MOS VDIS DASHURI 2002 NOKTURN 2004 REQUIEM PËR NJË GJETHE 2005 TRINIA IME 2006 KOHA E PROSTITUTAVE 2007 ITAKA GRUA 2008 LULE PELLAZGJIKE 2012 U DASHKA TË DAL NATËN VONË 2012 E KAM ATDHEUN TEK PORTA 2012 DASHURI 2013 FAJIN E KA HEKUBA 2014 ORAKUJT NË FERR 2015 ODEON 2016 OFELI 2019 ODE PËR SHKODRËN

🟥 Silueta të profilit në ikje - nga Anton Gojçaj


SILUETA TË PROFILIT NË IKJE
- Mbi krijimtarinë poetike të Kolec Traboinit-
 
Shkruar nga ANTON GOJÇAJ
                    Podgoricë
                     
Krijimtaria poetike e Kolec Traboinit mund të shijohet edhe e shkëputur nga të dhënat për biografinë e autorit, mirëpo nëse lexuesi është i njohur me to, ajo bëhet më e kuptueshme dhe mund të vlerësohet më drejt. Ky këndvështrim “pozitivist” është i justifikueshëm për disa arsye: e para, sepse Koleci është biri i Palok Traboinit, bashkëluftëtarit të Dedë Gjo Lulit dhe autorit të poemës historike “Lufta e maleve”; e dyta, sepse Koleci që student (1973) botoi librin e vet të parë (me tregime),  për të cilin pat marrë çmimin inkurajues në konkursin kombëtar të letërsisë dhe arteve, librin e radhës me përmbajtje letrare artistike, një përmbledhje poezie, e botoi vetëm në vitin 2002, domethënë rreth 30 vjet më vonë. Pastaj, brenda vetëm një dhjetëvjeçari, 2002-2013, lexuesve u dha madje dhjetë përmbledhje me poezi. Akumuloi një kohë të gjatë, për të “eksploduar” në moshë të pjekur. Mund të jetë që periudha e diktaturës nuk ishte ambienti i duhur për ta zgjuar talentin e fjetur, apo ndoshta poeti nuk dëshironte të shkruante sipas diktateve dhe modeleve (të imponuara) të kohës - qoftë edhe duke dhunuar dhuntinë e vet. Pas rënies së diktaturës, njëzet vjet brodhi gjithandej, në mërgim, në kërkim të “Atdheut” të ri për familjen e vet. Familjes, pas një odiseje shumëvjeçare ia gjeti çerdhen e re, në SHBA, por vetë u kthye në “Itakë” - Shqipëri. Vitin e fundit Traboini botoi dy përmbledhje të reja. Njëra, që nga titulli “... E kam atdheun tek porta” paralajmëron disponim refleksiv, kurse tjetra “Dashuri” kumton një tematikë klasike, por gjithmonë aktuale, atë të dashurisë...
.   .   .

1. Zëri i brezit të të arratisurve
(“ ... e kam Atdheun tek porta”, poezi, Tiranë-Boston 2013)
 
Të dhënat nga ballina e librit që në tekste letrare dikush i quan elemente paratekstuale, në rastin e vëllimit “... e kam atdheun tek porta”, kanë peshë semantike specifike, pasi pjesa e dytë e emrit - TRABOINI - është emri i vendlindjes së lindjes së të atit të autorit, fshat ky që ndodhet jashtë kufijve të Shqipërisë, kurse titulli të cilit i mungon kryefjala, sikur simbolizon një identitet të përgjysmuar, në lëvizje, prej nomadi... Ligjërimi i folësit lirik në këtë vëllim mund të konsiderohet tipik për marrëdhënien e shqiptarëve të periudhës postkomuniste me atdheun, të cilët u shkapërderdhën në të gjitha drejtimet dhe anët e botës, në kërkim të një jete ndryshe larg tij dhe që, në tokën ku kanë lindur kthehen, kryesisht, vetëm herë pas here (për pushime) dhe përkohësisht. Kolec Traboini, me këtë libër, është zëri i brezit të të arratisurve (apo që të mos ketë konotacion pezhorativ: shpërthyesve të kufirit të vdekjes dhe izolimit) –
 
“Ishin vitet ‘90,
koha e ikjes së madhe
koha e shpresës së thyer në njëqind xhama
me dritaret e shtëpive të shqyera e vatra pa zjarr
ikja ishte një shkëndi shprese në lugina e male.
(Requiem për ëndrën e vrarë)
 
Fjala “Atdhe”, në këto poezi, pa e humbur kuptimin e parë nga fjalori, gjeneron nuanca të reja semantike pandërprerë, si një “konstantë e ndryshueshme”, në varësi nga motivi apo disponimi i çastit i folësit lirik, duke i dhënë lexuesit një spektër të pasur konotacionesh dhe emocionesh, që karakterizohen, si gjithë poezia e këtij autori, me një shkallë të lartë komunikativiteti, ku çdo varg është i denjë për një meditim të gjatë.
 
