MOS VDIS DASHURI 2002 NOKTURN 2004 REQUIEM PËR NJË GJETHE 2005 TRINIA IME 2006 KOHA E PROSTITUTAVE 2007 ITAKA GRUA 2008 LULE PELLAZGJIKE 2012 U DASHKA TË DAL NATËN VONË 2012 E KAM ATDHEUN TEK PORTA 2012 DASHURI 2013 FAJIN E KA HEKUBA 2014 ORAKUJT NË FERR 2015 ODEON 2016 OFELI 2019 ODE PËR SHKODRËN

Mendime për poezinë e K.Traboinit

SILUETA E NJERIUT NE IKJE…
 Dy vëllime poetike të Kolec Traboini-t(1)

LIRIKË PJALMUESE

Kolec Traboini është autor i mëse 20 librave me poezi, prozë (tregime dhe një roman), ese dhe publicistikë historike. Merret edhe me gazetari. Është fitues i disa kupave për filma dokumentarë. Pas rënies së komunizmit, në shkurt të vitit 1991 u largua për në Greqi, kurse në vitin 1995 shkoi në Amerikë, ku u vendos në Boston. Vitet e fundit, Koleci, pjesën më të madhe të kohës e kalon në Tiranë. 


Nga ANTON GOJÇAJ


-Vështrim letar në gazetën "Koha javore" Podgoricë, date 31 janar, nr. 601, faqe 10-11 dhe 6 shkurt 2014, nr. 602, f.10-11, mbi librat me lirika “ E kam Atdheun tek porta” dhe "Dashuri", K.Traboini 2013 -

Krijimtaria poetike e Kolec Traboinit mund të shijohet edhe e shkëputur nga të dhënat për biografinë e autorit, mirëpo nëse lexuesi është i njoftuar me to, ajo bëhet më e kuptueshme dhe mund të vlerësohet më drejt. Ky këndvështrim “pozitivist” është i justifikueshëm për disa arsye: e para, sepse Koleci është biri i Palok Traboinit, bashkëluftëtarit të Dedë Gjo Lulit dhe autorit të poemës historike "Lufta e maleve"; e dyta, sepse Koleci pasi që si student (1973) botoi librin e vet të parë (me tregime), për të cilin pat marrë çmimin inkurajues në Konkursin kombëtar të letërsisë dhe arteve, librin e radhës me përmbajtje letrare-artistike, një përmbledhje poezie, e botoi vetëm në vitin 2002, domethënë rreth 30 vjet më vonë. Pastaj, brenda vetëm një dhjetëvjeçari, 2002-2013, lexuesve u dha madje dhjetë përmbledhje me poezi. Akumuloi një kohë të gjatë, për të “eksploduar” në moshë të pjekur. Mund të jetë që periudha e diktaturës nuk ishte ambient i duhur për ta zgjuar talentin e fjetur, apo ndoshta poeti nuk dëshironte të shkruante sipas diktateve dhe modeleve (të imponuara) të kohës - qoftë edhe duke dhunuar dhantinë e vet. Pas rënies së diktaturës, njëzet vjet bredhi gjithandej, në mërgim, në kërkim të "atdheut" të ri për familjen e vet. Familjes, pas një odiseje shumëvjeçare ia gjeti çerdhen e re, në SHBA, por vetë u kthye në "Itakë" - Shqipëri. Vitin e fundit Koleci botoi dy përmbledhje të reja. Njëra, që nga titulli  "... e kam atdheun tek porta" paralajmëron disponim refleksiv, kurse tjetra "Dashuri" kumton një tematikë klasike, por gjithmonë aktuale, atë të dashurisë...




Zëri i brezit të arratisur  
(Kolec  Traboini, “ ... e kam Atdheun tek porta”, poezi, Tiranë-Boston 2013)

Të dhënat nga ballina e librit që në tekste letrare dikush i quan elemente paratekstuale, në rastin  e vëllimit "... e kam atdheun tek porta", kanë peshë semantike specifike, pasi që pjesa e dytë e emrit - TRABOINI - është emri i vendlindjes së lindjes së të atit të autorit, fshat ky që ndodhet jashtë kufijve të Shqipërisë, kurse titulli të cilit i mungon kryefjala, sikur simbolizon një identitet të përgjysmuar, në lëvizje, prej nomadi...
Ligjërimi i folësit lirik në këtë vëllim mund të konsiderohet tipik për marrëdhënien e shqiptarëve të periudhës postkomuniste me atdheun, të cilët u shkapërderdhën në të gjitha drejtimet dhe anët e botës, në kërkim të një jete ndryshe larg tij dhe që, në tokën ku kanë lindur kthehen, kryesisht, vetëm herë pas here (për pushime) dhe përkohësisht.
Kolec Traboini, me këtë libër, është zëri i brezit të të arratisurve (apo që të mos ketë konotacion pezhorativ: shpërthyesve të kufirit të vdekjes dhe izolimit):
    Ishin vitet  '90, koha e ikjes së madhe
    koha e shpresës së thyer në njëqind xhama
    me dritaret e shtëpive të shqyera e vatra pa zjarr
    ikja ishte një shkëndi shprese në lugina e male.  
                        (REQUIEM PËR ËNDRRËN E VRARË)

Fjala "Atdhe", në këto poezi, pa e humbur kuptimin e parë nga fjalori, gjeneron nuanca të reja semantike pandërprerë, si një “konstantë e ndryshueshme”, në varësi nga motivi apo disponimi i çastit i folësit lirik, duke i dhënë lexuesit një spektër të pasur konotacionesh dhe emocionesh, që karakterizohen, si gjithë poezia e këtij autori, me një shkallë të lartë komunikativiteti, ku çdo varg është i denjë për një meditim të gjatë.
   Atdheu është atje ku ngjizet dashuria
   por edhe atje ku mbi varre rëndon një gur
   mbi kokën e gjysh-stërgjyshërve, edhe atje
   ndodhet Atdheu që s'harrohet kurrë. 
                          (FËMIJËT TEK PRAGU)

Odhiseja e folësit lirik, alias autorit, pas arratisjes dhe bredhjes shumëvjeçare, nënkupton edhe kthimin në "Itakë", si dhe zhgënjimin e shumëfishtë të tij me realitetin që gjen aty:  Në rrafshin psikologjik - "U ktheva në atdhe nga dhera të huaj /por jeta nuk u ktheka përsëri"; Në rrafshin filozofik: "Sepse asnjë rreze që rrëzohet /para syve tanë në qiejt e kësaj fundvere"/nuk është e mundur të kthehet/sërish në degë; /.         
Në rrafshin social-politik (pezmi i poetit të pakënaqur me gjendjen në Atdhe arrin kulminacionin duke shpërthyer përmes një name monumetale të realizuar me një patos të theksuar dramatik): "Unë votën time do ta shes/se nuk kam bukë për drekë e darkë./Heu..., ju vraftë Zoti me rrufe /për fukaranë të marri hak."/
Vjersha me titullin "Ma vodhën atdheun" qëndron në vazhdën e traditës më të mirë të poezisë sonë satirike, në shëmbëllim të satirikës së P. Gjergj Fishtës, Ali Asllanit e ndonjë tjetri. Intonacioni i rreptë, që del nga zjarri i zemrës, drejtpërdrejt dhe pa latime të tepërta stilistike, u bën gjëmën "hajdutve e kopukëve" që Atdheun (popullin) e infektuan me virusin e tëhujasësimit dhe shuarjen edhe të atyre pak shkëndijave të idealizmit patriotik që mbijetuan katrahurat historike,  me pasoja gati apokaliptike për shëndetin e identitetit kombëtar dhe kulturor të shqiptarëve.
Trumbetojnë lirinë që s'e kemi
demagogët tanë kokëtrashë
kinse nuk e dinë se nuk ka liri
atje ku nuk ka as bukë të hash

Nuk ka liri kur je i papunë
nuk ka liri kur nuk ke shpresë
i mbetur në mes udhëve në mjerim
njeriut s'i mbetet veç të vdesë.

   (...)

Ma vodhën Atdheun kur ika
ma vodhën Atdheun si të mos ish
erdh koha të ndjehem i huaj
në vendin tim kur u shfaqa sërish

   (...)

Tani jam si një pellazg pa vendlindje
një shqiptar mërgimtar - pa Shqipëri
e vetmja strehë ku mund të vë kokën
është një vrimë miu me emrin shtëpi.

Sepse, o Zot, çdo gjë mbi këtë dhe
në këtë tokë ku farë urrejtjeje mbollën
ca qen bir qenësh të vendit tim
ma shkatërruan ma vranë ma vodhën."

Tonet refleksive të gërshetuara me mllefin e poetit, lexuesve u ofrojnë një tryezë të shtruar me begati idesh, emocionesh, shfryrjesh, pasioni..., që e kompensojnë në kuptimin e plotë të fjalës kohën që ua marrin atyre. Një njohje (vegim iluminues) të llojit të veçantë folësi lirik e artikulon në momentin kur, duke iu drejtuar pasardhësit të vet, Matteos së vogël, i cili jeton në Boston, shprehet:
„ – Ne jemi shqiptarë, malësorë, bijtë e Hotit,
   Ti tashmë i përket një kombi tjetër
   Por të gjithë popujt janë bijtë e Zotit!“   
                    (MIRËDITA MATTEO!)

Në libër ka motive anti-politike lidhur me statusin e artit në shoqëri (Shi e ngricë për bilbila, Rruga e pluhurit, Engjëjt i vrasin, Gazeta botoi shkrimin tim për atdheun e tj.), motive ambientaliste (Pallate pa diell, etj. ), vargje të angazhuara kundër dukurisë së trafikimit të qenieve njerëzore, sidomos të femrave (Vajza e semaforëve), çka arrin kulminacionin në krahasimin e hatashëm antiheroik e „migjenian“ - „Atdheu si një trup prostitute“, madje edhe meditime interesante për globalizmin (Kur bota të jetë një Itakë).  


2-DEHJE VJESHTE

(Kolec Traboini, Dashuri, poezi,  Tiranë-Boston 2013)

Kolec Traboini me krijimtarinë e vet poetike në dy deceniet e fundit përmbys disa stereotipe, të cilat reflektohen në përmbajtje, cilësi dhe kuantitet. Ai ndryshon nga shumica e shkrimtarëve të tjerë për faktin se në portën e letërsisë hyri me një libër me tregime, në moshë të re, kurse njëzet vjet më vonë vazhdoi me poezinë. Zakonisht ndodh e kundërta, fillohet me poezi e pastaj kalohet në prozë. Paragjykimi tjetër që thyen ai ka të bëjë me cilësinë: thuhet shpesh se poezia më e bukur për dashurinë shkruhet në moshën e re. Koleci vargjet më të mira për dashurinë, i shkruan në vjeshtën e jetës. Dhe jo vetëm se shkruan mirë për dashurinë, por shkruan edhe shumë. Në gati secilën përmbledhje të tij motivi i dashurisë mbizotëron.
Libri në fjalë është një përzgjedhje e poezive të dashurisë nga gjithë krijimtaria e tij e deritashme. Është një poezi joshëse, e cila lexohet me ëndje, që s'ka nevojë për zbërthime të mundimshme kuptimesh. Është e vetinterpretueshme, e plotë, e përmbyllur në vete, me një fjalë – e vetëmjaftueshme. Dhe asnjëherë hermetike.
Poeti, duke hyrë në moshën e tretë, ndihet i përfshirë nga tallazet e dashurisë, çka e përjeton si një dalldisje që sfidon racionalen dhe kohoren:
     
Kjo dehje vjeshte keq na zuri
Si gjeth mbi gjeth te dy na vuri
Me ditë e netë krejt u harruam
 Si frut me frutin dashuruar.
                            (KJO DEHJE)

Epshi për ta shijuar të bukurën e re, adhurimi i saj, akoma nuk është fikur, pavarësisht trashjes së vazhdueshme të stivës së kalendarëve, një qëndrim mashkullor ky që ma kujton Çarls Bukovskin (dallimi mes tyre është se Koleci shmang banalitetet dhe vulgarizmat dhe është paksa më eterik), mirëpo ligjet e fizikës dhe mosha njeriun e vënë përballë problemeve të pazgjidhshme:

Si vallë s'u gjend ende një shpikje
moshës t'i kthejë rininë e parë
se shpirti që më fut në ngasje
më thotë: ke mbetur si një djalë.

