karrike, më thoshte Dada ime, e unë atëherë zbrisja nga qielli im i shtatë në shtëpinë e fëmijërisë në rrugën Badra. Ky tjetërsim më ka ndjekur gjithë jetën. Dhe kthimet nga njëra gjendje në tjetrën gjithmonë i kam përjetuar me ankth.
A mund njeriu të bëjë dy jetë brenda një jete?! Një zot e di por veç diçka ndodh. Ndryshe i sheh e i gjykon gjërat kur je në një mjedis me njerëz, e ndryshe kur je në vetmi. Kur je në mes të rrëmujës njerëzore mund që e ndjen vehten një gjë krejt të rëndomtë, por kur ulesh diku e mediton, bota jote mbushet me një dritë thuaj hyjnore, je tjetër njeri, ke tjetër frymëmarrje, mushkëritë të mbushen me ajër çudibërës, e ndoshta për një çast vë dorën mbi gjoks e thua, o Zot ku ndodhem.
   
bëj ç'të duash me mua hyjni dëshirash
kthemë në një jon drite
më bëj një yll, pa le të tretem e shuhem
me rrapëllimë, në qiejt sterrë të jetës time...

Në jetën e përditshme e ndjej vehten rondokopi më i zakonshëm. Njerëzit e rëndomtë kur ndodhen pranë meje shfaqen superiorë për shkak se mund të kenë disa prioritete fizike, moshe e të tjera diferenca krejt të rëndësishme këndej, ndërkohë krejt të parëndësishme andej. Mirëpo unë brenda vehtes nis e i mjegulloj gjërat, i bëj më ajrore, më papeshë, tërë titujt, dekoracionet , profesorët çantëmëdhenj , ofiqarët, ministrat, pse jo dhe presidentët, i transformoj në mirazhe që mund të terratisen lehtë në qiellin tim eternal, si tym cigarje që tretet hapsirave në një fjollë gri.
Vazhdoj pa u ndjerë atje në viset e mia ku tërë ajo mori njerëzore mbuluar me fallsitete bëhet fir. Në atë pjesë të botës, ku ndodhem pothuaj përditë nga pak orë, bëj në mënyrë të menjëhershme rivendosjen e gjërave në unison me ndjesitë më të thella të shpirtit dhe dëshirave më të fshehta misterioze. Rrethanorët  të rratisen e unë tjetërsohem. Nuk jam më ai që kam qenë, megjithëse e shumta të nesërmen kthehem sërisht aty ku isha, në rrjedhën e jetës së rëndomtë.
Nuk është e mundur të mohoj as njërën e as tjetrën pjesë të jetës sime. Të dyja i le të jetojnë. Jeta ime përbëhet nga këto dy pjesë. Përpiqem me të gjitha forcat për një ekuilibër, mirëpo pjesët kërkojnë prioritet ndaj njëra-tjetrës. Do të ishte fatkeqësi që njëra pjesë të ushtronte dhunë e të shfaroste pjesën tjetër. Kjo do të sillte kalcifikimin e ngrirjen e shpirtit, një mort akulli:

një dimër zëmërak u rrëzua prej qiellit
mbi supet e mia gjethet ranë e vjeshta u platit përdhè
shtergët pikërojnë elegjinë për stinën e vdekur
unë rri këtu pa ty, në këtë mort akulli.
dashuritë ikin viseve të jugut, nëpër re

Eternalja ka fuqi fizike e natyrore e ushtron pushtet më të madh se çdo forcë apo yshtje tjetër në botën njerëzore. Ajo e  pushton tërësisht hapësirën e kohës, e mendimit, të ndjenjave dhe nuk i lë kurrgjë, kurrnjë hapësirë reales, konkretes, mishërimit, gjykimit si një njeri i rëndomtë i përditshëm, me psikologjinë e halleve, të ushqimit, të veshjeve e këpucëve, përkujdesjeve për të afërmit, bërja e detyrave të shtëpisë si bashkëshortë shembullorë.
Ky aspekt në komunikimin eternal fshihet. Realja zhduket prej horizontit dhe mbetet vetëm shpirti, meditimi, dëshira pa kufi deri në infinit... Në këto segmente etërore fryjnë erëra magjie. Njeriu bëhet i ndjeshëm. I kalon më shumë adrenalinë në gjak e  në krahëror ndjen një eufori të brendëshme, gjërat shfaqen të trëndafilta, kanë aromë, janë dehëse e natyrisht marramendëse...
Çfarë pret të ndodhë nëse për një kohë të gjatë njeriu noton në këtë det eteri? Kurrgjë më shumë se sa t‘i ndizen dëshira të panjohura më parë, të paimagjinueshe, t’i ndizet dëshira të lozë e të bëjë dashuri me zjarrin... metaforik:

poeti kurrë mos qoftë nëse nuk është
si diell që në kupë të qiellit rrekëllen
si zjarr që bën dashuri me zjarrin 
e prej zjarrit shuhet. Amen!