Atdheu është atje ku ngjizet dashuria
por edhe atje ku mbi varre rëndon një gur
mbi kokën e gjysh-stërgjyshërve, edhe atje
ndodhet Atdheu që s’harrohet kurrë.
(Fëmijët tek pragu)
 
Odiseja e folësit lirik, alias autorit, pas arratisjes dhe bredhjes shumëvjeçare, nënkupton edhe kthimin në “Itakë”, si dhe zhgënjimin e shumëfishtë të tij me realitetin që gjen aty:
Në rrafshin psikologjik -“U ktheva në atdhe nga dhera të huaj/por jeta nuk u ktheka përsëri”;  Në rrafshin filozofik:“Sepse asnjë gjethe që rrëzohet/para syve tanë në qiejt e kësaj fundvere”/ nuk është e mundur të kthehet/ sërish në degë; Në rrafshin social-politik (pezmi i poetit të pakënaqur me gjendjen në Atdhe arrin kulminacionin duke shpërthyer përmes një name monumetale të realizuar me një patos të theksuar dramatik): “Unë votën time do ta shes/ se nuk kam bukë për drekë e darkë./ Heu..., ju vraftë Zoti me rrufe/ për fukaranë të marri hak.”
Vjersha me titullin “Ma vodhën Atdheun” qëndron në vazhdën e traditës më të mirë të poezisë sonë satirike, në shëmbëllim të satirikës së P. Gjergj Fishtës, Ali Asllanit e ndonjë tjetri. Intonacioni i rreptë, që del nga zjarri i zemrës, drejtpërdrejt dhe pa latime të tepërta stilistike, u bën gjëmën “hajdutëve e kopukëve” që Atdheun e infektuan me virusin e tëhujasësimit dhe shuarjen edhe të atyre pak shkëndijave të idealizmit patriotik që mbijetuan katrahurat historike, me pasoja gati apokaliptike për shëndetin e identitetit kombëtar dhe kulturor të shqiptarëve.
 
Trumbetojnë lirinë që s’e kemi
demagogët tanë kokëtrashë
kinse nuk e dinë se nuk ka liri
atje ku nuk ka as bukë të hash
Nuk ka liri kur je i papunë
nuk ka liri kur nuk ke shpresë
i mbetur në mes udhëve në mjerim
njeriut s’i mbetet veç të vdesë.
(...)
Ma vodhën Atdheun kur ika
ma vodhën Atdheun si të mos ish
erdh koha të ndjehem i huaj
në vendin tim kur u shfaqa sërish
(...)
Tani jam si një pellazg pa vendlindje
një shqiptar mërgimtar - pa Shqipëri
e vetmja strehë ku mund të vë kokën
është një vrimë miu me emrin shtëpi.
Sepse, o Zot, çdo gjë mbi këtë dhe
në këtë tokë ku farë urrejtjeje mbollën
ca qen bir qenësh të vendit tim
ma shkatërruan, ma vranë, ma vodhën.”
 
Tonet refleksive të gërshetuara me mllefin e poetit, lexuesve u ofrojnë një tryezë të shtruar me begati idesh, emocionesh, shfryrjesh, pasioni..., që e kompensojnë në kuptimin e plotë të fjalës kohën që ua marrin atyre. Një njohje (iluminim) të llojit të veçantë folësi lirik artikulon në momentin kur duke iu drejtuar pasardhësit të vet, Matteos së vogël, i cili jeton në Boston, shprehet:
 
“Ne jemi shqiptarë, malësorë, bijtë e Hotit,
Ti tashmë i përket një kombi tjetër
Por të gjithë popujt janë bijtë e Zotit!”
(Mirëdita Matteo!)
 
