MOS VDIS DASHURI 2002 NOKTURN 2004 REQUIEM PËR NJË GJETHE 2005 TRINIA IME 2006 KOHA E PROSTITUTAVE 2007 ITAKA GRUA 2008 LULE PELLAZGJIKE 2012 U DASHKA TË DAL NATËN VONË 2012 E KAM ATDHEUN TEK PORTA 2012 DASHURI 2013 FAJIN E KA HEKUBA 2014 ORAKUJT NË FERR 2015 ODEON 2016 OFELI 2019 ODE PËR SHKODRËN

FLOKU I KUQËRREMTË

KOLEC TRABOINI
- cikel poetik-


F loku i kuqëremtë

Ndodhemi larg - në skaje kontinenti
ndaj rri e mat çapitjen e stinës

me perëndimin e bakërremtë të diellit,

që përkëdhel trupin e një nimfe floknajë

tek zhytet e
del mbi liqenj ëndërrimi.

Më jep një fije floku të kuqërremtë
ta kem si dritëz nëpër shtigje kërkimi!


tani hymë në Mars


tani hymë në Mars, ndaj mos harro, mikja ime
drurët nisin të lëngështojnë e dashuritë të ngjizen
prandaj dhe ditë pas dite koha ngrohet

e marrëzitë pasionante të dashurisë

gjeometrikisht e pafundësisht shtohen, derisa

digjen e përvëlohen në korrik e në gusht
brenda çdo gjoksi e brenda çdo zemra
për tu fashitur në vjeshtë
e për tu trishtuar
letargjikisht në dimër

me një cikël të ripërtrirë
në çdo pranverë.

tani hymë në Mars... rinis cikli
tani pikojnë yje mbi endrra që zgjohen.


të shkuara

së pari të shkuara mikja ime
më thanë se kishe qënë e sëmurë
ku në djall u gjënd ai mikrob gripi
që ballin tënd e bëri furrë.

thonë se ky Mars kish flamë të keqe
me avione ardhur prej Evrope
bëj kujdes - se shëndeti i Evave
është ekuilibri i kësaj bote

ndaj lutem, të shërohesh shpejt!


se çmë cimbis, moj Lila…


se ç’më cimbis, moj Lila, një gjë në mendje
po edhe në zemër më cimbis
një vazë e bukur si ti, moj Lila, mu shfaq në ëndërr
një ëndërr që kurrë s'po më braktis...

se ç’më cimbis , moj Lila, një gjë në gjoks
seç më cimbis në gjoks e në shpirt
e thërras të më vije po nuk vjen dot
së është shumë larg si ti, moj Lila, është në Paris

se ç’më cimbis, moj Lila, se ç'më cimbis
një belëhollë gjifryrë, moj Lila, si qiparis...


lojë fjalësh në dëshërore


ç 'të them, mikja ime, ç 'të them
ne ende bashkë nuk kemi fjetur

më së shumti më ke njohur nga fjalët e botës

që thonë,… që shpifin
se poetët janë pa brekë
e fluturojnë në qiell lakuriq si zota.

ç 'të them, mikja ime,ç 'të them
sa kohë që ende bashkë nuk kemi fjetur
e ti si amazonë mbi mua s'ke kalëruar
në të gjitha shpifjet ka ndoca të verteta
si kuqëlim dëshirash që korijeve ndez
vjeshta.

sa kohë që ti si zot mbi mua nuk ke ardhur
ç 'të them, mikja ime, ç 'të them
?!...

pulëbardha

tërë bota
sëndërzuar në një pikë shiu,
në pikëllimin e tetorit, duke rënë
pulëbardhë u bë mbi supin tënd.

ti dëshëron të të marrë me vehte, po ajo nuk mund
se është pikë shiu e jo ëndërr që përkund.


oderca

të nesërmen
kur u ritakuam në rutinë,

ajo natë
kish fluturuar nëpër tjerë qiej,
dhe as unë isha Unë
e as ti ishe Ti.

kishin humbur për arsye mistike
fijzat që i mbanin yjtë tanë të lidhur
nën tendën qiellore të nates oderciane.

ndoshta se nata,
ajo dhe vetem ajo,
di ti sëndërzojë pozicionet e yjeve.

madonna dei Miracoli
ku ndezem një qiri atë natë,
bëftë mrekulli të reja në Oderca.

Oderca, Itali 2003


vajza me bishtalec

portat e zëmres s'më kanë çelës
m’i kanë rrëmbyer në rini
një shoqe shkolle më s'mi ktheu;
ndaj hyrë pa trokitur, o njeri!

Esmaja e bukur si perri,
një vajzë me bishtalec të zi...

2004


silva

Silva më thuaj nga ke ardhur
Silva më thuaj nga ke qënë
do të shkoj portë në portë si Princ i Kaltër
e pas gjurmëvë do të bëj zbulesën tënde.