E kjo lind vetvetiu. Nuk ka forcë në botë që e ndalon lindjen e Diellit. Ashtu ndodh edhe me mendimin. Së pari njeriu mendon... E pastaj.... Dihet pastaj. I bie në krahë ëndërrimit, ndjehet si në një varkë mbi det të qetë e me një perëndim dielli të kuqërremtë. I lëshohet puhizave që i përkëdhelin fytyrën e trupin  e me duar të bashkuara e sytë e ngritur lart i bën lutje qiellit.
Mirëpo jeta është jetë, është formë, është ligj, është normë.... Ajo bëhet në tokë në trajta të përcaktuara, në ligjësi të vendosura ca nga natyra e ca nga vetë njerëzit. E kjo zbritje prej eternales në tre dimensionet e hapsirës tokësore, në volumet pra,  është për shpirtin si rrëzim meteorësh. Ndaj kur ndodhin ndonjëherë incidente në marrëdhëniet njerëzore të pranishmit shprehin çudinë se si ndodhi kjo e papritur, si rrëzimi i një ylli në një natë të qetë. Mirëpo yjtë i kanë stuhitë tjetërsoj:

kush nuk dëshëron të rrëzohet si yll,
nuk duhet të ngjitet kurrë në qiell 
qielli është vendi ku digjen planete
edhe në dëshirat njerëzore po ashtu
nuk mund të ketë dashuri pa djegur veten. 

Eternalja, ajo pjesë e jetës sonë të padukshme, herë herë e fshehtë e mistike, që zgjon dëshira deri atë çast rënë në gjumë të gjatë letargjik, është drithëruese. Ajo nuk ka fuqi të ndërrojë rrjedhën e jetës së njeriut kur ky harrohet, i lëshohet të përditshmes, dërmohet prej lodhjes e përhumbet prej gjumit, duke mos i lënë asnjë hapsirë meditimit, ndjenjave, fantazisë, perjetimit të thellë, admirimit të së bukurës dhe lënien e shpirtit të lirë.
Por, kur dikush i lëshohet këtyre ndjesive, e lë shpirtin e vet të lirë, nuk i vë kufi ëndërrimit, çlirohet prej pengut të së përditshmes si zinxhir burgu nëpër këmbë, ai ndjen para vehtes të hapet një portë, në brendësi të së cilës, tingujt e lirave e ndjellin në hapësira eternale ku mbizotron  drita flakëruese e një zjarri që djeg çdo gjë tokësore e, duke i kthyer shpirtrat në yje që dashurohen.  Është kjo dritë yjesh që shohim, kjo dritë yjesh që fërgëllojnë si gjijtë e përvëluar të një vajze, që ka rënë në dashuri me zjarrin e prej zjarrit shuhet.  Amen!
 
   
    k. p. traboini
    25 maj 2007
  

 KOLEC TRABOINI
NJË TABOR ME QIEJ

Cilin qiell do, më thuaj 
kam një taborr qiej në trastën time
tërë jetën nëpër botë degdisa kokën
e sipër kokës kudo qiej pata
me shi e pa shi 
të ngrirë apo të përzhitur nga vapa
blu të thellë, gri apo të kaltër
ngjyrë bronzi me diell në perëndim
e me pak det, e një tufë pulëbardhash në ikje
me nostalgjinë e ditës që shuhet e tretet
e me shpresën se të nesërmen ka sërish agim.

për ty do ta gjej një qiell, veç më thuaj
lëshoje zërin tënd përmes erërave e shtrëngatave
që dëshira të marrë ngjyrë të kaltër
e të shfaqet si me magji në një pikë vesë
sepse edhe në mos pastë qiell, do ta krijoj
me penelata dielli e me fruta vjeshte
vetëm të marr prej teje një buzëqeshje...

