MOS VDIS DASHURI 2002 NOKTURN 2004 REQUIEM PËR NJË GJETHE 2005 TRINIA IME 2006 KOHA E PROSTITUTAVE 2007 ITAKA GRUA 2008 LULE PELLAZGJIKE 2012 U DASHKA TË DAL NATËN VONË 2012 E KAM ATDHEUN TEK PORTA 2012 DASHURI 2013 FAJIN E KA HEKUBA 2014 ORAKUJT NË FERR 2015 ODEON 2016 OFELI 2019 ODE PËR SHKODRËN 2019
> ZOGJTË E ARLINGTONIT 2020 AJO QË JETOJMË PËRDITË 2021 POETICA SHQIP 2005 POETICA ENGLISH 2006 DASHURIA MË E BUKUR 2007 I DËGJOJ LULET KUR FLASIN 2008 NIRVANA 2024

Semantika lëvizëse e poezisë së Kolec Traboinit- nga Anton Gojçaj

 

SEMANTIKA LËVIZËSE E POEZISË 
 SË KOLEC TRABOINIT
(Kolec P. Traboni, “Nirvana”, poezi, Panteon , Tiranë - Washington DC, 2024) 
 
Shkruan: ANTON GOJÇAJ


I. Nirvana lirike


Tri asociacione më shkuan nëpër mendje në takimin e parë me titullin e vëllimit më të ri dhe, tash për tash, të fundit, NIRVANA, të shkrimtarit Kolec Traboini: 1. Koncepti apo nocioni religjioz budist, 2. grupi muzikor amerikan homonim i themeluar rreth dekadës së fundit të shekullit XX dhe 3. Poezia me të njëjtin titull e poetit serb në kapërcyell të shekujve XIX-XX, Vladislav Petković Dis, të cilën rastësisht e kisha lexuar pak kohë para këtij libri. Zgjidhjen e trilemës e gjeta në tekstin hyrës, ku vetë autori e shpjegon titullin e librit. Kuptova se asociacioni im i parë ishte më i afërti me qëllimin e autorit. Asociacioni im i tretë ishte i paqëlluar, sepse në tekstin hyrës autori përmend poezinë e poetit Çarls Bukovski (Charles Bukowsky). Pa u marrë me krahasimin e njërës poezi me tjetrën, të njërës nirvanë me tjetrën (“Nirvana” titullohet poezia e parë në këtë vëllim të Traboinit, ashtu siç titullohet edhe një poezi e Bukovskit), të opusit të shkrimtarit shqiptar me opusin e shkrimtarit amerikan, ashtu “në këmbë”, vetvetes i shtrova pyetjen retorike - mos vallë përkimi mes dy autorëve ka të bëjë me faktin se të dy kanë provuar ferr-parajsën e jetës tokësore, dhe, kur arritën në një pikë (gjendje) moshe të caktuar, nëpërmjet vargjeve duan të përcjellin energjinë çliruese dhe të vërtetën e tyre për rrugëtimin e jetës dhe kuptimin e saj (?)... Autori shkon edhe më larg në tekstin sqarues vendosur në fillim, kur thotë se nirvana “ka të bëjë me fashitjen e zjarrit të brendshëm njerëzor“. Përsëri bëra një monolog: si mund të jetë poezia lirike pa zjarrin e brendshëm? Dhe: ç' lidhje ka lirika me “nirvanën“? Pastaj vazhdova leximin e fjalëve të autorit: “nocioni filozofik Nirvana dhe procesi i krijimit poetik kanë të përbashkët lirimin e brendshëm dhe rilindjen e mendimit” dhe se nirvana në këtë libër është një metaforë poetike që mund të nënkuptojë “Gjithçka që ka të bëjë me botën njerëzore, që del nga zemra dhe e këndon shpirti”. Nëse kushtimisht pranojmë se nirvana këtu është një metaforë, atëherë, në këtë tekst poetik, në interpretimin tim, ajo është metaforë për urtësinë e pleqërisë.


II. Reflektime gjatë leximit

Këto vargje nuk u shkruan vetëm për hir të artit (L'Art pour l'art), domethënë vetëm për plotësimin e nevojave estetike të lexuesit, por synojnë edhe rilindjen e mendimit. Sikur thonë: lexo dhe mendo për ato që lexon! Lexim-zbërthimi i poezisë bazohet te nocionet teoriko-letrare të gjinisë, llojit letrar, vargut, figurës poetike dhe në shumësinë e kuptimeve që ofron teksti poetik - në interaksion me aftësitë perceptuese të lexuesit, të cilat janë pakashumë të ndryshme nga qëllimet e autorit dhe po ashtu nga potencialet semantike të tekstit poetik. Një lexim, apo një lexues, nuk mund t'i ezaurojë të gjitha shtresat kuptimore dhe përbërëse të tekstit letrar, mbase i njëjti lexues në çdo lexim të ri të njëjtit tekst poetik zbulon diçka të re, që nuk e ka vërejtur në leximin e mëparshëm. Teksti mbetet i njëjti, përjetimi i leximit vazhdimisht ndryshon, plotësohet... Apo, siç shprehet subjekti lirik:

“Edhe këndvështrimet ndryshojnë,
bashkë me njeriun”

                     (Mos u fshih si diell prapa reve)

Për të mos u keqkuptuar, ka disa tipare, porosi bazike, thelbësore që paraqiten si konstanta në secilin lexim, por këto konstanta në çdo lexim/lexues të ri vijnë duke u mbindërtuar me rrezatime kuptimore të reja.
Teksti poetik e ka unin e vet, i cili sikur i thotë unit të lexuesit: do të them atë që ti (lexues) mund të kuptosh nga fjalët e mia! Lexuesi interpretues, ndërkaq, kur publikon përshtypjet e leximit të një teksti letrar brenda konvencave të llojit letrar dhe në kuadrin e mjedisit letrar e kulturor të caktuar, njëkohësisht legjitimohet kush është vetë si lexues/interpretues. Kur ai vlerëson tekstin e tjetrit edhe vlerësimi i tij (mund të) interpretohet prej të tjerëve. Interpretuesi zgjedh për çka do të flasë, çfarë ka vërejtur gjatë leximit dhe mendon se duhet thënë. Sado i përgatitur të jetë në aspektin profesional dhe sado kulturë leximi të ketë, nuk mund t’i regjistrojë të gjitha domethëniet dhe veçoritë e tekstit letrar. Diçka vazhdimisht mbetet e fshehur, i ikën edhe lexuesit të stërvitur dhe kompetent. Sepse kuptimet e mesazheve në një vepër artistike vazhdimisht transformohen, në kohë dhe hapësirë. Një tekst poetik nuk përjetohet njësoj në cilëndo kohë dhe në cilindo vend.
Në vargjet e Traboinit forma nuk e determinon përmbajtjen, por përmbajtja është po aq e rëndësishme, në mos edhe më shumë, se forma.