Silva më thuaj nga ke humbur
Silva më thuaj se ku je
do vë një shilarse tek cepi hënës
të rri të shoh se mos të gjej...

do nis ca pëllumba në përgjim
e harabela portë në portë

se pa dashuri s'u shtyka jeta
e çdo gëzim tjetër është i kotë.

gjumi në më zëntë nën mështenkë
këmbanëza e yjeve të më zgjojë
se ky kerkim nuk paska fund

sa ka frymë njeriu në këtë botë.


në jetë të ngrysur në moskthim

do të isha i lumtur që Ajo
diç nga braktisja të kish mësuar.
kish kuptuar se çdo gropëz
e bërë nga fëmijët me nxitim
mbyllet sikur të mos kish qënë
nga dallga e detit pa mbarim
por se në shpirt gropëza mbetet
si plagë therëse në kujtim.

pasionet zgjohen bashkë me netët
e ikin prap kur ditët vinë
por sa e rëndë - të humbësh shpresen
në jetë të ngrysur në moskthim
se shteg të largët merr njeriu
e kurr përjetë s’e shkel atë prag
ikur në detra e oqeane

…ta kish kuptuar, sadopak!

18 Nëntor 2003


mollë Peje

kërkoj gjithandej një mollë të artë
Peje
e megjithëse nuk lashë
gardh shtëpie pa parë
e derë pa trokitur
atë mollë nuk e gjeta
e trasta ime e varfër
mbeti varur në një degë vjeshte
tek rrasa e gurit të Haxhi Zekës.

mos e hangri krimbi
tanë lulëzimin e pranverës
e mua ma thau palcën e shpirtit
këtë dimër.

ah mollë Peje!
a thue më zë vorri në vorr,
pa të gjetë?

Vjeshtë 2003


triptik

më the një herë "nuk të besoj"
ndaj mbeta keq me shpirt të vrarë

kërkova natën nëpër qiej

të solla yjtë si deshmitarë!

dhe prap s'u binde se të dua
ndaj mora udhët nëpër botë
kur ti ndër ëndrra fluturoje
të solla hënën në një shportë!

ti prap e prap me mosbesim
kërkoje të tjerë dëshmitarë
i mora galaktitës Diellin
dhe ta përplasa në dritare!

1988


dy zogj të mardhur shanin dimrin

pranë meje sikur zhurmon deti
dallga rreh pistën me trishtim

sirenë e largët i mbyt fjalët
që dikur thamë me përgjërim.

në dimër keq i rigoi shiu
hëna gjysmake i qëndroi ftohtë
egër mbi to vërshoi
veriu
dielli me rreze pak i ngroh.

u thyen keq degët e plepit
me drithërime ranë përdhe
dy zogj të mardhur shanin dimrin
se i kish lënë pa fole.

grepat e orës nuk lëvizën
nga çasti kur u ndamë bashkë
pranë njëri-tjetrit ngrohtë rrinin
se ngrica kishte zënë jashtë.

kjo stinë e gjatë me egërsi
çdo gjë e shkeli brutalisht
gjurmët që lamë përmbi rërë
a do ti gjejmë vallë sërisht?

1988


hirushja

Hirushe me flokë të zinj e shpirt të brishtë
frut i pjekur çukitur prej cicërimave
flok dëbore që shkrinë në buzën e nxehtë
a nuk ke frikë që troket në dritaren e poetit
këtë mëngjez, tek yjet shuhen e ëndrrat marrin krahë
tutje Kashtës së Kumtrit
ku koha ka ngecur pendulin e vet të artë
ndërsa në rrëpirat e qiellit
aty ku horizonti puthet me detin
një shportëz e artë me zëmren tënde
varet tek Ylli Mëngjezit.

Hirushe, o ëndërr e zjarrtë e perjetshme rinie
në natën e verës së gushtit të rreshkur
mos e mbaj frymën varur tek kajsia e oborrit
se poeti kur shkruan ka fuqinë e demonit.
çan qiejt e natës e poçet errësirës ja thyen
hënen e shtryll si limon
tej e përtej galaktitash e vertit diskun e diellit.

Hirushe, ti kënga Mjellmë ardhur prej kaltërsive të detit
mos shkel me këmbën tënde të vogël tek pragu
ku poeti si grackë ndjenjash ka vënë këpucën e artë
se kur porta do hapet, zhytur në metafora poetike
në prëhrin e fantazis tek e ndjen vehten Kryezot
në karrigen prej lisi të moçëm do të shohësh veç një plak.
prej hapsirave të planeteve tek i vinë tinguj të largët
e këndon i frymëzuar si një Kupid i hazdisur
me harpë tek i bën serenatë Safos së bukur
poeteshës së ishujve të Egjeut
do të të thotë ty - kinse asaj do ti thotë:
Hirushja ime- Safoja ime e ëndërrimeve

shpirti e mban njeriun:
si qielli i mban retë,
si dielli e mban tokën,
si trungu i mban gjethet

si lulet i mban pema,

si farat i mban fruti
si lumin e mban shtrati
si këngën e mban gjoksi

ashtu dhe unë mbaj shpirtin tënd
në pëllëmbën eshkë të dorës së përvëluar.

