MOS VDIS DASHURI 2002 NOKTURN 2004 REQUIEM PËR NJË GJETHE 2005 TRINIA IME 2006 KOHA E PROSTITUTAVE 2007 ITAKA GRUA 2008 LULE PELLAZGJIKE 2012 U DASHKA TË DAL NATËN VONË 2012 E KAM ATDHEUN TEK PORTA 2012 DASHURI 2013 FAJIN E KA HEKUBA 2014 ORAKUJT NË FERR 2015 ODEON 2016 OFELI 2019 ODE PËR SHKODRËN

🟩 “Odeon për gjëra që ngjasin” 2016- vëllim poetik nga Kolec Traboini


ODEON - PËR GJËRA QË NGJASIN
vëllim i ri poetik i Kolec Traboinit

Pas librave me poezi “E kam Atdheun tek Porta”, “Fajin e ka Hekuba” dhe “Orakujt zbresin në ferr”, botuar në tre vitet e fundit, Kolec Traboini vjen në 2016 me vëllimin poetik “Odeon për gjëra që ngjasin”. Ndryshe prej vëllimeve të mëparshme, në botimin e ri autori krahas meditimeve të tij kryesisht në lëvizje këndej e andej Atlantikut - nga Tirana në Washington dhe anasjelltas -  ai sjell edhe një përzgjedhje nga autorët më të njohur amerikanë, të cilët i ka shqipëruar gjatë qëndrimit në Amerikë. Pra kemi në këtë libër bashkimin e krijimtarisë personale me sprovëzën e shqipërimit të disa poetëve amerikanë duke prurë në shqip, jo pak por njëzet autorë.
Në krijimet e Traboinit kemi një optikë në lëvizje që fokuson një mori gjërash që ngjasin përreth autorit, një ndjekje hap pas hapi të udhës së tij, rrëfime emocionale nëpër linja, aeroporte, apo ajo çfarë përjeton, fjala vjen, gjatë kalimit nga Tirana për në Vjenë. Pa harruar edhe udhëtimin me taksi nga aeroporti Dulles në Virgjinia drejt kryeqytetit amerikan Washington DC. Kemi një shpalosje emocionale të mbresave që i sjell kalimi në rrugëdaljen për Baltimore, siç e titullon poezinë e tij autori, qytet në breg të oqeanit ku mbylli jetën tragjikisht Edgar Allan Poe. Këtij poeti të madh i kushton një poezi, ndërkohë sjell të shqipëruar edhe dy poezi të Edgar Allan Poes “Vetmi” dhe “El Dorado”.
Objeksioni poetik i Traboinit përmbledhur në “Odeonin” e tij është kthjelltësisht deri në detajet më të imta i fokusuar në marrëdhëniet njerëzore: “Kur të marrësh udhën për të dalë”, “Ajo nuk më puthi kur ika” apo “Përsiatje për Vjenën”, “Bangladesh”, “Kapela ime në Washington”,  “Kush dreqin ishte ky Charles Bukowski”, “Unë tani rri me Tomin” etj.
Tek poezia  “Kur të marrësh rrugën për të dalë” ka një mbyllje mjaft të ndjerë bashkë me kuptimin filozofik të largimit nga vendlindja, e kjo ndodh në kohën tonë ku jeta e çdo shqiptari në një farë mënyre është kthyer në një Itakë:

“Në çdo ikje është mirë të dish
se pjesë e ikjes janë edhe mosardhjet
mirë është ta dish para se të ikësh...”.

 Kësisoj në ndarjen nga Atdheu kemi shprehjen e një emocioni sublim që është parë me gjetje të bukura edhe në vëllimet e mëparshme. Ato i përkasin jetës prej mërgimtari në dy dekada të jetës së vet, gjatë të cilës, ka qenë i detyruar shpesh herë të lëvizte tej e përtej hapësirave oqeanike. Kjo hapësirë kaq jetike në jetën e autorit ndjehet në këtë vëllim më shumë se në asnjë libër tjetër. E kësaj natyre është dhe poezia “Zëri i detit” ku të bëhet se të ndjek hap pas hapi shushurima e valëve me mallin e përvëluar për brigjet e kaltra që lë pas.
Në vëllim spikatin poezi si “E bukur kjo ditë si grua”, që përshkruan 21 marsin, që është dita botërore e poezisë e autori këtë kremtim poetik e gjen të mishëruar në harlisjen e lule kumbullave të kuqe në një nga rrugët më të bukura të Tiranës. Shkak emocional ky që kjo ditë pranvere t’i shfaqet poetikisht me hiret e një gruaje të bukur.
 
