MOS VDIS DASHURI 2002 NOKTURN 2004 REQUIEM PËR NJË GJETHE 2005 TRINIA IME 2006 KOHA E PROSTITUTAVE 2007 ITAKA GRUA 2008 LULE PELLAZGJIKE 2012 U DASHKA TË DAL NATËN VONË 2012 E KAM ATDHEUN TEK PORTA 2012 DASHURI 2013 FAJIN E KA HEKUBA 2014 ORAKUJT NË FERR 2015 ODEON 2016 OFELI 2019 ODE PËR SHKODRËN

Shqipëria nuk ka poetë - ka vetëm shtërpuca / nga K.P.Traboini


SHQIPËRIA NUK KA POETË - KA VETËM SHTËRPUCA!

Shqipëria nuk ka poetë.Tua sjellësh të shqipëruar (free) poetët më të mëdhenj të botës e as që marrim mundimin ti lexojnë. Jo more jo. Poetët bëhen duke mesuar nga njeri-tjetri jo duke u flladit nëpër korie me biçak. Poetët e mëdhenj amerikanë të gjithë përkthenin poetët europianë dhe të tjerë nga bota, ani pse vetë ishim më të vërtetë gjigandë të letërsisë botërore. Sa më i talentuar të jetë poeti aq më shumë përkushtohet, më shumë pranon, stimulon dhe afirmon poetët e tjerë të talentuar. Një solidaritet i përkryer i poetëve amerikanë. Po kudo në botë ndër poetët e vërtetë. Atje ku arti poetik është përkushtim dhe qëllim i jetës, ndodh si në rastin e Nobelistit Joseph Brodsky, i cili mësimet e para poetike i mori nga e madhërishmja Anna Akhmatova, sepse poeti lind e rrit poetin. Ndërsa në trojet tona ku poetët "lindin" e nuk bëhen kurrë, ndodh ndryshe. Ka një anekdodë: sa më shumë rri me njerezit aq më shumë i dua kafshët - një parodi e ngjashme do të ishte se sa më shumë lexoj poetët e botës aq më shumë më neverisin vjershëtorët pa mendim e pa ndjesi që i lajnë fytyrën njëri- tjeterit me një sapllake ujë nga buronjat e Hasan Zyko Kamberit.
Po ju sjellim vetëm 12 autorë nga 150 poetet e medhenj botërore që kemi përkthyer në librin "World Poetika" 2019:

Sappho(Safo)-11 Like
Emily Brontë - 7 Like
Joseph Brodsky - 5 Like( Nobelist)
Christina Rosetti - 4 Like
Dante Gabriel Rosetti -5 Like
Garcia Lorka - 7 Like
Charles Bukowski - 5 Like
Katherine Mansfield - 2 Like
Kostandin Kavafis - 11 Like
Naim Aradi - 4 Like.
Jacques Prévert - 10 Like
Ezra Pound - 5 Like
Jim Harrison - 4 Like

Pa le kur këta neveri provinciale përbuzin edhe novatorin më e madh të poezisë shqipe, unikun e të papërsëritshmin, Migjenin. Jo more jo. Mos e gënjeni veten me raki e bejte qesharake, me konkurse e çmime idiote që ua japin për sytë e bukur a mishin e bardhë. Flini mendjen. Shqipëria nuk ka poetë. Ka vetëm shtërpuca.
 

Më shkruajnë disa me indinjatë se nuk janë dakort me çfarë shkrova për shtërpucat e poezisë shqipe. Ju jap këtë gjegje: Lumturisht e pikërisht se nuk janë dakort me mua një kastë vetëlavdëruesish shtërpuca, unë vazhdoj të shkruaj pa ma bërë syri terr se jam në udhë të gjërë e jo në mezhda pastorale, ku i fryn bariu xhurasë me melodi të Hasan Zykos. Se të ishin dakort me mua, do të merrja një pisqollë të ndryshkur të kohës se Tanzimatit e do ti bija vetes në lule të ballit, duke lënë për shtërpucat një testament në formë bejte.
“To be, or not to be, that is the question”- Hamleti ishte një poet.