merrme pra lëkurën e daulles së rrudhur
e kthema rininë që mu përhumb nëpër yje

që dhe unë të tret me zjarrin e shpirtit
si Khajami i dehur nëpër poçe vere

një kristal rubini në buzën tënde!


kur te vdesesh ti

kur të vdesësh, ti, moj xhan
do të pres në qivurin tim katran

po njerëzit mund të çojnë gjetkë

e unë do të
kërkoj me qiri si Diogjen.

por, në mos të gjeça ty në varrezë
gurë pa u kthyer mbrapshtë nuk do mbesë
sa të vdekurit plot zëmrim do të më thonë:
- edhe i vdekur, mbete vagabond!


lepurushi i Klarës

lepurushi i Klarës a rron ende
megjithëse në librin tim gjithmonë gjallnon në faqen 95
tek i gëzohet si atëhere vështrimit tënd
si cicërimë laureshe
në pyllin e vjeshtës...

do të ishte shumë e pikëllueshme
po të mirrja lajme të përzishme
se qimebardhi nuk jeton më dhe ëndrrat janë shuar
sepse gjithmonë atë lepurush e kam patur ndërmend
në këtë botë si kafsha më fatlume.

ndoshta se, ai i gëzohej asaj që mua më ndalohej
e të ndodhte asisoj ajo që nuk mund të besohet
t’ia kisha zili lumturisë së një kafshe.

26 tetor 2005


bëhu prap lotë!

një ditë për ty ndërsa mendoja
nga sytë më rrodhi një pikë lot
kur zgjata dorën që ta fshija
ai fluturoi porsi një zog.

e mori udhët për çudi
e rrahu krahët gjer në re
me cicërima mbyti botën

"Po ti ku fshihesh? Ti ku je?"

ky zëtrishtuar zog i mjerë
aty nën degën e një pjeshke
i vetëm fare në shi e erë
nën vetëtimat e një vjeshte.

tek ti, kur degëza troket
me pika shiu në dritare
a nuk e ndjen se të thërret
me drithërime i vetëm fare?

mos lërë thërrime mbi parvaz
nuk do lëmoshë, nuk do mëshirë
veç kërkon zjarr nga zëmra jote
si përmes resh një copëz diell.

dhe me sa fjalë e përgjërime
i thërrasin njerëzit, kot më kot
" O mërgimtar zëmërplagosur
kthehu në sy, bëhu prap lotë!"

as për rrufe e për gjëmime
ky pëndëkaltër s'do t'ia dijë
drejt zëmrës tënde shkon të digjet
siç digjet flutura në qiri.

edhe tani që rri e shkruaj
në sy më ndizet një pikë lot
unë zëmërvrarë dua t'a shuaj
ai fluturon tek ti si zog!

1988

korinth i nxehtë'93


një greke të bukur e desha me zjarr...
A. Pushkin

mos më thuaj, Olga.Mos më thuaj.
e di që ke pritur një vit sa një shekull.

ke kërkuar me sy nëpër rrugë, nëpër sheshe

dhe atje në Omonia ku bashkohen të gjitha rrugët ke pritur.
por atje dhe ndahen moj Olga - edhe ndahen

e shkojnë larg - shumë larg
për të mos u bashkuar më...

e di moj Olga! E di!
ke kërkuar përsëri në Korinth verën tjetër

po ne nuk erdhëm dot
s'e kaluam dot
Qafën e mallëkuar të Botës
e ti u trishtove...

kërkove me sy gjatë bregut në vetminë e dallgëve
e pyete gjyshen tënde arvanite:
"përse nuk erdhën, moj gjyshe, ata djemt nga Shqipëria?
me kë do të lahem unë në këtë verë të zhuritur?!
jam gjashtëmbëdhjetë vjeçe, moj gjyshe, dua bashkëmoshatarë
të futem në det me ata - e kur të lahem
të më drithëroje trupi, moj gjyshe - të më drithërojë
kur gjoksi im të preket sado pak nga trupat e çunave.

të atij, dua të them të atij, që ti e di ç'dua të them...

përse nuk vijnë moj gjyshe Afroviti? Përse nuk vijnë?
ata e dinë se unë i pres
me vështrim përtej Peleponezit
si Penelopa
në një kthim që nuk ka kthim".

* * *

ne nuk mund të vinim, moj Olga, nuk mundnim
edhe pse na thërriste gjaku yt i nxehtë
që përvëlonte ver
ën
e trupi yt që na digjte në çdo prekje
kur si delfinë të gëzuar të Egjeut zhyteshim
ujrave të kaltra korinthiote
e kur me stërkala njeri-tjetrin mbulonim
gjithë dëshirë, për të shuar
vullkanin e gjoksit tënd që përflakte
adoloshencën tonë...

e zjarrtë si ti moj Olgë, e thellë si ti
me sy të mëdhej Penelope.
ndërsa unë një Odise i lodhur i dërmuar
me anijen e shpresës të shkatrruar e shokë të mbytur...