PSE NË DY KOHË RRJEDHIN UJNAT

Çfarë është ky lirizëm i marrë fluturues
që e pushtoi qenien time sonte, 
më përsjell kahmos, por gjithnjë ndalon në lagjen e vjetër
tek Dugajt e Reja, ku dikur ka qenë një trumë 
aty ku në fëmijëri kam shuar etjen.

dhe ti fëmijërinë nëpër ato rrugë e ke shkuar
por nuk besoj të jemi përplasur ndonjëherë
paçka se uji në të dyja kohërat ka rrjedhë
veç larg, shumë vite larg, ndoshta sa yjet
që në drithërima të ftohta kozmike shohin njeri-tjetrin.

pse rrjedhin ujërat, ndonjëherë veten a e ke pyetur
pse të rinohemi e të plakemi në kohë të ndryshme
në dy skajet e largëta të globit?

PROGNOZA E SHPIRTIT

Në rrethbotën tënde të përditëshme
ku qiejt i zgjedh sipas dëshirës
herë herë të ndjellin savana të mërzitëshme
por edhe në qoftë qielli rreknajë me shi

je ti ajo që e bën të kthjellët si loti
e fluturon qiejve si zog në kaltërsi.
qielli, nata, dita, yjt’ e dielli
stuhitë e shtërgatat lindin bashkë me ty

kurrgjë tjetër në botë nuk ka përtej kësaj shfaqje.

HUMBJA E LARGËT     
  
...Kam qeshur hidhur me vehte - e kur njeriu qesh me vehte
në mes të natës - në qytetin ku ka lindur Allan Poe
para një letre, që ende mban aromën e trupit të një Anabel Li
njëzetvjeçare, e gjatë, sykaltër, me lëkurë të zeshkët

veshur me bronx dielli australian, diku përtej oqeanit,
përtej hënës së plotë, akoma përtej stinës
ku piqen frutat e ëndrrave, përtej çdo gjëje të mundëshme
të paprekshme me dorë - tej e përtej çdo iluzioni

...atëhere diç fsheh kjo buzëqeshja ime e mesnatës
kjo melankoli për dëshira të brishta, që ende flënë
si zogj të arratisur, të lagur, nën gjethe e drurë
të marrakatun pas dashurive të humbura.

Mos vallë, atë vajzë që s'e shoh veç nëpër delire vere
nëpër skutat e shpirtit tim, ku plot me reflekse më shfaqet
nën qiej të përmbysur që ndajnë pafundësisht dy kontinente
mos vallë, mos vallë,  ende pa e fituar e kam humbur?!

KËSULKUQJA

S'ka plakje për ty, mikja ime e fëmijërisë
mpleksur tërë jetën me ëndrra pyjesh
me panja e bredha e dhelpra që fshihen
e të ndjekin tinëzisht nëpër lirishtat e botës.
ika dhe unë pas gjurmëve të tua të kaltra
por silueta me kësulen e kuqe më humbi
nga sytë, po jo nga zemra që drithërohej
kur pyjet u errësuan e ujqërit ulërinin
teksa fanari në shtëpizën prej druri u shua.
kush e di sa qiej gjethesh u përmbysën
kush e di sa lotë rrëzoi qielli mbi dhè
që u shuan nëpër rrëpira e katakombe
kushedi sa pranvera erdhën dhe shkuan
e unë s'të kisha pranë të ndjeja qënien

e format ti prek - dhe shpirtin gjithashtu
të marr një fije floku të kuqërremtë
në dorën time ta vë
si pendul ore qiellore të shfaqet
në vrundujt e erërave oqeanike
për të matur kohën që ka shkuar
në mungesën tënde - kohën e vdekur
e kohën që ende për dashuri ka mbetur
në shportën me luleshtrydhe për miqtë e zemrës.

e krejt natyrshëm, zotit Diell, t'i them
faleminderit që linde njeriun
faleminderit që më linde mua dhe Kësulëkuqen
faleminderit që ka jetë
ka dhe dashuri deri në vdekje.

QIELLI

Çfarë na duhet qielli
nëse në katër stinë
nuk shohim dy zogj të dashuruar.

DASHURI ME ZJARRIN
                        
            .... Pash qiellin e pash dhèun 
pash ëndrrën që në qerpikun tënd zgjon botën 
pash frymën që tret shpirtëra e ngjall gurë 
kur mbi ta shkel si zanë këmba jote... 
pash dy kokrra shegë si gjoksi i një vajze 
kur çahen të kuqërremta e lëng pikojnë 
duke i kthyer dëshirat në pika vese  
me të cilat bën dashuri Dielli e vetë Zoti 

tek kalamendem duke parë pasionin e dritëzave 
që shkrihen e treten në ekstaza qiellore 
unë, eh unë, si qënkam katandisur, si 
të pres që vajzat e Kalifornisë
ca kurvica të bukura 
të bëjnë striptizë me oqeanin e diellin 
e pastaj, kur si yje ndajnate të këputen e bien
kur trupi t'u ftohet e t'u tkurret 
t’i pushtoj si statuja të mermerta, 
e të bëj dashuri me nimfa të fjetura?!