Eh, sot qenka një ditë e bukur
por edhe e trishtë qenka kjo ditë e trishtë
sepse sa i prek me dorë gjërat më ikin
si petalet e borës së bardhë
në faqet e një vajze që ende s’e ka njohur
dashurinë e parë as puthjen
e aty fluturzat e borës ujësohen
avullohen e treten në qiell.

Edhe në këtë libër autori Traboini ruan lidhjet emocionale me vendin e origjinës së tij. Thua nuk ka libër pa një dedikim për Traboinin e Hotit, vendlindjen e atit ku prehen eshtrat e të parëve brez pas brezi. Kësaj herë vjen poezia “Fluturo ti shqipja e Hotit”, “Mos ma preni degën e Lisit” dhe “Një zog që këndon”.
Në vëllimin “Odeon” autori ka përfshirë dhe tri poezi të gjata në shtratin e një poeme të cilat janë krijime poetike mbështetur nga ngjarjet reale. Poezinë “Dyzetegjashtë” ja kushton një fshati martir, Belegut, të masakruar në Kosovë, ku të gjithë burrat e djemtë e fshatit u ekzekutuan nga ushtria pushtuese serbe më 29 mars të vitit 1999. Poezia është si një memorial i mermertë ku janë skalitur të gjithë emrat e viktimave duke përfshirë dhe të rinj 17 vjeçarë.

Ju mund të thoni çfarë të doni, diplomatë
të huaj - mbillni ullinjtë e paqes na thoni
e ne do t’i mbjellim ullinjtë
se luftën kurrë s’e kemi dashur
në këto troje arbërore
ku erdhën, na vranë e na dogjën.
Mund të na thoni: “Mos shihni pas!
Harroni plagët e luftës!”
por plumbat që kemi në gjoks
nuk është e lehtë t’i harrojmë.
Kemi aq dhimbje se vetë zemra
na peshon si plumb
se ata ishin 46
e tash nuk janë më askund!

Te poezia “Zero pas njëshit” gjen motiv nga vrasja e një bankieri të njohur shqiptar, akt i kryer në mes të kryeqytetit pa arritur kurrë të merret vesh e vërteta e këtij akti barbar. Këtu gjen shfaqje poezia me shqetësime qytetare, ajo që quhet reflektimi dhe protesta shoqërore, tematikë e problematikë të cilën poeti Traboini gjithherë në krijimtarinë e tij e ka trajtuar me guxim. Mjaftojmë të kujtojmë poemën e tij madhore “Orakujt kanë zbritur në ferr”, një punë këmbëngulëse që ka në vëmendje gjithçka që ka ngjarë në jetën e popullit në një periudhë mbi rreth 20-vjeçare.
Poema “11 minuta” kushtuar studentes Klea, që e thyer prej dashurisë kreu vetëvrasje, është mjaft emocionuese. Poema e ndjek veprimin minutë pas minute të ngjitjes në katin e 11-të ku shkoi të fluturonte si mjellmë në qiellin e dhjetorit me re e shi. Fjalët e kursyera janë si gurët e një mozaiku, i cili ka një përmbajtje tragjike e të dhimbshme, pikërisht atë ditë që bota festonte e lindjen e Krishtit.

