MOS VDIS DASHURI 2002 NOKTURN 2004 REQUIEM PËR NJË GJETHE 2005 TRINIA IME 2006 KOHA E PROSTITUTAVE 2007 ITAKA GRUA 2008 LULE PELLAZGJIKE 2012 U DASHKA TË DAL NATËN VONË 2012 E KAM ATDHEUN TEK PORTA 2012 DASHURI 2013 FAJIN E KA HEKUBA 2014 ORAKUJT NË FERR 2015 ODEON 2016 OFELI 2019 ODE PËR SHKODRËN 2019
> ZOGJTË E ARLINGTONIT 2020 AJO QË JETOJMË PËRDITË 2021 POETICA SHQIP 2005 POETICA ENGLISH 2006 DASHURIA MË E BUKUR 2007 I DËGJOJ LULET KUR FLASIN 2008 NIRVANA 2024

PËRTEJ ITAKËS 2008...nga K. P. Traboini




PËRTEJ ITAKËS 2008


RRETHANA NJËQIND E NJË...

Ndenjëm aq herë duke pirë klubeve kafè
ndonjë drekë modeste tek Shallvaret
e kemi ngrënë gjithashtu
kohë për ti thënë gjërat kemi patur
por njeriu shpesh nuk thotë
ato që duhet të thotë, me shkak a pa shkak
të njëqind rrethanave.

Por në rastin tonë
orakujt e Shën Mosdashjes shpallën rrethanën
njëqind e një - ta zemë një qerthull si ky:
unë vija të takoja
(aq shumë kam ardhur në atë zyrë)
e ti konfuze mbi shkarravina letrash
më percillje tek shefi...

Shefi yt ishte i sjellshëm, goxha burrë
por të gjithë shefat janë shefa
e unë si natyrë, nuk e ndjehem mirë
në prani të bosave të letrave
anipse, dikur, në rininë time
që nuk di ku e harrova, e lashë a me humbi
kam qënë dhe unë një farë dreq shefi.

Kështu papritur na u shfaq
epilogun vrastar i dëshirave
ca nga shefi e ca nga prishaqejfi
lajmi, politika, Sheratoni, Amerika
shto greven e mosurinimit parlamentar
që i ktheu në WC të gjitha gazetat
bashkë nuk i thamë të gjitha
në krevat... nuk e pimë një kafè
e për dashurinë nuk folëm asnjë fjalë...

25 nëntor 2008 

 

AI SHI ...

Të panë të nxitoje në rrugën e Liceut
ca re inatçore qiellit dyndeshin
rrepat e vetmuar, të zhveshur dot s'të mbronin
pikë pikë mbi ty
floknaja e diellit po lagej në shi

o Zot të mos kish rënë ai shi fundnëntori
mbi ty të paktën të mos binte
që flokët e qullura në prëhër të tjetërkujt
të mos vareshin e kërkonin
të thaheshin me puthje.

Ah, ai shiu i Liceut
ai pikëllim nëntori në sy
ato re inatçore nga erdhën, si u dynden?!

Ai shi që ma lagu e shkriu dashurinë
tashmë rigon mbi vetminë time
e shpirti si pus, pika pika i mbledh
në thellësi.

Tërë botën ta lagëte
por ty e mua kurrsesi
… ai shi.

2 dhjetor 2008


EGËRSHANE

Si qënie egërshane mund të marrim jetë
por s’ kemi frymë magjie t'i ngjallim të vdekurit
edhe me ndjesitë ndodh kështu
ato vdesin a vriten në luftë si njerëzit

kanë edhe ato vrasësit dhe varrëmihsit e tyre
edhe një varr ku u hedhin lule dhe lotë
nën kryq a gjysëm hënë, varet prej njerëzve.

por magji ringjallje për kadavrat ndjesore
në këtë botë nuk gjënden, ndaj:
më kot më ndjell

më kot miklohesh me fjalë
më kot e vesh fustanin e kaltër
më kot i lyen buzët me të kuq flake përvëluese
me kot e puq këmbën me këmbë ndjellaqejf

më kot i shtrin gishtrinjtë në buzë për të më prekur
më kot përpiqesh të ringjallësh të vrarët e mi
edhe ti, si ato, në gjoksin tim ke vdekur...


NIMFA E THESALISË 

E meriton lotin tënd në parzmin e diellit.
mos thuaj jo. Harro mentalitetin
e gruas së lodhur nga hallet e jeta
prano atë çfarë shpirti im të afron:

Je aq e mirë, o Zot
nuk gjen të tilla nimfa në shtat dete
fatlum është ai që në gjijt e tu
gjen prehje.

Mjer ne, që brigjet e Thesalisë
kurrë s' i prekëm.


ELIKSIR

I lutem zotit të mbytem në dallgë
në dallgët detit se deti je ti
zotit i lutem të puth buzët e tua
të më mbeshtjellësh në krahë
të më marrësh në gji…

pastaj një përflakje
mes dallgëve shaluar thellësia e pret
direkun anijes të zhytet në det.


ËNDËRRIM LIRIK


Lirikës ku ti shfaqesh si hyjni njerëzore
si shpirti i shpirtit të një Alieni këngëtar
nuk guxoj ti ve emrin tënd.

Në vend të një varese me perla, nuk guxoj
të ve një tulipan gjaku në parzmin e hijshëm.

Nuk dua tia shtoj retë karvaneve të qiellit
nuk dua ti pikëlloj zogjtë e kaltërsive
por ti hyjni njerëzore, mjafton që ti e di
mjafton që ti e ndjen
mjafton që të nxisë ta shohesh jetën të bukur
e ti thuash vetes "praj ti melankoli budallaqe
ka plot njerëz në këtë botë që më duan
që më dëshërojnë, që thurin ëndërrza të arta
me milione pikëzime që përbëjnë imazhin tim".