sapo horizonti të përskuqet nëpër rrëpirat qiellore 
eja mikja ime, me gjykim të gabueshem
të mësosh një nom të thjeshtë, por të qenësishëm:
kufomat nuk hyjnë në fjalorin erotik të poetëve 
s' mbështes kurrë në gjoks një dashuri pa frymë. 
hej, po e për çfarë dreq pune mund të vlejë poeti 
nëse nuk është një Vezuv e në gjoks 
si llavë zhuritëse andrenalina s'e përshkon 
kur pranë i vinë gjallnesa të bukura 
me hire e gjire si të tuat - magjiplotë.

Poeti kurrë mos qoftë nëse nuk është 
si diell që në kupë të qiellit rrëkëllen
si ai zjarr që bën dashuri me zjarrin 
prej zjarrit shuhet. Amen!

EVË VJESHTE

Tek të mendoja të shkrova "Do të puth në vjeshtë"
nuk e di pse pikërisht në stinën e verdhë
ndoshta se atëhere ti merr aromën e frutit
e trajtën e Evës në çdo vjeshtë ti merr

nuk e di, do jem a do mos jem në vjeshtë
nuk e di, do kem a do mos kem atë fat
por puthje gjithnjë do të ketë për gjinjëmollat e Evës
paçka se ndonjëherë i ndalon zoti si mëkat.

12 gusht 2007

IDIL NË STINËN E TRETË

Vjeshta është dashuri nuk është zbehje vdekje
paçka se trishton e verdhë në fruta e gjethe
ështe nektar idilik,  është aroma e jetës
çdo vajzë a grua me gjoks frutash sfidon
edhe dimër në qoftë, edhe kur acari mbretëron...

gjithmonë e kam dashur e do ta dua vjeshtën
se brenda frutave të saj rri fshehur
një diell i hareshëm
një diell që të mban ngrohtë tërë jetën.

12 shtator 2007

SFIDE VDEKJES

Prej kryqit po zbres
pa bërë dashuri me ty
nuk  mund të vdes!

Tiranë 3 tetor 2006
 

VETMI KAUKAZIANE
"Poezia jote është ndjenjë që trazon shpirtrat e qetë!",
                                                              më shkrove
 
 ...Atëherë mendova, jam djalli, jam Demoni, jam legjenda
e që të mos thërmohen legjendat si rërë në dunat egjiptiane
qytetet të mos gremisen si Troja e lashtë prej trazimit demonian
duhet kërkuar e gjetur një Tamarë patjetër
e në mos u gjendtë Tamara kurrkund mbi dhè
eja mikja ime që në siujdhezat e Mesdheut bën flirte me detin
e si sirenë homeriane, çon peshë zemrat e marinarëve të tretun
si unë, tej e përtej kontinentit, eja...

bëju ti Tamarë Kaukazi e rrokma pikën e lotit prej plumbi
se më mungon dashuria dhe mbi mua ka rënë pikëllimi i botës
pa flladin e zemrës, pa diellin që harliset me flokët e tu
pa hënën që të puth në buzë, me rreze ledhatare çdo mbrëmje...

më duhet të pi e të shterr një oqean
që të dal deri tek buzët e tua në brigjet e Egjeut.

Boston, 25 Gusht 2007

GJIRI YT

Mbylli të gjitha dyert
zhvishe gjoksin e thithat mbështeti në dritare
plastë në mos pikoftë në gjirin tënd një yll.


KALËRIM POETIK

Mos ngulmo ta cytësh poetin
e ki kujdes kur pranë i rri
të duket i ftohtë si burrë prej bore
por brenda gjoksit zjarr ka ai

e nëse ti nga pakujdesia
hiret e tua i tregon
ai bën sikur është diku tjetër
e te dyve udha ne nje shteg ju çon

kur veten e sheh me të shaluar
atëherë ti nuk di se çfarë ka ngjarë
a është ai që të ka pushtuar
a ti për freri e tërheq si kalë.
    

MOSPUTHJA SI MËKAT

Mosputhja nuk është art nderi
por ego vetmashtrimi i paskaj
t’i shuash brenda vetes epshet është e turpshme
t’i jepesh një mashkulli lakuriq nuk është faj.
mbetur pa tokë e mbetur pa qiell
mosputhja është një dëshirë e vdekur
s'ke ku t’i ngresh një meshë requiem për dashurinë
as një lëndinë për varr nuk i ke gjetur.

ndaj ç'e kujton mos puthjen, zog i arratisur
në kuturisje të marra fanatizëm-shafrani
t'ja falje virgjërinë djalit, mikja ime
si poetja Ahmatova ju dha Modilianit.