Donte veç një ditë për të ardhur Krishtlindja
mrekullia që pritej të ndodhte
një qiri shprese ndezur nga pleqtë
një pemëz, ca dritëza si yje
blegërima e një qengji, zëri i vogëlushit
që ende flinte brenda njeriut.
Të gjitha këto ishin në ardhje
duhej veç një ditë, 1440 minuta
por asaj veç një minutë i kish mbetur
sa për t’u ngjitur në katin e njëmbëdhjetë
atje ku frynte erë
atje ku me siguri ca engjëj e prisnin
me flatrat e tyre si diell.

Autorët që sillen të shqipëruar në këtë vëllim janë poetet amerikanë që nga Charles Bukowski me gjashtë poezi, Edgar Allan Poe me dy poezi, Emili Dickinson me tre poezi, Robert Frost me pesë poezi, Ezra Pound me katër poezi, James Wright katër poezi,  si dhe Williams Carlos Williams, Hilda Doolittle, Edna St. Vincent Millay, Elizabeth Bishkop, Gwendeline Brooks, Philip Larkin, Derek Walcott, Sylvia Plath, Ted Kooser, Marilyn Nelson, Vijay Seshadri, Henry Cole, Martin Espada dhe anglezi Robert Graves. Libri mbyllet me intervistën e autorit dhënë për shtypin shqiptar: “Gjithçka në art konsiston në dashurinë për jetën”.

© Pantheon Book Info 2016


KOLEC P. TRABOINI

GJËRA QË NGJASIN…

Gjërat ngjasin
e ne më kot përpiqemi të ikim prej tyre
nuk duam t’i kujtojmë
se herë-herë na sjellin shije të keqe
na sjellin parasysh dobësitë tona
dhe gabimet që i bëmë gjithashtu.
Asgjë prej tyre nuk ishte mosdashje
por tundim i ëmbël i valëve të nxehta
mikluese për botën tonë të vogël.
Lamë veten në kurth të dëshirave
e ikëm prej gjërave që na kanë ndodhur
si djalli nga temjani, jo, sigurisht
por sa më pranë tyre
aq më përcëllues është kujtimi
sepse ne vetë e lamë zjarrin të na digjte…
Sa më larg - sa më larg
oh, sa poshtë kishim rënë atë mëngjes
apo atë mbrëmje - jemi ndryshuar sakaq
jemi në kohë të ndërmjetme
në mes të asaj që ka ngjarë
e të asaj që kurrë më nuk duam të ngjasë.
Megjithatë kjo ikje mbetet imagjinare
një luhatje në lavjerës të dëshirës
diku larg në horizont- si perëndim dielli
qoftë edhe në fund të një dite
a të një jete. Asesi
nuk mundemi gjërat që ngjasin
t’i bëjmë të pangjara
dëshira të çon larg, por ngec diku.
Në këtë përpjekje për të ikur prej tyre
nis e kupton se ne jemi
me gjithë çfarë e rrethon qënien tonë
asgjë më shumë
se një tufë gjërash që ngjasin….

18 Dhjetor 2015



KUR TË MARRËSH RRUGËN
PËR TË DALË

Kur të marrësh rrugën për të dalë
te pragu i portës diku larg Atdheut
rri një çast e mendo fëmijërinë tënde
lotët e nënës, argasjen e babait
mendo sado pak se çfarë ke humbur
të gjitha këto janë pjesë e jetës tënde.
Hidh një vështrim mbi malet e tua
kur avioni nis qiellin të marrë
ndoshta është errësirë e nuk duken
por hijet e maleve aty janë
malet mbuluar prej halleve të borës
të rrudhura prej mardhjes.
Përshëndeti me sy, me mend e me zemër
dhe mos harro se Iliria të lindi
në çdo ikje është mirë të dish
se pjesë e ikjes janë dhe mosardhjet
mirë është ta dish para se të ikësh...

Aeroporti Nënë Tereza, Tiranë
Ora 4:30 e mëngjesit, 18 janar 2016


BALTIMORE

Diku këtu në autostradën 67
është exit-dalja për Baltimore
dhe gjëja e parë që më shkoi ndërmend
ishte Egdar Allan Poe.
Atje oqeani prek brigjet
çafkat gjithnjë në erë
në baltë e hodhën pijanecët
pasi e rrahën poetin si qen.
Tek kaloi përskaj kësaj rruge
me emrin Baltimore
më tingëllon aq shqip kjo fjalë
mrekullitë e shpirtit tënd i le
e vetëm baltë ti more - Baltimore.
Edhe unë këtë ditë janari
ngjashëm me atë ditë
e ndjej veten i rrahur si qen
dhe mendoj se kur rrihen poetët
koha, historia dhe balta ngrijnë...