K. P. Traboini
29 gusht 2019

ODE PËR SHKODRËN - Poezi nga Kolec Traboini

GJITHÇKA QË KAM SHKRUAR PËR FËMININË, RININË E JETËN TIME NË QYTETIN E SHKODRËS DO TË PËRFSHIHET NË VËLLIMIN POETIK QË PO PËRGATIS ME TITULL:
ODE PËR SHKODRËN 🌹 https://youtu.be/k2WRVKLZRPs



   

____________ ____________

Si e zbonim frikën dhe errësirën me këngë - nga Kolec Traboini


SI E ZBONIM FRIKËN DHE ERRËSIRËN ME KËNGË 
- Kur me Bashkim Golemin bënim gara me këngët italiane -


Nga KOLEC TRABOINI

Me Bashkim Golemin isha shok në rini. Ishim njohur në rrethin letrar të klubit të rinisë së qytetit të Shkodrës, për të cilën përkujdeseshin Hasan Lekaj dhe Ferdinand Bushati duke botuar çdo vit një almanak letrar me krijime të letrarëve të rinj. Pasioni për letërsinë ishte ajo çfarë na bashkonte me shumë nga bashkëmoshatarët tanë. Mbaj mend se në rrethin letrar vinin të rinj të talentuar si Alfred Çapaliku, Tonin Shtjefni, Dod Kaçaj, Bashkim Golemi, Mehmet Gucia, Burhan Kurti, Rudina Lohja, Suzana Jegeni, Riza Lahi, Valentina Ago, Xhahid Bushati, Shyqyri Mollaj, Fejzi Gushta, Marta Qesteri, Arben Shehi, Terezina Mozali, Bedri Islami, Fluturak Germenji e tjerë. Dod Kaçaj ishte asokohe student në Insitutin e lartë pedagogjik në Shkodër dhe më të rrija e flisnim për letërsinë. Me Dodën me bashkonte edhe prejardhja e familjeve tona nga Malësia e Madhe, unë nga Traboini i Hotit e ai nga Bajza e Kastratit. Edhe me Shyqyri Mollën nga Dobraçi, që ishte kushuri me Haxhi Hajdarin i cili u vra me murtajë në shpellë nga diktatura, ruaja një miqësi të mirë si krijues, ai kishte arritur të botonte madje një roman, por më pas punët do ti shkonin keq e më keq. Nuk do ta linin të botonte. Tani është në Amerikë dhe dhe vazhdon të botojë, kurrë pa harruar të vijë të më sjellë librat e tij. Alfred Çapaliku ishte një tjetër miku im letrar, një djalë i sinqertë me të cilin kur diskutonim për letërsinë harroheshim. I kishim shtëpijat afër, unë ngjitur me shtëpinë e Cin Daisë e Rrok Zadejës, dy baballarët e korifejve të muzikës Tish Daija e Çesk Zadeja që sigurisht jetonin në Tiranë e kur shfaqeshin në rrugën tonë konsiderohej festë.
Me Alfredi Çapalikun, që tashmë është profesor në Universitetin e Shkodrës,  hynim e dilnim në shtëpinë e tij, se shtëpia e tim eti ishte thuajse e rrënuar që kurse vdiq Dada Katrinë në fillim të qershorit 1964 e cila ishte vajza e Motres Tone. Dada Katrinë ishte një mrekulli e jetës sime, me atë më lidhte çdo fijëz e pejëz qe ka lidhje me artin, pa nxitjen e saj mbase nuk do të isha asgje. Ajo sikur edhe shtëpisë i jepte forcë për tu mbajtur në këmbë e përballuar shkatrrimin tek këndonte krejt natyrshëm këngë italiane se ajo nga babai italiane qe. Ishte e bija e Andrea Skanjetit  të parë, mësuesit mirëbërës të babait tim mbetur jetim qysh i vogël. Që të vazhdojmë me atë botë rinore pasionuar marramendshëm pas letërsisë, nëna e Alfredit na qeraste me ëmbëlsira ndërsa dëgjonte e drithëruar( ah zemra e nënave shkodrane) të përmendnim emra shkrimtaresh të mëdhenj. Emra shkrimtarësh si Koliqi e Fishta, dhe të huaj sigurisht, madje të ndaluar. 