* * *

më duhet sërisht një odise e mundimëshme,
më duhet të kërkoj në det, në sterë e nëpër popuj
një Olgë të nxehtë
që ta shterrojë këtë oqean që na ndan
... si ti në atë verë
në atë Korinth përvëlonjës të vitit '93.

atëhere kur tërë Bota të jetë një Itakë
s'do ketë Penelopa që presin.

monica


dy globe


kushdo qofshi ju zonja të bukura

nga çdo rrace e nga çdo vend e në çdo popull
që ju ka falur zoti
siç thoshtë Uitmani
pa patur dy globe unë s'mund t'ja af galaktiten time
askujt

as Mis Universit
absolutisht.

por
nëse m'i sillni
kushdo qoftë ajo dhe në çdo kahje
galaktita ime do të jet
ë në kolaps të plotë
për të ricikluar
të tjera galaktita
sipas ligjit universal
asgjë nuk humbet por transformohet.

mos kini frikë nga këto përplasje
dhe përpiquni t'a zgjidhni këtë mëdyshje.
ndërkohë

natën e mirë
ju burra që mbi sisa lopësh flini.
e mos harroni t'ju kashaisni vithet.
nesër në ora shtatë bëhët zgjimi...

natën e mirë
edhe për të gjith ata
që para enigmës time planetare
stepen!

nuk është faji i tyre që s'më kuptojnë
kur edhe vetë
ndonjëherë
s'e kuptoj vehten time

Boston 2003


e shtunë, mars 22, 2008



Nga Fatmir Terziu

Kujto poezinë e madhe të Eseninit për nënën dhe lexo poezinë “Të shkuara” të Traboinit. Lexo dhe sill ndërmend Thomas Hardy’n në “Great Things” [Gjëra të mëdha] dhe rilexo “Tani hymë në Mars” që mban firmën e poetit Kolec Traboini; të vjen si një paralelizëm jetik, jo vetëm si përshtatje. Lexo “Vajza me bishtalec” të Traboinit dhe kujto jo një, por dhjetra poezi të Kadaresë, Agollit, Zeqos, Spahiut … , Sulkuqit, Bales apo Shehut. Të gjitha poezitë janë një model që stilizohet nën duar dhe frymëzime jetike, të gjitha janë një model, origjinal poetik. Kur Traboini i ‘dhuroi’ rreth nëntëmbëdhjetë perlat e strukura nën veladonin e “Floku i kuqërremtë”, të parët që lëshuan sinjalet dashamirëse ishin njërëzit e artit, dhe natyrshëm Vasil Qesari, një nga art-shije-vizion përfqësuesit, që me djersën dhe trurin e tij, ka vite që pushtëzon mendimin e nevojshëm, ka vite që zë vend në pjekurinë e mendimit kritik dhe krijues. Pastaj dhjetra vlerësime, pa përjashtuar edhe atë që shkrimtarë dhe poetë me emër e rikthyen dhuratën e Traboinit si një këmbim-shërbim intelektual. Por ajo që më shtyu të veçoj në shkrimin tim është detaji që gjendet në mënyrën e paraqitjes së poezisë nga Traboini. Veç vlerave që mbart ajo, veç vlerave origjinale poetike, poezia e Traboinit shkon tek syri i lexuesit e stolisur, dhe jo e mbingarkuar, e zbukuruar për të nusëruar, jo e masakruar, e peneluar me një shije dhe një dashuri të cilën një njeri i dashuruar hershëm me artin mund t’a bëjë. Natyrshëm, poezia e Traboinit kërkon vëmendje më të madhe, dhe këtë me kënaqësi duhet t’ia përkushtojmë. Nisja është një anë tjetër për një thënie të njohur, ja fillimi, ja ku filloi, ajo që në fakt ka filluar hershëm, kur emra të shquar të letrave shqipe kanë thënë e stërthënë me tonelata fjalësh për poezinë dhe krijimtarinë e Traboinit. Këto thënie ia dhurojmë buqetës poetike të Traboinit që erdhi në ditë të shënuar, dhe jo atij fillimi që ne e quajmë një nisje, vetëm një nisje… per poezine e nje rruge teper te gjate.



VERË POETIKE

Isha i sigurt se s'do të mbetesha pa e shijuar verën e Bostonit nga vreshtat e Traboinit. Dhe ç'verë! E jo vetëm një gotë, e jo vetëm nga i njëjti lloj (varietet). Verë sa të kënaqesh e të biesh në nanaurisje ëndërrimtare. Ç'u bëmë poetë, më duket!.. Si i tha Khajami verëshitësit?.. Ta dije ti sa e mirë është kjo vera jote, do ta pije të gjithë vetë? Kështu më duket i tha ndërsa rrëkëllente poçe me lëngun e kuq si rubini, a të bardhë si floriri. Po Traboini nuk ka si e pi vetë të gjithë verën që bën, se ai e ka në shpirt ate, dhe është i dehur keqas nga ajo. Kërkon të na dehë edhe ne. Me verë si kjo u dehshim!