Thuaj vetes praj dhe prano dashurinë e rrezeve të diellit!
Veç mua, eh, mua, lërmë që edhe me tej në lirika të ëndërroj
anipse emrit tënd ta përmend, nuk guxoj, hyjnia ime!
Nuk guxoj!


SHOGËLINË

Jam ai që jam, anipse
kurrë veten nuk e dita ndryshe çfarë mund të isha
jam ai që jam, gjysmak si gjysmagjeli i përrallës
edhe kjo botë si përrallë po më duket
me ujq e dhelpra dhe gaforre të kuqe
me qukapikë që zgerlaqen pas drurëve të kalbur
për krimba

…jam ai që jam, i ikur prej gjithkujt e gjithçkaje
ngase më duket e mangët qenia, e shogët
dy bujashka mbi kokë, ca letra nën sqetull

me nje bisht qeni ndën shalë
më nje fshesë të madhe sa vetja
me të cilën mas meridiane e paralele
pa harruar shkretirat dhe ekuinoksin e qiellit
tuj fshi rrugë e sheshe, hotele e zyra qeverish
ku njerëzit rrëfehen e mëkatojnë për ditë
herë si robër e herë si zota.


… në kontinetin e ri jam Half &Half
gjysma tjetër në kontinentin e vjetër
rinia ime nën diktaturë
në liri të cungueme në botën e vjetër
shogëlinë më bëhet jeta, ndaj ngutem
ngutem të iki prej gjysmës cullake
me shpresë të kotë se në këtë botë
diku duhet të gjëndet
e dashura e diellit - gjysma tjetër.


ÇMIMI I KALTËR


Ç'i dua çmimet e tjera veç titullit Pendëkaltër
me të cilin vetën poetikisht e laurova
ç'i dua çmimet kur i kam një palë flatra
me të cilat fluturoj kur e ku të dua
në të gjitha hapsirat e globit

nuk e ndrroj të kaltrën me asnjë ngjyrë
stinët le të ndrrohen sipas dëshirës
as strofat, as vargjet as qëllimet e jetës

nuk mund ti ringjyej
e arta tek e arta, e argjëndëta në pasqyrë
e kaltra i takon detit e qiellit dhe flatrave te mia.


KËSHILLË VETES

Për më të bukurin art që ke krijuar
mendo sikur nuk ke bërë veç një hiçmosgjë
se nga momenti që nis e fluturon
nëpër qiejt e pafundëm të delir-ëndërrimit 

se në të pasosurin Olimp e ke vënë këmbën,
poezia të shket si rërë nëpër gishtrinjt
era e shpërndan kamos nëpër botë
por kurrnjë kokrrizë rëre, më nuk vjen tek ty...


HYMN QELIZAVE

Ju pafundësi qelizash, fijzash mishi e gjaku
që bini therror e më nuk griheni në jetë
ju bëni fli qënien tuaj për të tjerë

kush veç jush do ta mbronte këtë ngrehinë
që shkon e vjen në dy kontinente
si sonambul në erë

ju e veç ju, gardiane të palodhur të jetës
që vdisni, vetëm e vetëm
që kështjëllen time të mos e lini të bjerë!


PASTORALE

Fërshkëllej motivin:
"moj e mirë që me shkon me dhen
a shkon vetëm a me tjetër kend"
dhe zgjat dorën të prek gjinj të butë bareshe
që të verbojnë prej klumshtit e dritës
dhe harrohem, drithërohem tek mbështjell në gjoks
veç duhmen e detit e shkulmet e erës...


SUVALË DETI

Ç'ma ke atë trill deti, o mik kaltërsive
me pulbardha e dallgë m'u shfaqe në prak
me Homerin e madh mjekërrshkumbë deti
tek grindet për Helenen me Esenini zemërak

ma solle detin në shtëpinë time
kaq shumë kaltërsi kurrë nuk pata mik
hapa dyert e zemrën, por prap ca det mbeti
ua shpërndave komshijve në Nju Ingland.


DHE GJENI DHE TË VITHISUR

O bo-bo, si është katandisur
ky poeti mendjekrisur,
kudo shkon libra me vete
pelegrin n’ sa e sa shtete,
ky i shkretë për poezinë
si Aliu në Janinë
për një greke dha mbretërinë.

Lëreni të qetë bandillin,
le t’ja shpleksë gërshetat diellit,
si një femër ta pushtojë,
zjarr me zjarr ta puthë në gojë,
zjarr me zjarr e buzë në buzë
diellin djeg poeti shpuzë.

Le t’ këndojë me zogjtë e malit
shpirti t’i përvëlojë prej mallit,
për atë tokë të Shqipërisë
për shtëpizë të fëmijërisë,
për atë strehë e për atë portë
për atë nënë që fle nën dhè,
për gjithë njerëzit që janë atje
se nuk dihet, më s’i sheh.

Lëreni të flasë me vete
si detari nëpër dete
pa drejtim varka kur vete,
për një ëndërr që e tundon
për legjendën që pikëllon
për një shpend që thërret “Gjon”,
të thur vargje e metafora
për një mështeknë që mbuloi bora
sepse tjetër s’i zë dora.

Lëreni të ziun njeri
të hajë fruta të puthë gjinj,
ta pijë verën bashkë me sisë
në eliksir të dashurisë,
si qiri të digjet, tretet,
sa pikë frymë të mos i mbetet,
se kështu e thotë dhe vetë
në çdo strofë e në çdo vjershë
poet shqipo, kapedani
varg e shpirt si Ali Asllani.

Lëreni të shkojë tek retë
me një torbë të mbledh rrufetë,
nëpër ishuj e steretë
me sirena të harbohet,
mendja do t`i vijë prapë
do vajtojë për një Itakë
do vajtojë me kujë e lotë
plakur rrudhur si një Zorbë
vitet ngrysur nëpër botë.