ç'hyn ti në këtë histori do të më thuash
ç'hyn aq paturpësisht në visoret e mija
pasioni e shtyn detarin në të gjitha detrat e botës
në brigjet e atdheut e ndjell dashuria.

ndaj, mëkatet e dikurshme erdhi koha t’i shlyejmë
në ka mbetur ende prush, t'a ndezim zjarrin
në mos virtutet do të na i kalbë balta
e virgjërinë do t’ia falim varr-shejtanit.

mosputhja nuk është art nderi
por ego vetmashtrimi i paskaj
t’i shuash brenda vetes epshet është e turpshme
t’i jepesh një mashkulli lakuriq nuk është faj

qershor 2007

EKSTAZË

Më lërë sisën ta prek
buzët t'i thith si llavë e zjarrtë
dorën ta vë në shkurrën e bukur
përtej saj, të dy jemi të humbur.
  

FLUTURAK
monologu i zogut  harrat

I dua mështeknat por më shumë dua kaltërsitë
ndaj marrakatur në qiej kërkoj mështekna të reja
nëpër hapsira tej e përtej veshtrimit
nëpër të tjera dete e nëpër të tjera dhèra

jam fluturak e gjatë nuk qëndroj
në një mështeknë – në një mike të lodhur
ndaj u them dashurive të reja
ende pa e shijuar puthjen në shtrojera
mos ma mbani gjatë në burg fluturimim.


FLAKË E BORË

Trupi yt rezonon afsh e diell
por ti ofshanë se në shpirt të bie borë
o Zot, me mjelmat e Europës çfarë po ndodh?!


PSALLMË DASHURIE

Nëse më thoni është mëkat
çfarë sheh me sy të dashuroj,
në emer të atit, të birit a belda të 700 dreqërve
pa pikë hezitimi më çoni në varrezë

atje një psallmë dashurie më këndoni
ndryshe as dhèu nuk do t'më tresë
 

ROZAFAT SHKODRANE
“në daç më duj në daç mos më duj”

Rozafat e bukura shkodrane
nuk  mund të mos i dua
se ndryshe
do ta ndjej veten kadavër
mbi gur
              e nën gur
                              e ato
pluhur dielli mbi mua.

...nuk  mund të mos i dua!

2007
 

TË KISHA THËNË

Të kisha thënë dua vetëm bërthamën tënde
brenda së cilës flë filizi i shpirtit
por ai filiz do të më vdesë
nëse nuk e ka frutin që e mbështjell
prandaj më vjen keq
por më duhet të hedh poshtë
të gjitha preferencat e mia të mëparshme
e të them me plot bindje
- Tashmë të dua të gjithën.

të kisha thënë
po tani ndrrova mendje...

2005

KOHA VJEN

Të gjitha pasionet mund t’i ftohësh me akull
po kohën që vjen nuk mund ta ndalosh
e mollët e gjoksit nuk mund të mos ia japësh Adamit.

🟣TRINIA IME - K.Traboini/ Tiranë-Boston 2006



KOLEC p. TRABOINI
 
TRINIA IME

Sa herë i kthehem rravgimeve të kujtesës
ndër vite e kohë pa kthim, me pikëllon mendimi
se me Shkodren e shkodranishten u tregova plangprishës
- me shkak a mosshkak
i ikun në kerkim të Itakës sime
që në prag të feminisë më kishte braktisun.


Në Greqi, Itali e Amerikë e kerkova
sa më shumë i afrohesha aq më shumë ikte larg
si unë që u terratisa prej Shkodrës e shkodranishtes sime
- me shkak a mosshkak.

Mezi belbëzoj me dialektin e vendlindjes
i harruar nëpër ishuj si Odise plak 
tre herë jetim u gjenda në shtegtime
pa Bab
ë, pa Atdhe e ...pa Itakë

2006


ERDHI KOHA…

erdhi koha të bisedojmë për ca e dashuri të hershme
që vitet  tashmë i kanë marrë nëpër shtjella pasionesh inkandeshente
i kanë fluturuar larg, siç mbi tryeza kafenesh merr era gazeta të vjetra
e s'na mbetet, veç të leme filxhanin e ekspresit bosh e ikim
shpirtërisht të dërmuar e fizikisht të përgjunjur
sepse tashmë deri në kockë na ka trokitur vjeshta.

kokëulur të bindur si Budë, erdhi koha
t'i themi  natën e mirë diellit mbi det
e zogjëve, që nxitojnë të gjejnë fole mugëtirave, t'u themi
se pasi e lë të harliset nën qiell si kalë pa fre
zoti, për dënim, i ka taksur njeriut natëdimër-mizorinë
të bredh si zog nëpër natë, pa mundur kurrkund të gjej një fole.

erdhi koha...