Në libër ka motive anti-politike lidhur me statusin e artit në shoqëri (Shi e ngricë për bilbila, Rruga e pluhurit, Engjëjt i vrasin, Gazeta botoi shkrimin tim për atdheun, etj.), motive ambientaliste (Pallate pa diell, etj. ), vargje të angazhuara kundër dukurisë së trafikimit të qenieve njerëzore, sidomos të femrave (Vajza e semaforëve), çka arrin kulminacionin në krahasimin antiheroik e “migjenian“ - “Atdheu si një trup prostitute“, madje edhe meditime interesante për globalizmin (Kur bota të jetë një Itakë).
.   .   .
2-Dehje vjeshte
(Dashuri, poezi,Tiranë-Boston 2013)

Kolec Traboini me krijimtarinë e vet poetike në dy deceniet e fundit përmbys disa stereotipe, të cilat reflektohen në përmbajtje, cilësi dhe kuantitet.
Ai ndryshon nga shumica e shkrimtarëve të tjerë për faktin se në portën e letërsisë hyri me një libër me tregime, në moshë të re, kurse njëzet vjet më vonë vazhdoi me poezinë. Zakonisht ndodh e kundërta, fillohet me poezi e pastaj kalohet në prozë. Paragjykimi tjetër që thyen ai ka të bëjë me cilësinë: thuhet shpesh se poezia më e bukur për dashurinë shkruhet në moshën e re. Traboini vargjet më të mira për dashurinë, i shkruan në vjeshtën e jetës. Dhe jo vetëm se shkruan mirë për dashurinë, por shkruan edhe shumë. Në gati secilën përmbledhje të tij motivi i dashurisë mbizotëron.
Libri në fjalë është një përzgjedhje e poezive të dashurisë nga gjithë krijimtaria e tij e deritashme.
Është një poezi joshëse, e cila lexohet me ëndje, që s'ka nevojë për zbërthime të mundimshme kuptimesh. Është e vetinterpretueshme, e plotë, e përmbyllur në vete, me një fjalë – e vetëmjaftueshme. Dhe asnjëherë hermetike.
Poeti, ndihet i përfshirë nga tallazet e dashurisë, çka e përjeton si një dalldisje që sfidon racionalen dhe kohoren:
 
Kjo dehje vjeshte keq na zuri
Si gjeth mbi gjeth të dy na vuri
Me ditë e netë krejt u harruam
Si frut me frutin dashuruar.
(Kjo dehje vjeshte)
 
Epshi për ta shijuar të bukurën e re, adhurimi i saj, akoma nuk është fikur, pavarësisht trashjes së vazhdueshme të stivës së kalendarëve, një qëndrim mashkullor ky që ma kujton Çarls Bukovskin (dallimi mes tyre është se Traboini shmang banalitetet dhe vulgarizmat dhe është paksa më eterik), mirëpo ligjet e fizikës dhe mosha njeriun e vënë përballë problemeve të pazgjidhshme:
 
Si vallë s'u gjend ende një shpikje
moshës t'i kthejë rininë e parë
se shpirti që më fut në ngasje
më thotë: ke mbetur si një djalë.
(...)
I vu udhëtarët në ëndërrime
dhe unë përhumba në fytyrë të saj
me një dilemë që kurrë s'gjen zgjidhje
-Këtë moshë më dysh si mund ta ndaj?
(Një vajzë në Torino)
 
Mosha e poetit përcakton edhe perspektivën e folësit lirik, në ligjërimin e të cilit ka shpesh reminishenca drithëruese për kohën e shkuar: „ndaj shkoj herë pas here në motin e shkuar /të kërkoj çfarë sot nuk e gjej mjerisht.“
Fëmijëria dhe rinia e hershme lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirtin e njeriut, çka shprehet fuqishëm edhe në krijimtarinë e Traboinit. Në vjershën “Dashni në kohën e kolerës“, që aspak rastësisht ta sjell në mendje titullin e romanit të njohur të G. G. Markes-it, kujtohet me mall koha e rinisë, e cila edhe pse në rrethana “kolere” arrin të prodhojë çaste të paharrueshme, të cilat pas shumë vjetëve shpërthejnë në trajtën e shkëndijave të një nostalgjie përvëluese. E gjitha kjo jepet si një tabllo e cila, për rrezet semantike dhe emocionale që përmban, e kapërcen, por nuk e zhduk, motivin bazik:
 
Oh, rinia jonë e varfën
deri tek vështrimi, më tej drithërima
dhe orgazma cfilitej brenda vetes
diktatura, polici, dhuna, frika
burgu, internimi, ndalimi
ia troshiste epshet njeriut
që bante dashni veç me sy
dashni pa buzë, pa gji, pa kofshë
dashni në eter, pa mish e kocka
ne djemtë e rrugës Badra...
 