Prap`do rend si shtërg fundvere
i marros` pas ndonjë Eve,
se kështu janë gjithë poetët,
arrakatët e kësaj jete
mbjellin korrin dashuri
për ca nimfa në Shqipëri
për sirena nëpër ishuj,
flokëharlisur e kokëkrisur
si vetë Zoti i ka stisur
dhe gjeni dhe të vithisur


AFORIZEM PËRSKAJOR

Gjarpëri nuk mund të bëhet lepur kurrë
se veshët s’do ta linin të fshihej nën gur

mizoria me mirësinë me një gërmë fillojnë
por janë të ndryshme e kurrë nuk takojnë.

Jagua, Otello nuk mund të mendohet
e ti pjelle zgerlaqe spiunësh të zi

me nje buzëqeshje djalli nën masken e engjellit
ti gaforre e kuqe, si mund të quhesh njeri....

Poezinë nuk mund ta mësojmë si të jetë - nga K.P. Traboini



AUTOGRAF NE QIELL
Poezinë nuk mund ta mësojmë si të jetë
 
Njerëzit shkruajnë në mënyra të ndryshme, kanë përvoja të ndryshme, vijnë nga mjedise të ndryshme dhe është e natyrshme që të sjellin mendimet e perjetimet e veta të cilat për nga shkalla e intensitetit emocional, apo dhe mendimit filosofik duhet te jenë të pangjasheme. Edhe sikur gjithçka të ketë arritur në prefeksion, përseri ka një shkallë tjetër, një barrierë nëse mund ta themi nëpër të cilën duhet të kalojë e kjo është pelqimi i lexuesit. Por edhe ky nuk është gjithçka sepse edhe lexuesit kanë parapelqime të ndryshme, shije të ndryshme e nivele kulturore të ndryshme. Eshte e kuptueshme që një tip rapsodik të parapelqejë poezitë me metrike klasike ku respektohen të gjitha rregullat në mënyre strikte. E drejtë e tij. Por një tjetër që ka lexuar shumë nga poezia e përboteshme, që i di zhvillimet poetike dhe përpjekjet e mëdha për ta nxjerrë poezinë nga kornizat strikte, ai është e natyrshme të pelqejë vargun e lirë që nuk ka asnjë kushtëzim. Por pavaresisht teknikes së përdorur poezia ka sekretet e veta të mbuluara brenda fjalëve, ka magjine e vet të cilën është e vështirë ta spjegosh, ajo lind si nënshtresë, lind jashte logjikës së rreptë, ështe si era që fryn e ne e ndiejme por nuk e shohim, pra çasti i krijimit ka prekur subkoshiencën.
Jo më kot Platoni thoshte "Poezia është e folura përçartë e perëndive!"
Dhe, duhet pranuar, të shkruarit do kulturë e dije, e njëjta gjë kërkohet edhe nga lexuesi. Një njeri që pi qumësh tërë jetën vështirë të kuptojë e të vlerësoje shijen e verës.
Dhe autorët të kenë parasysh kur kerkojne të vetlartësohen e vetlavdërohen me krijimet e veta se, nuk matet gjatësia e njeriut me hijen e mëngjesit, se kur dielli ngrihet në zenit njeriu nuk ka më hije.
Kjo që shkrova më sipër, nuk është shkrim apo analize por një koment i shkurtër, le ta quajmë ese, në të cilin shpreh mendimin tim e askush nuk ka pse shqetësohet.Unë këtu nuk them si të shkruhet por shpreh mendimin tim e përvojen time në shkrim. E kam thënë e vazhdoj ta them, shkruaj siç më pelqen dhe nuk e kam as kohën e as moshën të bëj ushtrime metrike siç më sugjerojnë vargmatësit. Ka ikur treni larg të nderuar. Fakti që dikush mi kërkon poezisë këtë e atë do të thotë se kanë mbetur pre e shkollarizmit. Po more miq, ju po thoni që manushaqja duhet të dalë kështu e ashtu, të ketë këtë ngjyrë e të ketë këtë erë. Por kur ajo ti ketë ato që doni ju atëherë ajo nuk është manushaqja e papërsëritshme e pranverës, por sajesa juaj me aromë të stisur. Thoni se duhet të ketë patjetër poezia figurë....po kjo është recetë, e me receta merren vetëm ilaçet e mjekut. Po jo poezia. Ka poezi që nuk kanë nevojë për asnjë figurë...por ka edhe poezi që mund të ngrihet mbi bazën e figuracionit. Vargu i lirë është një evolucion i madh, i cili është çliruar nga çdo gjë që e kushtëzon shprehjen e mendimit e të ndenjës. Jam në një mendje që poezia i ka të vetat ato elemente që përmendni, por nuk ka ligje në këto punë. Nuk ka rregulla strikte. Ndryshe prej të gjitha arteve të tjera poezia ka fituar lirinë që të jetë ajo që deshëron vetë të jetë e jo ajo që i kërkohet të jete. Por ndërkohë unë e kuptoj dhe e respektoj edhe metriken, edhe vetë i perdor jo pak herë vargun popullor, poezinë tradicionale, folkun pra, por kjo nuk e dominon poezine time.
Parapelqej të shkruaj çastin, atë që më ngacmon e kërkon të dalë prej meje ashtu siç ajo do të dalë pa e imponuar. Quajeni po deshët prozë poetike apo poezi prozaike, mua as që më shqetëson. Ku pyet toka se ti nuk do që të dalë bari në livadh. Ajo do ta nxjerrë fijen e barit sa ta ngrohin pak rrezet e diellit. Edhe njeriu është tokë, por dikush tokë e mirë e pjellore e dikush tjetër tokë djerr, e më tej dikush tjetër gurishte e zallishte, tokë shterpë, ku as dhe një farë poetike nuk mbin, por sekush është në të drejtën e vet për të zgjedhur perëndinë e artit që adhuron. Të gjithë janë në rrugë, por udhëtimin nuk e përfundojnë të gjithë. Dikush e ve firmen ne nje çek, dikush tjeter ne nje fletore te vjeter a testament, veç poeti, ai marroku i ndjenjave të thella e hedh autografin në qiell.