Arlington, 20 janar 2016


NJËMBËDHJETË MINUTA

Klea, studentja 20 vjeçare me shpirt
të brishtë e thellësisht të ndjeshëm,
nuk e përballoi dot humbjen e dashurisë
dhe kreu vetvrasje në Tiranë
më 24 dhjetor 2015.


Njëzetvjeçare, e bukur, e brishtë
si tulipanët e parë të pranverës
Klea vendosi t’i ngjisë shkallët një e nga një.
Nuk e mori ashensorin kësaj here
nuk e dëshironte praninë e njerëzve
në njëmbëdhjetë minutat e fundit në jetë
të udhëtimit të saj për në qiell.

Në katin e parë të ngjitjes
e përshëndetën dy njerëz
një grua e një burrë, të lumtur
dukja është gjithçka kur nuk njihesh
si lulja kjo vajzë e bukur
e shoqëruan me një shikim përkëdhelës.

Klea u ngjit në katin e dytë
minutën e dytë
një gjyshe që fshinte pragun i tha:
“Moj bijë, më qofsh e lumtur!”

Pastaj në katin e tretë e minutën e tretë
një djalosh me sy e përpiu
sikur i thoshte mos shko më lart
lëri engjëjt në qiell
bëhu dashnore në tokë e njeriut
kam një dhomë e një krevat këtu
në këtë dimër të ftohtë
a po kthehesh të bëjmë dashuri.

Po minuta e tretë kishte ikur
ajo s’mund të ndalonte
duhej ngjitur në katin e katërt
ku një vogëlushe e priste.
Klea mendoi për një çast se ishte vetja
që i thoshte: “Si më harrove
mos ik, më lart mos u ngjit
eja të luash me kukullën time!”

Po Klea ishte rritur e fëminia e saj
qe larg, njëzet vjet larg
asgjë s’mund ta kthente
se jeta e njeriut nuk ishte një film
që mund ta shohësh pafundësisht.

Në katin e pestë dy vajza prostituta
e ndollën, i thanë të bëhemi shoqe
ikim në Europë nëpër semaforë.
Klea s’u ndal, por ngjiti shkallët
babain e nënën iu duk sikur pa.
“Eja Klea, pse po vonohesh?”

U ngjit dhe më lart
në katin e shtatë në minutën e shtatë
aty qielli mund të shihej
por e ndalonte pallati përballë
ndoshta në katin e tetë do të shihte
ca re puplore ëndrrash që iknin
për t’u tretur e kthyer në pika shiu.

“Më lart, më lart,- i tha vetes -
atje ku mund ta prek qiellin.”
U gjend në katin e nëntë
minutat iknin
aty nuk pipëtinte frymë njeriu
ajri sikur qe ngrirë.

Ecte mes e përmes akujsh
u gjend në katin e dhjetë
nisi të shfaqej qyteti në mjegull
e njerëzit në ikje si miza lëvrinin
në panikun e ditëve të dimrit.

Donte veç një ditë për të ardhur Krishtlindja
mrekullia që pritej të ndodhte
një qiri shprese ndezur nga pleqtë
një pemëz, ca dritëza si yje
blegërima e një qengji, zëri i vogëlushit
që ende flinte brenda njeriut.

Të gjitha këto ishin në ardhje
duhej veç një ditë, 1440 minuta
por asaj veç një minutë i kish mbetur
sa për t’u ngjitur në katin e njëmbëdhjetë
atje ku frynte erë
atje ku me siguri ca engjëj e prisnin
me flatrat e tyre si diell.