                (...)

I vu udhëtarët në ëndërrime
dhe unë përhumba në fytyrë të saj
me një dilemë që kurrë s'gjen zgjidhje
Këtë moshë më dysh si mund ta ndaj?
                         (NJË VAJZË NË TORINO)

Mosha e poetit përcakton edhe perspektivën e folësit lirik, në ligjërimin e të cilit ka shpesh reminishenca drithëruese për kohën e shkuar: „ndaj shkoj herë pas here në motin e shkuar /të kërkoj çfarë sot nuk e gjej mjerisht.“/

Fëmijëria dhe rinia e hershme lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirtin e njeriut, çka shprehet fuqishëm edhe në krijimtarinë e Traboini. Në vjershën „Dashni në kohën e kolerës“, që aspak rastësisht ta sjell në mendje titullin e romanit të njohur të G. G. Markesit, kujtohet me mall koha e rinisë, e cila edhe pse në rrethana „kolere“ arrin të prodhojë çaste të paharrueshme, të cilat pas shumë vjetëve shpërthejnë në trajtën e shkëndijave të një nostalgjie përvëluese. E gjitha kjo jepet si një tabllo e cila, për rrezet semantike dhe emocionale që përmban, e kapërcen, por nuk e zhduk, motivin bazik:

Oh, rinia jonë e varfën
deri tek vështrimi, më tej drithërima
dhe orgazma cfilitej brenda vetes
diktatura, polici, dhuna, frika
burgu, internimi, ndalimi
 ia troshiste epshet njeriut
që bante dashni veç me sy
dashni pa buzë, pa gji, pa kofshë
dashni në eter, pa mish e kocka
ne djemtë e rrugës Badra...

Në linjën e kujtimeve të dashurisë është edhe mësimi që heroi lirik mori nga jeta, e të cilin ia përcjell lexuesit: kujdes nga mbivlerësimi i vetes dhe nga krenaria e tepruar, sepse në lojën e dashurisë nuk durohet mendjemadhësia, ndërsa tentimi për të luajtur, deri në nënshtrim, me ndjenjat e partnerit, ndëshkohet:

Thash se ish e imja krejt
se ne bashkë kishim fjetur
po ajo gjeti një tjetër
puth ajo e nduk ai.

Mendoja do vriste veten
tragjikisht në dashuri
po ajo gjeti një tjetër
puth ajo e nduk ai.
                 (RRI E SHOH NJË RE NË QIELL)


Veçantia e kësaj lirike është se dashurinë nuk e pranon vetëm si relike të kujtesës nga koha e rinisë, por e kërkon në mënyrë aktive edhe në çastin e shkrimit, ani pse në vjeshtën e jetës. Vazhdimisht përsiat për atë temë, shtron pyetje dhe përgjigjet, duke mos e humbur ngrohtësinë dhe besimin në kuptimësi:

Ajo çfarë ndjejmë, një shkëndi
që ende shpreson të ndezë zjarr
ty ende trupi të ka eshkë
e mua mosha më ka strall.    
                  (ME KITARË NË BREG TË DETIT)


Bëhet fjalë për një lirikë pjalmuese, në vokabularin e së cilës frekuentojnë shpesh afshet, epshi, seksi, zjarret, puthjet, buzët, zemra, poleni, prushi, flakët, kofshët, vithet, sytë, flokët, por sidomos gjoksi. Gjoksi është kryefjala e këtij libri, që shfaqet në trajta (edhe si sinonim dhe sinekdotë) të ndryshme: gjinjtë, sisa, cica, thithka, supi... Kjo mund të interpretohet me lidhjen „simbiotike“ të kënaqësisë erotike që mashkulli gjen në gjinjtë e gruas dhe me semantikën tragjike të Rozafës, që mëkon fëmijën me „tamël guri“, që shton një shtresë të re psiko-emocionale nëse dihet se Shkodra është qyteti i fëmijërisë së poetit.

Qysh kur vumë themelet e qytetit mbi gjinin
e bardhë të një gruaje
me këtë simbiozë sizmike kemi lindun.  
                                 (SIMBIOZË SHKODRANE)

Librin e shquan një melankoli e ëmbël, të cilën e shpreh mashkulli para të dashurës së parafytyruar, që herë është e pranishme, e herë mungon, kështu që edhe poezia mund të kuptohet si një parabolë e udhëtimit të një „Uliksi lirik“ drejt Penelopës së tij:

fatin e Penelopës – pritje e ke ti
e unë si Odise pas Odisesh bredh
nëpër mote
sa mendimet  m'u thinjën e floku m'u zbardh
e Farët e shpresës janë në të shuar.
                                   (PENELOPË DHE ODISE)

Mbetet brenda shembëlltyrës së heroit fatkeq nga Itaka edhe kur gjatë bredhjeve të veta, heroi lirik i këndon Circeve (mishërimeve të dashurisë) në Romë, Korinth, Athinë, Paris, apo:

Eh, si vajti puna ime
me ca vargje ëndërrime
me ca nimfa nëpër rrjeshta
që m'i sjell e m'i zhduk vjeshta.

Eh, si vajti puna ime,
nëpër botë me ca udhëtime
herë në Boston, herë në Romë
nëpër lule pa aromë.

Eh, si vajti puna ime
mbledhur shuk një grusht kujtime
për një vajzë atje në Vlorë
për një Ofeli si borë. 
                 (EH, SI VAJTI...)

Kolec Traboin është një mjeshtër i rimës. Lehtësia me të cilën e funksionalizon estetikisht rimën, por edhe figurat tingëlluese dhe përsëritëse, frazeologjinë shqipe, janë mahnitëse. Nuk është adhurues i risive stilistike me çdo kusht, më shumë është ndjekës i formave klasike, prandaj mund të konstatohet se lirika e tij është vazhduese e poezisë së mirë shqipe të traditës, në radhë të parë të Lasgushit, por ka pikëtakime edhe me poetikën e Zef Serembes, Ali Asllanit, kurse te vjersha „Zemër çmendurake“ ka ngjashmëri (në ritëm) me „Marathonomakun“ e Nolit, etj. Natyrisht që ka elemente të ndryshme poetike që bashkëpërkojnë, herë më shumë e herë më pak, qoftë në formë, qoftë në frymë, edhe me poezinë e autorëve më të mirë bashkëkohorë shqiptarë.

"Koha javore" Podgoricë,  31 janar, nr. 601, faqe 10-11 dhe 6 shkurt 2014, nr. 602, f.10-11, mbi librat me lirika “ E kam Atdheun tek porta” dhe "Dashuri", K.Traboini 2013 -
 

Vizatim nga Kolec Traboini
PORTRETI I POETIT PËRMES VARGJEVE TË TIJ 

Nga VLLASOVA MUSTA

Është kënaqësi të marrësh njëherazi dy vëllime poetike në duar, e për më tepër, kur këto i ka shkruar i njëjti autor, që është edhe miku yt. Jam njohur me Kolecin para shumë vitesh, gati 40 vjet më parë, kur ai u emërua me punë në Kinostudio dhe kishte fare pak kohë, që kishte botuar librin e tij të parë me tregime “Petalet e bajames së hidhur“.  dy librat e rinj, vinë pas një vargu të gjatë botimesh në prozë dhe poezi dhe që çuditërisht mua më kujtuan apo më sollën pranë freskinë, aromën dhe bukurinë e ”Petaleve të bajames së hidhur“ që si një biskajë përherë e blertë, u prin gjithë atyre që erdhën dhe do të vinë pas...
Tek lexon nga njëra poezi tek tjetra befas ndjen se të kanë marrë me vete, të kanë futur në magjinë e tyre dhe krahas leximit, ndjen zë, ndjen tingull dhe kaq e plotë të bëhet kjo tingëllimë, sa të duket sikur nuk ke përpara një poezi, por një qënieje të gjallë, që të flet, të zgjon, të troket e të merr pas vetes duke të shpalosur pafundësi ngjyrash, stinësh dhe ditësh njerëzore.
Poezitë e Kolec Traboinit, përcjellin ngrohtësi, kanë dhimbje, kanë trishtim, kanë brenga apo mall, po aq sa kanë edhe dritë dhe forcë dashurie. E ndoshta për këtë lexohen me një frymë, si në një rrëfenjë, ku janë të mpleksur hijshëm të gjithë elementët që i duhen për t´i dhënë ngjyrë, hapësirë dhe frymë. Përmes poezive vizatohet me një elegancë të hollë dhe tepër i spikatur, portreti i tij, bota e tij, ëndrrat e tij dhe gjithçka që përmbart në të tërën poeti Kolec Traboini.
Dhe kësisoj, nga njëra poezi tek tjetra, është pranë teje jo vetëm poeti, por njëherazi qytetari-intelektual, që s´mund të jetë indiferent dhe përmes një trishtimi njërëzor, na pohon: / Para pallatit tonë të vogël me tulla të kuqe/ Ngritën një ndërtesë të stërmadhe gri/ Që të kujton dinosaurët /E lartë, hijerëndë e të egër. /Tani nuk kam më veç një përçik qiell /E një çarçaf të verdhë /Varur në ballkon si diell…/.
Më tej, të shfaqet njeriu me shpirt të ndjeshëm, që preket qoftë dhe nga një detaj që ndesh në të përditshmen, që ka përjetuar dhe mban të ndrydhur fëmininë e jetimit, që e ndjen më mirë se kushdo tjetër këtë varfëri shpirti dhe natyrshëm thotëne poezine “Shtëpia e fëmijes” - mikut tim Ilir Çumani: /Një plagë Një dhimbje /Një dashuri /Që të ndjek pas gjithë jetën /Për pëllumbat e lagur në shi /Një strehëz. /
Me tjetër forcë, me tjetër zë e vetëm duke pulsuar të vjen pranë atdhedashësi, ai, që e ka atdheun tek porta, që e merr me vete kudo që shkon e që malli për të është i përhershëm e i pandshëm, i plotë dhe i dridhshëm brenda botë së tij. Ky zë gati gati si në një lëngatë thërret përvajshëm: ”ma vodhën atdheun“:  /Ma vodhën Atdheun kur ika/ Ma vodhën Atdheun si të mos ish/ Erdh koha të ndjehem i huaj /Në vendin tim kur u shfaqa sërish./ E vetmja mundësi është të thërras /Deri në kupë të qiellit më zërin prush:/ Ma vodhën Atdheun! Ma vodhën! /Po këtu nuk të dëgjon më askush. /.
E midis tyre, si një kalorës që veçse trokon e s`di të ndalet, përherë rrezëllitës e gjithëstinësh, vjen i dashuruari, e kur fjala është për dashurinë, duket se tek poeti ravijëzohen gjithë ngjyrat e ylberit, fryjnë gjithë flladet dhe erëmirat, këndojnë e cicërojnë gjithë shpendët e hapësirave qiellore dhe zemra e tij, është strehëz për të gjitha, është fyell, këmbanë, trumpetë që bie e troket në çdo stinë. Është një e vërtetë e dëshiruar prej kujtdo e për më tepër e një shpirti artistik siç është poeti, që të jetojë bashkë me dashurinë, ndaj ai përsërit: /Nëse viktimë quhet një vajzë /Që unë në kupë kërkoj ta pi /Ma merrni jetën pa mëshirë /Se sa të rroj pa dashuri./
Ose në një tjetër poezi, ai thotë:
/Nuk e di, nuk e di /Pse dashuria më shfaqet si Dielli /Që del e më ngroh bash atë çast /Kur shpatullat i kam të ngrira./
Kolec Traboini është poeti dhe shkrimtari në kërkim të një motivi të ri, përherë i prekshëm dhe i ndjeshëm, përherë i freskët dhe me ngjyrë e kështu do ta kemi pafundësisht, se ai ka tharmin e krijimit, të pjekjes e të lindjes, të mrekullisë që sjell krijimi që buron nga shpirti, i lirë, i pastër dhe tingullshumë.