Lirizmi poetik i K. P. Traboinit- nga Sazan Goliku



Mendime për librin e poetit K. P. Traboini - nga Sazan Goliku

 Libri i ri poetit Kolec Traboini “I dëgjoj lulet kur flasin” është një shembull se poezia e sotme shqipe po kultivohet e lexohet jo vetëm në trojet shqiptare, por në saje të mjeteve të komunikimit elektronik, ajo përhapet lehtësisht në çdo kënd të botës ku jetojnë e punojnë shqiptarët. Motivet, tematika e problematika e poezisë nuk është më e limituar. Profili i stilit të Traboinit na tregon se duke u frymëzuar në Tiranë ose në Uashington, në Shkodër ose në Athinë, në Sarandë ose në Amsterdam ai mbetet në thelb poet shqiptar. Lirizmi i kësaj poezie merr ngjyrime të shumëllojta dhe ka ndjeshmëri dridhëse, ndërsa poezitë përsiatëse burojnë nga situata dramatike të një realiteti të turbullt e të elektrizuar nga kontradikta e konflikte ekzistenciale.

3 janar 2024

"Poetica" by K. P. Traboini



"POETICA" by K. P. Traboini

Selected poems in two books, Albanian and English.

Unlike popular publications where poems are published within a book in two languages, in this case, another solution has been found. The same poems, with the same forms and graphic solutions published in two books, the only thing that changes them are languages.

"Poetics" in both the Albanian and English versions have 325 poems and each book has 370 pages. If they were published together they would go to over 700 pages, so this form has been found to make them more practical to use. The poems are selected from the 17 original volumes of the author's poetry published from 1995 to 2021. The time of writing the poems marks from 1985 to 2022. Being an emigrant for a quarter of a century is understandable that the dominant theme of the poems will are the temptations of distance and as an extension of geographical space, we would distinguish four groupings, poetry from life in the homeland, from immigrant life in Greece, meditations in Italy and dominant in this migratory theme life in America, from Philadelphia to Boston and  Washington DC. Poems are characterized by deep lyrical experiences, civic concern, urban motives, erotica as an inherent part of human life, and others. This publication by K. P. Traboini comes immediately after the publication of the poetic volume "What we live every day" 2021, the historical monograph "Saga Idromeno" and volumes in 4 books, translations of the poetic creativity of over 200 poets from around the world; "World Poetica 1", "World Poetica 2", "American Poetica" and "Charles Bukowski".

Pantheon Books Info.

----------------------------------

"POETICA" nga Kolec P. Traboini. / Poezi të zgjedhura në dy libra, shqip dhe anglisht.

Ndryshe nga botimet e njohura ku poezitë botohen brenda një libri në dy gjuhë, në këtë rast është gjendur një zgjidhje tjetër. Të njëjtat poezi, me të njëjtin format e zgjidhje grafike qëndrojnë në dy libra, e vetmja gjë që i ndryshon është gjuha.  “Poetika” si në variantin shqip dhe në atë anglisht kanë nga 325 poezi dhe secili libër ka 370 faqe. Nëse do të botoheshin së bashku do të shkonin në mbi 700 faqe, prandaj është gjetur kjo formë për t’i bërë më praktike në përdorim.  Poezitë janë nxjerrë nga 17 vëllimet poetike origjinale të autorit të botuara nga vitit 1995 deri në vitin 2021. Koha e shkrimit të poezive shënon nga 1985 deri në vitin 2022. Duke qenë një emigrant për çerek shekulli është e natyrshme që tematika dominuese e poezive do të jenë tundimet e largësisë dhe si shtrirje në hapësirë gjeografike do të dallonim katër grupime, poezi nga jeta në atdhe, nga jeta prej emigranti në Greqi, meditime në Itali dhe dominuese në këtë tematike mërgimtare jeta në Amerikë, nga Filadelfia në Boston dhe në Washington DC. Poezitë karakterizohen nga përjetime të thella lirike, shqetësimi qytetar, motive urbane, erotika si pjesë e qenësishme e jetës njerëzore e tj.  Ky botim i autorit K. P. Traboini vjen menjëherë pas botimit të vëllimit poetik “Ajo që jetojmë përditë” 2021, “Saga Idromeno” dhe kolanës në 4 libra, përkthime të krijimtarisë poetike të mbi 200 poetëve nga bota; “World poetica 1”, World poetica 2”, American poetica” dhe “Charles Bukowski”.

Pantheon Books Info.

‐-------------------------------

Ky libër ka qenë një nga 5 librat të  rekomanduar për lexim ditën e librit 23 prill 2024 nga studiuesja dhe shkrimtarja Emi Krosi :

"Po dashuria, sa vlen? Ajo fisnikëron shpirtin dhe zemrën, duke marrë dhe dhënë dashuri pa kushte, pa pyetur sesa gramë duhet dhe sa peshon, ajo që jep dhe merr, nga ata që do dhe të duan. Kjo dashuri e fisshme, që larton shpirtin në vëllimin poetik "Poetika (poezi të zgjedhura) të Traboini P. Kolec, na frym lirika të ëmbla dashurore, në një të padashurisë. Një antologji me lirika të përshpirtshne ku dashuria herë tepron dhe herë mungon. Dashuria, duhet "vaditur" çdo ditë me thërrimet e kënaqësive të përditësisë tonë, duke mbajtur gjallë shpirtin e lirirë dhe plot pozitivitet, se jeta vlen. Po dashuria, a është sot një virtyt apo një akt çiftimi për trashëgimtarë?"

_________________________

Librat gjenden në Artkancelari Sako, Rrugën “Him Kolli”, pranë shkollës “Konferenca e Pezës” Tiranë.