Gjeti aty veç një zog të mardhur
që trembur rrahu krahët në qiell
sikur t’i thoshte eja dhe ti
ta shohësh botën nga lart, botën gri.
Duhej fare pak mundim
veç pak, të hidhej
engjëjt nuk do ta linin të binte.

Klea hapi krahët, i dha vetes lart
ajri si xham akulli u thye
zemra përpëlitej në erë
ku po shkoj tani, ku ndodhem
pse engjëjt s’po vijnë
ndoshta erdhën e morën shpirtin tim
e trupin e lanë të përplasej
në trotuar, pa frymë, mes njerëzve.

Ndërsa sirenat e urgjencës
e mbushnin qytetin me pikëllim
u deshën njëmbëdhjetë minuta
për t‘u ngjitur në katin e njëmbëdhjetë
pa llogaritur kohën e rënies
e kohën kur njeriu jep shpirt.

© Nga vëllimi poetik “Odeon për gjëra që ngjasin”
   nga Kolec Traboini. Botim i vitit 2016.

🟥GJÂMË ALETHEIKE PËR ATDHEUN E KTHYER NË FERR/ nga Anton Gojçaj

Koha Javore Nr. 657 f. 19, Podgorice 9 prill 2015

GJÂMË ALETHEIKE PËR ATDHEUN E KTHYER NË FERR
-Për librin e Kolec Traboinit “Orakujt kanë zbritur në ferr”  
Poemë,  Tiranë 2015.

Shkruar nga Anton Gojçaj 

 Deri në vitin 1995 Kolec Traboini kishte botuar veç një përmbledhje tregimesh (1973), kurse tani, njëzet vjet më vonë, emri i tij është i shënuar në kopertinat e më se njëzet e pesë librave. Mbizotëron poezia lirike, por ka edhe prozë, ese, publicistikë... Është një krijues produktiv dhe i angazhuar. Trajton tema delikate dhe me guximin prej intelektuali ndjek në mënyrë aktive zhvillimet në shoqëri, politikë dhe kulturë. Si shkrimtar dhe si gazetar!

Poema “Orakujt kanë zbritur në ferr” është një gjamë e thekshme dhe e dhimbshme për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Tentakulat e saj prekin poezitë e njohura satirike të Fishtës, Ali Asllanit, Nolit, Çajupit, poezinë dhe prozën e Migjenit, por edhe vargjet dhe personalitetin e “bitnikut” amerikan Alen Ginsberg, etj. Në sensin e komunikimit “intertekstual”, jo imitues. Në krahasim me të gjithë ata, Traboini është një grim më i ngrohtë, më i mëshirshëm. Ai edhe kur godet, (vetë) nuk ndjen më pak dhembje sesa i godituri. Nuk shkruan si dikush që i gëzohet të keqes së tjetrit, po si njeri zemërplasur, me durim dhe shpresë të humbur, që tregon me gisht plagët e shoqërisë, por edhe shkaktarin e tyre.
Është zëri i ndërgjegjes dhe krenarisë (kombëtare), që pa marrë parasysh sedrën e lënduar, ende mbahet dhe inkurajon vetveten. Të keqen e lufton me gjilpëra ironike që ngulen thellë. Nganjëherë, me objektivin për t’ia kthyer me të njëjtën monedhë palës që merret në shënjestër, si përgjigje për poshtërsitë që ajo ia bën, përdoret sarkazmi:

Të jesh shqiptar e të kapërcesh
kufinjtë e shteteve
është si të ngjitësh në mal
Gurin e Sizifit.
(……………………….)
Eja e dashur të vemi në krevat.
Jemi të vdekur.
T’i tregojmë për herë të fundit
Pasaportat njëri-tjetrit
E pastaj na dërgofshin në djall.
(Gjama 10)

Lënë përshtypje të mirë figurat e realizuara stilistike, që nganjëherë dalin të shumëfishta, si në sekuencën strofike: “për lepurin që struket në një guvë / si të ish fëmijëria jonë / e nëpërkëmbur” (GJAMA 13), ku brenda një imazhi të thjeshtë gërshetohen metafora, simboli, krahasimi dhe alegoria.
Në trevën e Malësisë së Madhe, nga i ka rrënjët poeti, burrat nuk qajnë. Por kur vdes një mashkull, vajtori bën gjamë! Si njëfarë rekuiemi epik! Po kujt i bën gjamën Kolec Traboini? Kush qenka i vdekuri që poetin e detyron t’i bëjë jo më pak se 17 gjamë? Askush tjetër veç “Atdheu si trup prostitute”!