14 shkurt 2014



MESAZHE QE PRESIN...

Nga ASTRIT LULUSHI


P
a një trashëgimi, çdo gjë është e varfër. Kështu edhe fusha e letrave. Prandaj nuk është jo e zakonëshme që kur shkruhet rreth kohës që jetohet, pranë zenë vend edhe ato që janë krijuar nga shkrimtarë e poetë  fizikisht jo më, por veprat e tyre, po - edhe pse shpesh gjysmë
të harruara.
Duket se është ky motivi nga i cili dy poetë - Iliriana Sulkuqi e Kolec Traboini - me banim në Amerikë, u nisën me kujdes artisti në përgatitjen e librit "Kujto Poetin", ku poetë shqiptarë që nuk jetojnë më, 5 poetë të ekzekutuar nga diktatura dhe shumë të tjerë krijues nën thundrën e saj a të arratisur,  flasin nëpërmjet vargjeve të tyre:
- "Vëmë re",  thotë Kolec Traboini në parathënie,  "se disa autorë patën jo vetëm fat tragjik, por edhe u shoqëruan me një lënie në harresë e jashtë vemendjes së mediave."
Pra "Kujto Poetin" vjen edhe si mesazh i qartë - se një libër si ky, është jo vetëm kujtesë - por edhe njohje, e plot mësime të harruara për mortin që do të binte, siç paralajmëronte poeti
 
"..mos e lyp at varg/asht shum ma mirë/korimbat t'tu mos t'dijnë çka do me thanë/me qen' poet e mos me qenë i lirë".
Kështu shkruante Lazer Shantoja, si për t'u thënë gjykatësve komunistë që po e dënonin, se ata kurrë nuk mund t'a kuptonin poezinë e tij. Shantoja u ekzekutua nga komunistët më 1945 - varri i tij nuk dihet.

"Atdheun e dija të rritur/por sa i vogël paska qenë", shprehej poeti Trifon Xhagjika, ndosha kur ndodhej para skuadrës së pushkatimit më 1963, atëhere 31 vjeç. Po kështu edhe i vrari tjetër nga diktatura komuniste, poeti  Wilson Bloshmi  që u dënua me vdekje për vargje si
këto: "më i gjallë jam se çdo i vdekur…" apo ''..ska as lot të qajë/nuk ka miq e shokë/nuk ka as bijë, as bir/ Saharaja, është një copë tokë".

Por "Ç'ka se vdiqa shpejt?/Lumnija nuk qe për mue/E lashë një përmendore!" - " shkruan Arshi Pipa në Tingullim i Këputun, poezi që autorët Sulkuqi e Traboini e kanë përfshirë në këtë album.
Kujto Poetin, botimet ADA 2011, përmbledh poetë shqiptarë nga viti 1945 - 2010, që nuk jetojnë më. Secili prej 40 poeteve në këtë album përfaqësohet me 4 - 5 poezi të përzgjedhura dhe çdo njeri prej tyre me një pëshkrim të shkurtër biografik.
"Kujto Poetin" është vërtet risi, i pari i këtij lloji në shqip. Libri duhet parë edhe si një fillim që lexuesit shpresojnë të bëhet traditë, duke u pasuar nga vëllime me poete të tjerë të cilët edhe pse nuk jetojnë më, kanë lënë pas mesazhe që presin të përçojnë vlerat e veta edhe sikur…."në fund të dheut fshehun ti po të ishe/me falë po t'duhet ma se sa një jetë/porsi kalorës prrallash do t'vijshe/ndër njëmijë shtigje ty kisha me t'gjetë" siç do të shprehej Drago Siliqi (1930 - 1963) në "Kujto Poetin" fq 146.

"Fjala e lirë" 5 maj 2012

“Itaka grua” dhe lirika moderne -




“Itaka grua” dhe lirika moderne

Rreth vëllimit të ri poetik të Kolec Traboinit

FATMIR TERZIU

…Dhe tani vjen në tre gjuhë. Vjen nën siglën e “Ombra GVG” dhe nën titullin “Itaka Grua”. Është fjala për vëllimin poetik të poetit Kolec Traboini. Rreth 150 faqe. Një redaktim i përsosur. Një kopertinë që flet me gjuhën e saj që në përzgjedhje. Ky është në fakt ‘kostumi’ i këtij vëllimi që shtohet në arkivën Traboini, në letrat shqipe, dhe në arkivën e Bibliotekës Kombëtare Shqiptare. Është vëllimi që pa dritën në këtë Nëntor të zhurmshëm krizash botërore, por në një Nëntor që shfaqet i ndjeshëm në vargun e Traboinit. E ndjejmë atë tek “Tri vjeshta” dhe e pikasim në simbolikën poetike të ‘drurit të mollës’ që zhvishet, duke hedhur tek këmbët e poetit edhe gjethen e fundit. E ndjejmë këtë ‘krizë’ njerëzore deri në momentin më intim, ku poeti riskon me natyrën të turbullojë ndjesinë tonë, përpëlitjen tonë anësore ndaj ‘krizës’. Këtu është pastaj fjala. Fjala mbërthen situatën. Dhe situata energjetikisht kaplohet nën ritëm puthjesh, ‘frutash të pjekura si diej që zhyten muzgjeve në det’ dhe mjaft të përshkruhet ‘lakuriqësia drithëruse që të fiksohet në mendjen e lexuesit e gjitha ajo që krijon poeti në pak fjalë.
Traboini është poet i racionuar. Jo në varg. Jo në fjalë. Ai është i racionuar në shpjegimin e fjalës poetike. Traboini nuk e sjedh atë në guzhinën e lexuesit. As nuk e lë atë në dhomën e pritjes. Fjalën e Traboinit e gjejmë bashkëudhëtare në një rrugëtim të gjatë. Kjo është arsyeja që fjala poetike e tij është jo e gatshme, jo e hulumtuar, por e gatuar në brumin e madh të eksperiencës dhe njohurive të tij. Traboini ka shumë arsye të tjera të quhet racionues. Po të lexosh “Itaka Grua” natyrshëm e kupton qartë atë. Fjala poetike e tij vjen në mënyrë filozofike dhe thotë më shumë se sa është. Këtu kuptohet qartë edhe arsyeja e mirëfilltë e mosdhënies së saj të gatshme në sytë e lexuesit, por si një arsye më shumë për tu gatuar në mendjen e tij, pra lexuesit që e dashuron poezinë e vërtetë.
Teksa lexojmë “Gjinj Çamërie” në plan të parë sforcohemi në racionimin shpjegues të Traboinit. Ndjehemi disi në mes një rrugëtimi historik dhe një lajtmotivi gjeografik që ushqehet nga sipërorja femërore e mbursur në kulturën e zgjedhur të fjalës profil. Në këtë fjalë profil gjejmë ‘Egjeun tek këmbët dhe ishujt e Safos përballë…”. Pra ne si lexues të mirë të saj e situatojmë poezinë dhe pastaj e shtrydhim kuptimin e saj. Kuptimi i saj vjen emocional, teksa fenomeni natyror mishërohet me grupfjalën stigmë dhe prodhon situatën e duhur të kuptimit ‘trojehumbur’ dhe më tej të hapësirës jo thjesht gjeografike apo diamensionale të vargjeve që jepen fuqimisht: “me pak liqen Shkodre që shoh nga kargësitë/si një pasqyrë ku shihen Zotat/e krihen zanat e Bjeshkëve të Namuna”.
Por poezia e realizuar nën titullin “Itaka Grua” ka edhe mjaft arsye të tjera të jetë një poezi e vlerësuar. Ajo vjen në gjuhën e saj dhe shoqërohet në tre gjuhë të tjera. Ajo flet mirë dhe bukur edhe në anglisht, frëngjisht dhe italisht. Edhe komentet e shumta të lëna për këto poezi nën emblemën poetike “Itaka Grua” pothuajse shënojnë këtë mendim. “Itaka Grua” kësisoj ka marë vlerat e një kompleksi poetik bashkëkohor, jo thjesht se ajo sidhet nga autori për lexuesin në disa gjuhë, por se ajo është kompleks lirikash moderne. Në plan të parë ajo është në një lloj me poezinë e poetit francez Shark Bodler, që njihet edhe si babai i poezisë moderne evropiane. Dihet se vepra e Bodler, “Lulet e së keqes” është vepra e parë e poezisë moderne evropiane dhe njëra ndër veprat poetike më të mira të shkruara ndonjëherë në traditën e lirikës. Mjafton të sjellim këtu vjershën “Korrespondimet” të kuptojmë mirë atë që pikëlidhet me Bodler: “Natyra është tempull që nga shtylla të gjalla/nxjerr ngandonjëherë fjalë të pakuptueshme/ti kalon aty n’male simbolesh t’afrueshme/që t’vështrojnë me shikime miqësisht të rradha/si jehona të gjata që prej s’largu ngatrrohen/në një njësi të thellë edhe fare t’gjerë/si nata dhe si qartësia e madhe t’gjerë/parfumet, ngjyrat dhe tingujt bashkëkuptohen…”. Shumë poezi të Traboinit janë një ngjashmëri vlerash me ato që përbëjnë këtë vepër, sidomos me poezinë që solla këtu nga Bodler. Mjafton të lexosh “Lirika në detin e sirenave”; “Tundimet e Circës”; “Sisët e anave”; “I dashuruar me një karficë”; “Parfum roman”; “Lotët e grave”; “Zhvishu”; “Takim në Paris” etj të krijosh një ide të plotë me poezinë e Bodler dhe madje edhe me poezitë e poetëve Artur Rembo dhe Stefan Malarme, që quhen nga kritika dhe analistët si poetë po aq të rëndësishëm, pasi modelet dhe llojin e lirikës së tyre i ndjekin shumë poetë të Evropës dhe kontinenteve të tjera.
Lirika moderne dihet tashmë është një nga më të vlerësuarat. Ajo është si një thyerje e traditës poetike, realizohet nga mjaft njerëz sot që tentojnë poezinë dhe madje edhe në hapësirën internetike shihen shumë krijime të kësaj natyre, por që në thelb ende se kanë formën e duhur të kësaj poezie. Sepse siç ndodh gjithmonë në krijimtarinë shqiptare, thyerjet, sado të mëdha të jenë, asnjëherë nuk shkëputen plotësisht nga tradita. Këtë e di mirë edhe Traboini ndaj në vëllimin e tij të ri ai e sjedh këtë nëpërmjet poezive “Gjak Blu”; “Poetika”; “Shanel”; “Maria Laforet” etj. Por edhe poezia e lëvruar nga Traboini i përket një rruge të gjatë e të njohur. Themi kështu se mjaft poezi janë në një natyrë me arritjet e vlerësuar në këtë fushë. “Kanonciera” e Françesko Petrarkës mund të shihet si një korrespondim me atë që thamë më lart.
Por në thelb poezia lirike e Traboinit ka një ngjashmëri edhe me poezinë e S. Hamitit, një poet që ka vlerat e veta në letërsinë shqiptare. Kështu poezia “Telefoni” e shkëputur nga vëllimi poetik i Hamitit “Trungu Ilir”, është një arsye më shumë për të gjetur atë që gjejmë tek Traboini. Le të shohim vargjet e Hamitit “Bota ka rënë në gjumë,/vdes telefoni./qafa e tij përmbyset mbi tavolinë./as zëri/aloo.”, të kuptojmë lidhjen me “Shanel’ apo edhe më tej. Së pari, këtu shihet ajo që në thelb ka transformuar poezinë lirike sot, ndjenja e hollë romantike që shkon deri në kufijtë e dhimbjes e të pikëllimit, zëvendësohet me ftohtësinë dhe këmbënguljen për të qenë deri në fund e pakuptueshme. Brenda vargut ose njësive më të mëdha, poezia e Traboinit afron koncepte të largëta e të papritura, që vështirë kanë sugjerimet e mundshme, ajo pra siç e thashë edhe më lartë, nuk shpjegon, nuk tregon.
Tematika e poezisë së Traboinit tek “Itaka grua” shpesh është e zakonshme, kurse synimi i saj shkon që nga loja e fjalëve deri te përpjekja për të zëvendësuar filozofinë. Ajo pëmban në vetvete paradoksin midis kërkesës që nuk arrin të shprehet, dhe synimit për të përfshirë gjithshka brenda saj.
Por kjo lloj poezie nuk e largon poetin Traboini nga kultivimi edhe më tutje i poezisë tradicionale, madje edhe të asaj moderne që shpesh herë është shumë afër asaj tradicionale. Ka disa poezi ku Traboini përdor vargun e matur ose disa lloje vargjesh, me një ngjashmëri me sonetin që prej disa penave poetike shqiptare shkruhet me ambicie të mëdha poetike.
Poezia e Traboinit, fryma e saj tipike ndikon në gjithë poezinë që krijohet sot.