Por me Bashkim Golemin ndodhte ndryshe. Megjithëse ishte një letrar i talentuar në krijimet poetike, prirjet e tij muzikore spikasnin. Deri në vitin 1970 për të cilat referohen këto kujtime, kishte më shumë hapësire dëgjimi dhe nuk ishin aq shumë të rrezikshme, siç ndodhi më vonë me nervozizmin patologjik të udhëheqjes politike moniste që merrte masa drastike. Terrori mbi intelektualë e krijues do të riniste veçmas pas festivalit të 11 me përndjekje të  paparë në kuadrin e luftës kundër shfaqjeve të huaja. Por edhe para vitit 1970, të cilit i referohemi,  nuk ishte krejt e lehtë. Organet e partisë dhe të frontit, veglat e tyre, veçmas spiunët e shumtë që aktivizonin bënin punën e vet përgjuese. Kishte edhe vullnetarë në përgjimet e spiunimet e kohës. Mjerë kush binte në vështrimin e rrjetën e tyre.
Diktatura ka qenë vërtetë e frikshme por në mes miqsh e shokësh kishte një qasje tjetër. Veçmas tek të rinjtë e brezit tonë. Ndjeje paksa liri më tepër brenda pamundësisë së kohës. Dhe të mendosh se çfarë ndodhte rrotull, pikërisht në atë kohë. Një djalë jetim, moshatar me ne, qe kishte qenë në jetimoren e Shkodrës ku  unë e kisha njohur,  Skënder Daja, e burgosën se ishte i pasionuar pas këngëve italiane të Adriano Çelentanos. Më pas e pushkatuan në Spaç. Edhe atje para se ta ekzekutonin këndoi Çelentanon. A e dinë italianët këtë? A e di Çelentano? Gjithsesi edhe në kohërat më të qeta në atë dreq luftë klasash e shfaqjeve të huaja,  nuk qenë pa rrezik dëgjimi e komentimi i këngëve italiane.  Por gjithsesi e sado e rëndë të këtë qenë ushtruar dhuna  psikofizike, në rininë tonë i kemi dhënë sado pak liri vetes, brenda asaj pamundësie të përgjithshme që të zinte frymën e ti mbyste liritë dhunshëm.
Këto më vinë në mendje kur kujtoj kohën që me Bashkim Golemin rrinim tek Truma e Dugajve të Reja, ku hidhnim ndonje sy edhe nga vajzat e Institutit e diskutonim me orë të tëra për këngët italiane madje edhe konkuronim me njeri tjetrin se kush di më shumë emra këngëtarësh apo kush ruante në kujtesë tekstet e këngëve dhe vijën melodike. Miku im i rinisë Bashkim Golemi ishte pasionant, i sinqertë, energjik, me fantazinë që e çonte kudo në hapësira lirie. Ndjehej kjo edhe në ato garat që bënim me njëri-tjetrin për çfarë dinim e nuk dinin për Domeniko Madunjon, Adriano Celentanon, Nikola di Barin, Iva Xanikin, Ornela Vanonin, Katerina Kazelin, Luçio Batisti e Luçio Dala e plot të tjerë. E në të gjitha rastet, falë prirjeve të tij muzikore që më habisnin, i fitonte shoku im i rinisë Bashkim Golemi. Shpesh më vinte e hidhur humbja ( eh rini e çashtër si qielli i luleve të majit), nervozohesha nga padija ime përballë shokut që i dinte aq mirë e i përsëriste aq bukur. E unë, që isha rritur në shtëpi me  këngët italiane të përditshme të Dadës sime Katrinë, mbetesha pas.  Hatër mbetje e sinqertë, rinore, e atëhershme sigurisht. Flakë kashte. Pjesëz e asaj kohe të ngushtë ku jetonim si në një grackë për shpirtin e ndaluar, por tani më vjen për të qeshur për mënyrën se si e përballonim errësirën me tinguj të bukur që u jepnin dritë e gëzim ditëve tona  në mungesë të lirisë.
Duke admiruar këngët që vinin si jehonë që përtej detit (që komunistët dhe sigurimi i konsideronin si bajlozë të zinj sipër dallgëve), na dukej se ne po e sfidonin ndalimin dhe tiraninë. Edhe aq ishte një guxim i madh për kohën që përpiqej ti lidhte njerëzit në shtratin e Prokustit, për ti pasur më pas ushtarë pa tru, shtetas të bindur e të verbër të diktaturës. Fatlumturisht shpëtuam pa u bërë ushtarë prej plumbi, e mbase-mbase shpëtimtarë të ndjesive lirike qenë tingujt e fjala, të cilat i ngrohnin shpirtrat njerëzorë në kohën e ngricës më të madhe në jetën e atyre shqiptareve qe patën fatin e keq të lindnin e të jetonin nën një diktaturë të egër në gjysmën së dytë të shekullit XX.
Ishte koha kur rinia ime hidhte shtat përmes ndalimesh në Shkodër.