III. Semantika lëvizëse

Që në vargjet e para të librit subjekti lirik njëkohësisht pohon e mohon ndarjen e kohës dhe vendit, së vërtetës dhe fjalës, materies dhe shpirtit, ekzistencës dhe hiçit, dëshirës dhe zhgënjimit, gjumit (ëndërrimit) dhe zgjimit, ditës dhe natës... sikur dëshiron të sugjerojë se fshehtësia e ekzistencës është e pakapshme. Ashtu si elektroni që në raport me vrojtuesin gjithmonë lëviz, edhe rrezet semantike të tekstit poetik lëvizin në raport me lexuesin. Për subjektin lirik nirvana është pikëvrojtim i ndarjes, që mund të jetë edhe lidhje, varësisht nga këndvështrimi i perceptuesit. Imazhi poetik fillimisht ravijëzohet në formën e një konkluzioni abstrakt-antitetik: 

"Trishtimi im je ti,
se nuk je atje ku thua ndodhem” 
                    (Nirvana)

duke përçuar atmosferën e një spostimi të papërcaktueshëm, si dhe praninë e mungesës, zbrazëtisë…:

“se dorën zgjas e nuk të prek,
se kur zgjohem s’je aty,
ku fle me ty e me ty zgjohem,
kur nata vjen e dita bie“

                     (Nirvana, f. 10)

Subjekti lirik, duke qenë një “sajesë” letrare, nuk ka moshë, mirëpo porositë e tij tregojnë për një eksperiencë të pasur, janë frute të një rrugëtimi të gjatë në kohë dhe hapësirë, me aventura dhe sfida, dhe i adresohen një lexuesi para të cilit është jeta ose që akoma gjendet në mes të saj. Subjektit lirik shpesh na parafytyrohet si një alter ego e autorit, ndërsa retorika e tij bind edhe kur flet për paqëndrueshmërinë dhe relativitetin e gjithçkasë, pra edhe të kuptimit të këshill-dhënies, sepse flet si dikush që i ka përjetuar vetë të gjitha, si dikush që e ka kapërcyer lumin e jetës. Mesazhet e tij nuk janë monotone as atëherë kur priren kah moralizimet, kur janë konvencionale, “locus comuni” - vende të përgjithshme, si vargjet që përsërisin urtinë e moçme se njeriu më së shumti mëson nga pësimet:

"Asnjë mësim në botë
më shumë se përvoja e pësimeve
nuk ka vlerë”

                   
  (Gjithçka ose asgjë).

Gjuha poetike këtu synon qartësinë dhe plotninë e mendimit. Nuk sforcohet mendimi për hir të figurës, por as figura nuk është veç stolisje e mendimit. Ato shkrihen natyrshëm, gati pavrejtshëm në njëra-tjetrën, me masë dhe me shije.
Ka thellësi, por kjo thellësi nuk jepet me ngjyra të errëta, madje as kur përhapin tone melankolie, përkundrazi, edhe atëherë janë të kthjellëta pa humbur në thellësi. Porositë nuk “fshihen prapa diellit”, nuk janë të mbështjella me konstruksione të rënduara sintaksore as të mbyllura me dry, hapja e të cilit kërkon çelës të saktë, por është e hapur për një komunikim letrar, ku arti flet si art e lexuesi si lexues. Transparenca e mendimeve në poezi nganjëherë mund të jetë po aq provokuese për ta zbërthyer sa edhe poezia e ashtuquajtur “hermetike”.
Disa sekuenca “narrative” në këtë libër, po të shtriheshin në rreshta do të dukeshin si prozë e mirëfilltë. Ato janë poezi në radhë të parë sepse autori i ka vendosur në një vëllim poetik dhe në vargje. Është thënë se nganjëherë edhe Homerin e zë gjumi (aludohet në pjesët më pak të arrira artistikisht, brenda një vepre letrare me vlerë). Në këtë kontekst mu kujtua edhe deklarata e njohur e poetit klasik romak, Ovidit, se gjithçka që ka tentuar të shkruajë ka qenë varg. Mirëpo, edhe këto vargje, që po ia nënshtroj kritikës, të bëjnë për vete me thjeshtësinë dhe modestinë e vet, pa pretendime për të thënë gjëra të padëgjuara, si shfryrja e një të panjohuri në tavolinën pranë, në ndonjë kafene, që shqipton pa sforcim një sintezë filozofiko/poetike konvencionale, por të vulosur nga përvoja e jetës:

“Një kafe qenka jeta e një njeriu
ku vjen e shkon mendimi
si retë në qiell përmbi amshimin”

                    
  (Kafeja).


IV. Atdhe është dashuria

Muza e Kolec Traboinit është Erata. Askund nuk është më i zhdërvjelltë, më i natyrshëm, më vetvetja se në vargjet e dashurisë... Mund të duket një gjykim imi subjektiv, por lirika e tij me motive erotike meriton më shumë vëmendje nga lexuesi shqiptar, nga studiuesit e letërsisë, nga hartuesit e antologjive të panumërta të poezisë shqipe, por dhe nga juritë që vendosin kujt t'i ndahen çmimet për veprat letrare më të mira. Për subjektin lirik (alter ego i poetit) dashuria është vlera më e madhe e jetës:

“Pra, thënë ndryshe,
ato relieve që quhen atdhe,
nuk janë asgjë
pa atë që quhet dashuri.

Atdheu është atje
ku është Dashuria!
Pa dashurinë, atdheu
nuk vlen asnjë lek!”