ANTON GOJÇI:

Eshku për jetën (Itaka grua)



Traboini-Itaka-Grua.jpg

Eshku për jetën

(Kolec Traboini, Itaka Grua, poezi, OMBRA GVG, Tiranë 2008)

Poezia e Kolec Traboinit është porsi eshkë që në pikëpjekje me lexuesin ndez një zjarrë të hidhur por joshës, të dhimbshëm dhe ngrohës, intensiteti dhe kohëzgjatja e të cilit varet nga substanca dhe kapaciteti marrës i këtij të fundit. Heroi lirik është në dialog të përhershëm (me lexuesin model) kurse thërmijat autobiografike aty-këtu vijnë si tablo kujtimesh dhe janë shumë të rëndësishme për ta kuptuar emocionin themelor motivues.

Nga ANTON GOJÇAJ

Në bazamentin e përmendores poetike që për veten dhe të tjerët ndërton Kolec Traboini, qëndron eshku për jetën. Thellë në shpirtin e tij “të rreshkur nëpër strehëzat e botës” dhe të tunduar nga circat e kohës, ai e ruan drejtpeshimin e brendshëm dhe nuk bie në demoralizmin e deziluzionizmit. Shqisat për të regjistruar spektrin e pafund të trajtave dhe përmbajtjeve të jetës në larmitetin e saj, mendimi i mprehtë që çan si rreze hapësirat e kohës, misioni fisnik që i jep vetvetes për të dashuruar botën të tillë çfarë është, e mbi gjithçha femrën, metaforat tepër origjinale të ngjeshura me ndjenjë, të ndërtuara me invencion befasues dhe me porosi aq njerëzore, janë vetëm disa nga veçoritë e vargjeve të këtij autori.

“ e pikën e fundit të lotit tënd
mos harro t’ma ruash
do të mbledh të gjitha lotët e grave të botës
të bëj me to një varëse për Diellin”
(Lotët e grave)

Libri “Itaka grua” është si një kuti pandore, nga e cila dalin të mirat dhe të këqijat e jetës, virtytet dhe veset njerëzore, jeta si kryq që duhet pranuar me dinjitet dhe njëkohësisht si dhuratë që duhet shijuar me respekt.
Timbri është konfidencial, kumtet janë të sinqerta, bindëse. Ka mësuar diçka nga Bukowski, Witmani dhe “beat”-nikët e tjerë, poeti shqiptar Kolec Traboini, apo ndoshta rrugët e jetës dhe ato të shpirtit e kanë çuar në përfundime të ngjashme me poetët amerikanë.

“ A janë gjinjtë e tu diell
a nuk jam unë toka që dielli yt e ngroh?!
lakuriqsia jote është pushtet mbi jetën
fruti duhet ngrënë, fara duhet mbjellë
ndaj zhvishu mikja ime,… eja e mos u dro!
(Zhvishu)

Ka shumë mallë, nostalgji, në secilin varg, në çdo fjalë… Mallë për ditët e ikura që s’kthehen, nostalgji për vendet e dashura që u rri larg.

“ju lë peng fëmijërinë e fëmijëve të mi
që me vete është e pamundur ta marrin
dashurinë e gruas
që tashmë është kthyer në nostalgji
edhe akullin edhe zjarrin…

(…)

më puth me flladin tënd mesdhetar
bekomë para se të iki
se rrugët kanë e s’kanë kthim
lamtumirë Atdheu im!”
( Pengjet e mia…)

Në poezinë shumë të bukur “Itaka grua” (por edhe “Çamja e bukur”) ta përkujton Lasgush Poradecin. Po ajo lehtësi magjepsëse e lojës me fjalët, me vargjet, me domethëniet e thella dhe muzikaliteti fluid… Dhe gjithsesi një erotizëm i këndshëm e lozonjar, i cili nuk kalon në ludizëm as në vulgaritet:

“ të më ndjellësh – të më çmendësh
të harrohem i pa mend
se nuk dua tjetër Itakë
veçse trupin e gjirin tënd

bëj sikur – pakujdesia
shulin nuk ja vuri derës
e me vlagë të trupit tënd
t’ia shuajmë zhegun kësaj fundvere…

Poezia e Kolec Traboinit është porsi eshkë që në pikëpjekje me lexuesin ndez një zjarrë të hidhur por joshës, të dhimbshëm dhe ngrohës, intensiteti dhe kohëzgjatja e të cilit varet nga substanca dhe kapaciteti marrës i këtij të fundit. Heroi lirik është në dialog të përhershëm (me lexuesin model) kurse thërmijat autobiografike aty-këtu vijnë si tablo kujtimesh dhe janë shumë të rëndësishme për ta kuptuar emocionin themelor motivues. Një tablo e tillë kuptimplote, gjendet në një poezi me titullin që ta kujton një roman të Markesit:

“ atbotë, në kohë të kolerës
pyesnim njëri-tjetrin në mbrëmje
ne shoqëria e djemëve të rrugës Badra:
- Çfarë bane sot…
- Bana dashni me Marianën
vajzën e komandantit të Korpusit
Bamë seks me sy
u treta, u shkriva, ma piu palcën
të zhveshun lakuriq e pushtova
te arat e Pashës

ende në gjoks sisat ja ndjej”
(Seks në kohë të kolerës)

Stili i Kolecit është i thjeshtë në shikim të parë, nuk është nga ata që zbehin dritën për të krijuar efekte enigmatike, mistike e mistifikuese, por i hapur dhe mjaft komunikativ. Mjeshtria e tij nuk është fshehja e ideve, por shpalosja e ligjërimit poetik. Ai nuk profetizon, misioni i tij është fisnikërimi dhe afirmimi i jetës. Në vargjet e tij gjen dritë, aromë, ndjenja, visore të natyrës dhe të shpirtit, vibracione erotike të gërshetuara me reflektime kombëtare, fisnore dhe familjare, gjithmonë në funksion të artit. Sado që herë-herë gati kalon në poezi narrative, gjithmonë ka nëntekst, domethënie të dytë, të tretë etj…

“ kur dallga e Egjeut brigjet të rrahë
në mos sot, nesër, a pasnesër
gjithmonë do të pres
të m’ sjellësh ata gjinjë Çamërie
që pikojnë si yjet e Udhës së Klumshtit
në gjoks e në krahë do t’i marr
t’u këndoj me lahutë një këngë Malësie…”
(Gjinj Çamërie)

Në fakt, artin ai e nxjerr nga jeta e vet. Kështu, në një vëllim tjetër poetik (“Trinia ime”, Tiranë 2006), ai në një poezi rrëfehet, duke zbuluar trininë shenjte personale:

“mezi belbëzoj me dialektin e vendlindjes
i harruar nëpër ishuj si Odise plak
tre herë jetim u gjenda në shtegtime
pa Babë, pa Atdhe e … pa Itakë”
(Trinia ime)

Një trini tjetër përfshin formulën magjike të krijimtarisë së Kolec Traboinit, e cila si pasojë paraqet edhe çelësin për të depërtuar në semantikën sublime të saj: poezia, gratë dhe Itaka.

“ me hire si një virgjëreshë
me emër femëror – si perri
poezi
… me këtë kurvicë përditë bëj dashuri! “
(Me një kurvice bej dashuri)

E ku është Itaka? Mos është në Shqipëri? Në Shkodër? Apo në vendlindjen e Atit, në Traboin?! Itaka gjendet në poezi?! Gjithkund ngapak, e më së shumti atje prej nga është nisur udhëtari mendjemprehtë, Penelopa ku e prêt… Pra, Itaka është grua.