 ____________ ____________

Dy poezi nga krijmet e Bashkim Golemit nxjerrë nga almanaku letrar vjetor “Shtigje të çeluna”  nr. 3 viti 1970, organ i rrethit letrar të Klubit të Rinisë Shkodër, të cilat kanë frymën e asaj kohe rinore e të asaj gjendje ku ndodheshim e ku kërkonim ta zbonim zymtësinë e jetës me këngë e me vargje.


Bashkim Golemi
PËR QYTETIN TIM
-Fragment-

Qytet i lindjes, qytet i lashtë
Më je i dashtun, me je i shtrenjtë.
Me rrugë të ngushta, me mure t’naltë
Me gjuhën e bukur, me gjuhë e mprehtë.
Tek ec n’ këto rrugë m’kujtohet fëminia...
Këto rrugë t’ vjetra ku brodha dikur.
Këto shpija me gur
Të mdhejë, të randë
Anash me mur
Të naltë, të gjanë.
Shpërthei fëminia si pranver’ e re
Mbas një dimni të ashpër, të gjatë
Ç ‘çeli ajo nën qiellin pa re
Mbi rrugët e vjetra
Mbi muret e naltë!

LIRIKË

Çmpleksen andrrat, zë flet zemra
Ti po vjen plot gaz e jetë.
Hyn pa frikë në zemrën time
Kështu e dashtun, kështu e qetë.

Çmpleksi flokët, le t’rrëshqasin!
Përmbi supe le të bijnë
Kështu ma bukur dijn’ të flasin
Sytë ma shumë, kshtu do të ndrijnë.

Nuk thermohen andrrat kurrë!
Ndonjëherë fshihen mbas ndonj’reje
Do t’shpërthejn’ ato  dikur
Posi pllumba përreth teje.


 
____________ ____________


Vajet e Shiut të Din Mehmetit - përg. Kolec Traboini


DIN MEHMETI
1929- 11 nëntor 2010
KOSOVË

Din Mehmeti na ka dhënë 
edhe zogun edhe qiellin,
gjithçka që i duhet këngëve të pranverës

Tek lexojmë poezitë e Din Mehmetit ndjejmë se përveç së përditshmërisë se jetës që e shqetëson njeriun dhe e bën ti rrah zemra për popullin e vet,  ka edhe një qasje e perceptim tjetër të botës që na rrethon e që herë-herë na zë frymën, një hapësire e dimension tjetër që na bën jetën me të lehtë e më të bukur, që na bën të pandehim veten si zog e të kërkojmë qiej për të fluturuar. Në të vërtetë Poeti na ka dhënë edhe zogun edhe qiellin, mjafton që të rrahim krahët e të rrekemi nëpër kaltërsitë marramendëse të qiellnajës poetike te Din Mehmetit.

Kolec P. Traboini 

 ____________ ____________

DIN MEHMETI
"Vajet e shiut"

GJITHNJË MË LARG VETES

Gjithnjë më larg vetes
Më i përakullt

Fjalët s’ më rrinë në gjuhë
Në letër s’rrezatojnë

Ikin të ndërkryera e më lënë
Hambar të boshatisur

Gjithnjë e më shumë
Po më tërheq zvarrë vetmia

Nepër një pyll të mërdhirë
Pa asnjë zog

Nëpër qiell të thinjur
Pa asnjë yll

Gjithnjë më i përhumbur
Me hiq

ARTI I RI I VDEKJES

Në botë ka festë
Ngritën zbresin
Flamuj të bardhë

Ushtrohet arti i ri i vdekjes
Vdekjes pa dhimbje
Pa lot pa klithje

Askush s’ka
Ku të fshihet
Nga vetvetja

VETMIA IME E SHKALLUAR

Mbi kokat tona të përdyllura
Mullinj të tërbuar bluajnë

Toka varrezë kolektive yjesh
Në qiell vriten mes veti rrufetë

Rrugët pështymë e zezë
Shpresat mizorisht japi shpirt

Vetmia ime e shkalluar

Maj, 1999.