                     (Autobiografike)

Kolec Traboini për moshës madhore që ka, në sytë e mi, i plotëson kushtet të quhet senator i lirikës së sotme shqipe, anipse se subjekti i tij lirik ka energjinë dhe shpirtin lozonjar prej një djali të ri. Është pikërisht ky bashkëdyzim i dashnorit gjithmonë të ri dhe urtakut në moshë që individualizon subjektin lirik :

“Ishte zjarr që digjej
e nuk ishte përrallë,
eshka mbetet eshkë
e stralli mbetet strall”

                     (Qumësht e mjaltë)

apo:

“Fundja ku ka atdhe
më të bukur,
më të mirë,
më besnik
se ajo që të do
dhe epohet mbi ty
si valëzat e detit?”

                     (Autobiografike, Poemë)

Në këto poezi zjarri nuk është fashitur përfundimisht, akoma nuk është vetëm kujtesë apo vetëm koncept abstrakt. Kolec Traboini, duke qenë poet, e ka vështirë të sillet e predikojë si “Budë”, ndërsa “licencia poetica” ia lejon të dalë jashtë përkufizimit strikt budist të nirvanës, për arsye se:

“Kohë për të dashur
nuk është veç rinia,
qumësht e mjaltë pikon
gjithmonë dashuria!”

                     (Lëreni erën të fryjë) 


V. Disa vjersha që vlen të përmenden...

Me motivin jo të shpeshtë, futurist - distopik, në letërsnë shqipe veçohet poezia me titullin “Under control”. Aty subjekti lirik ngreh shqetësimin për fazën aktuale të civilizimit gjegjësisht zhvillimet e fundit shkencore, sidomos në fushën e gjenetikës. Poezinë e karaktetizon ndjenja e frikës për të ardhmen e njerëzimit dhe të artit. Dikush synon të kontrollojë gjithçka:

“Do ta bëjmë zap natyrën,
gjithçka Under Control”

                     (Under Control)

Kjo rrugë çon në një botë të panjohur, tjetërfare nga kjo jona, ku dikush i jep vetes të drejtën t’i injorojë parimet milionavjeçare të evolucionit apo të ulet në fronin e Zotit, duke krijuar një botë sipas planeve të tij/tyre, përmes shartimit të llojeve dhe specieve, ku madje “Nuk do të ketë femra, /as meshkuj”, ku “fëmijët do lindin pa seks” dhe :

“Kësisoj dhe njeriu
do të krijohet në laborator,
pa erë dhe pa shije, një copë mish pa formë”.


Pra, po afrohet një botë pa dashuri, me njeriun gjenetikisht të përpunuar që “të mos e riprodhojë vetveten”, ku edhe statusi ose vendi i artit vihet në pikëpyetje:

“Ndërzejmë bilbilin me sorrën,
do të kemi një sorrë që këndon,
do të kemi një bilbil që çirret
e bota nuk do ketë dallime”.

                     (Under Control).

Kjo gjë tani nuk është vetëm një shqetësim për atë që mund të ndodhë në një të ardhme të largët, pasi zbatimi i atij plani veç ka filluar... dhe lexuesi pashmangshmërisht pyetet: ku do ta çojë njerëzimin dhe botën kjo rrugë?
Një përjetim të veçantë të jep poezia “Helena e Trojës“ në të cilën, duke përsëritur disa fakte për gruan që u bë shkak i luftës së Trojës, nxisin reflektime subtile mbi të bukurën në botë, mbi tentimin e ndonjë individi mendjeshkurtër për t'u bërë veç ai pronar i saj - si Menelau që “mendoi i gjori se tashmë e bukura vetëm atij i përkiste”, pa e kuptuar se „Bukuria s’mund të / ishte as skllave, as pronë / ta zotëroje përgjithmonë” dhe se ajo nuk mund të vritet, as të zhduket, madje as të fshihet, por vazhdon të jetojë si “një vajzë, a grua që rrezaton dritë”:

“Në botë ka 3000 vjet që shfaqet,
herë në një vend e herë në një tjetër,
ca thonë për këtë luftërat
kurrë nuk reshtën.
Askush pa ditur të vërtetën”

                     (Helena e Trojës)

Të gjitha gjërat e bukura në jetë ikin, lëvizin, ashtu edhe arti, përjetimet dhe semantikat e tij.
Në poezinë “Trupi dhe mendja” nëpërmjet një dialogu të gjetur përshkruhet, pak me humor e pak me keqardhje, se si ndërrojnë prioritetet (kush sundon) në raportin e shpirtit me trupin, së dëshirueshmes dhe të (pa)arritshmes.
Pothuaj në çdo libër të këtij autori, është i pranishëm motivi i vendlindjes, në këtë rast Traboini i Hotit – të cilin subjekti lirik e quan vendlindje, megjithëse në realitet ky fshat nuk është vendlindja e tij, por e babait të tij, kështu që kemi të bëjmë me një vendlindje mitike:

“Në gjenezë unë jam
asgjë më shumë se
një copë gur nga
vendlindja
e të parëve të mi,
rrokullisur nga
mali i Traboinit.

                     (Autobiografike)

Subjekti lirik ndonëse thotë se gjendet në Amerikë (Arlington, Boston...), vendin më të zhvilluar dhe më të pasur të botës, vuan për t’u kthyer aty ku dikush dikur (në kohë mitike) i pat luajtur gurët prej vendit... duke na kujtuar thënien e lashtë se guri rëndë peshon në vend të vet. 


V. Përfundim i papërfunduar

Në qoftë se, kur i mbyll kapakët e librit, lexuesi/interpretuesi ndihet i plotësuar, pa marrë parasysh të gjitha pasiguritë dhe dilemat që ka lidhur me zbërthimin e porosive, dekodimin e tekstit, atëherë ia ka vlejt koha e kushtuar. Leximi i kësaj poezie të lë shijen e një përjetim estetik të mirë, por edhe refleksiv. Subjekti lirik i poezisë së Kolec Traboinit është një bashkëbisedues interesant, me shumë talente dhe kulturë. Kjo poezi vazhdon të bashkëbisedojë me lexuesin edhe pas përfundimit të leximit.