Botuar në gazeten "Koha javore" Tuz 2008

Kolec Traboini është biri i bashkëluftëtarit të Dedë Gjo Lulit, poetit Palok Traboini. 16 vjet ka punuar në redaksinë e filmit dokumentar në Kinostudion Albaniafilm. Është fitues i disa çmimeve kombëtare për filmin dokumentar. Në vitin 1991 bashkë me familjen u vendos në Athinë. Prej vitit 1995 jeton në Boston (SHBA). Në vitin 2007, Klubi i Shkrimtarëve “Drita” – Athinë i ndan çmimin “Penda e Artë – Kadmus 2007” për opusin poetik dhe eseistik.
Ka botuar këta libra:
Petalet e bajames së hidhur, tregime 1973
Ballada e largësive, album poetik 1995
Gjurmë në histori, letërsi dokumentare 1995
Rapsodi ushtore, ironi 1995
Katërkëndëshi i mundimeve, prozë 2000
Mos vdis dashuri, poezi 2002
Nokturn, poezi 2004
Requiem për një gjethe, poezi 2005
E vërteta përvëluese e Aristidh Kolias, ese 2005
Lufta e maleve – Palok Traboini, ese 2006
Trinia ime, poezi 2006
Koha e prostitutave, lirika & etyde 2007
Bukuri shkodrane, ese 2007
Itaka Grua, lirika 2008



_______________ NASE JANI _______________


TRIPTIKU I TË VERTETAVE POETIKE TË TRABOINIT


(Ndjesi, duke lexuar tufën me lirika “Lotët e grave” të Kolec Traboinit)

shkruar nga Nase JANI

Me ciklin “lotët e grave” Kolec Traboini na futi dhe një herë te pusi i vet poetik për të na treguar sa i thellë dhe sa i bukur është shpirti njerëzor. Dhe brenda “pusit” Traboini, lexuesi sheh dhe qiejt, akoma të paparë... do të mbledh të gjitha lotët e grave të botës
të bëj me to një varëse për Diellin... Të arrish të shohësh varësen e diellit, që poeti Traboini duhet të njohësh portretin e femrës deri tek “pika e lotit”. Shkruhen e shkruhen poezi për femrën, por pa hyrë brenda minierës së saj femërore. Poezia lirike, që duket si më e lehta në të konceptuar e në të shkruar është njëherësh gracka që grackon poetët e nxituar dhe i katandis ata në një krevat dopio, në veprimet mashkull-femër, në një mjedis shtëpie apo edhe në një ishull, apo edhe në një lokal, apo edhe në një pyll... Këto poezi-cekëtina janë aq larg poezisë që na ka sjellë shkrimtari Traboini në librat e tij dhe që shfaqet, më dukshëm edhe me këtë cikël...
Ku e gjej unë të veçantën e poezisë lirike-qytetare e Kolec Traboinit? Kryesisht tek tre të vërteta:
E vërteta e parë është se poezia e tij është e gjitha e vërtetë. Traboini nuk di të bëjë “hile”, bile mund të them se nuk do ta pranojë hilen jo vetëm te poezia e vetë por edhe në vlerat e poezisë në përgjithësi, që është shkruar e që shkruhet, siç e ka shprehur edhe në ese-të e veta. Thuhet se poeti shfaq karakterin e vet me poezitë që shkruan. Edhe pse s’e njoh nga pranë poetin Traboini, e besoj këtë ngjashmëri se poezia e tij i “bindet” burrit, prindit, qytetarit Kolec Traboini. Pasaporta e shpirtit të poetit është poezia. ...
E vërteta e dytë e poezisë së Traboinit është virgjëria e figurave letrare. Duke e ndërtuar kështu fjalinë mund të kundërshtohem për “mos virgjëri të figurave letrare”, të cilat sado bukur të përdoren e kanë humbur “virgjërinë” qysh kur janë përdorur për herë të parë, nga poetët e para qindra shekujve... Këtë përcaktim dua ta mbroj duke pasur si shembull, poetin Traboini, por edhe shumë poetë, pronarë të poezive të tyre. Çdo fjalë ka hijen e saj, dhe poeti po nuk gjeti apo nuk zbuloi hijen e fjalës as të mos marrë mundimin të radhisë vargje. Traboini e filozofon fjalën pa mbajtur përpara librat e mjeshtërve të poezisë shqiptare apo botërore, librat e filozofisë apo Fjalorin Filozofik. Duke i gjetur vendin e vetë, fjala del nga poeti dhe hyn në veprim me lexuesin duke shfaqur atë që poeti kërkon ta flasë poetikisht. E njëjta figurë letrare nuk është e thënë njësoj nga dy poetë, nuk ka të njëjtat mardhënie me fjalët e tjera. Ndryshon momenti që zë vend në varg dhe mesazhi që përcjell tek lexuesi. Pra çdo poet krijon “Fjalorin” e vetë poetik me fjalë tokësore, fjalë qiellore, fjalë jete, fjalë-ëndrre... Këtu qëndron “virgjëria” që poeti i jep fjalës së vet kur shkruan poezinë.

kurrë nuk e mendoja sa shumë diell
kishin ishujt e Egjeut
ku përvëlohej jeta ime mërgimtare
por ai diell nuk ish më zhuritësi
kish një tjetër brenda meje që më shkretonte
e ai ish mall - zjarri që të djeshmen ma dogji
kur ika prej antikohës sime në marramendje
për të kapur qiejt që më ishin ndaluar
e tash prej largësive më tundon ëndërrimi
për të hapur një arkapi në qiell
për të zbritur përmes litarëve të shiut
në një kohë tjetër, si ndër ëndrra
si Eliza në një botë që nuk gjendet...

Edhe vetëm këta vargje vërtetojnë më së miri befasinë dhe “virgjërinë” poetike që krijon Traboini me poezinë e vetë.
Poezia “Traboini” është shumë dimensionale në kohë dhe në gjeografi. Poeti lëviz aq lirshëm duke u treguar zot jo vetëm i poezisë së vetë por edhe i vendeve, personazheve dhe ngjarjeve historike, që mban poezia brenda. Pasurinë e jetës poeti ka ditur ta kthejë “pasuri poetike”. Ja sa shumë dhe sa bukur na e tregon poezia “Gjinjë çamërie”. Qysh në vargun e parë poeti kërkon “autorësinë” e asaj që do të bëjë dhe që është i zoti ta bëjë.

lërmë mua të këndoj për gjinjtë
ç'ne ti?!
apo ju vajzat e Çamërisë
e keni Egjeun tek këmbët
dhe ishujt e Safos përballë....
ndërsa unë i mjeri malësor, veç male
përtej kufirit s’i ju, troje-humbur
me pak liqen Shkodre që shoh nga largësitë
si një pasqyrë ku shihen Zotat
e krihen zanat e Bjeshkëve të Namuna.

kur dallga e Egjeut brigjet të rrahë
në mos sot, nesër, a pasnesër
gjithmonë do të pres
të m'i sjellësh ata gjinj Çamërie
që pikojnë si yjet e Udhës së Klumshtit
në gjoks e në krahë do t'i marr
t'u këndoj me lahute një këngë Malësie…

Mendim: Duke njohur si sillet poeti me gjininë femërore do ta kishin zili femrat të hynin në poezinë e tij...

gjithmonë të kam menduar si shishe vere
deri në fund të kam pirë në trallisje poetësh
ende me frymëzon të shkruaj - çfarë do të thotë
se ka edhe një pikë vere në gotë...

Hyni në pusin poetik të Kolec Traboinit dhe do të shihni hapësira të reja qiellore të poezisë...

të hapej ai gërshet në qiell
e ne sipër tij si në Arkën e Noes
prej kataklizmës së kuqe të iknim
nëpër të tjerë qiej të fluturonim.

Athinë, pranverë



_____________ FATIME KULLI _____________

Vargje brilante - emblema e sentencës njerëzore

Kam lexuar shumë poetë botëror që i këndojnë poezi çdo qelize të gruas, (për të mos përdorur fjalën femër, se femër është edhe qen.. edhe mac... e çdo qënie e gjallë shtazore), por t'i këndosh lotit të gruas, është pathosi më madhështor që kam lexuar. Teksa rilexoj këto vargje "do të mbledh të gjitha lotët e grave të botës të bëj me to një varëse për Diellin." , mendoj se mendja e poetit Traboini është gjeniale. Këto janë vargje brilante që i shkruajnë vetëm poetët e mëdhej. Në çdo poezi të re unë zbuloj të papritura. Këto vargje janë emblema e sentencës njerëzore, të qënies më të embël, me humane, me delikate, të gruas, asaj që lind e rilind jetën, dhe kur loti i saj, do të behet diell (sipas Kolecit), do të ndryshoj e gjithë bota, s'do të ketë me luftë, vetëm paqe, paqe dhe paqja me siguri na dhurohet nga vargjet e Kolec Traboinit. E adhuroj për këtë poezi të padegjuar deri tani dhe e them me bindje se është e papërsëritshe, nëse Neruda e ka simbolizuar gruan me tokën, Traboini  e simbolizove me lotin. Kjo është gjetje gjeniale "të bëj me to një varëse për Diellin..."

Fatime Kulli - 28 Prill 2008


_____________ NAIM BERISHA _____________

Një poezi polivalente...


I lexova dhe une poezite e zotit Kolec Traboini. Me pelqyen sepse pashe qysh ne fillim se poeti vinte me zerin e tij. Kishte pasur cfare t'i thoshte lexuesit ndaj dhe ishte ulur e kishte shkruar. Cikli poetik "Lotet e grave" eshte interesant. Mendoj se dhe "Ndjesite" e zotit Nase Jani per kete cikel lirikash te Traboinit jane me vend dhe plotesisht te perligjura. Me se shumti me befasoi vjersha "Gjinj Çamërie". Poeti, megjithese nuk e njoh, duket se ka kohe qe e rreh poezine. Kete e tregon menyra si nderton ritmin, muzikalitetin. Ai e di mire se ku duhet te thyhet vargu, si perdoret figuracioni, qe eshte gjuha e poezise, ne funksion te ideve. Vura re se poeti perdor me mjeshteri jo vetem metaforen dhe metonimine, por edhe hiperbolen dhe te kunderten e saj
litoten, si dhe ne te rralle prozopopene, simbolin, similituden dhe personifikimin. Keto figurat e fundit mund t'i hasesh me teper tek "lotet e grave" qe eshte nje poezi qe percjell vertet emocione.
Nje poezi polivalente, plot gjendje poetike qe meriton te mesohet permendesh dhe, pse jo, te recitohet ne mjedise te pershtatshme. Kjo poezi ndoshta misheron poetikisht dhe emocionalisht mesazhin e njohur te Zhan Pol Sartrit: " tek e thjeshta edhe madheshtia, tek dy pika lote edhe nje det..."
Duke perfunduar kete koment te shkurter dhe te sinqerte, e uroj me gjithe zemer TRABOININ per shtigje te reja...!