COKLA

- nuk ka dru- tha mësuesi i fillores.
ashtë dimën i ftohtë! Do ngrini!
ne pamë njeri-tjetrin në sy
e vjedhtazi edhe mësuesin
si të ishim fajtorë, por s’ folëm.
i hollë, i gjatë, nevrik por i drejtë, Kol Alimhilli
na tha veç një fjalë:
–s’ka mësim, shkoni për cokla.

oh-ooo, aq deshëm. Pa marrë vesh ç’na tha e pa ditë
ç’do banim, ikëm plot zhurmë e u gjëndëm
në Gjuhadol... tek dyqani ku shitej pistili.

të nesërmen prap u gjëndëm në atë klasë
si të ishte një katamb prej akulli
duart zbrazun e sytë për tokë...
mësues Kola na pa, tundi kokën e me vete diç foli.
e mbylli regjistrin e u nis drejt Zallit të Kirit
mbas tij edhe na, rrugën përskaj Rrmajit morëm.
i egër ish lumi e mësusi fort i rreptë.
na kish thënë për coklat, por ne nuk dinim
ç’janë coklat; as fjalën e as kuptimin.
atëherë mësues Kola në breg të lumit 
nisi të ligjërojë:

- cokla asht dru e limume prej lumit, si alabastër
por nuk ashtë veç dru - ashtë edhe fjalë
e drunin do ta marrim për zjarr
e fjalën do ta shënojmë në fletore
që kur të vij dimni tjetër
të mos më vini në klasë pa cokla.

e mësuam atë fjalë. E shënuam në letër. 
Kishim një fjalor doracak për secilin, 
e thuj tana fjalët kjenë gegënishte
por vitet shkuan e na i harruam coklat
edhe si dru edhe si fjalë.

tash që mësuesi s’asht ma e fjalët 
e gegënishtës janë bjerrun, 
më duket se ndigjoj nji za në Rrmaj, 
- mësues Kola t’u thotë gjuhëtarëve, 
edhe në dimën edhe në verë, pa pra:
- ikni e më sillni cokla....

2006

KALVARI I FJALEVE

Ma kanë mohue britmën e parë të lindjes
e shpërgajt gegnisht kso dore mi kanë djegë
tash jam i përçudnuem si zog pa pupla
me belbëzime fjalësh nëpër degë.

herë-herë më duket vehtja si Krisht
por edhe si Judë-tradhëtar me shfaqet jo rallë
rri e mëkoj plagën time vetvrasese
me balsamin e fjalëve të vjetra sa bota.

tash unë guxoj, do po më thonë tejet vonë
se dielli në det asht në të ramë
gjithësesi kangën e mjellmes do këndoj
ashtu si në Shkodrën time vajtojcat kjajnë.

nuk mund ti mbaj të mbyllun në gjoks
as kangën, as vajin - nuk du gjoksin ta kem 
vorr i fjalëve
por çerdhja e tyre deri në ditën e mbrame
nga e cila të fluturojnë përditë si zogj...
 

SIMBIOZE SHKODRANE

Kur na zë gjumi mbi gratë, Rozafat që fati
na i ka taksur
ne i ndjejmë ninullat që zbresin prej kalasë
me një djep druni premë prej pyjesh paganë
e lumejt e tamlit dallgëmbytun prej andrrave
harbuem si të ishin Kiri, Drini e Buna.

    dashnija e dhimbja e malli e halli
    drita e errësina, kanga e vaji
    plumbi e pëllumbi e gjarpni nën gur
    flenë krye në krye nën hijen tragjike të harkadave.

nuk ka pse ti ankohna as zotit as dreqit
për aluvionet që lashtësia ne bijëve të Teutës na i percjell
as për fatin që na vuni këtë rrisk biblik ne shkodranëve
të rrojmë si në legjenda e ti mëkojmë fëmijët 
me tamël prej guri, edhe sot mbas dymijë vjetësh…

qyshkur vumë themelet e qytetit 
mbi  gjinin e bardhë
të një gruaje
me këtë simbiozë sizmike kemi lindun.