Dilaver Baxhaku

LIRIKË E PADISPONUESHME

takim në Paris

mos m’a refuzo një takim në Paris
një shetitje buzë Senës në puhizën e mbrëmjes
pak mjegull pas se cilës të fshihem si zogjtë
nga veshtrimet e njerëzve

asgjë nuk dua pranë meje
veç dritat blu të Shan Elizes në qerpik
në një ënderr të fle e të zgjohem
me ty në takim, në Paris...

të tjerët le të shkojnë te Mona Liza
të mahniten para fytyrës së saj në adhurim
shpirti më është rreshkur nëpër strehëzat e botës
ndaj dua të mbështetem veç në prehrin tënd

....një shetitje buzë Senës në puhizën e mbrëmjes
pak mjegull pas se cilës të fshihem si zogjtë
nga veshtrimet e njerëzve.

mos m'a refuzo një takim
mos u bej lirikë e padisponueshme
sa kohë që jeton, në Paris...



poetika

....është mace sykaltër
që diku mbi çatinë e botës, përpiqet të davaritë
enigma.
ku flenë zogjtë e si mund të bësh dashuri me flutura
në flakërimat e diellit pa ju djegur krahët ?!

poetika noton pa stil në dallgët e ndjenjave
nën ujë e mbi ujë në oqeanin e shpirtit
të ngatrron këmbet ligsht më leshterikë
e vetë zoti të shpëton prej mbytjeve.

poetika vjen e bën dashuri me ty natën
ditën të lë të flesh, por prap lakuriq në gjumë
të shfaqet.

shkurt 2008


sythe bore


paske lindur në shkurt, si unë, mikja ime
me një fat e një nëmë të përbashkët
të lindurit në shkurt janë dashnorë të zjarrtë
dhe vuajtës të mëdhej gjithashtu.
fatin nuk ndrrohet, s'ke çfarë të bësh
veç në duart e tij të lëshohesh

megjithëse ka një magji dimërore
ndoshta eskimezet profanojnë kështu:
kur dy vuajtje si dy trupa bashkohen në një
shkrin akulli, nisin e cicërijne zogjtë
e nëpër drurë shfaqen sythe bore...
që bulëzojnë me një puthje ..

po të ishim bashkë në ditëlindjen tënde
sa lule do të çelnin, e sa zogj
do të cicërinin sonte?!

20 shkurt 2008


zhvishu!


a jane gjijtë e tu diell
a nuk jam unë toka që dielli yt e ngroh?!
lakuriqsia jote është pushtet mbi jetën
fruti duhet ngrenë, fara duhet mbjellë
ndaj zhvishu mikja ime....eja, mos u dro!



bjerrakohës

tanë jetën u kërrusa mbi ca marrëzina që quhen lirika
pa u lodh derdha mund e pasion
por trupi ftohet e mendja gjithashtu
e pasioni davaritet nëpër mjegull
pa e ditun se nga ashte kahja e dritës
kënaqësisë së librit pa i ndi pikë dëshirë
se vjen një kohë - o Zot - një kohë kur dorëzohesh
dorëzohesh e vetquhesh bjerrakohës...


bigami

eseja dhe poezia, Shilla e Karriba ime
të gjitha shtigjet m’i zënë
kohën peng ma marrin
e nuk më lënë të shfaqem kurrë në Itakë.

afrohen deri në flirt për vdekje
por kur i shoh të puthen e nduken
si Safo në delir me vajzat e ishullit Lesbo
egersohem në tërbim e nxihem si Otello
se të dyja janë Desdemonat e mia

në ereksion për njërën- orgazëm për tjetrën
pa ditur kurrë ku më fle dashuria...


GJAK BLU


KOLEC TRABOINI

gjak blu

lirikë thirrore për thyerjen e pasqyrave


ka dekada që rri përballë një pasqyre
sa xhami ka nisur të shfaq rudha plakje
borëzohet fryma ime mbi qelqin e ftohtë
përditë e më shumë drita e shkelqimi i lbyren
nën shtresëzat e argjenda pas së cilës fshihet hija jote.

i rrokëzoj fjalët si prush nën hirin e vatrës:
më fal një buzëqeshje, të lutem, në këtë pasqyrë
ku vetja më duket një kështjellare idiote
kështjellare që përpiqet me veshtrim
ti rrëmbejë qiellit yllin e galaktitës gjinore
një yll që kurrë nuk mundi të më shfaqet.