 



Mbi krijimtarinë poetike - Intervistë nga K. P. Traboini për "Votra Magazine", New York

NË DETIN E POEZISË VËSHTIRË TË GJENDET NJË DITË PA DASHURI 
Bisedë për procesin krijues me K. P. Traboini

K. P.Traboini, një jetë e gjatë krijuese me tundime për artin. Autor që një pjesë të madhe të jetës e ka kaluar në endje: në Shqipëri i diplomuar për gazetari dhe afro dy dekada kineast, në Athinë si emigrant themeloi të parës gazetë shqiptare në Greqi “Egnatia”, ndërsa në Amerikë si qytetar amerikan. Krijimtarinë e ka filluar herët. Që kur ishte student botoi librin e parë me tregime "Petalet e bajames së hidhur" që u vlerësua me çmim në një konkurs kombëtar në Shqipëri. Jeta si emigrant dhe puna për krijimin e një gazete shqiptare "Egnatia" 1993, i dha impulse shpirtit të tij krijues. Veç gazetës, në Greqi botoi dhe tre libra në gjuhën shqipe ku dominon krijimtaria poetike, e cila do të bëhej bashkudhëtarja e tij besnike kudo ku ndodhej. Në Amerikë veç poezisë shkroi prozë dhe ese. Kontakti me poezinë amerikane do të ndikonte në stilistikën e tij poetike që ndryshon dukshëm nga krijimtaria që zhvillohej në Shqipëri. Kësisoj ai krijoi individualitetin e vet poetik. Karakteristikë në krijimtarinë e K. P. Traboinit është vazhdimësia. Vitet e jetës nuk e kanë zbehur pasionin e krijimit. Kur po merrnim këtë intervistë ai sapo kishte botuar dy libra, një me lirika poetike me titull “Nirvana” dhe vëllimin e tretë të librit me shqipërime “World poetica 3. Një prej librave me krijime të zgjedhura nga krijimtaria e tij poetike në serinë e botimeve “Pantheon Books”, “Poetica” 2022 është botuar në dy versione, shqip dhe anglisht.
K. P. Traboini gëzon titullin “Mjeshtër i madh” si dhe mjaft vlerësime të tjera si shkrimtar dhe kineast. 

 

          "VOTRA MAGAZINE", New York 14 nëntor 2024

Intervistë: K. P. Traboini 
Realizuar nga Mirgjina Lekaj.

 
Çfarë ju ka inspiruar për t’u bërë poet?


 

Të jesh një krijues i mirë dhe me një individualitet të spikatur nuk ka të bëjë me dëshirën për t’u bërë poet. Nuk mendoj kurrsesi se që të realizohesh si poet është çështje dëshire. Të shkruash poezi nuk është zanat dhe as profesion që mund ta zgjedhësh dhe pas shkollimit ta ushtrosh. Poezia lind si një bimëz brenda njeriut dhe zhvillohet nëse gjen kushte të përshtatshme që kanë të bëjnë me ndjeshmërinë, por edhe aftësinë për të artikuluar bukur dhe për të sjellë ide e mendime që kanë të bëjnë me individualitetin tënd. Poezia është si të biesh në dashuri dhe të dashurës apo të dashurit t’i përkushtohesh thellësisht. Por edhe pse këtë dëshirë e tundim për të qenë poet e kanë shumë njerëz, dëshira nuk thotë asgjë. Ju e shihni se si botohen me mijëra libra me poezi. Mirëpo jo të gjithë detet kanë perla. Edhe baticat e zbaticat që në mënyrë metaforike mund t’i quajmë frymëzime, nuk nxjerrin në breg perla, por leshterikë. Perlat janë thellë në det. Duan shumë sakrifica për t’i nxjerrë në dritë. Poezia është tekanjoze. Që në momentin që një autor i ndonjë vëllimi poetik thotë e mburret se jam poet, poezia ka ikur prej tij, e ka braktisur e ka bërë fole në ndonjë shpirt tjetër. Kam botuar 30 libra me poezi, kam shqipëruar afro 250 poetë nga bota në 5 vëllime, kam hartuar vetë apo me kolegë 4 antologji poetike, por veten poet nuk guxoj ta quaj. Ndoshta do ta kem këtë privilegj të madh kur ta mbyll siparin e jetës, por edhe këtë do të mund të ma dhurojnë nëse diçka prej meje do të vazhdojë të jetë e bukur për jetët njerëzore.



Si e përcakton procesin e shkrimit të poezisë?


Shkrimin e poezisë është e vështirë ta përcaktosh se përse ndodh. Ndoshta sociologët e psikologët mund ta shpjegojnë më mirë sepse ata i studiojnë këto procese. Gjithsesi çdo autor që ulet e shkruan e di shkakun, por ai shkak mbetet pjesa më e padukshme në poezi e për të cilën autorët serioze nuk kanë dëshirë të flasin. Kur disa autorë, më së shumti fillestarë, dalin e flasin në media se çfarë është poezia dhe përse shkruhet, më së shumti rrejnë jo vetëm publikun, por edhe veten. A mund të pyetej Da Vinci pse e krijoi Mona Lizën në telajo? Po a mund të pyetej Dante pse e shkroi “Komedinë hyjnore”. Janë disa shtysa të brendshme që të çojnë drejtë krijimit. Poezia ndryshe nga artet e tjera nuk planifikohet. Ajo lind spontanisht në çdo vend e në çdo kohë, madje edhe atëherë kur nuk ke as laps e letër. Ka një fillesë, një shkëndi në mendjen njerëzore e cila e tundon njeriun. Ka shkaqe të panumërta për të krijuar poezi, kësisoj vështirë është të bëhet një përcaktim i saktë se çfarë e shtyn njeriun të shkruajë. Personalisht nuk ngulmoj ta ndjek poezinë. Ndjekja e tremb. Pres të vijë vetë. Vonon, por nuk harron të kthehet dhe bëhet pjesë e pandarë e jetës së krijuesit.



Cilët janë disa poetë që kanë influencuar punën tuaj?


Mendoj që krijuesi i poezive duhet t’i ruhet influencave megjithëse atyre nuk u shmanget dot. Ka poetë që të lënë mbresë, por po e le veten të influencohesh prej tyre nuk ke bërë asgjë. Një poet koleg në Amerikë kur lexoi librin tim “Mos vdis dashuri” Boston 2002, më tha se duket në poezinë tënde influenca e poetit të madh James Wright, mirëpo unë nuk kisha lexuar asnjë poezi të tij. E kërkova atë poet dhe shqipërova disa poezi të tij. Dhe po mendoja se ishte e vështirë të shkruaje nën shëmbëllesën e tij. Ndoshta ndikimet vijnë si nënshtresa. Pra në kulturën e të shkruarit. Kam shqipëruar me dhjetëra poetë. Kësisoj, po të pranoja ndikimin e tyre, veçmas të poetëve amerikanë, unë do të shkruaja në dhjetëra mënyra, çfarë është e pamundur. Poezia është individualitet, pra duhet të përpiqesh të krijosh identitet. Në pasaportën tënde kurrë nuk duhet të vësh portretin e një tjetri se ajo pasaportë është e pavlefshme. Fundi i fjalës me gjithë admirimin për poetët e mëdhenj përpiqem të jem vetvetja.