2006

IKANAKU

Qiellin e përshendeti me një klithje
m'i hiqni shpërgëjt e shiut
ma sillni vetulloren e hanës
e floknajen e diellit ma veni parzmore.

s'mundesh me thanë çka vjejti në pranverë
e në verë, në ç’ vise e troje shtegtoi
në sa popuj e vende andrrat i thuri
veç, stina tjetër e gjeti tek shkokoliste vjeshtën
e dimnit, tuj pa flakët
që shpirtin ja këndellnin si gështenjat në prush
të thoshe veç dy fjalë, që me hi i mbulonte:

tërë jetën e vet hjekakeqe
njeriu me rrashtën e vet thyen gurë!


SHIU I FËMINISË

Kjo ashtë një varkë prej letre
ajo ma andej një andërr fëminie shkodrane
e brenda nje pupël si murg
tue ikë në ujra të rrëmbyeshme.

shiu i fëminisë e kish përmbytun botën
që priste prej meje shpëtimin
të paktën, deri tek pragu i shtëpisë së Cin Daisë
ku katakombeve flinin kulçedrat
që nuk kishin mëshirë për ëndërrimet e fëmijëve.

ende pikëllon ankthshëm koha ime e vogël
ku qiejve nuk i mbetej asnjë pikë lot.
si do të bahej me murgun, kur varka të mbytej
në atë shi fëminie që s'donte të pushojë?!

por varkat mbyteshin e murgu gjithnjë 
ja dilte në krye.
eh, fëmini e çashtër si qielli i luleve të majit
bota do të ishte Saharë pa shiun tuaj.

shirat, që dikur ishin, po, nuk  janë ma
e varkat prej letre,  ku shkuan...
 

PRES TË NDIZET 
NJË YLL NË NEW INGLAND

Në Nju Ingland, çdo mbramje, pres të ndizet një yll
e dallgët pres të me sjellin një torbë me shegë
marrë prej vjeshtës së fundit në rrënojat e Drishtit.

një re puplore pres të më vijë
rrëzuem prej katakombeve te kujtesës
përgjakun prej të shkuemes e prej të tashmes shqyem.

pres të më vijë një fëmijë me emrin e mbiemrin tem
të më marrë për dore e të më çojë tek varri i tim eti
e ime amë, të më thotë: Si të shkoi jeta kaq larg!

pres të ndizet një yll në Nju Ingland
sepse tashmë, më është shuar dielli...
 

ÇFARË TË BAJMË ME KËTË PAQE?!

Edhe kur nuk ka, armiqtë duhet ti shpikim
se ne akull fare nuk mund të jemi
kemi nevojë të ngrohemi
qoftë dhe duke djegun patericat e drujta
me të cilat mezi erdhëm deri në këtë shekull
me ndihmen e ca të "krisunve" përtej Atllantikut
që prej flakëve të sketerrës na shpëtuan
e na thanë - atë çfarë kurrë s’e besuam:
e gëzofshi!

po ne kjo paqe po na zën frymën
ngrihemi e zgjohemi me të nëpër kambë
na ngatrron kur ecim, na ngatrron kur rrimë
se kjo dashka ma shumë stërmundime se lufta.
ne s' dimë të gatuajmë një kulaç me këtë paqe
si flamur dardan i reckosun po na duket
e zhgaba dehur prej droge, po na ngjaka si prostitutë
nën semafor Europe.

jo, jo, kështu nuk mund të shkohet kurrkund
pa një motiv që të ban të ngrihesh nga varri
si Millosh Kopili të rrëmbesh shpatën prej lisit
e të sulesh me kokë nën sqetull kuturu horizonteve…
jo, jo,  pa një motiv, qoftë dhe pa kokë
kurrkund nuk mund të shkohet, kurrkund.

qe besa, edhe kur vdesin armiqtë duhet ti ngjallim
se pasha qiell e pasha dhè
pa armiq fort po ndrin ai diell e pak po nxè
se ne nuk dimë të gatuajmë as një kulaç me këtë paqe...
 
NË RRMAJ

Sa herë shkoj në Shkodër
zë shtegun e selvive të Rrmajit
e ndaloj perpara varrit të Atit.

Të dy në heshtje nuk flasim
peng jeta ime në atë varr
të gjithë ikjet e kthimet aty përplasen.

Re të zymta  ngrysin sytë e mi prej mergimtari
po varri i tim eti nuk ka nevojë për lotë
në Shkodër shirat pikëllojnë sa për gjithë botën.