E quajnë mbretëreshë
të denjë për kurorë
për fron e oborr
për pajë e për prikë
të tjerë, që edhe ata
duan ta rrjepin
e duan seks-nudo
Republikë!
(Koralja e Orakujve 5 )

Gjendjen e keqe të bashkëkombasve autori e pikturon si me penel në një tabllo metaforike plot dramacitet dhe tepër shprehëse:

Gomone e shpuar, e zhvirgjëruar
në mëshirën e pamëshirë të dallgëve
frymët njerëzore tallazitur e përhumbur
në katakombet ogurzeza të Otrantos.
Narkotikë në borseta grash
e bagazhe artistësh
me “Monologët e Vaginës” nën sqetull
(Gjama 4)

Nga vjen gjithë kjo namë e ky mallkim për shqiptarët? Kush është fajtor pse Shqipëria është shndërruar në një serial horrori “live”, ku çdo ditë zhvillohen skena tragjike përmasash shekspiriane, në “salla koncertesh me kufoma shëtitëse”? Poeti fajtorët i identifikon dhe i lëçit me të vetmin mjet që ka – me fjalën e fuqishme poetike:

Parlamentarë mediokër të zbritur prej
guvash si njerëz të lashtë a majmunë
afrikanë para megafonësh modernë.
Me një Parlament
ku çligjërohen ligjet
e ligjërohen antiligjet
e në Foltoren e Popullit
ujqërit u bëjnë moral
qytetarëve të ndershëm.
(Gjama 7)

Një term që ndoshta e shpreh mjaft mirë frymën e kësaj poeme është aletheia (Aλήθεια), fjalë që në greqishte ka domethënien e “zbulimit të diçkaje të fshehur”, zbardhjen, nxjerrjen në dritë të së vërtetës lidhur me ndonjë dukuri a çështje jo të qartë. Ky orakull “aletheian” predikon zhveshjen, demaskimin, deri në lëkurë, të botës, pa rroba dhe pa grim, ashtu siç e ka falë Zoti:

...e me çdo kusht
metaforave hermetike u hiqni
brekët.
O Zot, sa e bukur kjo botë poetike
lakuriq!
(Interlud 3)

Nëna e të gjitha të këqijave për popullin shqiptar është politika! Në vend që njerëzve t’ua bëjë më të lehtë jetën, politika shqiptare kontribuon për nëpërkëmbjen e vlerave humane dhe morale. Dyluftimi i poezisë (artit) dhe politikës nuk është diçka e re në shoqërinë shqiptare. Ky konflikt ka një vazhdimësi historike qindvjeçare dhe këtu përsëri i kujtojmë “Anzat e Parnasit” të  Fishtës, “Hakërrimin“ e Ali Asllanit, poezinë e Nolit dhe poezinë e novelat e Migjenit, etj.
Lidhja me atdheun është anteike, e prek në palcë poetin, i cili edhe kur kritikon, mundohet të reflektojë për arsyet, shkaqet, duke shtruar pyetje dhe duke kërkuar analogji... Vargjet e disa “gjamëve”, mëse një herë, megjithëse lidhjet mund të jenë tepër të largëta dhe të imëta, më kujtuan një fragment nga Ungjilli sipas Lukës (13:34 – “Jerusalem, Jerusalem, që i vret profetët e me gurë i mbyt ata që të dërgohen”), sidomos në çastet kur subjekti lirik i drejtohet drejtpërdrejt Atdheut, i zhgënjyer për mosmirënjohjen dhe vrazhdësinë që i vjen prej tij:

... Shqipëri, vendi im, deri kur do të
vazhdojnë këto mundime njerëzore?
Deri kur do t`i lësh pjellat e tua
të bredhin nëpër botë për ca
euro-dollarë që mezi ua shtyjnë rrojtjen
të lajë pjata për bukë një poet a doktor?
(Gjama 2)

Shqipëria e Traboinit sillet më shumë si njerkë sesa si nënë ndaj bijve të vet më të virtytshëm dhe më të talentuar. Kur mediton për arratisjet e përmasave “biblike” të bashkëkombasve ai gjen një ngjashmëri te populli i Izraelit, që po ashtu, për shumë shekuj, endej gjithandej nëpër botë, pa atdhe... Për ndryshim nga Izraeli, këtu atdheu ekziston, por është kthyer në ferr të vërtetë, prandaj poeti/orakulli është “në fund të fundit të durimit dhe shpresës” dhe i revoltuar i drejtohet (atdheut) me një – antigjamë:

Atdhe ka ardhur koha të dhjesim!
Pëlhura me një shqiponjë të çapëlyer
Kacavjerrur në gjysëm shtizë.
Një kokë klith, tjetra rënkon.
Sqepat e varur si zorrë varfanjaku
këndojnë me ulërima:
Është ora finale – vendimtare mbi dhe.
Inter-fekale – do të jetë bota e re.
(Interlud 2)

Atmosfera e zymtë që mbizotëron shkon deri në fillin e fatalizmit - “qenërisht na rrahën të ardhmen / prej së djeshmes vijmë të rraskapitur / lindëm e po vdesim në vuajtje” (Zëra ikanakësh përtej mjegullave). Fatmirësisht, “zbulimi aletheian” nuk është i njëjtë me “zbulesën” (apokalipsën) e Gjonit dhe mbetet shpresa se bota shqiptare (dhe jo veç ajo) megjithëse ka rënë shumë poshtë moralisht, mund të ndodhë lustrimi dhe vetëndërgjegjësimi.
Libri mbyllet me elegjinë satirike semantikisht dhe muzikalisht mjaft koherente “Ma vodhën atdheun”, e cila brenda vetes ka aq shumë mllef të akumuluar sa përngjan sikur është shkruar me llavë.
Poema, me kritikën që i bën politikës zyrtare dhe atyre që mbajnë frerët e pushtetit, manifeston tipare të theksuara satirike.
E veçanta e saj është mungesa e humorit dhe prania e melankolisë.
E kam ditur se Kolec Traboini e shkruan bukur poezinë e dashurisë. Me të lexuar dorëshkrimin “Orakujt kanë zbritur në ferr“, u binda se ai e “qan” edhe poezinë satirike. Këto vargje janë më shumë sesa thjesht satirike. Është lirikë polemike par exellance. 

 Koha Javore Nr. 657 f. 19, Podgorice 9 prill 2015

Takim poetik për "Hekuben" e K.Traboinit/ nga Murat Gecaj / gazeta "Dielli" New York



KOLEC TRABOINI E DI, PSE “FAJIN E KA HEKUBA”…

Shkruar Murat Gecaj

1.Në fillimin e “Rrugës së Dibrës”, në Tiranë, ndodhet edhe një lokal me emrin domethënës “Muza”. Pamja e brendshme e tij është plot shije artistike, pasi aty janë të vendosura edhe disa piktura të bukura. Ishte rasti i parë që shkoja aty, bashkë me mikun tim, publicistin e poetin Jaho Margjeka apo me poetet Lida Lazaj, Manushaqe Toromani etj. Ndoshta, kishte të drejtë një mik i yni, i cili e vlerësoi këtë lokal “stehez të ngrohtë” të krijuesve kryeqytetas.
Kështu, pra, ne u ndodhëm në miqësinë e mjaft krijuesve e botuesve të njohur, si në poezi e prozë dhe publicistikë. Për të gjithë ne, “sebebqari” ishte poeti i njohur Kolec Traboini, autor i afër 25 librave. Ai na kishte ftuar me dashamirësi, që të merrnim pjesë në përurimin e librit të ri poetik, me titullin paksa intrigues, “Fajin e ka Hekuba”. Poezitë zënë gjithësej 155 faqe dhe janë ndarë në katër pjesë. Në hyrje të vëllimit, ka shkruar disa faqe vlerësuese, Anton Gojçaj.
Organizatorët e kishin menduar këtë tubim jo siç veprohet zakonisht, pra pa “ceremonira” të mërzitshme, me leximin e temave të parapërgatitura nga njerëz të ndryshëm. Por ishte një bashkëbisedim i natyrshëm, aty rreth tavolinave, duke ngritur edhe nga një gotë e duke folur, si për këtë libër të ri dhe, në përgjithësi, për krijimtarinë e autorit K.Traboini.