Si vendosni mbi formën ose strukturën e poezive tuaja?

Nuk besoj se autori paramendon formën e strukturën e poezive që do të shkruajë. Poezia lind siç dëshiron vetë të lindë. Unë besoj në rastësinë. Ndoshta të tjerët mendojnë ndryshe. Po ju sjell një rast. Kur punoja në një qendër tregtare në Boston, më saktë në West Roxbury, pushimet i bëja jashtë në natyrë. Qëllonte mbrëmjeve dhe më pëlqente që atë çerek ore ta kaloja duke vështruar yjtë. Më ndillnin mendime. Në Amerikë mjedisi është shumë i pastër, qielli i kthjelltë dhe yjësia shihej me shkëlqim. Atë vit, më 27 gusht 2003, planeti Mars iu afrua tokës më afër se asnjëherë prej 59 mijë e 619 vjetësh. Më ngacmoi ky fakt dhe ndërsa shihja yjtë, zanafilli poezia “Ylli i pikëllimit”, të cilën nuk e formatova, por e shkrova ashtu siç më gëlonin mendimet. Ashtu ka mbetur. E solla këtë shembull për të përkitur mendimin se ndryshe nga çdo art tjetër, poezia është befasia, është si të ngrihen nga çatitë krejt befas një tufë pëllumbash e të fluturojnë në qiell. Askush në botë nuk mund t’i vërë në rend. Bukuria qëndron në befasinë. Edhe fjalët janë si pëllumbat. Ose të paktën poezia post moderniste është kështu dhe nuk i parapëlqen pengojcat e strukturave të paramenduara.



Çfarë rol luan gjuha në poezinë tuaj?

Gjuha është lavdia e krenaria e çdo kombi. Edhe në Bibël zanafilla është fjala. Ne duhet të jemi falënderues për popullin tonë që e ka ruajtur gjuhën përmes disa rrebesheve historike që mund të sillnin shuarjen e etnitetit tonë. Na kanë mbajtur me shekuj nën pushtime të dhunshme, por gjuhën e kemi ruajtur dhe ajo ka qenë promotori i krijimit të kombit shqiptar. Kur lexon perlat e vargjeve popullore në Veri dhe Jug, bindesh me të vërtetë se gjuha shqipe është art. Të jep mundësi të jashtëzakonshme në të shprehur. Poezia është shprehje e fjalës së bukur dhe gjuha shqipe ta krijon këtë mundësi. Jo vetëm në krijimtarinë poetike personale, por edhe në shqipërime kam vënë re se disa poezi të autorëve, ta zëmë si të Henry Longfellow, Christina Rossetti, Sara Teasdale, Robert Frost, Anna Ahmatova, Bukowski dhe të tjerë shqipërohen mrekullisht. Gjuha jonë shqipe ka larmi dhe të jep mundësi për trajtime nga më të ndryshme, me një pasuri fjalësh deri në ngjyrimet më të holla. Kur e them këtë kam parasysh edhe format dialektore, të cilat janë një pasuri e madhe për krijimin e artit poetik. Standartizimi i Gjuhës veç në poezi nuk bën dot ligjin, aq më tepër që krijuesit poetikë janë gjithnjë në kërkim të fjalëve e shprehjeve dhe jo pak herë krijimtaria e tyre është një burim fjalëformimesh që e pasurojnë gjuhën shqipe. Marrëdhënia e poetëve me gjuhën është jetike për të dy krahët. Shembull për këtë sjellin Danten, mbi krijimet poetike të të cilit u mbështet gjuha italiane.



A mund të ndani një përvojë të pamohueshme të lidhur me krijimin e një nga poezitë tuaja?

Pak e vështirë për një autor që ndër mijëra poezi që ka shkruar të dallojë e të sjellë në pah vetëm njërën prej tyre. Po t’i hysh një studimi të kujdesshëm e të thelluar, do të vësh re se asnjë poezi nuk i ngjan tjetrës. Natyrisht këtë nuk arrijnë ta identifikojnë të gjithë se siç ka një kulturë poetike në krijim, duhet të ketë dhe një kulturë poetike në lexim. Poezitë mund t’i lexojnë të gjithë, por jo të gjithë mund të kuptojnë domethënien, apo mendimin metaforik që autori e ka mbështjellë në mes të fjalëve. Meqë ma kërkuat po ju sjell një rast. Mendim-tundimi im se forcimi i standardit, që gjithsesi është i kufizuar në mundësitë e shprehjeve poetike, mund të lërë në harrim dhe të çojë drejt zhdukjes me mijëra fjalë dialektore apo krahinore më çoi drejt poezisë “Cokla”. Ajo poezi po më rridhte thjesht, që në dukje të jepte përshtypjen e një rrëfimi. Por nuk ishte ashtu. Ajo ishte poezi, por kërkonte shtratin e vet, krejt të pangjashëm me shtretër të tjerë standard. Kësisoj në lirshmëri e shkrova atë poezi ashtu siç deshi ajo të shkruhej. Në të vërtetë e konsideroj ndër krijimet e mia më të spikatura dhe krejt të pangjashme me ndonjë poezi timen apo të kolegëve. Mirëpo a kuptohet nga çdokush një poezi e trajtuar ndryshe. Dikush që pretendonte të ishte njohës e kritik i poezisë, ngulmoi se nuk ishte poezi. E kuptova atë, por nuk isha në një mendje sepse ai nuk kish njohje nga poezia botërore bashkëkohore në të cilën format, qoftë dhe eksperimentale, janë të panumërta. Ai soj kritiku njihte vetëm poezinë që shkruhej në fshatin apo në qarkun e vet dhe nëse vargjet nuk rimonin e rrokjet nuk numëroheshin me gishta, ai nuk i quante poezi. Vë re që në Shqipëri krijuesit e poezive kanë shumë pak interes për të njohur arritjet e krijuesve të botës në fushën e poezisë. Në Amerikë kam gjetur libra poezish të poetëve evropianë të shekullit XX, dhe kam vënë re se përkthyesit e këtyre poezive ishin poetët amerikanë, ndër më të shquarit. E kjo nuk ndodhte për ndonjë trill të tyre, por se e ndjenin nevojën të njiheshin me përvojën poetike të poezisë që shkruhej në Evropë dhe gjetkë. Një poet amerikan, Henri Cole, të befason me krijimtarinë e tij me frymë disi mistike, tepër e veçantë e mbreslënëse. Kur lexon jetën e tij bindesh se njohja me letërsinë që shkruhet përtej sinorëve të qytetit apo dhe shtetit tënd, të hap një dritare ku vërshon ajri dhe mbushesh me frymë. Ai e ka kaluar fëmininë e rininë në Japoni dhe njeh psikologjinë, traditat dhe botën e japonezëve, çfarë i jep një dimension tjetër poezisë së tij.