- Ku ikën?- më thotë im atë që nga varri
sikur të ishte ai e jo unë, i gjalli…

Shkodër, shtator 2006


TRENDAFIL DASHURIE PER ULQININ
                            një vajze ulqinake

Hidhe këtë varg - trëndafil dashunie
në bregun e detit, në Ulqinin e bukur
si një andërr sykaltër vashërie
mbetun peng në lotë pikëllimi
se mbeten brigjet krejt të braktisun
djali me vajzën kurrë ma s’u panë
Shkodra me Ulqinin një shekull të ndamë.

hidhe këtë varg-trendafil dashunie
petalkuq, petalzi e petalbardhë
në bregun e detit të Ulqinit
nëpër valë....
se ndoshtandoshta
në mes Shkodrës dhe Ulqinit
koha për dashni prap ka ardhë.


MISTERI I PRANVERËS

me të kuqërremten e buzëve të tua këtë pranverë
ma zhyte diellin në det, spiranca nuk e mbajti dot anijen
që iku -  nëpër qiellin tim të përflakur prej teje.

u humba , u treta, në krahë më mbështolli 
një degë  trëndafili me aromë e me gjëmba, 
që herë më shponin e herë më dehnin, 
nëpër petale gjaku e buzë të përvëluara dashurie
- Romeo e Krisht së bashku.

jemi larg një kontinent e një oqean 
e  prap duhemi si të çmëndur
         e akujt,
      e bora,
                 e ngrica,
                               e koha
nëpër dherat e botës na fashiti,
por kur vjen pranvera ribëhemi eshkë
sërisht të dëshëruar e të etur :
         për prushin,
                          për flakën,
                                      për gjijte e harlisun,
ndaj rendim si të marrët nëpër aroma prilli 
e shkumbanore deti, 
të ndezim e shuajmë zjarre
 tek njëri-tjetri.



GJINJTË E AFËRDITËS

Gjijtë e Afërditës paskan qënë një grackë fatale
e unë, si zog harrakat këngëtar në portën pa shtëpi
trokita me shpresen e strehës në agim
por u gjenda rob i buzëmbrëmjes tradhëtare.
 
si kitarrë e trishtë mu shfaq qielli i përëndimit
e me lote pikëllimi u krijua një liqen i helmët
që asnjë nimfë syjeshiltë të mos vijë më të notojë
nëpër ëndërrimet e mia të zvjerdhura të zhgënjimit.
 
e tash në vetmi, ja marr një kukame zëmekun
se trokita në portën pa shtëpi e njerëz lugetër
mu shfaqën, e më thanë,  lugatërisht më thanë:
ti je një kal plak e revani yt ka vdekun.


HARPA E VJETËR

si muzikë në harpë të vjetër
Sol në rrudhë e Re në thinjë
duart ledhatim mbi vegël
shpirtin puthin ndënë brinjë.
 
- je një plak marrok i lodhur
ti më thua, mos më shiko
rastësisht ballë teje ndodhur
jam krijese, dosido.
 
një notë tjetër hyn pa leje
e nën vetull zien mendimi
krahërorin peshë t'ia ngrejë
s' nuk njeh jo moshë tundimi...
 
njoh një plak, një harpë të vjetër
Sol në rudhë e Re në thinjë.


I HUAJ…

… apartamenti im i braktisur kaq vjet më duket
si një plakë, që në errësirë palos e shpalos
takëmet e vdekjes netëve të gjata.

gjërat, për mirë a për keq, kanë ndryshuar
bulevardet nuk jam më po ato,
nga ballkoni im shihet më pak qiell
e dielli shket trishtueshëm prapa 12 katsheve.
të tjera pisha, mimoza e mështenka janë mbjellur
e të tjera fytyra reflektojne në vitrinat e dyqaneve
ashtu si në qiell galdojnë të tjerë zogj.

në rrugën time nuk gjej as shokë e as miq
e në parkun Rinia më përshëndesin ca pleq të bardhë
që ju bëhet se në rininë e tyre diku më kanë parë…

në Lidhjen e Shkrimtarëve në vetmi e pi një kafe
aty nuk ka shkrimtarë, veç ca ardhacakë 
visesh të largëta një gjethe verdhane lisi 
që bie mbi tryezë, si i vetmi mik
sikur më thotë,  as mikeshat e vjetra 
nuk janë më vajza.

në rrugë më zgjat dorën e lëmoshës 
një femijë i bërë plak
kolegët e miqtë e hershëm më kot i kërkoj
edhe Vathi, Frederiku, Dionisi, Odhisea  
shkuan në varreza, gëzohem që ende jam gjallë
 - pikëllohem për çfarë ka vdekur 
e  ndjej se, pak e nga pak, bëhem i tepërt
dhe duhet  te iki...

2006