Në linjën e kujtimeve të dashurisë është edhe mësimi që heroi lirik mori nga jeta, e të cilin ia përcjell lexuesit: kujdes nga mbivlerësimi i vetes dhe nga krenaria e tepruar, sepse në lojën e dashurisë nuk durohet mendjemadhësia, ndërsa tentimi për
të luajtur, deri në nënshtrim, me ndjenjat e partnerit, ndëshkohet:
 
Thash se ish e imja krejt
se ne bashkë kishim fjetur
po ajo gjeti një tjetër
puth ajo e nduk ai.
Mendoja do vriste veten
tragjikisht në dashuri
po ajo gjeti një tjetër
puth ajo e nduk ai.
(Rri e shoh një re në qiell)
 
Veçantia e kësaj lirike është se dashurinë nuk e pranon vetëm si relike të kujtesës nga koha e rinisë, por e kërkon në mënyrë aktive edhe në çastin e shkrimit, anipse në vjeshtën e jetës. Vazhdimisht përsiat për atë temë, shtron pyetje dhe përgjigjet, duke mos e humbur ngrohtësinë dhe besimin në kuptimësi:
 
Ajo çfarë ndjejmë, një shkëndi
që ende shpreson të ndezë zjarr
ty ende trupi të ka eshkë
e mua mosha më ka strall.
(Me kitarë në breg të detit)
 
Bëhet fjalë për një lirikë pjalmuese, në vokabularin e së cilës frekuentojnë shpesh afshet, epshi, seksi, zjarret, puthjet, buzët, zemra, poleni, prushi, flakët, kofshët, vithet, sytë, flokët, por sidomos gjoksi. Gjoksi është kryefjala e këtij libri, që shfaqet në trajta (edhe si sinonim dhe sinekdotë) të ndryshme: gjinjtë, sisa, cica, thithka, supi... Kjo mund të interpretohet me lidhjen “simbiotike” të kënaqësisë erotike që mashkulli gjen në gjinjtë e gruas dhe me semantikën tragjike të Rozafës, që mëkon fëmijën me “tamël guri”, që shton një shtresë të re psiko-emocionale nëse dihet se Shkodra është qyteti i fëmijërisë së poetit.
 
Qysh kur vumë themelet e qytetit mbi gjinin
e bardhë të një gruaje
me këtë simbiozë sizmike kemi lindun.
(Simbiozë shkodrane)
 
Librin e shquan një melankoli e ëmbël, të cilën e shpreh mashkulli para të dashurës së parafytyruar, që herë është e pranishme, e herë mungon, kështu që edhe poezia mund të kuptohet si një parabolë e udhëtimit të një “Uliksi lirik” drejt Penelopës së tij:
fatin e Penelopës – pritje e ke ti
e unë si Odise pas Odisesh bredh
nëpër mote
sa mendimet m'u thinjën e floku m'u zbardh
e Farët e shpresës janë në të shuar.
(Penelopë e Odise)
Mbetet brenda shëmbëlltyrës së heroit fatkeq nga Itaka edhe kur gjatë bredhjeve të veta, heroi lirik i këndon Circeve (mishërimeve të dashurisë) në Romë, Korinth, Athinë, Paris, apo:
Eh, si vajti puna ime
me ca vargje ëndërrime
me ca nimfa nëpër rrjeshta
që m'i sjell e m'i zhduk vjeshta.
Eh, si vajti puna ime,
nëpër botë me ca udhëtime
herë në Boston, herë në Romë
nëpër lule pa aromë.
Eh, si vajti puna ime
mbledhur shuk një grusht kujtime
për një vajzë atje në Vlorë
për një Ofeli si borë.
(Eh, si vajti...)
.   .   .
Kolec Traboin është një mjeshtër i rimës. Lehtësia me të cilën e funksionalizon estetikisht rimën, por edhe figurat tingëlluese dhe përsëritëse, frazeologjinë shqipe, janë mahnitëse. Nuk është adhurues i risive stilistike me çdo kusht, më shumë është ndjekës i formave klasike, prandaj mund të konstatohet se lirika e tij është vazhduese e poezisë së mirë shqipe të traditës, në radhë të parë të Lasgushit, por ka pikëtakime edhe me poetikën e Zef Serembes, Ali Asllanit, kurse te vjersha “Zemër çmendurake“ ka ngjashmëri (në ritëm) me “Marathonomakun” e Nolit, etj. Natyrisht që ka elemente të ndryshme poetike që bashkëpërkojnë, herë më shumë e herë më pak, qoftë në formë, qoftë në frymë, edhe me poezinë e autorëve më të mirë bashkëkohorë shqiptarë.
 