ti geni im i fisëm me gjak princor blu
ndarë përgjysëm, i farëzuar në pesë shtete
në pasqyrën time asnjë shprese nuk kam të shoh
tashmë nën velaturën gri të një ëndrre të moçme
shqyer prej këngës së këndezave londinezë, magjikë
që zbojnë frikën e vet e hijet e natës
përtej agut e pragut e makthit të sotëm.

pse hesht, pse nuk shpallesh ti geni im i largët
prej një guri e një druri, prej një uji e një poç balte
me të njejtët shpërngej na lidhen kur ishim motake.
edhe miturifantazëm të ishe, tashme do të ishin rritur flokët
që mua mi nxin nata kontinentale e fundnëntorit
e ty ti lyen vjeshta me pigment oqeanik okërr.

dil, geni im kozmik
shfaqu pertej kolonash e siparesh antike
jam këtu në këtë humbellë eskiliane me shekuj pritje
thyeje pasqyrën, të shpëtoj edhe unë prej vetvetes
më kot vertitësh nëpër të tjerë qiej e të tjerë planete
eja, thama lotin e kaltër pikëlllues në qerpik
në nostalgji për imazhin tim tek një tjetër
kemi të dyja gjak princor blu
ti je unë e unë ti që prej dymijë vjetësh!

17.2.2008



Shanel - dhe një analizë poetike e F.Terziut

SHANEL

Sot është një ditë e zakonshme dimri mbi glob
trenat zvarrën si dinosaur metalikë në mjegull
diku bie shi, ditë me diell diku tjetër
bora dyndet në Ameriken e Veriut egër

në ekranet televizive tymnaja të trëndafilta
një grua bjonde a një burre i zi do jenë USA- president
komente të shumta për ikjen e Bushit e trazirat në Kenia
CNN 24 orë - por asnjë lajm nuk thotë për Shanel.

Shanel është një vajzë shqiptare e sapolindur në Barcelonë a Trieste
e sotmja që qan e nesërmja që qesh hareshëm
e nesërmja që nuk është larg, tek pragu i derës
ajo në të ardhur, ne duke ikur... në botën tjetër.

të mos e zgjojmë, lërëni të flërë
koha e sfidave lozonjare më pas do të vijë
akoma më pas do ndez zjarre në vështrimet e djemëve
kapriçioze si erë në mes tyre kur të gjëndet

ajo tani nuk dëgjon- as kupton sigurisht
ka kohë për të kuptuar e dëgjuar e, deri atëherë
le ti këndojmë një ninullë dashurie të përjetshme:
Bota sot rilind bashkë me ty, Shanel!

Kolec Traboini
Boston 25  janar 2008

Analiza poetike


Nga FATMIR TERZIU
Bota rilind sot bashkë me ty Shanel!” Një derivat katërcipërisht tërheqës, që buron nga një figurë letrare e tejzgjedhur e që dominon në katër komponentë filozofikë-letrarë. Së pari është Bota që na rethon me të mirat e të këqiat e saj, është vendi, hapësira e kësaj bote të madhe apo të vogël ku shtrihet qënia e gjallesës së vogël shqiptare, është ana fizike e kësaj materie në sensin material, pra është imagjinarja dhe e prekshmja që gatuhet në nocionin ‘Botë’. Së dyti është procesi i fjalës ‘rilind’ që kalëron magjishëm në itinerarin mendje-analizë dhe pushon në koinçidencën e arritur letrare të fillit që zë fjala poetike. Lindja-dhe rilindja si process i tendencës për një të tashme, e një të ardhme ëndërrimtare me pamjen e mitakes, njomëzakes së fjetur, në bukurinë e saj përrallore. Së treti është termi logjik i së tërrës, ‘përfaqësimi analitik’ i fjalës “bashkë”, që nënkupton ‘grupin’ e përfaqësuar nga vogëlushja, moralin e grupit që pasqyrohet në figuracionin e përzgjedhur dhe së fundi është vet simbolika e një pafajsie të sapoardhur në këtë botë që rilind bashkë me të.
Është një figurinë njërëzore, një frymëmarëse e lirshme, ende pa ëndërra, pa analiza, pa filozofi të botës që e priti në mesin e saj, pa moralin e njeriut që pritet t’i depërtojë në ‘qenien’ e saj njërëzore. Është një Shanel, që pena mjeshtërore e poetit Kolec Traboini e përzgjedh dhe e sjell jo vetëm të shkruar, vargëzuar e poetike, por edhe të stimuluar me shijen artistike të një moderacioni prekës, shijues e të ndjeshëm.

Aty është tërë kompleksi i një detaji filozofik, me të cilin më tej argumenton vjersha e tepërarrirë e Traboinit. Ashtu si një rrëmbim momental, të cilën vetëm poezia ta dhuron, kur mendja e pikëtakon atë, vjen edhe kjo “Shanel” fytyrë-poetike e detajuar në mendjen dashamirëse, për tu fiksuar e mbetur gjatë.

