May 29, 2008

Lirika në detin e sirenave - TRABOINI


KOLEC TRABOINI

Lirika në detin e sirenave


poezitë e mia( në qofshin)
janë më së shumti improvizime
bashkëbisedime shpirtërore me njerëzit.

më së shumti me gratë, në këtë kuptim
gratë janë fanarë të ndezur
në mademet e shpirtit tim
ku unë, në saj të tyre - shpresoj
se do të arrij të gjej ar...

të jetë platforme fatlume a fatkeqe, thua?!
të jetë një shkak asketik për t'u tunduar
për të shpresuar më tej një pasojë fatlume

pas udhetimesh në vise të largëta
nëpër detra të panjohur e të pambarimtë
duke e sfiduar kështu varfërinë
që tërë jetën si hije pas më ndoqi.

ndoshta më së fundi, falë grave
nuk do të jem më i përndjekuri varfanjak i fatit
e do iki me botën e amshimit me një trastë ar
gjetur në shpirtërat e grave.

kur të më vijë fundi s'do lë testament
u a shperndani zonjave që desha a nuk desha
me shkakun se s'i njoha, a mbase
se, ende nuk kishin lindur.

është e vetmja mirësi që mund t'u bëj
grave të atdheut tim dhe grave të gjithë botës
thesarin që ma falën sërish t'ua kthej...

30 maj 2008

...Qenka e bukur të jetosh

qenka bukur të jetosh me një pasion
që në dukje është fare i thjeshtë
ndërthurja e fjalëve
e me ta të sajosh pafundësisht vargje.

kur një ditë të mos kesh më të nesërme
trupi të bëhet i panevojshëm
sajesa e fjalëve
të zërë vendin e njeriut
të harrojë të vdekurin
e gjallnojnë ndër të gjallët

* * *
të bësh harram tërë një jetë
për tu strukur pastaj si zog i mardhur
në një shkurre dimnake fjalësh.

28 Maj 2008


Sisët e Anave

plasa t'i bind miqt e mi piktorë
se shqiptarka e Italisë
ka sisët më të bukura në botë
e se Udha e Qumështit zë fill
në thithkat e saj...

e ndoshta, gjithnjë sipas gjykimit tim
për të ka zgjedhur për të rrojtur Firencen
se atje është Davidi lakuriq
më i bukuri mashkull i Botës...

plasa t'i bind miqtë
por edhe vetë shqiptarkën Ana Sali t'a bind
e, nëse ajo ma mohon bukurinë e gjinjëve
do të kaloj Pirinejt
t'a shoh Atllantikun nudo, pa fustanin e kaltër
e atje të trokas në gjoksin e portugezes
Ana Tampado...

më shkoi jeta duke parë ëndrra nudo
duke thithur sisë Anash si bebe
herë të një shqiptarke e herë të një portugezje...