Koha javore, nr. 601, f. 10-11 dhe nr. 602, f. 10-11, 30 janar dhe 6 shkurt 2014, Podgorice
 
 

KADMUS 2007 - PENA E ARTË - Kolec Traboini

KLUBI LETRAR "DRITA" I ATHINËS
 -Në një ceremoni në Athinë 2008,  jep çmimet e përvitëshme -


Presidenti i Shtëpisë Botuese "Toena" z. Fatmir Toçi, u ftua për të marrë Plaketën Gold dhe diplomën "Pena e Artë" në emer të Fituesit Kolec Traboini, i cili nuk kishte mundur të vinte nga Amerika.
Pamja nga salla në INTERAMERICAN  Athinë ku u zhvillua veprimtaria.

TRABOINI: 12 poezi nga “U dashka të dal natën vonë”, 2012


TRABOINI: POET ËSHTË AI QË SHKRUAN DHE NUK THOTË QË ËSHTË POET

TIRANË - Kolec Traboini, një emër i cili është prezent në botën e madhe të letrave, i ftuar në emisionin “Tete a Tete” në “A1 Report”, ka përcjellë të gjithë ndjeshmëritë, duke pranuar se “të shkruash do të thotë të japësh, një dhënie e drejtpërdrejtë me lexuesin”. Poeti flet me mjaft dashuri për atdheun, ndërsa pranon se i ka dhënë gjithçka.
“Atdheu të dha mençurinë dhe në sajë të mençurisë të dha gjithçka në jetë”, u shpreh Traboini, ndërsa kujton edhe vargjet që ka thurur për emigracionin.
Kolec Traboini vjen me poezi, mjaft elegant, ndërsa shpirti i madh dhe i bukur i poetit, shpalos të gjithë materialin e tij.
“Poet është ai që shkruan dhe nuk thotë që është poet. Poeti nuk është i privilegjuar nga natyra, është një njeri i zakonshëm”.
Traboini duke u ngacmuar nga profesioni, nuk nguron të thurrë diçka.
“Ashtu siç kompozitori përkthen në tinguj, ka diçka poetike edhe tek gazetari. Gazetari ka humbur bukurinë. Gazetari duhet të ngrejë probleme, është fjala, në mënyrën sesi e ndërton. Gazetari duhet të jetë afër nga letërsia dhe ta sjellë në mënyrë të bukur. Ai që lexon, të ndjejë kënaqësinë e të lexuarit”, u shpreh Traboini.
I pyetur nëse ekziston një formulë për të krijuar poezinë, poeti u përgjigj: “Nuk ka një sekret. Poeti ka një letër të bardhë përpara. Ka një kontratë me veten”. Ai pranon se shkruan tematika për të cilat i ndjen, sikundër të ngacmojnë të tjerët me anë të penës së tij. Pas nuk lihen edhe shkaqet ekonomike, për të cilat mund të mos botohen në kohë librat.

Gazeta “Shqiptarja.com” 15 shkurt 2014 



 KOLEC TRABOINI
12 poezi nga libri “U dashka të dal natën vonë”, 2012

1- ATME

Qëkur Atdheu
e treti brenda vetes trupin e tim eti
çfarë më mungon tek njeri
e gjej tek tjetri

2-CAKU I FUNDIT

Pas udhëtimesh të pafund
në vende të largëta
Atdheu është
caku i fundit i njeriut...

3- TUNG NGA ITAKA

Tung miqtë e mi poetikë gjithhapsinorë
- Ju flas nga Atdheu!
U ktheva në shtëpinë time të vjetër
e pi kafe në ballkon.
Vetja më duket Odise i lodhur
nga udhëtimet e largëta
- i grindur me veten tek sheh mëtonjësit,
që Penelopës së tij i sillen përqark
...e ndjehem fatkeq.

Tek rrok me vështrim rrugët e sheshet
e Tiranës - mendoj, jo për kthimin tim,
por, për moskthimet e të tjerëve
që se prajnë Ikjadën e marrakatjen nëpër botë.

Mendoj dhe për Itakën tonë të përbashkët
së cilës i kanë kthyer krahët e ikin, veç ikin,
se një shkak për të ikur gjendet gjithmonë.

Lënë pas një Atdhe të zgërlaqun nga politika
ku çdo natë serviren sllogane të pista
si të ishim një popull trushplarë e mjeranë
a robotë të programuar me frazeologji
shterpë - plehra televizive e silazh politik,
çdo natë në Tiranë.

Sa keq, sa keq...!
Asgjë nuk ndryshon nga e djeshmja
në mentalitet.
Itakë është - apo një stan i ndyrë politik,
ky dreq?!