Në rregull! Ajo rron gjatë. Pas kaq kohe vjen dhe të pushton ndjesinë një poezi, që nënshkruan një emër, një Shanel, e që mund të ishte njëmilionë apo bilionë emrash të kësaj bote dhe natyrshëm edhe pse është Shanel, 'shqiptarja e vogël e penel-penës së Traboinit', aty është e Gjitha, aty është dhe pushon pafajsia e kësaj moshe e kësaj ndjesie që nis me zbrazëtinë e me gjuhën e saj, heshtjen e pafajshme. Pra aty edhe janë edhe s’ka nevojë për emra. Aty janë gjithë emrat, aty janë gjithë qeniet e tilla, nën siglën Shanel.
“...të mos e zgjojmë, lërëni të flërë
koha e sfidave lozonjare më pas do të vijë
akoma më pas do ndez zjarre në vështrimet e djemëve
kapriçioze si erë në mes tyre kur të gjëndet..."


  • ZBRAZETIA MIDIS DERRIDE DHE HEIDEGGERIT; "FILOZOFIA" E TRABOINIT

Zbrazëtia! Zbrazëtia është lëshuar në këtë botë pa praninë e Shanel që të bëjë realitet mosekzistencën e të plotësojë atë që Derrida e quan ‘hapi i munguar në një hap’. Natyrshëm, sot është një ‘ditë e zakonshme’ thotë Traboini, një ditë ku ajo s’përjashtohet nga ditët e shumta, por kjo ditë për poetin është:
“sot është një ditë e zakonshme dimri mbi glob
trenat zvarriten si dinosaur metalikë në mjegull
diku bie shi, ditë me diell diku tjetër
bora dyndet në Ameriken e Veriut egër…”.
Natyrshëm sot është pra, kjo zbrazëti foshnjore e mbarsur me zhurma, që Traboini e zbulon në detajet e Jacques Derridës dhe në sytë e pikturuar prej tij tek engjëlli njërëzor, Shanel. Por zbrazëtia është normalisht një aleat i ngushtë edhe i karakterit në hapësirë. Çfarë është filluar që herët të sillet si një sukses i konsideruar në hapësirën poetike dhe përkatësisht në art-poezinë bashkëkohore, një spekullim detajesh artistike të ‘afër-sisë’ dhe ‘distancë-s’, të premtuara nga Heidegger në punimet e tij analitike tek “Arti në Hapësirë” (Art in Space) (1968), ka gjetur një kompleks labirintesh në rrugën shumëdegëshe të piketuar nga Traboini për të dhuruar një gjuhë provokuese, ose mësaktë një gjuhë mendje-ngacmuese.

Në konsideratën e kësaj logjike pikëtakuesja e estetikes në letërsi dhe kompleksit meta-linguistik zbulohet kuptimi i të mundshmes për të nënkuptuar posibilitetin dhe limitin e termit ‘relatim’ dhe ‘dialektik’. Duke përshtatur termin Derridian, kompleks identitetesh të një artifice, prurja letrare e Traboinit motivon diskursin dialektik por edhe vihet në funksion të mjetit topologjik të variacionit.
Këtu janë zgjidhjet e gatshme se si çdokush mund të startojë këtë trajektore në rrugëtimin e tij në hapjen e një strofe si kjo:
“Shanel është një vajzë shqiptare e sapolindur në Barcelonë a Trieste
e sotmja që qan e nesërmja që qesh hareshëm
e nesërmja që nuk është larg, tek pragu i derës
ajo në të ardhur, ne duke ikur... në botën tjetër.”
Këtu si një i sapombërthyer në tërë kompleksin e artit, krijimtarisë, gazetarisë, filmit dhe kërkimeve akademike, natyrshëm kam edhe ndjenjën e kundërshtisë për atë që ndoshta do të përkiste në një demarkacion të së ashtuquajturës poezi të strukturuar ‘nga jashtë dhe nga brenda’, që në themel huazon fjalën e arkitekturës për të thënë se pena e gjallë dhe prodhuese e gjen vet ‘mjeshtrin’ disa-profesionesh që i duhet sot kësaj bote të artit krijues, të cilën Kolec Traboini nuk e kursen dhe madje e vërshon cilësisht.
Ngjashëm unë gjeta tek Derrida në Wegmarken një gjuhë të cilën Traboini e ka gllabëruar fuqishëm dhe e deprovon me magjinë e tij enkas për një “peisazh” si ky që figuron tek fatura e heshtjes së asaj që Foucault e quan “heshtje të fuqisë dhe diturisë”:
“në ekranet televizive tymnaja të trëndafilta
një grua bjonde a një burre ... do jenë USA- president
komente të shumta për ikjen e Bushit e trazirat në Kenia
CNN 24 orë - por asnjë lajm nuk thotë për Shanel.”
Dhe duke marrë borxh termin e Traboinit edhe unë natyrshëm i premtoj heshtjen Shaneil:
“të mos e zgjojmë, lërëni të flërë
koha e sfidave lozonjare më pas do të vijë
akoma më pas do ndez zjarre në vështrimet e djemve
kapriçioze si erë në mes tyre kur të gjëndet

ajo tani nuk dëgjon- as kupton sigurisht
ka kohë për të kuptuar e dëgjuar e, deri atëherë
le ti këndojmë një ninullë dashurie të përjetshme:
Bota sot rilind bashkë me ty, Shanel!”
Por, heshtjen nuk ia “dhuroj” Traboinit, kompleksit Shqiptar!