NAIM BERISHA - Tue, 06 May 2008



___________ FATMIR TERZIU ____________


BUQETA E TRABOINIT TË HARRON NGJYRËN … E FLOKËVE

Nga FATMIR TERZIU

Kujto poezinë e madhe të Eseninit për nënën dhe lexo poezinë “Të shkuara” të Traboinit. Lexo dhe sill ndërmend Thomas Hardy’n në “Great Things” [Gjëra të mëdha] dhe rilexo “Tani hymë në Mars” që mban firmën e poetit Kolec Traboini; të vjen si një paralelizëm jetik, jo vetëm si përshtatje. Lexo “Vajza me bishtalec” të Traboinit dhe kujto jo një, por dhjetra poezi të Kadaresë, Agollit, Zeqos, Spahiut … , Sulkuqit, Bales apo Shehut. Të gjitha poezitë janë një model që stilizohet nën duar dhe frymëzime jetike, të gjitha janë një model, origjinal poetik. Kur Traboini i ‘dhuroi’ rreth nëntëmbëdhjetë perlat e strukura nën veladonin e “Floku i kuqërremtë”, të parët që lëshuan sinjalet dashamirëse ishin njërëzit e artit, dhe natyrshëm Vasil Qesari, një nga art-shije-vizion përfqësuesit, që me djersën dhe trurin e tij, ka vite që pushtëzon mendimin e nevojshëm, ka vite që zë vend në pjekurinë e mendimit kritik dhe krijues. Pastaj dhjetra vlerësime, pa përjashtuar edhe atë që shkrimtarë dhe poetë me emër e rikthyen dhuratën e Traboinit si një këmbim-shërbim intelektual. Por ajo që më shtyu të veçoj në shkrimin tim është detaji që gjendet në mënyrën e paraqitjes së poezisë nga Traboini. Veç vlerave që mbart ajo, veç vlerave origjinale poetike, poezia e Traboinit shkon tek syri i lexuesit e stolisur, dhe jo e mbingarkuar, e zbukuruar për të nusëruar, jo e masakruar, e peneluar me një shije dhe një dashuri të cilën një njeri i dashuruar hershëm me artin mund t’a bëjë. Natyrshëm, poezia e Traboinit kërkon vëmendje më të madhe, dhe këtë me kënaqësi duhet t’ia përkushtojmë. Nisja është një anë tjetër për një thënie të njohur, ja fillimi, ja ku filloi, ajo që në fakt ka filluar hershëm, kur emra të shquar të letrave shqipe kanë thënë e stërthënë me tonelata fjalësh për poezinë dhe krijimtarinë e Traboinit. Këto thënie ia dhurojmë buqetës poetike të Traboinit që erdhi në ditë të shënuar, dhe jo atij fillimi që ne e quajmë një nisje, vetëm një nisje… per poezine e nje rruge teper te gjate.



Analiza poetike

BOTA "RILIND"; … EDHE ME TY SHANEL!


Nga FATMIR TERZIU

“Bota rilind sot bashkë me ty Shanel!” Një derivat katërcipërisht tërheqës, që buron nga një figurë letrare e tejzgjedhur e që dominon në katër komponentë filozofikë-letrarë. Së pari është Bota që na rethon me të mirat e të këqiat e saj, është vendi, hapësira e kësaj bote të madhe apo të vogël ku shtrihet qënia e gjallesës së vogël shqiptare, është ana fizike e kësaj materie në sensin material, pra është imagjinarja dhe e prekshmja që gatuhet në nocionin ‘Botë’. Së dyti është procesi i fjalës ‘rilind’ që kalëron magjishëm në itinerarin mendje-analizë dhe pushon në koinçidencën e arritur letrare të fillit që zë fjala poetike. Lindja-dhe rilindja si process i tendencës për një të tashme, e një të ardhme ëndërrimtare me pamjen e mitakes, njomëzakes së fjetur, në bukurinë e saj përrallore. Së treti është termi logjik i së tërrës, ‘përfaqësimi analitik’ i fjalës “bashkë”, që nënkupton ‘grupin’ e përfaqësuar nga vogëlushja, moralin e grupit që pasqyrohet në figuracionin e përzgjedhur dhe së fundi është vet simbolika e një pafajsie të sapoardhur në këtë botë që rilind bashkë me të.
Është një figurinë njërëzore, një frymëmarëse e lirshme, ende pa ëndërra, pa analiza, pa filozofi të botës që e priti në mesin e saj, pa moralin e njeriut që pritet t’i depërtojë në ‘qenien’ e saj njërëzore. Është një Shanel, që pena mjeshtërore e poetit Kolec Traboini e përzgjedh dhe e sjell jo vetëm të shkruar, vargëzuar e poetike, por edhe të stimuluar me shijen artistike të një moderacioni prekës, shijues e të ndjeshëm.
Aty është tërë kompleksi i një detaji filozofik, me të cilin më tej argumenton vjersha e tepërarrirë e Traboinit. Ashtu si një rrëmbim momental, të cilën vetëm poezia ta dhuron, kur mendja e pikëtakon atë, vjen edhe kjo “Shanel” fytyrë-poetike e detajuar në mendjen dashamirëse, për tu fiksuar e mbetur gjatë.
Në rregull! Ajo rron gjatë. Pas kaq kohe vjen dhe të pushton ndjesinë një poezi, që nënshkruan një emër, një Shanel, e që mund të ishte njëmilionë apo bilionë emrash të kësaj bote dhe natyrshëm edhe pse është Shanel, 'shqiptarja e vogël e penel-penës së Traboinit', aty është e Gjitha, aty është dhe pushon pafajsia e kësaj moshe e kësaj ndjesie që nis me zbrazëtinë e me gjuhën e saj, heshtjen e pafajshme. Pra aty edhe janë edhe s’ka nevojë për emra. Aty janë gjithë emrat, aty janë gjithë qeniet e tilla, nën siglën Shanel.

“...të mos e zgjojmë, lërëni të flërë
koha e sfidave lozonjare më pas do të vijë
akoma më pas do ndez zjarre në vështrimet e djemëve
kapriçioze si erë në mes tyre kur të gjëndet..."


ZBRAZETIA MIDIS DERRIDE DHE HEIDEGGERIT; "FILOZOFIA" E TRABOINIT

Zbrazëtia! Zbrazëtia është lëshuar në këtë botë pa praninë e Shanel që të bëjë realitet mosekzistencën e të plotësojë atë që Derrida e quan ‘hapi i munguar në një hap’. Natyrshëm, sot është një ‘ditë e zakonshme’ thotë Traboini, një ditë ku ajo s’përjashtohet nga ditët e shumta, por kjo ditë për poetin është:

“sot është një ditë e zakonshme dimri mbi glob
trenat zvarriten si dinosaur metalikë në mjegull
diku bie shi, ditë me diell diku tjetër
bora dyndet në Ameriken e Veriut egër…”.

Natyrshëm sot është pra, kjo zbrazëti foshnjore e mbarsur me zhurma, që Traboini e zbulon në detajet e Jacques Derridës dhe në sytë e pikturuar prej tij tek engjëlli njërëzor, Shanel. Por zbrazëtia është normalisht një aleat i ngushtë edhe i karakterit në hapësirë. Çfarë është filluar që herët të sillet si një sukses i konsideruar në hapësirën poetike dhe përkatësisht në art-poezinë bashkëkohore, një spekullim detajesh artistike të ‘afër-sisë’ dhe ‘distancë-s’, të premtuara nga Heidegger në punimet e tij analitike tek “Arti në Hapësirë” (Art in Space) (1968), ka gjetur një kompleks labirintesh në rrugën shumëdegëshe të piketuar nga Traboini për të dhuruar një gjuhë provokuese, ose mësaktë një gjuhë mendje-ngacmuese.
Në konsideratën e kësaj logjike pikëtakuesja e estetikes në letërsi dhe kompleksit meta-linguistik zbulohet kuptimi i të mundshmes për të nënkuptuar posibilitetin dhe limitin e termit ‘relatim’ dhe ‘dialektik’. Duke përshtatur termin Derridian, kompleks identitetesh të një artifice, prurja letrare e Traboinit motivon diskursin dialektik por edhe vihet në funksion të mjetit topologjik të variacionit.
Këtu janë zgjidhjet e gatshme se si çdokush mund të startojë këtë trajektore në rrugëtimin e tij në hapjen e një strofe si kjo:

“Shanel është një vajzë shqiptare e sapolindur në Barcelonë a Trieste
e sotmja që qan e nesërmja që qesh hareshëm
e nesërmja që nuk është larg, tek pragu i derës
ajo në të ardhur, ne duke ikur... në botën tjetër.”

Këtu si një i sapombërthyer në tërë kompleksin e artit, krijimtarisë, gazetarisë, filmit dhe kërkimeve akademike, natyrshëm kam edhe ndjenjën e kundërshtisë për atë që ndoshta do të përkiste në një demarkacion të së ashtuquajturës poezi të strukturuar ‘nga jashtë dhe nga brenda’, që në themel huazon fjalën e arkitekturës për të thënë se pena e gjallë dhe prodhuese e gjen vet ‘mjeshtrin’ disa-profesionesh që i duhet sot kësaj bote të artit krijues, të cilën Kolec Traboini nuk e kursen dhe madje e vërshon cilësisht.
Ngjashëm unë gjeta tek Derrida në Wegmarken një gjuhë të cilën Traboini e ka gllabëruar fuqishëm dhe e deprovon me magjinë e tij enkas për një “peisazh” si ky që figuron tek fatura e heshtjes së asaj që Foucault e quan “heshtje të fuqisë dhe diturisë”:

“në ekranet televizive tymnaja të trëndafilta
një grua bjonde a një burre ... do jenë USA- president
komente të shumta për ikjen e Bushit e trazirat në Kenia
CNN 24 orë - por asnjë lajm nuk thotë për Shanel.”

Dhe duke marrë borxh termin e Traboinit edhe unë natyrshëm i premtoj heshtjen Shaneil:

“të mos e zgjojmë, lërëni të flërë
koha e sfidave lozonjare më pas do të vijë
akoma më pas do ndez zjarre në vështrimet e djemve
kapriçioze si erë në mes tyre kur të gjëndet

ajo tani nuk dëgjon- as kupton sigurisht
ka kohë për të kuptuar e dëgjuar e, deri atëherë
le ti këndojmë një ninullë dashurie të përjetshme:
Bota sot rilind bashkë me ty, Shanel!”

Por, heshtjen nuk ia “dhuroj” Traboinit, kompleksit Shqiptar!

Londër, Shkurt 2008

[A-+stil+bizantin.JPG]

_____________FARUK MYRTAJ _________


NUK SHKRUHET RASTESISHEM!


As poezia, as kritika për të dhe, aq më pak "të lexuarit e analizës" prej autorit të poezise, nuk ndodh atykëtushëm!
Sepse: duket sikur nuk ke pasur synim, duket sikur nuk je nisur të arrish diku, duket sikur ke dalë aty ku dole rastësishem, se kush guxon ndonjëherë të shprehet se "rasti është mbreti i botës"...! Por vetëdija e plotë nuk është veçse respektimi i urtë i nënvetëdijes, të cilën quajeni po deshët edhe Vetja Instiktive! Në të vertetë duhet të lindësh prej një nëne, që pastaj të kesh pse të duash nënën; duhet të lindësh pasardhësin tënd që të kuptosh paraardhësin, dhe duhet të mbetesh pa frymë për fëmijen tënd, që lexuesit të marrin frymë njëherësh me ty, duke lexuar poezinë tënde për një fëmijë fiktion!
Kritiku, e si mund të mos jetë veçse zbuluesi yt, gjersa arrin të bëj lexuesin e autorin njëherësh dhe bujarisht të vendose përpara syve pasqyrën?! Aty, janë gjithë frymët: e heroit, personazhit, lexuesit dhe krijuesit, gjerë në atë mbivendosje sa nuk ka pse kerkohet identifikimi i tyre. Është vetëm krijimi që duket.
Ai që njeh veten, dhe që di të dojë tjetrin, vetem ai i rrëfen tjetrit ç'ka dhuruar, duke menduar se thjeshtë ka ofruar ç'ndjen...
Tashmë, pas analizës së Fatmirit dhe konsiderimit të saj prej Kolecit, edhe poezia e tij po më duket edhe më e bukur: ajo ka qënë ajo që është, por nëpërmjet kësaj marrë-dhënieje të pafundme, me ndihen edhe mua të zbuloj veten atje.

Faruk Myrtaj
Toronto, 7 shkurt 2008

 [A-+stil+bizantin.JPG]


________ VASIL QESARI _________

...Refleksion e vibrim shpirtëror !