2.
I pari e mori fjalën e mirëseardhjes shkrimtari Pandeli Koçi (Sazan Goliku). Për të pranishmit, ai lexoi poezinë e frymëzuar të K.Traboinit, që ia ka kushtuar kolegut e mikut të ndjerë, Frederik Rreshpja. Në vazhhdimësi, Ilia Dedi lexoi poezinë “Si mund të iket krejt kështu?(Mikut tim, Riza Lahi)”, duke theksuar se lexuesve tanë u nevojiten krijime të tilla bashkëkohore. Poezi nga autori K.Traboini lexuan edhe Dodona Qose e Agron Calliku, që është krijues dhe pronar i lokalit “Muza”. Ndër të tjera, ai i ftoi kolegët e miqtë e tij që, sa herë të dëshirojnë, do të jenë të mirëpritur në këtë mjedis të tyre të ngrohtë.
Duke çmuar disa nga vlerat kryesore të këtij vëllimi poetik, por dhe duke lexuar poezi të zgjedhura prej tij, njëri pas tjetrit, e morën fjalën: Dedë Malaj, Ilia Terpini, Riza Braholli, Jaho Margjeka, Minella Kureta, Fatime Kulli, Kujtim Dashi dhe kolegë e miq të tjerë të autorit. Përveç të tjerash, ata nënvizuan se në krijimet e K.Traboinit është ravijëzuar jo vetëm ndjeshmëria e tij e veçantë poetike, por dhe në vargjet e tij ka ditur të nderojë vendlindjen dhe të jetë pasqyrë e mirë e traditave atdhetare të paraardhësve të vet, që janë të njohur, si në Malësi dhe më gjerë.
Meqenëse ndonjë nga folësit në këtë përurim nuk e shpjegoi, se përse e ka “fajin” Hekuba, po shënoj këtu që këtë titull e ka njëra nga poezitë e bukura të këtij vëllimi. 

Ndër të tjera, autori shkruan:
Po të mos kishte lindur Paridi,
Po të mos kisha lindur dhe unë,
Gjërat do të ishin ndryshe,
S’do përjetoja këtë kalvar mundimesh,
Ku jeta më tërheq përdhuni.
Fajin e ka hekuba,
Hekuba dhe Nëna ime! 

(2013)

Në mbyllje të tërë veprimtarisë, autori Kolec Traboini i falënderoi, si folësit dhe gjithë pjesëmarrësit në përurim. Ai njoftoi se e ka në përfundim një poemë të gjatë, e cila ndoshta do të na mbledhë përsëri, në atë mjedis të këndshëm.

Gazeta Dielli Online,  
New York 13 shkurt 2015

Vidiomontazh nga veprimtaria:




Ikje nëpër vjeshtë / Kolec Traboini

IKJE NËPËR VJESHTË...

Kur të mbulojnë gjethet
e aroma e frutave të deh
në qiellin e kaltër harlisen
çmendurakët zogj
dashuria e ndjen veten ngrohtë
e brenda saj çdokush ngazëllen
po ka edhe ikje nëpër vjeshtë
ikje që drithërojnë ngjyrat, tingujt
botën që na rrethon e një pikë lot
në pikëllim qiejsh fluturon
për gjethen e vjeshtës
që era e pragdimrit pamëshirë
e rrëzon.

Kolec Traboini
17 dhjetor 2014