4- DIMRI NE TIRANE

I drithërueshëm ky dimër në Tiranë
shiu e balta s’më ndahen
vdekja rrugëve turfullon si kalë
semafor ta ndalojë nuk ka
këmbët në pellgje më lagen.

Përmbyten fshatrat në veri
rrufjanët politikë në TV kurvërohen
do t`i dëgjosh përnatë, do s’do.
- Vizat për Europë janë gati!
Politika e bën shurrën ngado...

Mpleksur në filtrat e shpirtit janë
dimri, shiu, atdheu dhe balta
malli e halli
drita dhe errësira
buzëqeshja dhe skërmitja
puthja dhe kafshimi
pëllumbi dhe plumbi

të mençurit që heshtin
...e budallenjtë që flasin!

5- KOHE E EGER

E rëndë, e plumbtë u lëshua nga qiejt
kjo natë dhjetori e frikshme për vdekje
e frymëmarrja si erë, sonte

shuhet nëpër konstruksione metalike
pa gjetur kurrkund një trup prej mishi të butë
dhe dora u tha e rreshkur për prekje.

As që bëhet fjalë për puthje të nxehtë
se koha e puthjeve është tretur
diku përtej detit në horizontet e ikjes.

Njerëzit kafshojnë dallgë e shkuma pi zogj
nën klithje legjendash pa trajtë e pa formë
që e kthyen të metaltë kohën tonë.

Gjithçka është shkimur në horizont
tanimë somnanbul në këtë natë dhjetori
më kot për një prekje prej mishi të butë

kërkoj ... e kafshoj vetveten.

6- ME KRISHTIN ME BASHKON
REVOLTA NE TREGUN E KRIPES

Mos më flisni për kurora dafinash lavdërtare,
i urrej lavdimëdhenjtë, të shpifurit
që nga mëngjesi në mbrëmje

e, në është e domosdoshme
një kurorë mbi krye gjithsekush ta mbajë
në këtë jetë - do të zgjidhja

një kurorë ferrash si Krishti, anipse nuk kam
asnjë tipar që më afron me Krishtin
veç revoltës në tregun e kripës.

Në atë sens, po. E dua një kurorë me gjemba:
e të drejtën për të thirrur: Jepini popullit kripë!
Poshtë qeveritarët që nuk dinë
t’ia shterin rrjedhjen e lotëve njeriut!

...Prej dy mijë vjet kjo klithëm!

7- JUDA, PEMET DHE LITARI

Jam dëshmitar sesi Judë Iskariot
i shpallur qeveritar në këtë vend
trumbeton lumturi për popullin e vet.

Në sfond të një litari në një degë peme
jam i dënuar edhe unë ta shoh e ta dëgjoj
zërin prej zgavre.

Direktiva qeverisjes së tij tinzare
për ditën e sotme është:

- Të mbjellim sa më shumë pemë
e litar të prodhojmë sa më shumë
për popullin...

8- ME VRISNI DHE MUA...

Ju hije shpellore me fytyrë njeriu
ju vrasës gjakftohtë në kolltukë qeverish
që armët i keni për të mbrojtur njeriun
por i vrisni njerëzit si kuajt, në rrugë.

Më vrisni dhe mua qenër, më vrisni!
S’e dua jetën nën ju!

Këtu jam në shtëpinë time
por, për t’ua bërë më të lehtë vrasjen
po dal edhe unë me popullin në rrugë.

Në dorë do mbaj të Atdheut flamur
dhe për t’ju dhënë alibi për krimin
do të mbaj në dorë edhe një gur.

Më vrisni dhe mua, qenër! Më vrisni!

9- THEMBRA E AKILIT

Në Veri bie borë - në Tiranë mizëri
në Kandahar shqipot vriten- familjet në zi
si çakenj politikët - skërmiten në TV-i.

Disa me çdo çmim s’duan të ikin
të tjerët me çdo kusht duan të vijnë
balashë e kaltrashë- kuqalashë fytyrminj.

O zot pse ky popull kurrë s’zuri mend
hajdutët e kopukët i zgjedh në Kuvend
ku lehin si qentë- bëhen gaz për çdokënd.

Pse vallë mallkojmë ata që pushtetin e kanë
e mendjen s’e vrasim për ata që vijnë pranë
mes njërit e tjetrit ndryshimet ku janë?

Burra-kurvat s’duan të dinë për t’mjerën
Shqipëri
lapërdharët harrojnë a bëjnë sikur s’dinë
se për këdo në këtë botë këmbana do të bijë.