Urime për këtë cikël të bukur, sensual e marrëmendës, siç është vetë poezia! Krijime të tilla, të ngrenë zemrën peshë e të bëjnë që poetët e vertetë, ti adhurosh !
Poezi të tilla janë momente të çmuara hareje e dhembje - refleksioni e vibrimi shpirtëror !

Unë veçova:

pasioni për të gjetur nëpër botë më treti
amëlsia e flladit, çdo mengjes e mbrëmje
më ringjall shpresen
se një ditë do të dalësh prej detit...

përgëzime
SIMBAD

Vasil Qesari,
Bordo, 29 Prill 2008

[A-+stil+bizantin.JPG]


________ ALEKO LIKAJ _________


Zë krejt ndryshe në poezinë shqiptare të këtyre viteve të fundit

Të befason Kolec Traboini me vargun e tij. Nuk e di se pse më është kujtuar shpesh gjatë këtyre kohëve të fundit një kolegu ynë, pak më i madh se ne, lundron aty midis të 70-80 ve, dhe që tani nuk dihet se ku është, me një frazë që më ka "tronditur" atëhere, në moshën e adoleshencës, kur shkruaja poezi:"Të mira i ke, por mos pretendo që të jesh poet. Pasi të kesh ngrenë nja katër dekada buke, pastaj hajde e fol me mua. Tani të rremben mosha, e ndjenja..." Këtë e konsiderova vertetë prove. Dhe kështu është. Të gjithë mbesin rrugës. Por Koleci ynë i tejkalon parashikimet. Shkruan me të njëjtin pathos e ndjenje, sikur të ishtë një djaloshar i papërmbajtur, dhe i thellë. Me një varg elegant, dhe tej të pjekur, me nerv dhe me shqetësim prej qytetari. E kam ndjekur krijimtarinë e tij gjatë këtyre viteve të fundit në emigracion dhe kam ndjerë vazhdimisht emocione. Kola di se si ti fal ato, që nga rrokja e temave të qenësishme e deri tek dridhja e një lule në prevazin e shtëpisë. Nuk e teproj mbase, të paktën aq sa kam lexuar edhe vargje të miqve tanë , jo vetëm në internet, kur shpreh bindjen time, se poezia e Traboinit është ndoshta më e pjekura dhe solide, më e mira ndër poetët që jetojnë jashtë Shqipërisë. Natyrisht,që gjithsecili ka shijen,dhe gjykimin e vet, dhe kjo sigurisht që nuk mund të jetë , si e "prerë me sopatë". Për mua Kolec Traboini është dhe mbetet një zë krejt ndryshe në poezinë shqiptare të këtyre viteve të fundit. I uroj suksese.

Miqësisht Alekua
nga ALEKO LIKAJ - Bordo, Wed, 07 May 2008


ALEKO LIKAJ

Te me ndjeje Koleci dhe miqte e mij te kesaj liste ne revisten "Fjala e lire" qe jam kaq i vonuar ne kete koment. Mbase arsyet shendetsore te periudhes se Shkurtit por edhe rutina e perditeshme e gjerave ne jeten tone te refugjatit, me kane lene paksa larg angazhimeve shoqerore. Sidoqofte, edhe pse nuk njihem personalisht me Kolecin, ne mendje me ka mbetur libri i tij i pare,qe ne vend te shijes se "bajames se hidhur"beri efekt te kundert tek mua ate kohe.Poezite e tij i kam ndjekur paksa me vone e madje dy a tre libra te tij i kam edhe sot ne biblioteken time personale te refugjatitMe duket se miku im e kritiku Fatmir Terziu e thote bukur e qarte thelbin kur permend faktin;"Këtu si një i sapombërthyer në tërë kompleksin e artit, krijimtarisë, gazetarisë, filmit dhe kërkimeve akademike, natyrshëm kam edhe ndjenjën e kundërshtisë për atë që ndoshta do të përkiste në një demarkacion të së ashtuquajturës poezi të strukturuar ‘nga jashtë dhe nga brenda’, që në themel huazon fjalën e arkitekturës për të thënë se pena e gjallë dhe prodhuese e gjen vet ‘mjeshtrin’ disa-profesionesh që i duhet sot kësaj bote të artit krijues, të cilën Kolec Traboini nuk e kursen dhe madje e vërshon cilësisht."
Pa e tepruar , une personalisht do te thosha,se Traboini eshte pena me solide dhe e formuar,ne vargun poetik te letersise shqiptare te ketyre viteve te fundit te autoreve jashte Shqiperise.
I uroj suksese Kolecit

By ALEKO LIKAJ - Fri, 11 Apr 2008




[A-+stil+bizantin.JPG]

______________FATIME KULLI____________

Fatmir, te pergezoj per guximin, investimin shpirteror, profesional e kohor qe ben per njerez qe kontribuojne per artin, letersine, dhe shoqerine shqiptare, sic eshte edhe Kolec Traboini. Koleci, i biri i te madhit Palok Traboinit, Mesuesit legjendar, patritotit te pazevendesueshem edhe ne kohrat tona, eseistit dhe publicistit brilant ne shtypin shqiptar, po deshmon se eshte nje nga vlerat e pakontestueshme intelektuale dhe artistike, (shume zhaneresh), i cili sa vjen dhe madherohet. duke u bere nje figure aq sa populiste ne tregun mediatik, aq dhe i dashur per lexuesit e kualifikuar te letersise. Mua personalisht, me ngjason me Shekspirin, Danten, Uitmanin te cilet jane idhujt e mi. Koleci eshte nje artist balerine, i cili kudo qe VEN DOREN E MENDJES, nderon portretin e tij gjigand: Artist i kompletuar i koheve moderne, ku krijimtaria letrare e tij tashme ka lene gjurme qe s'mund t'i fshije as e nesermja. Ai asnjehere s'kerkon madheshti, ai punon, skicon, nderton me talentin e arkitektit specialist, duke na dhuruar artin e fjales, artin e skenaristit, artin e regjizorit, artin e gazetarise, e stilistit te perkryer artistik. Nga Koleci, mund te priten edhe kryevepra, ai vjen me artin e tij si nendetese dhe te rremben kohen me deshire, si "magjistar" dhe ne instiktivisht biem "pre" e Kolec Traboinit me filozofine artistike shumepaneshe e te magjishme, sic eshte vete gjuha e artit te tij. Emri i K.Traboinin, ka pushtuar cdo dite median shqiptare, vecanerisht gazeten "Ndryshe", ku lexues aposionat pas penes se tij, vijne dhe e kerkojne ne redaksine tone. Pra kjo do te thote, se emri i tij eshte bere, Famoz, sic eshte shpirti krijues i artitit K.Trabini. Edhe njeher te falenderoj zoti Fatmir, qe merreni me figura qe meritojne respektin dhe simpatine tone per njerez si Koleci qe rrezatojne art dhe kulture. Faleminderit

By FATIME KULLI - Wed, 16 Apr 2008 13:29:51 GMT


[A-+stil+bizantin.JPG]

________ AIDA DISMONDY _________


Pershendetje Z.Traboini,

Ju faleminderit per poezite! Miredita Athine thoni ju ne nje nga poezite tuaja. Njeriu i pasur ne shpirt pershendet perhere te pare kulturen helene qe ai prej vitesh e ka admiruar ne largesi, por ne poezine tjeter vendoset realiteti i emigrantit shqiptar ne Athine a Greqi i ndjekuri e i perfoluri "Arvanitas" i lodhuri shqiptar qe me vete mori mall, lot e dhimbje per njerez gure e drure dhe per ate ullirin e mocem, qe stolis kopshtin e u gjend ne cdo skaj te botes, jo vec ne Athine. E pse vitet kalojne e do te kalojne rrenjet tona zgjaten pertej hapesirave dhe na cojne atje ne pragun e shtepise, ku buza na dridhet nga lotet e malli. Dhe kohe pas kohe vajtojme per kete fatin tone te marre, prej emigranti, qe shpirtin gjithmone e cojme ne fluturim drej qiellit per te pershendetur c'lame pas, Atdheun.
Duke iu uruar cdo te mire ne kete projekt Tuajin te sapofilluar dhe nje here faleminderit per kenaqesine qe poezia transmetoi.

Me respekt,
Aida Dismondy
Cikago, Maj 2008

[A-+stil+bizantin.JPG]

________ DILAVER BAXHAKU _________


Vere poetike

Isha i sigurt se s'do të mbetesha pa e shijuar verën e Bostonit nga vreshtat e Traboinit. Dhe ç'verë! E jo vetëm një gotë, e jo vetëm nga i njëjti lloj (varietet). Verë sa të kënaqesh e të biesh në nanaurisje ëndërrimtare. Ç'u bëmë poetë, më duket!.. Si i tha Khajami verëshitësit?.. Ta dije ti sa e mirë është kjo vera jote, do ta pije të gjithë vetë? Kështu më duket i tha ndërsa rrëkëllente poçe me lëngun e kuq si rubini, a të bardhë si floriri. Po Traboini nuk ka si e pi vetë të gjithë verën që bën, se ai e ka në shpirt ate, dhe është i dehur keqas nga ajo. Kërkon të na dehë edhe ne. Me verë si kjo u dehshim!

Dilaver Baxhaku

[A-+stil+bizantin.JPG]

"Lirika në detin e sirenave"

FARUK MYRTAJ


Odiseu urdheroi miqte e tij ta lidhnin, te shpetonte prej joshjes se Sirenave,
Koleci do kujtuar per kete!
Kot them edhe une: Koleci i ka lidhur Sirenat ne vargjet e tij, sipas porosise se tyre!

Faruku -Fri, 30 May 2008
[A-+stil+bizantin.JPG]

GEZIM LLOJDIA

Bukuria ty ka hedhur nektarin e saj

g.llojdia
By GEZIM LLOJDIA - Sat, 31 May 2008

[A-+stil+bizantin.JPG]

ALEKO LIKAJ

Te faleminderit Kolec per ndjesine qe na krijove, duke na i sjelle sirenat nga nje mitologji e hershme, ne nje realitet paksa abstrakt.
Me ke emocionuar
Te kendofte zemra perhere o poet

Miqesisht Alekua
By ALEKO LIKAJ - Sat, 31 May 2008

[A-+stil+bizantin.JPG]

_______________SOTIRAQ MARKO_______


Vargje me ndjenje dhe qe prekin telat e realitetit tone edhe pse shpesh i shemtuar. ju kontribuoni ne shijet artistike shume te nevojshme sot per njerzit qe ndjejne shpirtin e lire ne vargjet tuaja. pershendetje...

By SOTIRAQ MARKO - Sun, 01 Jun 2008


[A-+stil+bizantin.JPG]

“MOS VDIS DASHURI”

DALIP GRECA

Eshte libri me i fundit qe ka botuar Kolec Traboini, prozator i njohur, publiçist dhe poet me ndjesi te holle poetike. Libri i ri vjen pas botimeve te meparshme te Kolecit si: "Petalet e bajames se hidhur" 1973; "Ballada e largesive” 1995; " Gjurme ne histori" 1995; "Kreshniket e demokracise" 1995, "Katerkendeshi i mundimeve" 2000. "Mos vdis dashuri" eshte botim i "GLOBUS R" ne Tirane.