Londër, Shkurt 2008


Asgjë nuk shkruhet rastësishëm! As poezia, as kritika për të dhe, aq më pak "të lexuarit e analizës" prej autorit të poezise, nuk ndodh atykëtushëm!
Sepse: duket sikur nuk ke pasur synim, duket sikur nuk je nisur të arrish diku, duket sikur ke dalë aty ku dole rastësishem, se kush guxon ndonjëherë të shprehet se "rasti është mbreti i botës"...! Por vetëdija e plotë nuk është veçse respektimi i urtë i nënvetëdijes, të cilën quajeni po deshët edhe Vetja Instiktive! Në të vertetë duhet të lindësh prej një nëne, që pastaj të kesh pse të duash nënën; duhet të lindësh pasardhësin tënd që të kuptosh paraardhësin, dhe duhet të mbetesh pa frymë për fëmijen tënd, që lexuesit të marrin frymë njëherësh me ty, duke lexuar poezinë tënde për një fëmijë fiktion!
Kritiku, e si mund të mos jetë veçse zbuluesi yt, gjersa arrin të bëj lexuesin e autorin njëherësh dhe bujarisht të vendose përpara syve pasqyrën?! Aty, janë gjithë frymët: e heroit, personazhit, lexuesit dhe krijuesit, gjerë në atë mbivendosje sa nuk ka pse kerkohet identifikimi i tyre. Është vetëm krijimi që duket.
Ai që njeh veten, dhe që di të dojë tjetrin, vetem ai i rrëfen tjetrit ç'ka dhuruar, duke menduar se thjeshtë ka ofruar ç'ndjen...
Tashmë, pas analizës së Fatmirit dhe konsiderimit të saj prej Kolecit, edhe poezia e tij po më duket edhe më e bukur: ajo ka qënë ajo që është, por nëpërmjet kësaj marrë-dhënieje të pafundme, me ndihen edhe mua të zbuloj veten atje.

Faruk Myrtaj

Toronto, 7 shkurt 2008

Një poezi me ndjenjë. Ta ka ënda të lexosh e ta rilexosh . Poezia është ndenjë dhe kjo Shanel është ndenjë, është krijim i mirfilltë poetik i një krijuesi që është marrë gjatë me artin, duket se poezinë e ka brenda në shpirt, mjafton të hapi rubinetin pa u sforcuar për të shkëputur poezinë.

G
ëzim Llojdia
Vlorë, shkurt 2008
Mirënjohje për analizën poetike dhe opinionet tuaja për "Shanel".

Kur e kam shkruar nuk kam pas parasysh asnjë platformë estetike apo aspekt filozofik, por thjeshtë një vogëlushe shqiptaro-europiane, me fytyrë ëngjëlli që i shtohet kësaj botë e që në të vertetë me qetësinë e brishtësinë e saj e ngërthen brenda vehtes atë, pra botën. Koha ndrron në mënyrë të pakuptueshme e ne shpesh herë harrojmë se çfarë ngjet, na duket se jemi më të rëndësishmit, na bëhet se jemi të përjetshëm. Harrojmë se jemi pjesëz e një stafete, hallkëz fort e vogël në zinxhirin e të pafundmes. Dua me sinqeritet të pohoj se duke lexuar analizën mbi poezisë sime "Shanel" nga kritiku e krijuesi Fatmir Terziu, mbeta i befasuar sepse ndesha njeriun me dimension në fushën e analizës letrare por edhe njeriun e njohurive të thella në dijet e filozofisë së artit. Të paktën unë si autor i poezisë “Shanel” u gjënda para një analize mbreslënëse. Analisti Fatmit Terziu zbulon mjeshtrisht edhe atë dimension të poezisë, çfarë autori e ka krijuar falë subkoshiencës që edhe ajo është pjesë e proçesit krijues. Krijimi i goditur është si ajsbergu që nuk mund të jetë vetëm ajo pjesë që shihet në siperfaqe, por dy të tretat nën ujë mund ti shohin vetëm zhytësit e studiuesit e thellësive. Ashtu ndodh edhe me kritikët e plotësuar e dimensionuar të letërsisë të cilët, edhe ata, zbulojnë misteret e padukshme të krijimit. Fatmir Terziu në aspektin e analizës poetike deperton mrekullisht në çdo qelizë të strukturës, ideve dhe figurave. Eshtë kjo jo vetëm dhunti njerëzore por punë studimore skrupuloze që e nderon. I jam mirënjohës.

Kolec Traboini
Boston, 8 shkurt 2008