GJAKU I DRITËS

As vet s’e di ku po shkoj
Në këtë natë që ulërin

Rrugët më çojnë zjarrishtave të mendimeve
E më kthejnë në hiçin tim të moçëm

Tash e di se humbjet
Nuk janë krejt humbje
As fitoret krejt fitore
As unë krejt unë

As vet s’e di ku po e thyej qafën
Në këtë natë më të zezë se korbi

Rrugët më çojnë në varrezat e shpresave
Ku pëlciti edhe shkëmbi

E më kthejnë atje ku shkelet gjaku i dritës

Gjakovë, 28.03.2010.


JETA JONË KOLLITJE

Kur flas me mikun tim
Në telefon ia përcjell
Fjalët duke u kollitur

Duke u kollitur
Më përgjigjet edhe ai

Telefoni mezi merr frymë
I fshin djersët
Edhe ai kollitet

Qielli ngjyrë hiri
Toka në buzë të dimrit

Jeta jonë kollitje ...


UNË DHE FJALËT

Herët fillova t’i bluaja
Fjalët e mia
E prej tyre të bëja hi

Rrugës vdisnin nga pagjakësia
E m’i braktisnin ëndrrat
Për një botë tjetër

Nuk gjenin dalje nga terri
As urë për të kaluar lumin e gjakut
As gacë në hi për ta ndezur zjarrin e jetës

Fat e pata të më gërryente nata
Si qeni i uritur eshtrat

Herët nisa t’i digjja fjalët e mia
E më flakën e tyre të shkruaja
Emrin tim në fletën e kaltër të qiellit
Të mos vdesin shpresat

Gjakovë, 2010.

PAMJE E TRISHTË

Qielli saç i nxirë
Toka pa ngjyrë

Mezi marr frymë
Ditët po ngrijnë

Frikë ...

EMRAT PA NGJYRË

Ëndrrat e fjalëve digjen
Xhepat e mendimeve ngrijnë

Emra pa ngjyrë

KUR VETËM ISHA

Një natë kur vetëm isha
Ndjeva një gërryerje në dhomë

U ngrita e shikova në çdo skutë
Rreth dritareve nën shkallë kudo

Kot asgjë

U shtriva në krevat
E fillova të mendoja
Kur papritmas përsëri zhurma
E gërryerjes edhe më e fuqishme

U enda nëpër dhomë si i çmendur
Derisa më në fund e kuptova
Se gërryente vetmia
Si qen i zi eshtrat e gjuajtura në rrugë

IKJE NGA VETJA

Shikime të gjarpërinjtë
Fytyra të akullta të përbishura
Buzëqeshje të egra
Dashuri të ftohta
Pa ngjyrë pa zjarr gjak
Urrejtje të zgjuara te secili
Ikje e vetes nga vetja

ASKUSH S’ DI CILI ËSHTË

Mendimet janë kthyer përmbys
Dhe vdesin mjerisht

Në Sheshin e Hyjnive
Dashuria vetëvritet
Pa lot pa klithmë

Njeriu tek njeriu
E sheh terrin e dritën e vet
Dhe nga vetvetja ik

Askush s’e pranon
Se është ai që është

Varrezat e mendimit
Po shtohen çdo ditë ...

Gjakovë, Mars, 2009.

MEDITIM I VERDHË

Shtëpia ime buzë rrugës kryesore
Natë vetëm në ballkon
Veturat shkojnë e vijnë
Me shpejtësi marramendëse
Njëra m’i merr duart
Tjetra këmbët
Pastaj mendimet gëzimet
E më lënë një zhurmë të egër
Që vdes shpejt
Nata derdhet ngadalë në gjumë
Ndërsa unë pres të më kthehen
Pjesët e marra
E në pritje tjetërsohem
E shikoj veten në pasqyrë
Tmerr ik nga vetja

Pergatiti: Kolec Traboini



  ____________ ____________