Cel: +355 68 215 5277

Mësuesi i fillores - nga K. P. Traboini



Lin Mushkalla, 1908-1963
Lin Mushkalla 1908-1963



MËSUESI I FILLORES
Nga K. P. Traboini


Kërkoj emrin e mesuesit tim të klasës
së parë, por askund nuk e gjej,
as në internet e as në gazeta,
ata që e njihnin
nuk janë më ndër të gjallë,
ndër libra as që bëhet fjalë.

Libra, mësuesi im, nuk ka shkruar,
por në mendjen time ka gdhendur
gërmë për gërmë gjuhën shqipe,
gërma të arta mbi mermerin e bardhë.

Pastaj nisa të shkruaj dhe unë,
por dora më dridhej, bëja gabime,
mësuesi mori dorën time të vogël
në doren e tij dhe bashkë shkruam
Trininë njerëzore: Atdhe, Babë e Nanë.

I ruaj në kujtesë të gjitha ditët,
edhe atë ditë marsi kur mësuesi na tha:
sot nuk ka shkollë.
Ka vdekur ai, atje, larg, ka vdekur...

Dora mësuesit tregoi nga verilindja,
ne nuk pamë katallan në horizont,
dita ishte e bukur e qielli i kaltër,
kalendari shënonte 5 mars 1953.

As emrin nuk ja tha, e ne nuk pritëm,
por ikëm të gëzuar si zogj.
Se kush fëmi i botës nuk u gëzua
kur mesuesi u tha: sot nuk ka mësim.

Ka vdekur, ka vdekur, ai, atje, larg...
e çantat e librave hidheshin në ajr,
vdekja çlironte shpirtrat nga makthet.

Gjithmonë e kam kujtuar mësuesin,
në Hot të Ri ai ka lënë imazhin e vet,
ku shkon e vjen përjetësisht
me biçikletë nga Shkodra.

E di që pushon në Rrmaj,
vështirë është të gjesh në gur varresh
emrin e atij që kërkon se të vdekurit
janë më tepër se të gjallët.

Akoma se, ky është një qytet i madh,
një labirinth shtigjesh, ku
guri, mermeri e druri alternohen
si në qytetin e të gjallëve,
dhe shkalla e pasurisë së të gjallëve
bën diferencat e të vdekurve.

Të diturit, jo medoemos kanë
varre mermeri
si në botën e të gjallëve
ku shpesh të diturit rrojnë
me keq se fajdexhijtë, ministrat
dhe sharlatanë deputetët.

Diferencat i bën pasuria:
ky varr madhështor i përket
një hajduti, që vodhi tërë pasurinë
e popullit e la pas para
sa ti gëzohen mermerit tërë soji i tij.

Kërkoj emrin e mësuesit tim
të klasës së parë, Lin Meshkalla,
në dy qytete kërkoj e nuk e gjej
as në qytetin e të gjallëve
e as në qytetin e të vdekurve.

Dhe rri e pyes veten pse i harrojmë
ata që në dorën e tyre mbajtën
doçkën tonë, - përderisa
dijet e tyre i kemi gjithmonë me vete?

7 mars 2024

Mësuesi i përkushtuar i shkollës fillore Lin Meshkalla, kushëri me Martirin Atë Pjetër Meshkalla, ka lindur në vitin 1908 dhe ka ndërrua jetë në vitin 1963 duke mos lënë pasardhës. Por,gjithësesi qoftë fati personal i mësuesve, duke qenë misionar të dritës ata lënë pas nxënësit ku kanë trashëguar dijet e veta për botën. Dhe dijet për dritën kurrë nuk kanë vdekje.

Autori

Dashuria si sentecë e shpirtit lirik të Kolec. P. Traboinit. - nga Emi Krosi



Tema: Dashuria si sentecë e shpirtit lirik të Kolec. P. Traboinit.

 

E shkrueshmja dhe e lexueshmja [S/Z e Bartes-it], ku secili poetshkrues lë shenjën e tij individualiste, në një mënyrë të veçantë të vështrimit të gjërave, mënyra e shprehive artistike, duke gjetur fjalët e duhura, me metafora të zgjedhura. Si një vëzhgues mendjehollë, poeti/ia mund të habitet nga një zog, një re, dhe të shprehet në mënyrën e habisë absolute, apo në formën e një lloj eksperimentizmi (Carver: 2019: 114). Duke vëzhguar, sesi janë gjërat jashtë, por si i sheh poeti, përcjellë kuptimin nëpërmjet një specifike të veçantë, përmes një qartësie morale si dhe me anën e përvojës së tjetërsimit, ku vetëdija reflektuese ndaj realitetit, nuk mund të jetë e rastësishme. Bota e poezisë, është po aq e pakufishme dhe e pashtershme, aq sa edhe pasuria e gjallërimit të natyrës. Të shkruarit buron nga zemra. Të shkruarit është ngjallmimi i njeriut. Të shkruarit është përkushtim, qëllim, dije dhe besim. Integriteti i vërtetë kulturor promovohet përmes “përvojës, që vjen nga brenda natyrës dhe strukturës së vetë kulturës, shpalos natyrshëm traditat e
gjalla kulturore të jetës kombëtare, si vizion zhvillimor të progresionit shoqëror.
Duke iu referuar, Harold Bloom-it, se nuk ka ndonjë mënyrë si të lexojmë, por që ka shumë arsye se pse duhet të lexojmë, nuk duhet të themi, “si të lexojmë” dhe “çfarë të lexojmë”, apo ku “duhet të fillojmë”, nuk mund të varet plotësisht nga autori, por nga lexuesi, që duhet të dijë çfarë të lexojë (Bloom: 2000: 21). Lirika është esenca e poezisë. Kërthiza e saj, që ushqen tubi ombilical i jetës së një fëmije ashtu edhe lirika është kërthiza - fëmijë. Sa shumë mentorë kanë mëkuar lirikën, në të gjitha format. Ajo është pema që zgjat krahët dhe çelin mijëra filiza të rinj, nga shpërthejnë miliona gjethnaja dhe sythe fjalësh dhe
strofash apo shkrifërime vargjesh pa limit, në “Poetica”(Traboini: 2022)
Kjo antologji ka poezi që janë ndarë me shprehje dhe duket se lirika e dashurisë, ndjenjës, shpirtit, mungesës ka më shumë vend. Autori e fillon antologjinë me poezinë “Portreti im” dhe mbyll me poezinë “Kur jam me ty”, mund të quhet një lirikë sosio-shoqërore, ku fjalët krysemat janë: [dashuria:{107 herë}/ trëndafil: {29 herë}]. Lirika ka shumë simbole të botë florale, sidomos krylulen: trëndafilin. Sendërtimi poetik është bazuar në:

 

-          simbolikën e trëndafilit dhe dashurisë, ka perceptime jo vetëm të lirikës së pastër

shpirtërore dhe dashurore, por lirika ka shumë shtresëzime mes simbolikës biblike, se shenjëzimi i trëndafilit si lulja e parajsës që ndërlidhet me ngjyrën e gjakut të Krishtit, për besimtarët e krishterë.  Poetët, që të jenë në gjendje të zotërojnë demonin, përmes teksteve kanonike  zëvendësojnë zbrazëtitë e lëna nga prishja e teologjisë kristiane, se poezia me diskurs biblik, është një lloj teksti teologjik zëvendësues (Stenier: 1997: 4). Ky simbol dekodohet dhe si një transhendencë përtej reales apo magjisë deri në pasvdekje që “udhëton” nëpër planet. Vargjet: një buzë është një petal,/një puthje është një trëndafil /një ëndërr, Harold Bloom, e përdor trëndafilin si metaforë e pastërtisë shpirtërore të besimit dhe dashurisë ndaj Zoti, energjia e furishme e dëshirave është në analogji me simbolikën erotike. Epshi, transformohet në ferr, si metafora të vazhdimësisë së poezisë, që nga fillesat e saj parake  deri në kohët moderne, që sigurisht i jep lexuesit më shumë kënaqësi: a) përmes patosit liriko-biblik, b) vlerave estetike të lirikave socio-shoqërore, dimensioni unit lirik i metaforës së trëndafilit, bëhet universale, përmes Qeniesshpirtit të së vërtetës dhe individualitetit poetik. Dukuria që shënjon, është motiv lëvizës metaforik me lidhje associative – emotive, përmes mënyrës abstrakte të thënies së lirikës si dimension shpirtëror si metaforizim i një figure të thellë (Murry: 1931), përmes vargjeve:  ato germa të vogla, të vogla /ajo dashuri e madhe e madhe./Brenda tyre si magji sirenash/ADN-ja jote fatale, poezia “Letër dashurie”. Këtu mund të themi se është vetëm simbolika e dashurisë intime dhe marrëdhënia mashkull-femër;

-          simbolika e emigracionit, autori ka shënjuar të gjithë udhëtimin e tij në emigracion: për

shumë çka vjen koha/ që ne deshëm ta ndalnim/ ashtu si retë kemi dëshirë t’i zmbrapsim/ po nuk shpëtojmë dot/ pa u lagur poezia “Dolëm nga vetvetja dhe ikëm”. Përshkrimi i rrugëve të emigrimit dhe ndeshja me letërsinë e madhe apo kulturat antike, derdhen poezive me tema nga emigracioni apo lektisja përmes vargjeve, që nga Athina deri në Romë, duke përshkruar të gjitha skutat e Washtingtonit dhe lumin e ftohtë Potomac: ishte kafeja/ më e mira e Georgetown /Washington DC. Hapsira në letërsi, është parabolë e kërkimit gjeo-hapsinor, jo vetëm si hapësirë por dhe kohë, në tekstin që kemi përpara, ku ne jemi pjesë e përcaktimit të asaj lëvizjeve që na sugjeron autori, meqenëse historia është e përjetuar prej tij. Kjo hapësirë, dëshmon dhe krijon kohën fizike përmes fjalëve që mund të na shtyjnë të përfytyrojmë (Eco: 1979). Hapësira nuk është thjesht një gjeografi apo shpejtësi, por perceptim. Perceptimi dhe “përfytyrimi” i një udhëtimi gjeografik. Kjo hapësirë  gjeo-kontinentale, del dhe në titujt e poezive: “Mëngjes në Yarmouth”, “Zogjtë e Arlingtonit”, “Mesnatë në Romë”, “ Mirëdita Athinë”, “Washington DC”,  etj., Harta e shtirjeve gjeografike nuk është vetëm e brendshme, por edhe e jashtme, që nënkupton, jo një hapësirë të ngushtë. Nuk mund të themi se është hapësira zero, por  një “lojë” imagjinative, kur lexuesit i nxitet imagjinata;

-          simbolika kristiane kulturore/historike. Mitologjia greke vjen përmes miteve librore,

por edhe elemente të historisë dhe kulturës së saj të lidhur me mitologjinë. Kultura romane përmes historisë dhe mitologjisë. Historia e Romës, sidomos ajo e ndeshjeve mes gladiatorëve, në akropolin romak, sjell mbivendosjen e mitologjisë greko- romake, që vjen përmes syrit të një emigranti, që këtë mitologji e kishte lexuar vetëm në libra, por tani përballej me madhështinë e saj, sheh pelegrinët që enden duke kërkuar shpresën përmes besimit, në sheshin Shën Pjetri: kam ardhur ndryshe nga pelegrinët /nga statujat e gurta në Sheshin e Shën Pjetrit /ndryshe nga papët e katakombeve, poezia; “Shenjëtorë në shi”. Kodet mitologjike, na japin mundësinë e të  kuptuarit të statusit të një mitologjie, në kuptimin e një doktrine socio-shoqërore, dhe doktrine shpirtërore, duhen disa kushte:


a) gjendja njerëzore,
b) historia e të kuptuarit të jetës tonë,
c) mitologjia e përzier me mitet dhe heronjtë,
d) besimet biblike,
e) lëndën e tij të ngjeshur nga mitologjia.