Sado që të zgjasë tërbimi i Akilit
vjen koha dhe ora për thembrën e tij...

22 shkurt 2012

10- U DASHKA TE DAL NATEN VONE...

Mbrëmë vonë dola në Bulevardin Dëshmorët
e Kombit, të rënëve - që ky bulevard
të ishte i lirë si vetë Liria.
Por, Liria shpeshherë gjendet ngushtë
si pëllumb i përgjakur, i plagosur
sa ndalon edhe frymëmarrjen e pishave
që i lëshuan halat e tyre të vrara këtë dimër
prej breshërisë së plumbave
mbi trupat e pajetë të demostruesve
me sy të hapur e të ngrirë drejt qiellit
të murrëtyer në atë ditë të egër
pa ditur se pse duhej të vdisnin.

Dëshmorët
emrat e të cilëve mban ky Bulevard
përballë ndërtesës qeveritare
u bënë vend dhe katër të ardhurve
në Panteonin e Kombit
pa ditur dhe ata
pse kishin luftuar e pse kishin rënë
dhe a duhej që kujtimin e tyre ta përgjaknin.

Mbrëmë dola në Bulevardin Dëshmorët
e Kombit - kudo zotëronte errësira dhe frika
policët e fshehur pas kolonave përgjonin
trupin tim si hije e dyshimtë
tek afrohesha pranë luleve e banderolave
si një ushtar pas një beteje të frikshme
ku humbës ishin të gjithë.

U dashka të kemi dhe ne një Vaterlo
u dashka të kemi një Napoleon në çdo kohë
u dashka të kemi dhe kufoma
u dashka të dal natën për të mundur
errësirën që kish pllakosur në gjoksin tim.

U dashka të ndez një qiri amshimi për paqe
në të cilin flakërojnë shpirtat e ikur
me nga një plumb qorr në pabesi.
U dashka, që gryka e automatikut
t`i drejtohet hijes sime të vogël
se përbëka një rrezik për shtetin.

U dashka të dal natën vonë
për të vrarë frikën.
se frika qenka më e rëndë se vdekja.
Më mirë qenka të vritesh!

11- EUTHANASIA

Më thoni pse janë intelektualët
pse është shteti dhe pse janë litarët
- njeri në punë të ndërgjegjes
e tjetri në punë të xhelatit?

Që të ketë një alibi shoqëria
intelektualit i duhet vetflijimi
pasi të braktiset, të zbohet
si Krisht në kalvar të rrëzohet.

Të shkruajnë pastaj gazetat
politikët të dërgojnë ngushëllime
mbi trupin e pajetë të viktimës
pa harruar të mbajnë dhe fjalime...

I braktisur nën dhè në të gjallë
i lavdëruar deri në qiell në të vdekur
ky është fati i intelektualit- fatziut
dhe ndërgjegja e pavrarë e njeriut.

Të blesh një litar qenka më e lehtë
Se të luftosh me të keqen në këtë jetë...

26 prill 2012

12- VETKRYQEZIM

Drurin dhe gozhdët i kam zgjedhur vetë
e kryqin në shpatull e kam lënë t’më bjerë
më pëlqen më shumë të jem Krisht në kalvar
sesa Judë me 30 aspra argjendi të jem.

Çdo Judë paralli mund të bëhet deputet
sot është e pakuptimtë sakrifica për të tjerë
të mirin e të varfrin i quajnë Don Kishotë
kusarin - president e të ndershmin - qyq
i mjerë.