Libri hapet me vleresime te poetve dhe shkrimtareve, te lexuesve te thjeshte, per librin dhe per poezi te veçanta te autorit. Bie ne sy vleresimi i poetit Gjeke Marinaj, i cili me pak rreshta jep tharmin poetik te poezise se Traboinit. Gjeka shkruan:"Vellimi poetik "Mos vdis dashuri" nuk eshte gje tjeter veçse nje kopje e regjistrimve jetesore ne hapesiren e bardhe te shpirtit te Kolec Traboinit. Ne dy anet e peshores se drejtesise se tij poetike, gjenden te ekuilibruara dashuria per boten dhe shqetesimi qytetar per kohen qe jetojme. Koncepti filozofik i autorit shtrihet per tej dhimbjes qe krijoi gjuha e politikes moderne. Per te universi nuk eshte perfekt dhe kjo joperfektesi rritet ne nje laborator teper te komplikuar njerezor. Ndaj "Mos vdis dashuri dashuri" na jepet me teper si evidence e pagjumesise bashkekohore, sesa si nje medikament per te kuruar ate.”
Ndersa shkrimtari Naum Prifti i ka shprehur poetit urime per poezine"Koha e prostitutave": "Me pelqeu shume sepse ishte shkruar me pasion dhe frymezim, per nje problem te madhesise kombetare. Nese Shqiperia mbeti robine keta 10 vjet, fajin e kane politikanet tane truthare e trukokalle, po te perdorim nje togfjalesh te krijuar nga i madhi Lasgush."
Nderkohe qe edhe gazetari Sami Milloshi do t'i shkruaj poetit Traboini fjale po kaq vleresuese per te njejten poezi. "Sapo lexova vjershen tende te mrekullueshme "Koha e prostitutave". Une nuk çuditem qe ti, nje prozator i njohur, shkruan poezi kaq te bukura sepse e njoh prozen tende, ajo eshe nje univers ku mpikset poezia e vertete me narracionin e sendeve dhe te fenomeneve. Por ndofta keshtu, me vete, poezia jote tingellon edhe me e bukur dhe besoj se e shijoj, ose me sakte e di se ku fle poezia e vertete.”
Nga ana e saj poetja gjermane, Slike Blumbach, shume e njohur per lexuesit shqiptar, vlereson poezine "Me dy gishta ne ere" per te cilen shkruan: ”Poezia me ka pelqyer shume. Historia e brendshme e shqiptareve, natyrisht e mbeshtetur mbi fakte historike dhe ne lidhje dialetike me to, por kryesorja perjetimet e njeriut jane mendimet dhe ndjenjat (them une)- dhe ti di t'i pershkruash aq bukur.”
Le ta shfletojme tani librin me poezi te Traboinit "Mos vdis dashuri". Qe ne poezine hyrese "Lakuriq ne asfalt" Koleci prezanton shqetesimin qytetar per kohejetesen, per koosin dhe çmendurine e tregut, ku gjithka shitet, nderkohe qe ai e ndjen veten teper te lodhur dhe ne pamundesi per te shitur diçka, kerkon te shese marrezine, a trupin lakuriq. Por ai mbetet ne dileme, ke te shese trupin lakuriq apo turpin?..
Ndoshta do te ishte me mire per shpirtin e tij shperthyes kunder realitetit absurd te vendit te vet(natyrisht dhe tonit), qe te shiste diçka tjeter:

“ te ishte per mua
nje funksionar do ta shisja me vleren e nje çakmaku
sa per te ndezur plehrat e rrugeve
e pastaj mbi zjarr do te shurroja pa meshire e pa frike
nga ligji qe mbron burrat e shtetit
ne vendin tim te shkaterruar
nga marrezia e politikaneve pa tru”

Poezia qe i ka dhene titullin vellimit "Mos vdis dashuri" eshte padyshlm nje nder me te sinqertat e shpirtbardhsise se poetit dhe Realizuarat artistikisht. Muza poetike e Traboinit ka thirrur ne ndihme nje tufe metaforash e metonimishe dhe e gjithe poezia pikon vese dashurije e dhimbjeje, vetmije dhe sinqeriteti, lutje dhe brenge. Ne shpirtin e poetit pergjon vetmia qe kerkon t'i largoje dashurine per te cilen ai pergjerohet qe te mas e braktise. Diku shperthen:

“Oh, sa pak dashuri na afroi jeta!”

Shpirti-poetik dridhet dhe vuan. Si mund ta duroje nje poet mbylljen e dashurise ne burgun e gjoksit? Ai percjell shqetesimin fisnik se "nuk gjen kurrkund nje sokak ku njerezit te duhen pafrike."

Finalja e poezise eshte artistikisht e perkryer:
“nata heq zvarre patericat neper rruget e qytetit
me kot e shtyj - ajo çalon si e çmendur
dhe s'do t'ja dije se e pres te neser me me ankth.”
Kam nje trendafil te zjarrte qe me pervelon ne buze

kam nje rrahje ne gjoks qe po ma çan zermren
dhe s'kam ç’te te jap ne kete nate veç nje buqete me yje
e henen qe varet si shporte mbi koken tende
me puthjen e neserme kur te dale dielli
nen thirrjin e zjarrte te Nerudes
Mos vdis dashuri! Mos vdis!
Se neser nuk do te jeshe kurrgje me shume se nje murane... “

Te realizuara jane dhe poezite "Pellumb ne debore","O njeri" , "Vetmi', "Mos me dil ne
shteg kokall e vjeter!","Pike- Pike", "Ankthi i lirise',"Masakra", "Fryj moj ere";"Tek nena", "Te rrosh emigrant ne Athine","Kenga e laureshes"'Netet e dashurise" e te tjera.
Poezia e Traboinit i ngjan nje ditari te mbajtur ne menyre te çrregull nga ana kohore, por gjithsesi ai sherben si nje mates i rregullt i perjetimeve dhe shqetesimeve poetike. Diku shkruan nga Shkodra, diku ne Tirane, pastaj çvendoset ne
Athine, me pas ne Boston Keshtu p.sh. poezia "Tirani" eshte e shkruar ne janar 1991. Poeti i sheh fronmbajtesit tirane te pashmangshem nga fundi i tyre i vdekshem:

“ ...çdo i mjere e ka nje shprese
te vije nje kohe qe pushtetmbajtesi
nga frika e komplotit pak nga pak te vdese
vasalet duke i vrare kot se koti.
... dhe keshtu ata nen dhune fitojne guximin
Tirani pak nga pak nis zbret ne varr.”

Poeti eshte si flugeri qe percakton motin; ai paralajmeron motin per te nesermen, te pasnesermen e deri ne fund jave a me tej. Traboini parandjene rrezikimin e lirise qe po vjen ne poezine e shkruar ne Tirane me 1990 " Ankthi i lirise":

“ te shkretet ne mund te harrojme
keshillen e urte te filozofeve te lashte!:
se gjithmone
kur dikush behet zot i diçkaje
ka rrezikun e tmerrshem qe'çdo gje nga duart mund t'i shkase.
E pastaj...
Mjere i munduri pastaj...!

Ndersa poezia pasuese eshte nje gjetje e rralle-njerzit kuaj, te çliruar nga freri, dikur te lodhur, te drobinur, instikti i lirise u jep flatra, por shpejt.. te shkretet kuaj... u lodhen te drobitur... Pse kjo drobitje?

“permes syve re qelqte,
shihnin njeri-tjetrin me dhimbje.
Kishin lene pas grazhdin e varfer
e gjysmen e jetes se vet nen fre”

Padyshim se u kishin shterruar fuqite, i kish shkretuar etja se uji ish prone e
zotave…

Poezia “I them vdekjes jo!" eshte me shume se nje sfide:
“Ti, vdekje bej ç'te duash! Vazhdo trokun !
Trokun ogurzi per betejen time te fundit
Une do te rend duke kenduar dhe ne shkofsha drejt humbjes
Siç renden njemije breza stergjysherit e mi
pa dale asnjehere kunder Lumit te gjakut qe uturon

Ndersa poezine "Dy gishta ne ere", e shkruar ne dhjetor 1990, eshte nje hymn per proceset demokratike:

Rendim, rendim me dy gishta ne ere
puthirm kaltersine
shuajme etjen e buzeve te rreshkura shkrumb

Por poeti perseri ka brenda vetes merakun se:

“... prane nesh ka nga ata qe kane harruar puthjen
e me dhembe te helmuar po i afrohen qiellit tend, Arberi!
Si Juda prane Krishtit
me hapa tinezar capiten
me puthjen kafshuese hapin portat e ferrit te ri... “

"Koha e Prostitutave" ne menyre te veçante dallon ne vellimin poetik te Traboinit si me e realizuara, me realistja; pena godet pameshire shkaktaret e rremujes shqiptare, godet kohen e perçudnueme, kur:

“kur mafiozët janë gjykatës e kapuçionët ruajnë rendin,
kur dijetari shikon tokën prej turpit dhe qiellin prej zemërimit
se pesë bananet- si pesë libra të botuar e harruar- nuk shiten,
kur nënat shamizeza e nisin diten varreve dhe plaget e hapura
qëndrojne në gjokset e tyre si murana të shpirtit,
ndersa pleqtë heqin këmbët zvarrë, duke ju lutur zotit ti marrin
se nuk kanë bukë, dritë e ngrohje për të mbledhur kockat,
kur skutave të fshehta jeniçerët e errësirës mprehin shpatat
nën klithje korbash,”

Poeti permes vargjeve akuzon dhe fshikullon ashper, por ai ndjen meshire per ato, viktimat e prostitucionit :

“Ju Hirushe Shqipëria që enderruat këpucen e artë
dhe kalin e princit - në fillim të mijëvjeçarit të tretë
jeni akuzë e gjallë e stërmundimeve njerëzore,
në një shoqëri civile, ku civilizimi azmatik gulçon
në gjokse politikanësh e shtetarësh pervers në hotel "Rogner"
që nën avuj skoç uiski a vodkë ruse prostituojnë
me ligjet e shtetin, me pasuritë, me pronën,
me kombin e kthyer në një ankand mizor dëshirash të zvetnueme,”

Pena e Traboinit nuk ka meshire per llumin e shoqerise shqiptare qe nuk e ka per gje te nxjerre ne ankand atdheun. Per nje çast te duket se pena e Traboinit rreshqet ne shtratin e poemes sarkastike te Migjenit. Poezia qe rrjedh ne shtratin e nje poeme nuk njeh kufi meshire per shkaktaret e se keqes, perkundrazi, te gjithe bashkesine e epiteteve therret ne ndihme per t’i demaskuar ata. Ndryshon puna per ato, prostitutat, viktimat fatkeqe:

“ Ju Hirushe Shqipërie, ju vajza-prostituta
kam më shumë nderim për ju se sa për politikën
a burrat e shtetit - pjellë e kohës prokustiane
e kohës çnjerzore me njerëz shpellorë
që egërsisht ju përdhunoi dhe mizorisht ju vrau,
ju vajza pa mbrojte,
pasaportë e identitetit të Atdheut tim fatkeq.”

Vellimi poetik i Kolec Traboinit i ngjan nje deti plot tallaze, ku shperthejne fortunate e shpirtit, ku lengon nje zemer e ndjeshme, qe vuan bashke me atdheun. Ne kufijte e ketij shkrimi eshte gati e pamundur qe te sjellim zberthimin e çdo njeres prej 88 poezive qe permban libri. Kenaqesia dhe kersheria shuhen duke lexuar librin.

Gazeta “Illyria”, New York nr.1184 Tetor 2002