Pra, mitologjia, në këtë kuptim, është një pamje e plotë e " botës së njeriut", duke pretenduar se mitologjia është serioze, pra nuk është falsifikim apo një përgënjeshtrim (Stenier: 2011:4 ). Që të kemi një pamje të tërë të mitologjisë, na kumton mesazhe mitiko-letrare: fatin Trojës/ nuk ia tha Kasandra nga poezia, “Kasandra”, se mitet ishin nëna e Muzës, që frymëzuan poetët, por  jo në atë shkallë, ku Zoti frymëzonte orakujt, pasi kemi të bëjmë, me një vargan mitesh të zhvendosura (Fraj:1990: 77);

-          simbolika e shenjëzimit të fëmijërisë dhe atdheut: nuk është vetëm çështje kulturash

dhe klimash por edhe çështje hapsinore/kohore si dhe e marrëdhënies me veten dhe identitetin social, shoqëror, historik dhe njerëzor, në vargjet: koha pa maskë /ishte më e bukur/pavarësisht se ankohesha/për gjërat më të vogla/që më mungonin çdo ditë, poezia “Koha pa maskë”. Shenjat tekstuale të poetikës tregojnë pjekurinë e mendimit kulturor dhe letrar. Struktura poetike dhe koherenca, si tërësi e të kuptuarit, është krijuar përmes formave të brendshme (Jeferson & Roby: 2006), ku ndërveprimi i pjesëve të poezisë lidhet me emocionet si tërësi mendore të pavarura. Pasi shëtiti dhe jeta e lodhi, në pakthimin tek kujtimet, ikje-ardhjet, malli, dhembja, kthim- pritjet në vendlindje, apo Tiranë tek Selvia. Kurse tek Tajvani në një kafe pret për të takuar miqtë e vjetër që nuk janë më, apo miq të rinj e bëjnë pak pesimist poetin në vjeshtën e tij letrare, që sendërton: 


- tekstin si masë individuale e vlerësimit të receptim/pranimit,
- tekstin si problematikë e qëndrueshmërisë së vlerave/interpretimeve,
- tekstin si përpunim diskursiv përtej vetvetes,
- topikat tekstore si receptim narrativ,
- teksti si vlerësim i detajeve të jetuara,
- tekstin si filozofi e gjërave të vogla,
- tekstin si reflektim të kohës reale,
- sendërtimin e imazhet poetike përmes konceptimit të realitetit,
- topikat e përkufizimit të “qenies si tërësi”,
- përfaqësimi i matricave të qarta brenda strukturës poetike,
- rendi i vendosjes së tekstit përmes njësive kuptimore. Vargjet: atdheu është atje ku

ngjizet dashuria/por edhe atje ku mbi varre/rëndon një gurë mbi kokën/e gjysh-stër gjyshëve/edhe atje ndodhet atdheu/që s’harrohet kurrë  nga poezia:“Fëmijët te pragu”, imazhi dhe mesazhi letrar sidomos në poezi, kur ajo ka fuqinë dhe aftësinë për të marrë momente nga koha jonë, por poezia si nocion letrar të kuptimëson jetën, si një qëndrim reflektimi ndaj saj, për përmasën dhe kuptimin filozofik të jetës (Gendlin: 1996: 53).  

Vepra poetike e Kolec Traboinit, ka një stilistikë të shtrirë estetiko-letrare, ku përfshihen të gjitha figurat stilistike si: metafora / metonimia / epifora /anafora/ asonaca/ konsonancat /krahasimi /simboli /alegoria /satira /sarkazma etj.

-          simbolika e shenjëzimit stilistikor:

a)      fjalëformimet me para/prapashtesalëngështojnë /gjeometrikisht/ pafundësisht

/kuqërremtë /bakërremtë/ floknajë /vetveten/ gjithëherë /kurrkund /pulëbardhat /buzëfryrë /buzëqeshje /gjethnajë /buzëmbrëmje /frymëmarrje /krahthyer /tymnajë /shamizezë /njëmijë /pulëbardha /njëmijë /kurrkush/ ditëlindje /flakërima /përskuqur /përskajohet /atëbotë /qiellnaja /ndajnatë/rimishërimi/metaformuar/ardhacakë/buzëmbrëmje/syjeshilët/zëmekur/fatlumurisht/ritakohemi/njëqindmijë (përngjitur)/ frymëmarrje /gjethnajë /përndezur /lulebardhë /vetëquhemi /përndjekur /përgjumur /përhumbesh /kësulkuqe /luleshtryshe /krahëthyer /vetëdigjet/ pseudomoralet / rrëkajë / mardhacakë /rikrijuan /fundvera /bashkëbisedon/ gjethnaja /palodhura/përbaltemi /hiçkurrëmoskthimit (përngjitur)/moskthimi /vendlindje /ikanak /lotkaltra /stërgjyshërve /mjeracak /funfshekulli /mirëdita /mijëvjeçare /zemërgurta /mërgimtar /përvujtësisht /nënshtrohen/mesnatë /katakombe/dymijëvjeçare( përngjitur)/mërgimtar/përgjak/ zemërdhembshur /akullflenë /këmbëzvarrë /minifunde /stërlodhur /mbijeton /përqesh/ vetëgdhenda/fatlume/fatkeqe /pagjumë /përmotshëm /sapoardhur/shpeshherë/ përkujdesje /jashtëzakonshme /shalëjashtë /përmotshëm /përvitshëm /kryevendin /marramendjen /rrokaqiejve /luledielli /mbingopur /radioaktivitet /hekakeqe /kapërthyer /pulëbardhat /buzëmbrëmje /njëmijë /buzëmbrëmja /duralumin /marramendshëm /pandreqshëm /marrrmendëse /stërmadhe /hijerëndë /krishtlindje /pabarazi /pafundësisht /nënshtetësisë /përskajohem /tridhjetë /pesëmbëdhjetë (përngjitur) zhurmëmëdhenjtë /përgjunjur /kokulur /krahmardhur /postmortem /buzëkuqe /përloten /mirënjohje /rimishërim /përjetësi /trasfiguracion /bashkëbisedojmë /krahëthyer /njëzetvjeçare /dymbëdhjetë /shurrëtore /kryeministri.