 A besoni se poezia ka fuqinë për të shkaktuar ndryshime sociale?

Besoj tek poezia sociale. Mund të kem me dhjetëra, të mos them qindra poezi të shqetësimit qytetar deri në shprehje revolte ndaj shtetarëve që nga shërbëtorë janë kthyer në padronë të popullit. Besoj gjithsesi te forca dhe dobia e kësaj lloj poezie, por hezitoj të them se ajo ndihmon në ndryshimet sociale. Komunizmi e ka përdorur poezinë dhe këngën si një armë, madje me efikasitet të plotë për qëllimet e marramendjes së popullit, duke e ushqyer me idenë se jeta e njerëzve ishte e lumtur, kur njerëzit ishin kthyer në hije të vetvetes. Pra nuk flitet për fuqi të poezisë, por për luftën për mbijetesë të saj. Kemi shumë thana, thoshte populli, por nuk bëjnë kokrra. Populli ynë është mjeshtër për shprehje metaforike dhe thënie nënkuptimore.



Si e balanconi nevojën për shprehje vetjake me dëshirën për të lidhur me audiencën tuaj?

Në Amerikë ka një përvojë për t’u pasur zili e po të ishte e mundur të merrej si shembull. Universitetet amerikane kanë veç të tjerash edhe degë e katedra për poezinë. Jo se ato katedra krijojnë poetë, por se atje mësohet poezia me themel dhe dalin kuadro të përgatitur për mësimdhënie apo zhvillimin e kritikës letrare. Natyrshëm në një shtet të madh ka vend për gjithçka. Ne nuk e përballojmë dot atë çfarë praktikohet atje. Por siç e thashë, ka një përvojë në krijimin e kontakteve të poetëve mes tyre, si dhe kontakteve e takimeve me studentët e universiteteve.
Në të parën janë bibliotekat shtetërore, që atje i quajnë librari, të cilat një ditë në muaj organizonin takime letrare, poetët këmbenin përvojat krijuese dhe diskutonin për veprat e njeri-tjetrit. Ne i kemi bibliotekat e lagjeve që mbahen nga shteti, po sa funksione të tilla për të cilat folëm, kryejnë ato? A janë ato vatra kulturore apo thjesht kthehen në salla leximi. Sa i përket takimeve të krijuesve të poezisë me studentët ajo organizohet nga vetë Universitetet, të cilat për këtë caktojnë dhe një buxhet. Bëjnë kontratë me poetët që tregojnë përvojën e tyre në takime me studentët, pranojnë pyetje e jepet përgjigje rreth krijimtarisë. Dhe është e natyrshme që paguhen. Kemi ne këtu ndonjë Universitet që sjell poetë për takime me studentët? Kanë universitetet ndonjë buxhet për takime kulturore? Kush e bën kulturën? A ekziston nocioni kulturë në Shqipëri? Ka plot pyetje pa përgjigje. Kësisoj vihet re një izolim. Flasin për poezinë dhe kurrkush nuk lexon asgjë nga kolegët e vet poetë. I dëgjon të thonë ky është poet apo poete e mirë, por kur i pyet çfarë ke lexuar prej tij të thonë asgjë. Kësisoj kemi një fiktivitet kulturor si shtrat i ngrohtë për mediokritetin social. Tekëndej poezia shkruhet, por nuk lexohet. Ndonjë kritik, pasi i rrasin në xhep disa qindëshe dollarësh, ulet e shkruan mediokritete për poetin a poeteshën që po vë themele në poezinë shqipe, për ta çuar atë... matanë gardhit provincial. Duke ndjerë nevojën e komunikimit poetik, sepse edhe libraritë nuk marrin për shitje libra me poezi, kam preferuar të përdor një formë komunikimi që sot në botë është e përhapur, krijimin e video-poezive duke i përcjellë në mediat sociale. Është një mënyrë që të mbash kontakte me lexuesit. Duhet pranuar se para izolimit social të krijuesve, çdo mënyrë a mjet që ndërton ura komunikimi mes krijuesit e lexuesve është e dobishme për mbijetesën e artit poetik.


Çfarë mund të themi për raportet mes emocionit dhe intelektit në poezi?

Një poet para se të ulet të shkruajë, duhet të bëjë një kontratë me ndërgjegjen e vet: të jetë i sinqertë. Ka që shtiren si poetë, por ata kuptohen që në vargjet e para. Një subjekt i stisur, një pasthirrmë e hallakatur, patjetër që shoqërohet me një varfëri mendimi, pa mjete shprehëse figurative, një cic-mic fjalësh, si një përrua i thatë në emocion. Për mua shtysa e parë e krijimit është emocioni, ai i ndez motorët për të çarë në detin e poezisë, ku vështirë është të gjendet një ditë pa dashuri.

 

Më së fundi: Çfarë rol luan kujtesa në procesin tuaj krijues?