Portreti i poetit permes vargjeve të tij - nga Vllasova Musta




PORTRETI I POETIT PERMES VARGJEVE TË TIJ
Nga Vllasova MUSTA
Është kënaqësi të marrësh njëherazi dy vëllime poetike në duar, e për më tepër, kur këto i ka shkruar i njëjti autor, që është edhe miku yt. Jam njohur me Kolecin para shumë vitesh, gati 40 vjet më parë, kur ai u emërua me punë në Kinostudio dhe kishte fare pak kohë, që kishte botuar librin e tij të parë me tregime “Petalet e bajames së hidhur“.  dy librat e rinj, vinë pas një vargu të gjatë botimesh në prozë dhe poezi dhe që çuditërisht mua më kujtuan apo më sollën pranë freskinë, aromën dhe bukurinë e ”Petaleve të bajames së hidhur“ që si një biskajë përherë e blertë, u prin gjithë atyre që erdhën dhe do të vinë pas...
Tek lexon nga njëra poezi tek tjetra befas ndjen se të kanë marrë me vete, të kanë futur në magjinë e tyre dhe krahas leximit, ndjen zë, ndjen tingull dhe kaq e plotë të bëhet kjo tingëllimë, sa të duket sikur nuk ke përpara një poezi, por një qënieje të gjallë, që të flet, të zgjon, të troket e të merr pas vetes duke të shpalosur pafundësi ngjyrash, stinësh dhe ditësh njerëzore.
Poezitë e Kolec Traboinit, përcjellin ngrohtësi, kanë dhimbje, kanë trishtim, kanë brenga apo mall, po aq sa kanë edhe dritë dhe forcë dashurie. E ndoshta për këtë lexohen me një frymë, si në një rrëfenjë, ku janë të mpleksur hijshëm të gjithë elementët që i duhen për t´i dhënë ngjyrë, hapësirë dhe frymë. Përmes poezive vizatohet me një elegancë të hollë dhe tepër i spikatur, portreti i tij, bota e tij, ëndrrat e tij dhe gjithçka që përmbart në të tërën poeti Kolec Traboini.
Dhe kësisoj, nga njëra poezi tek tjetra, është pranë teje jo vetëm poeti, por njëherazi qytetari-intelektual, që s´mund të jetë indiferent dhe përmes një trishtimi njërëzor, na pohon: / Para pallatit tonë të vogël me tulla të kuqe/ Ngritën një ndërtesë të stërmadhe gri/ Që të kujton dinosaurët /E lartë, hijerëndë e të egër. /Tani nuk kam më veç një përçik qiell /E një çarçaf të verdhë /Varur në ballkon si diell…/.
Më tej, të shfaqet njeriu me shpirt të ndjeshëm, që preket qoftë dhe nga një detaj që ndesh në të përditshmen, që ka përjetuar dhe mban të ndrydhur fëmininë e jetimit, që e ndjen më mirë se kushdo tjetër këtë varfëri shpirti dhe natyrshëm thotëne poezine “Shtëpia e fëmijes” - mikut tim Ilir Çumani: /Një plagë Një dhimbje /Një dashuri /Që të ndjek pas gjithë jetën /Për pëllumbat e lagur në shi /Një strehëz. /
Me tjetër forcë, me tjetër zë e vetëm duke pulsuar të vjen pranë atdhedashësi, ai, që e ka atdheun tek porta, që e merr me vete kudo që shkon e që malli për të është i përhershëm e i pandshëm, i plotë dhe i dridhshëm brenda botë së tij. Ky zë gati gati si në një lëngatë thërret përvajshëm: ”ma vodhën atdheun“:  /Ma vodhën Atdheun kur ika/ Ma vodhën Atdheun si të mos ish/ Erdh koha të ndjehem i huaj /Në vendin tim kur u shfaqa sërish./ E vetmja mundësi është të thërras /Deri në kupë të qiellit më zërin prush:/ Ma vodhën Atdheun! Ma vodhën! /Po këtu nuk të dëgjon më askush. /.
E midis tyre, si një kalorës që veçse trokon e s`di të ndalet, përherë rrezëllitës e gjithëstinësh, vjen i dashuruari, e kur fjala është për dashurinë, duket se tek poeti ravijëzohen gjithë ngjyrat e ylberit, fryjnë gjithë flladet dhe erëmirat, këndojnë e cicërojnë gjithë shpendët e hapësirave qiellore dhe zemra e tij, është strehëz për të gjitha, është fyell, këmbanë, trumpetë që bie e troket në çdo stinë. Është një e vërtetë e dëshiruar prej kujtdo e për më tepër e një shpirti artistik siç është poeti, që të jetojë bashkë me dashurinë, ndaj ai përsërit: /Nëse viktimë quhet një vajzë /Që unë në kupë kërkoj ta pi /Ma merrni jetën pa mëshirë /Se sa të rroj pa dashuri./
Ose në një tjetër poezi, ai thotë:
/Nuk e di, nuk e di /Pse dashuria më shfaqet si Dielli /Që del e më ngroh bash atë çast /Kur shpatullat i kam të ngrira./
Kolec Traboini është poeti dhe shkrimtari në kërkim të një motivi të ri, përherë i prekshëm dhe i ndjeshëm, përherë i freskët dhe me ngjyrë e kështu do ta kemi pafundësisht, se ai ka tharmin e krijimit, të pjekjes e të lindjes, të mrekullisë që sjell krijimi që buron nga shpirti, i lirë, i pastër dhe tingullshumë.
 14 shkurt 2014
Pena shqiptare suplement i  gazetes "Telegraf"e Ejte 3 prill 2014 f. 19.