b)      fjalët më të përdorshme: dashuri/ trëndafila/ dielli/besim/ hyjni/pikëllim/ perëndim /lule

/univers /zogjtë/tulipan/portret/shtëpi/ fëmini/pulëbardhat/ditëlindje/pranverë/bulevard/ vjeshta/dielli/ xixëllonjë/ era /ngjyra /muzg /det /natë /bore /gjethet /pëllumba /shi /mungesë

/mjelmë/ personazh / plakje /grua/ Bibla /galaktika/ poezia /luleshtrydhe /dimri /poet /robëri /liri /vuajtje /fëmini /kujtime /shtëpi /atdheu /vendlindje /emigrant /kuajt /imazh /mjegulla/pranverë/ muzikë /kafe /ballkon /koha /gur.

c)      trope metaforike/epitetet: fre zemërimit /erërat e stinës/ujëvarë dielli /përgojimet e

muzgjeve/ rrëketë e qiellit/imazh i vdekur/qiej në trastën time/yjnajat që spërkasin blunë/frymën si zjarr/flokët si hala pishash/fanari fërgëllin/pluhur drite/përpëlitet në sy/zjarri i dëshirave/pjalmi i jetës/pikëlojmë statujat/grunajat e yjeve të shpresës/dielli buzëqeshte/ metaforat poetike varur nëpër degë/poçet e errësirës thyhen/ hënën shtrydh si limon/ përvëlohet vdekja/plagë shtrigash/buzëqeshja e stinës/ëndërr e qashtër/kujtesë e ajrit/ këmbanë e diellit /mirazhe të bardha/shami të verdha pikëllimi/shira lirikë/lëvozhgat e reve/natyrë morte/pikëllim të shelgjeve/kamxhiku i erës/ buka e engjëjve/muret e mardhura/ngrica shekujsh/silueta gladatorësh/fantazma luftëtarësh/tymnaja të trëndafilta/frutat e pikëllimit/hënë e përgjakur/tingull i verdhë/makthi i ngricave/mars i shkalluar/marramendjen e rrokaqiejve/hijet lëvizin/loja e hijeve/vetminë ma përgjojnë/siluetë e lakuriqtë/ koha e vdekur/ belbëzojnë gjethet/anija e fatit/ gjethet gëzoheshin/ trëndafil i zjarrtë/ajri i ngrirë/ mort ngricash etj.

Enumeracioni : …po janë malet brenda/fushat, lumnejtë /janë pyjet , ograjat, lirishtat e bjeshkëve/…/kasollja e vjetër-shtëpia e re/njerëzit e dashur , të vegjël e të mëdhenj, poezia “Atdheu në zemër”.
Metafora fantazmagorike: hija fshehu thikën nën pelerinën gri..
Pjesëzat mohuese: s’ka ëndrra/s’ka pasione/s’ka art/s’ka këngë /…/s’ke dëshirë/s’ke dëshirë/s’ke sens.
Litoda:dini ju ndonjë udhëz/… strehëz ku të mbështes kokën/dini ndonjë skutëz etj.
Anafora: urë që lidh dy brigje/dy shpate/dy degë/dy zogj/dy këngë/dy jetë, poezia “Marie”.
Epifora: Do të iki!/Do të iki!/ Do të iki”, poezia: “Do të iki”.
Aliteracioni: fatlumturisht, si valë deti/ dhe ëndërrat tona flenë e zgjohen nga poezia: “Fatlumturisht”.
Asonanca: fatlumturisht, brigjet na e sjellin.
Konsonanca: bashkë me ta fatlumturisht.

Sëfundmi:  poezia e Traboinit, përpos lirikës ka një sentencë të gjerë stilistikore, që mund të shërbejë si tema studimore pse jo dhe doktoraturë, rreth figuracionit të madh dhe të pasur, duke i dhënë një dimension të ri gjuhës shqipe si pasuri,  pasi sot gjuhës standarde shqipe po i bjerren vlerat nga keqpërdorimi, sidomos në komunikimet virtuale dhe më tej. 

  

BIBLOGRAFIA:


1. Bloom, Harold. (2000): How to read and why? New York, London, Toronto, Sydney, Singapore.
2. Carver, Raymond. (2019): Rreth të shkruarit, përkth: Albert Gjoka, “Palimpsest”, nr. 6, Tiranë.
3. Eco, Umberto. (1979): Lector in fabula, Bonpiani, Milano.
4. Fraj, Northrop. (1990): Anatomia e kritikës, përkth: Anvi Spahiu, “Rilindja”, Prishtinë.
5. Gendlin, E. (1996): Focusing-oriented psychotherapy. New York: Guilford
6. Jeferson, Ann & Roby, Davis. (2006): Teori letrare moderne: përkth: Floresha Dado, “Albas”, Tiranë.
7. Murry, J.Middleton. (1931): “Metaphor”, Contries of dhe Mind, second series, London.
8. Steiner, George. (1997): Nostalgia for the absolute, Canada: House of Anansi Press.
9. Steiner, George. (2011): The Poetry of Thought, From Hellenism to Celan. USA: A New Directions Book.
10. Traboin, P. Kolec. (2022): Poetica (poezi të zgjedhura), “Email”, Tiranë.