Ka një shprehje interesante që të fut ndër mendime e tundime poetike: “Poezia nuk është gjë tjetër veç kthim me fytyrë nga fëminia.” Kjo gjithsesi nuk e përjashton thënien e Platonit se “Poezia është e folura përçart e perëndive”. Në rastin tim kujtesa ka qenë e mbetet elementi më thelbësor i krijimeve poetike. Kjo ka arsyet e veta. Largësia mërgimtare përtej oqeanit të tundon. Të ngjall ndjesi të çuditshme. Të duket se kujtimet e largëta nga atdheu të vijnë kaluar përmbi dallgë në brigjet amerikane. Por edhe një fëmini e vështirë të lë mbresa të forta, ato shpesh të dhëmbin si plagët e vjetra që mbyllen, por lënë gjurmë dhe janë të ndjeshme nga ndryshimet klimatike. “Më dhëmb gjuri”- thoshin pleqtë e mirë që i kemi admirueshëm në kujtesë - “e kjo do të thotë se do bjerë shi”. E kujt nuk i ra shi në kujtesën e fëminisë. Aq më tepër mua që kam lindur në Shkodër, ku, kur nis shiu, nuk di të pushojë. Dhe kur bie shiu i fëminisë, ajo që të vjen pranë e të buzëqesh si një nimfë është poezia. Po kush më shumë dhe më mirë se ajo di ta mëlcojë shpirtin e brengën e njeriut? 


PËRTEJ ITAKËS 2008...nga K. P. Traboini




PËRTEJ ITAKËS 2008


RRETHANA NJËQIND E NJË...

Ndenjëm aq herë duke pirë klubeve kafè
ndonjë drekë modeste tek Shallvaret
e kemi ngrënë gjithashtu
kohë për ti thënë gjërat kemi patur
por njeriu shpesh nuk thotë
ato që duhet të thotë, me shkak a pa shkak
të njëqind rrethanave.

Por në rastin tonë
orakujt e Shën Mosdashjes shpallën rrethanën
njëqind e një - ta zemë një qerthull si ky:
unë vija të takoja
(aq shumë kam ardhur në atë zyrë)
e ti konfuze mbi shkarravina letrash
më percillje tek shefi...

Shefi yt ishte i sjellshëm, goxha burrë
por të gjithë shefat janë shefa
e unë si natyrë, nuk e ndjehem mirë
në prani të bosave të letrave
anipse, dikur, në rininë time
që nuk di ku e harrova, e lashë a me humbi
kam qënë dhe unë një farë dreq shefi.

Kështu papritur na u shfaq
epilogun vrastar i dëshirave
ca nga shefi e ca nga prishaqejfi
lajmi, politika, Sheratoni, Amerika
shto greven e mosurinimit parlamentar
që i ktheu në WC të gjitha gazetat
bashkë nuk i thamë të gjitha
në krevat... nuk e pimë një kafè
e për dashurinë nuk folëm asnjë fjalë...

25 nëntor 2008 

 

AI SHI ...

Të panë të nxitoje në rrugën e Liceut
ca re inatçore qiellit dyndeshin
rrepat e vetmuar, të zhveshur dot s'të mbronin
pikë pikë mbi ty
floknaja e diellit po lagej në shi

o Zot të mos kish rënë ai shi fundnëntori
mbi ty të paktën të mos binte
që flokët e qullura në prëhër të tjetërkujt
të mos vareshin e kërkonin
të thaheshin me puthje.

Ah, ai shiu i Liceut
ai pikëllim nëntori në sy
ato re inatçore nga erdhën, si u dynden?!

Ai shi që ma lagu e shkriu dashurinë
tashmë rigon mbi vetminë time
e shpirti si pus, pika pika i mbledh
në thellësi.

Tërë botën ta lagëte
por ty e mua kurrsesi
… ai shi.

2 dhjetor 2008


EGËRSHANE

Si qënie egërshane mund të marrim jetë
por s’ kemi frymë magjie t'i ngjallim të vdekurit
edhe me ndjesitë ndodh kështu
ato vdesin a vriten në luftë si njerëzit

kanë edhe ato vrasësit dhe varrëmihsit e tyre
edhe një varr ku u hedhin lule dhe lotë
nën kryq a gjysëm hënë, varet prej njerëzve.

por magji ringjallje për kadavrat ndjesore
në këtë botë nuk gjënden, ndaj:
më kot më ndjell

më kot miklohesh me fjalë
më kot e vesh fustanin e kaltër
më kot i lyen buzët me të kuq flake përvëluese
me kot e puq këmbën me këmbë ndjellaqejf

më kot i shtrin gishtrinjtë në buzë për të më prekur
më kot përpiqesh të ringjallësh të vrarët e mi
edhe ti, si ato, në gjoksin tim ke vdekur...


NIMFA E THESALISË 

E meriton lotin tënd në parzmin e diellit.
mos thuaj jo. Harro mentalitetin
e gruas së lodhur nga hallet e jeta
prano atë çfarë shpirti im të afron:

Je aq e mirë, o Zot
nuk gjen të tilla nimfa në shtat dete
fatlum është ai që në gjijt e tu
gjen prehje.

Mjer ne, që brigjet e Thesalisë
kurrë s' i prekëm.


ELIKSIR

I lutem zotit të mbytem në dallgë
në dallgët detit se deti je ti
zotit i lutem të puth buzët e tua
të më mbeshtjellësh në krahë
të më marrësh në gji…

pastaj një përflakje
mes dallgëve shaluar thellësia e pret
direkun anijes të zhytet në det.


ËNDËRRIM LIRIK


Lirikës ku ti shfaqesh si hyjni njerëzore
si shpirti i shpirtit të një Alieni këngëtar
nuk guxoj ti ve emrin tënd.

Në vend të një varese me perla, nuk guxoj
të ve një tulipan gjaku në parzmin e hijshëm.

Nuk dua tia shtoj retë karvaneve të qiellit
nuk dua ti pikëlloj zogjtë e kaltërsive
por ti hyjni njerëzore, mjafton që ti e di
mjafton që ti e ndjen
mjafton që të nxisë ta shohesh jetën të bukur
e ti thuash vetes "praj ti melankoli budallaqe
ka plot njerëz në këtë botë që më duan
që më dëshërojnë, që thurin ëndërrza të arta
me milione pikëzime që përbëjnë imazhin tim".

Thuaj vetes praj dhe prano dashurinë e rrezeve të diellit!
Veç mua, eh, mua, lërmë që edhe me tej në lirika të ëndërroj
anipse emrit tënd ta përmend, nuk guxoj, hyjnia ime!
Nuk guxoj!


SHOGËLINË

Jam ai që jam, anipse
kurrë veten nuk e dita ndryshe çfarë mund të isha
jam ai që jam, gjysmak si gjysmagjeli i përrallës
edhe kjo botë si përrallë po më duket
me ujq e dhelpra dhe gaforre të kuqe
me qukapikë që zgerlaqen pas drurëve të kalbur
për krimba

…jam ai që jam, i ikur prej gjithkujt e gjithçkaje
ngase më duket e mangët qenia, e shogët
dy bujashka mbi kokë, ca letra nën sqetull

me nje bisht qeni ndën shalë
më nje fshesë të madhe sa vetja
me të cilën mas meridiane e paralele
pa harruar shkretirat dhe ekuinoksin e qiellit
tuj fshi rrugë e sheshe, hotele e zyra qeverish
ku njerëzit rrëfehen e mëkatojnë për ditë
herë si robër e herë si zota.


… në kontinetin e ri jam Half &Half
gjysma tjetër në kontinentin e vjetër
rinia ime nën diktaturë
në liri të cungueme në botën e vjetër
shogëlinë më bëhet jeta, ndaj ngutem
ngutem të iki prej gjysmës cullake
me shpresë të kotë se në këtë botë
diku duhet të gjëndet
e dashura e diellit - gjysma tjetër.


ÇMIMI I KALTËR


Ç'i dua çmimet e tjera veç titullit Pendëkaltër
me të cilin vetën poetikisht e laurova
ç'i dua çmimet kur i kam një palë flatra
me të cilat fluturoj kur e ku të dua
në të gjitha hapsirat e globit

nuk e ndrroj të kaltrën me asnjë ngjyrë
stinët le të ndrrohen sipas dëshirës
as strofat, as vargjet as qëllimet e jetës

nuk mund ti ringjyej
e arta tek e arta, e argjëndëta në pasqyrë
e kaltra i takon detit e qiellit dhe flatrave te mia.


KËSHILLË VETES

Për më të bukurin art që ke krijuar
mendo sikur nuk ke bërë veç një hiçmosgjë
se nga momenti që nis e fluturon
nëpër qiejt e pafundëm të delir-ëndërrimit 

se në të pasosurin Olimp e ke vënë këmbën,
poezia të shket si rërë nëpër gishtrinjt
era e shpërndan kamos nëpër botë
por kurrnjë kokrrizë rëre, më nuk vjen tek ty...


HYMN QELIZAVE

Ju pafundësi qelizash, fijzash mishi e gjaku
që bini therror e më nuk griheni në jetë
ju bëni fli qënien tuaj për të tjerë

kush veç jush do ta mbronte këtë ngrehinë
që shkon e vjen në dy kontinente
si sonambul në erë

ju e veç ju, gardiane të palodhur të jetës
që vdisni, vetëm e vetëm
që kështjëllen time të mos e lini të bjerë!


PASTORALE

Fërshkëllej motivin:
"moj e mirë që me shkon me dhen
a shkon vetëm a me tjetër kend"
dhe zgjat dorën të prek gjinj të butë bareshe
që të verbojnë prej klumshtit e dritës
dhe harrohem, drithërohem tek mbështjell në gjoks
veç duhmen e detit e shkulmet e erës...


SUVALË DETI

Ç'ma ke atë trill deti, o mik kaltërsive
me pulbardha e dallgë m'u shfaqe në prak
me Homerin e madh mjekërrshkumbë deti
tek grindet për Helenen me Esenini zemërak

ma solle detin në shtëpinë time
kaq shumë kaltërsi kurrë nuk pata mik
hapa dyert e zemrën, por prap ca det mbeti
ua shpërndave komshijve në Nju Ingland.


DHE GJENI DHE TË VITHISUR

O bo-bo, si është katandisur
ky poeti mendjekrisur,
kudo shkon libra me vete
pelegrin n’ sa e sa shtete,
ky i shkretë për poezinë
si Aliu në Janinë
për një greke dha mbretërinë.

Lëreni të qetë bandillin,
le t’ja shpleksë gërshetat diellit,
si një femër ta pushtojë,
zjarr me zjarr ta puthë në gojë,
zjarr me zjarr e buzë në buzë
diellin djeg poeti shpuzë.

Le t’ këndojë me zogjtë e malit
shpirti t’i përvëlojë prej mallit,
për atë tokë të Shqipërisë
për shtëpizë të fëmijërisë,
për atë strehë e për atë portë
për atë nënë që fle nën dhè,
për gjithë njerëzit që janë atje
se nuk dihet, më s’i sheh.

Lëreni të flasë me vete
si detari nëpër dete
pa drejtim varka kur vete,
për një ëndërr që e tundon
për legjendën që pikëllon
për një shpend që thërret “Gjon”,
të thur vargje e metafora
për një mështeknë që mbuloi bora
sepse tjetër s’i zë dora.

Lëreni të ziun njeri
të hajë fruta të puthë gjinj,
ta pijë verën bashkë me sisë
në eliksir të dashurisë,
si qiri të digjet, tretet,
sa pikë frymë të mos i mbetet,
se kështu e thotë dhe vetë
në çdo strofë e në çdo vjershë
poet shqipo, kapedani
varg e shpirt si Ali Asllani.

Lëreni të shkojë tek retë
me një torbë të mbledh rrufetë,
nëpër ishuj e steretë
me sirena të harbohet,
mendja do t`i vijë prapë
do vajtojë për një Itakë
do vajtojë me kujë e lotë
plakur rrudhur si një Zorbë
vitet ngrysur nëpër botë.

Prap`do rend si shtërg fundvere
i marros` pas ndonjë Eve,
se kështu janë gjithë poetët,
arrakatët e kësaj jete
mbjellin korrin dashuri
për ca nimfa në Shqipëri
për sirena nëpër ishuj,
flokëharlisur e kokëkrisur
si vetë Zoti i ka stisur
dhe gjeni dhe të vithisur


AFORIZEM PËRSKAJOR

Gjarpëri nuk mund të bëhet lepur kurrë
se veshët s’do ta linin të fshihej nën gur

mizoria me mirësinë me një gërmë fillojnë
por janë të ndryshme e kurrë nuk takojnë.

Jagua, Otello nuk mund të mendohet
e ti pjelle zgerlaqe spiunësh të zi

me nje buzëqeshje djalli nën masken e engjellit
ti gaforre e kuqe, si mund të quhesh njeri....